BEDRI TAHIRI: EPOPEJA QË NDËRROI RRJEDHAT E HISTORISË

Galicë, 5 mars 2014 – (Në 16 vjetorin e Epopesë së Jasharëve) – Një emër që nuk peshohet dot. Zemra e Kosovës më, pa të historia jonë do të ngelte e varfër fare dhe e pakuptimtë. Dymijë vjet beteja e luftëra çlirimtare. Dymijë vjet mbijetesë e gjakime për liri. Drenica e Millesh Kopiliqit, e Ahmet Delisë, e Shaqir Smakës, e Shotës dhe Azem Galicës, e Hasan Prishtinës, e Shaban Palluzhës, e Mehmet Gradicës, e Tahir Mehës… Tokë e saj e ashpër, shkëmbinj të thepisur, mbushur me lulëkuqe erë gjaku. Aromë e saj dehëse mbajti gjallë ndër breza atdhetarizmin. Drenica djep i trimërisë e varr i barbarisë…
Dhe, më në fund, edhe mbi tokën e saj agoi ditë e bardhë. Adem Jashari dhe asharët e tjerë lëkunden globin nga vendi. Me ta nisi epoka e re, epoka e madhe e lirisë. Secili që shkeli në truallin e shqipeve u mahnit nga madhështia heroike e atyre që u shkrinë deri në një dhe i dhanë jetë lirisë. Në gjakun e tyre bulbëroi liria.
Bernar Kushner erdhi aty dhe pasi u ul këmbëkryq në odën e burrave me plot gojën tha: “Sikur të kishte çmim Nobel për Liri, ai me siguri do t’i takonte familjes Jashari”.

 Ndërkaq shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, në librin e përshtypjeve shkroi: “Këtu nisi një flakë e madhërishme, flaka e lirisë që ndriçoi Prekazin, Drenicën e mbarë Kosovën. Ajo shkreptimë e zgjoi nga gjumi Evropën e botën. Shekujt kalojnë, drita e lirisë, drita e atyre që ranë për të nuk zbehet kurrë…”
Vërtet, sa herë që të vemi në Tempullin e Trimërisë, në Prekaz, do të na fanitën ditët e lavdisë, ditët kur me gjak u skalit Epopeja që ndërroi rrjedhat e historisë…
E enjte, 5 mars 1998. Ora 5 e 30 minuta. Toka u trand në themel. U zgjuam frikshëm. Shkreptinte moti a dridhej toka?! Jo, as njëra, as tjetra. Prekazi i Poshtëm, veçan Jasharët, po bombardoheshin nga qielli e nga toka. Në cak familja e madhe atdhetare e Shaban Murat Jasharit. Qielli lotonte në heshtje. Zogjtë ndërprenë këngën e lumthi ngadalësoi rrjedhën. Tymi e flaka mbuluan diellin…
Qyqavica legjendare ngeli e nemitur. Ende nuk iu kishin tharë lotët nga masakra e Qirezit dhe e Likoshanit. Drenica martire sërish në grykën e vullkanit përvëlues. Soldateska e shfrenuar serbe, kishte mbledhur gjithë fuqinë dhe tinëzisht ishte vërsulur drejt Kullës – Kala, ku dy herë më parë kishte lënë brirët. Kësaj radhe puna qëndronte më ndryshe. Adem Jashari ishte bërë tmerr për Beogradin. Kryesatanai po e shihte edhe në ëndërr. Dhe, plani ishte stërholluar mirë e mirë. Ishin dërguar forcat e njësive më speciale, komandosë e xhelatë profesionalë, me arsenalin më modern të armatimit, dhe përnjëherësh ishte bllokuar e paralizuar mbarë Drenica.
Rrathët e hekurt ia mbërthenin shtatin pamëshirshëm. Jeta e vdekja sy më sy. Nga kodrat përreth topat e minahedhësit e mëdhenj villnin zjarr pa pushuar. Kudo tmerr e lemeri ngjethëse.
Në kullën e qëndresës, që pa gdhirë, ishte dhënë kushtrimi. Trimat u zgjuan rrufeshëm. Plaku Shaban hapi frëngjinë dhe shkrehu pushkën e parë lajmëtare, si dikur Muji i Jutbinës, kur lajmëronte kreshnikët për ndonjë të ligë që u kanosej. Edhe nipat, që flinin me të, Besimi e Fitimi, i zunë dy frëngjitë e tjera. Hamza, në kullën tjetër, andej lart, nga ana e Fabrikës së Municionit, i bëri fora të paudhët, që përpiqeshin të zvarriteshin e të afroheshin tinëzisht.
Po komandant Adem Jashari?!
Ah, trimi i trimave, nuk po ngutej fare. Ai, si përherë, i qetë e fare gjakftohtë. Pasi u përgatit mirë e mirë, drodhi mustakun deri pas veshit dhe u sul furishëm drejt dyerve të oborrit. Tanku ngjyrë blu shtangu në vend. Djajtë ranë si bari në arë përgjatë murit rrethues. Nga zëri i tij lemeritës u tmerruan edhe komandantët gjakpirës që me dylbi të stërgjatura përcillnin aksionin nga pirgu famëkeq. Ushtarëve të rinj u ranë armët nga dora. Lufta mori hov të paparë. Granatat e kalibrave të ndryshëm bënin kërdi. Dita u bë natë nga tymi, e nata u bë ditë nga flaka. Dielli i zymtuar, tri herë lindi e tri herë perëndoi. Beteja e përgjakshme s’kishte të sosur. Kënga e trimave sfidonte krismat e topave. Në gjoksin e Hamzës u shkri granata, por u fik tanku. Plaku, mbetur pa fishekë, rroku flamurin kombëtar, atë me të cilin dikur e kishte mbështjell Ademin, dhe u doli përballë, duke brohoritur me sa zë që kishte: Rroftë Kosova! Rroftë Shqipëria!
Edhe të tjerët, i madh e i vogël, qëndronin heroikisht. Askush nuk i druhej vdekjes, as gratë, as fëmijët. Heroizmi i pashoq. Altruizëm e sakrificë mbinjerëzore, mahnitëse. Zëri kushtrimtar i komandantit kishte tundur edhe dheun. Pas tij shkonin edhe malet, edhe fushat, edhe lumenjtë. Gjurmëve të tij ecnin edhe më të moshuarit. Dajë Osman Geci i Llaushës e nip Aliu nga Luboveci, edhe pse kishin rrafshuar të gjashtëdhjetat, kurrë nuk iu ndanë trimit.
– I duhet Adem Drenicës, i duhet Ademi Kosovës, – thoshte daja Osë, i cili shkrihej për niposhin sypatrembur.
Atë natë s’patën kohë t’i rroknin çiftelitë e t’ia thoshin këngës së Zhujë Selmanit, sepse erdhën vonë nga Rezalla, ishin për t’i vizituar të plagosurit e Betejës së Likoshanit, dhe u zgjuan herët nga gjylet e topave…
Flaka e luftës, sakaq, u ndez ashpër në gjithë lagjen Jasharaj.
Në hyrje, si male më dëborë, qëndronin nënë Sala me të shoqin Hamitin. Tringa e Prekazit, me nëntëshen në dorë i qëndiste në lule të ballit ata që guxonin të kapërcenin pragun e pashkelur.
– O Shën Savë, ky është i vrari ynë i tetëdhjetë e tetë,- thanë më vonë cerberët, duke bërë kryq, kur nën rrënojat e murit të shtëpisë së saj gjeten skërmat e një polici kokëprerë…
… Tutje Sadiku me djalë Ramizin e veçan Qerimi me djemtë sokola: Shahinin e Ukshinin ia thoshin këngës së dyfekut për mrekulli. Në anën tjetër të rrugës, mbanë varrezave, pandërprerë gogësinte gacatorja italiane. Luftonte Smajl Jashari pa e honepsur dot vdekjen.
– Po Faiku, Kajtazi, Aliu, Isaku ç’bënin vallë?!
Ata, si me flatra dragoi ngarendnin drejt kraterit përvëlues. Atje, si në ishullin e sirenave, i ftonte pavdekësia. Edhe në shtëpinë e rapsodëve kishte heshtur melodia e çiftelisë. Vendin e saj kishin zënë grykëhollat, që këndonin bukur në duart e Halitit e të Hajzerit. Atyre iu bashkëngjiteshin edhe ato të Halitit, Beqirit, Sherifit, Nazmiut…
Edhe gurët e kullave sfidonin mordjen dhe i thurnin himne lavdisë. Mbijetesa, kënga dhe pavdekësia. Muzgu krahzi sikur nxitonte të vinte pushtet dhe t’ua errësonte edhe më verbërinë gjakatarëve karpatianë. Hëna, si vashë e ndrojtur, skuqej para barbarisë dhe fshihej pas resh. Në pusin e kroit të Jasharëve, nën ca shelgjishte të rralla, pehateshin ca si hije të përhitura.
Vallë, cilët ishin ata, që shikoheshin sy më sy me vdekjen?! Ishte Bashkim Jashari me kushërinjtë: Bilallin, Ragipin, Halilin, Qemalin dhe me Shekipin nga Klina e Poshtme.
– Bashkim, çajeni rrethimin!- e kishte dëgjuar si për mjegull zërin e balit Hamzë dhe, me shpirt ndër dhëmbë, pas tetë orë kacafyetjeje me bishat e shfrenuara, ia kishin dalë mbanë dhe kishin arritur deri aty. Por, rrathët e ferrit ende s’kishin mbaruar…Tanku, me sy çiklopi, u qëndronte fare pranë…
– U vra Zenë Jashari!… U zhduk Zenë Jashari!
Jo, ai ishte gjallë, por fati e kishte goditur rëndë. Gruan, Bahtijen me djemtë: Avdullahun, Bujarin dhe Blerimin ia vranë katilët. Valdetin ku e kam? – pyeste ai duke e kërkuar kodër më kodër. Nëpër flakë pushkësh e kishte parë që bashkë me Shahinin e Qerimit kapërcenin lumthin. Edhe shumë plumba kishte parë të suleshin drejt tyre … Djaloshi sërish kishte kthyer prapa. Hamitin e kishte qëlluar granata në kokë dhe trupi po i digjej flakë. U përpoq ta ndihmonte e ta fikte, por kot. Mezi u ngjit në tavan dhe prej andej shihte skena tmerruese. Krisma… britma…sharje…tym… flakë… Kur kriste mitralozi i bacë Ademit, mbanin frymë edhe lisat e malit. Ai dallohej nga të tjerët, jehonte më shumë se edhe topat e hasmit.
Autoambulancat s’pushonin kurrë. Dikur flaka zu t’ia lëpinte edhe këmbët e tij të zbathura. Terri ia mundësoi Valdetit ikjen nga ferri…
Po errej edhe dita e tretë e betejës. Një shqipe sogjetonte kujdesshëm nga lartësitë qiellore. Zymtësi mbytëse pllakoste mbi çdo gjë. Krismat kishin pushuar. Kishte pushuar edhe kënga e trimave. Veç tymi ende fjollonte qetë – qetë nga hambarët më grurë, që digjeshin në vete. Nëpër qiellin e përflakur retë e trazuara bartnin acar, shqotë e fërfëllizë.
Në kullat gërmadha mbante erë e rëndë shkrumbi e baruti. Gjë e gjallë s’pipëtinte. Një si hije e përhitur kapërcente mbi kufomat e panumërta, në oborr, në lëmë e në rrugë.
– O Zot, ishte zanë mali a fantazmë? Ah, jo, ishte Besarta e padjallëzuar, që kishte sfiduar vdekjen. Si e nemitur, mezi kalonte midis tyre. Ç’pamje llahtarie, që të shokonte në vend. Lloj- lloj uniformash e lloj- lloj suratësh të ngjyrosura e çoroditëse. Midis tyre gjeti edhe gjyshin e gjyshen, Shabanin e Zahiden. I gjeti edhe prindërit e dashur, Hamzën e Feridën. Babanë Hamzë me gjoksin egroposur, si të Mic Sokolit. Çudi, në ato çaste loti i kishte ngrirë në qepallë. Pak më tej i gjeti edhe tjerët: Zarifen, Hidajeten, Igballen, Igballin, Selveten, Afeten, Besimin, Lirinë, Blerimin, Fatimen, Blerinën, Adilën, Fitimin dhe Kushtrimin…
– Po baca Adem ku ishte vallë, që nuk po e gjente dot?! Deri vonë ia kishte dëgjuar krismat dhe këngën. Pse nuk po qëllonte më?! Po këngën pse e kishte ndalur?! Sërish zuri ta kërkonte…Por, kot, atë nuk mund ta gjente andejpari. Jo, jo. Ai po shëtiste në ballë të protestuesve nëpër rrugët e Prishtinës, të Tetovës, të Tiranës, të Bonit, të Nju-Jorkut…Ishte bërë shpirti i luftës sonë çlirimtare…
Sakaq sikur iu vegua një zë. E ndali frymën dhe mbajti vesh. Puhiza krahëlehtë depërtonte zhurmshëm mureve të zhbiruara dhe arrinte deri tek magjja, nën të cilën kjo kishte mbijetuar vdekjen vellozezë, duke sjell jehonën:
Ku m’je nis oj lulja me erë?
Në Drenicë te baca Adem…
Aman, o madhëri, sa shpejt e paska marrë kënga me vete, për ta mbajtur të gjallë përherë! Ashtu e ka ajo, vetëm të pavdekshmit i pranon në gjirin e vet. Shpirti i tij luftarak shëtiste si me krah dragoi nëpër istikame, duke u dhënë zemër luftëtarëve të lirisë, në Drenicë, në Dukagjin, në Llapushë, në Llap, në Pashtrik, në Shalë… Emri i tij kishte zënë vend nderi në zemrën e madhe të popullit dhe ishte bërë legjendë e legjendave.
Një zog këngëtar, nga maja e oxhakut, që kishte përballuar rrebeshet rrënuese dhe krenarisht mbante kokën lart, ia thoshte këngës ëmbëlsisht:
Amanet ore djali – djalit,
M’i këndue Adem Jasharit,
Që i tregoi mirë barbarisë,
Si qëndrojnë shqipet e lirisë…
Dhe, sërish vjen marsi! Marsi i trimërisë, siç thoshte Lasgushi ynë mendjendritur.
Dhe, sërish, kujtesa jonë shënon, nderon, përkujton…
Mbase, edhe nuk bënë ndryshe.
Kush e harron historinë është i detyruar ta përsërisë! – këshillojnë të mençuritë.
Dhe, kësaj here do të veprojmë ndryshe. Do të bëhemi tok, si një grusht i vetëm dhe, amanetin e brezave, do ta mbajmë vath në vesh deri në realizimin e synimit tonë jetësor: BASHKIMIT KOMËTAR!
Kështu na obligon edhe gjaku i dëshmorëve të të gjitha kohëve.
Kështu na obligojnë edhe mbi dhjetëmijë të vrarë e shumë të plagosur.
Kështu na obligojnë edhe rreth tremijë të zhdukur.
Kështu na obligojnë familjet e dëshmorëve dhe jetimët.
Kështu na obligojnë invalidët e veteranët e luftës sonë çlirimtare.
Mbase, mbase, më mirë së të gjithë, duhet të na vetëdijësojnë edhe vetë arrestimet dhe burgosjet e çlirimtarëve!!!
No comment!!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura