BESA SHAHINI: FARSA EVROPIANE E KOSOVËS!

Pashtriku.org, 29. 10. 2015: Secili shtet evropian mund të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) – përveç Kosovës. Kjo ngaqë Kosova nuk është shtet për BE-në status-neutrale, si dhe pesë vendet anëtare të saj që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) nuk e ndryshon këtë fakt. Artikulli 2 i dokumentit të MSA-së thotë: “(kjo marrëveshje) nuk përbën njohje të Kosovës nga BE-ja, apo nga shtetet anëtare që nuk e kanë njohur deri tani”. Kosova në këtë dokument përfaqësohet me fusnotë.
MSA-ja është një kontratë bashkëpunimi mes BE-së dhe Kosovës. Nuk është hapi i parë drejt integrimit në BE, por hapi i parë drejt liberalizimit të plotë të tregut me BE-në. Taksat doganore për shumicën e produkteve të importuara nga BE-ja do të hiqen, duke zbritur kështu çmimet e atyre produkteve. Ndërsa për produktet që eksportohen nga Kosova nuk do të ketë fort ndryshim, ngaqë ato kanë hyrë pa taksë doganore në tregun e BE-së me vite (BE-ja ka aplikuar njëanshëm politikën “preferencat autonome tregtare”qysh prej vitit 2010).

Integrimi i Kosovës në BE me hapa të Breshkës! /sh.b/

Por edhe pse tregu i BE-së ka qenë i hapur ndaj produkteve të Kosovës, një numër i vogël kanë arritur të depërtojnë atje. Produktet kosovare nuk janë të konkurrueshme në BE, as me çmim e as me kualitet. E tërë vlera e eksporteve nga Kosova në BE në vitin 2014 nuk arriti vlerën 100 milionë euro (sa për krahasim Serbia ka eksportuar mbi 7 miliardë euro po të njëjtin vit).
Kjo nuk do të ndryshojë as me MSA-në. Një pjesë e fondeve IPA (Instrumenti për Para-Antarësim, në total: 600 milionë euro për 2014-2020) do të dedikohen për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve vendore.
Do të ndahen grante të vogla për kompanitë që kanë potencial eksporti, që ta përmirësojnë cilësinë e produkteve dhe të mund të depërtojnë në BE. Por ka aq pak kompani eksportuese, saqë kjo nuk do ta bëjë ndonjë ndryshim. Sipas Programit Nacional për Reformë Ekonomike 2015, eksportet parashihen të rriten rreth 5% çdo vit. Nëse eksportet prej 100 milionë euro rriten çdo vit nga 5%, sa vite do të duhen për ta arritur Serbinë?
Përveç aspektit tregtar, MSA-ja nis edhe një dialog politik mes BE-së dhe Kosovës, si pjesë e përforcimit të bashkëpunimit. Por ky dialog nuk zhvillohet me qëllim të integrimit të ardhshëm të Kosovës në BE, por me qëllim të implementimit të marrëveshjeve me Serbinë. Artikulli 5, 11 dhe 13 specifikojnë që Kosova duhet të vazhdojë – përveç të tjerash – normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe implementimin e marrëveshjeve me përpikëri. Në të kundërtën, BE-ja mund edhe të suspendojë MSA-në.
Pra, atë që e thotë dokumenti i MSA-së është kjo: në mënyrë që tregtia me BE-në të liberalizohet plotësisht, Kosova duhet të implementojë marrëveshjet me Serbinë! Si ta cilësojmë atëherë MSA-në për Kosovën?
Secila marrëveshje që Kosova bën me shtete apo organizata përfaqëson një ndërlidhje më shumë. Një përforcim marrëdhëniesh me jashtë. Dhe MSA-ja bën këtë: përforcon bashkëpunimin me BE-në. Por nuk bën më shumë se kaq.
MSA-ja nuk është hapi i parë drejt integrimit evropian – është politikë tjetër nga ajo e integrimit. MSA-ja e Kroacisë ka hyrë në fuqi dy vjet pasi që Kroacia ka aplikuar për anëtarësim – për Kroacinë këto dy procese kanë shkuar paralel me njëra-tjetrën dhe nuk e kanë zëvendësuar njëra-tjetrën.
Shtetet nuk mund të zhvillohen në izolim, ndërsa një shtet i vogël e i varfër si Kosova nuk mund të vazhdojë të mbijetojë ekonomikisht në izolim. Kosova duhet të synojë të integrohet në BE. Por kjo nuk është e mundur si “jo-shtet”. Njohja nga 5 vendet anëtare të BE-së është e domosdoshme para se të fillojë ky proces.
Por edhe në qoftë se përmes ndonjë mrekullie njohja vjen pas 10 vjetëve, Kosova nuk do të mund të ecë përpara nëse shteti i Kosovës përfundon i ndarë etnikisht, siç parashihet me marrëveshjet me Serbinë. Bosnja sot ka probleme të hatashme në rrugën drejt BE-së, ngaqë ndarja etnike e pengon edhe së brendshmi, por edhe së jashtmi në këtë rrugëtim.
Problemi me karakterin etnik të Zyrës së presidentit të Bosnjës – ku si pasojë e Dejtonit, vetëm serbët, boshnjakët dhe kroatët mund të jenë president – është bërë pengesa kryesore që MSA-ja të hyjë në fuqi për Bosnjën.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka kërkuar që edhe etnitë e tjera të kenë mundësinë për të qenë president vendi, ndryshe është shkelje e të drejtave të njeriut. Kjo kërkesë është përcjellë tek Komisioni Evropian, i cili ka kërkuar që për hyrjen në fuqi të MSA-së të bëhen ndryshimet kushtetuese të nevojshme që edhe romët apo etnitë e tjera ta kenë të drejtën për t’u bërë president. Por Bosnja nuk arriti ta zgjidhë problemin: ndryshimet kushtetuese janë të pamundura ngaqë institucionet janë të ndara etnikisht dhe e pamundësojnë konsensusin apo vendimmarrjen e prerë.
Njëjtë do të jetë me Kosovën nëse marrëveshja me Serbinë kalon siç është paraparë. Ja një skenar i mundshëm: një qytetare turke në veri të Kosovës mund ta çojë shtetin në gjyq, ngaqë asaj i pamundësohet të jetë komandante e policisë në veri, ku vetëm një serb mund të jetë komandant. BE-ja e bën kërkesën e qytetares turke parakusht për Prishtinën në rrugën drejt BE-së.
Prishtina, për shkak se Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe do të pamundësojë qasje në veri, nuk do të ketë kurrfarë mundësie që ta ndryshojë karakterin etnik të strukturave policore atje. Serbia gjithashtu nuk do të intervenojë tek komunat e veriut, ngaqë nuk i intereson që Kosova të lëvizë drejt BE-së.
Dhe Kosova, si Bosnja, do të ngecë vazhdimisht në rrugën drejt integrimit në BE, për shkak të marrëveshjeve që po bëhen sot me Serbinë.
Le të nënshkruhet MSA-ja. Por mos ta zhdukim mundësinë e konsolidimit të shtetit për hir të liberalizimit të tregut me BE-në. Marrëveshjet me Serbinë krijojnë më shumë probleme sesa që zgjidhin. E bëjnë shtetin e Kosovës të paqeverisshëm.
Nuk sigurojnë njohjet nga pesë vendet anëtare në BE-së, e as nga Serbia. Nuk sigurojnë pra që Kosova ndonjëherë të mund të anëtarësohet në BE. Dhe si të tilla, duhet të rivlerësohen e rinegociohen, nëse shpresojmë që një ditë të kemi mundësinë e njëjtë me shtetet e tjera evropiane, atë të aplikimit për t’u bërë anëtare e BE-së.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura