REXHEP KASUMAJ: KODI I PAZBËRTHYER I QETËSISË

Pashtiku.org, 21. 06. 2013 – (Një ofshamë klasike) – Kukuvajkat e fshehura janë rojë, janë stagon, ku në vend të ujit të bekuar, mbahet i mbyllur gjaku i prishur i qyqarisë.
1.

Mijëvjeti i ri erdhi me prurjet e ëndërruara shekujsh nga breza të tërë njerëzorë. S‘ka e s’duhej të kishte më survejime, rrudhje, linja orientuese, e deri, madje, hetim të pëshpërimës, lodhjes, vështrimit të vranët… Përzgjedhja shtetërore binte si sëpatë Lygurku mbi mëndjet e kreshpërosura ose, si balsam paqëtues mbi aktkrijimin a shkrimtarinë lojaliste. Tashmë, falë Zotit, janë të pafund revistat e blogët dhe botuesit e shpërndarësit e produkteve të lira intelektuale. Ndër palët e këtij rrëmeti demokracie aderojnë dhe logët e rrjetëve socialë që rrezatojnë ndikime emancipimi të mahnitshëm. Lëvizjet e informacioneve kalojnë shpejtësisht fletëzat e tyre. Sado libri ruan sovransinë parake, ato janë shndërruar, tashmë, në njëlloj rezervoari planetar të dijes. E veçanta nuk mund të jetë substituimi i bibliotekës – por kontaktvënja me gurrën e ofertës ditunore dhe me përvijimet korrente të kohës sonë.

Mirëpo shpesh, disi i keqardhur, them: ç’ndodh kështu? Përse më rastis të bezdisem me këtë votër, shpesh, meskine e panagjyreske? Kisha lexuar paradokohe dhe një shkrim interesant me titull simbolik e të kuptimshëm: “Në gjak me Facebook-un“. Ndonjëherë, vërtetë, si padashje, njeriu bie në gjak me të. Natyrisht, jo sipas verdikteve të largëta kanunore. Është një gverr krejt më i ndryshëm e mondan dhe, ndaj, më pak i fismë e kalorsiak…
Në fakt, është një mbarësi të shohësh miq me finokëri t’holluara nga shija, dija e mirësia, që bëjnë njatjetime të çiltëra, uresa, batuta të këndshme, falmeshëndetje, qortime të maturuara, kuriozitete, artikuj e poezi, këngë të bukura, sekuenca filmash, evokim dijetarësh e artistësh të shquar, bashkëdhimbje, dialog me etiketë, kurajime, këmbim emocionesh, fillesë njohjesh, impenjim në vorbën politike… Por, megjithëse pretendon një tribunë të hapur, sërish njeriu nuk ia del përherë të shmang deshpërimin nga publikime të çuditshme, të ulta e provinciale: me informacionet e palajm, analizat si kumtesa partish bolshevike, kanosjet, qëmtimet e biografive, ekzaltimet ultrafetare me ofezë për faltoret tjera, humorin banal, blamazhet krahinariste, rrugaçëritë, fotot përtej etikes, denigrimet, gjuha pështymore, urtitë e famshme “senekiane”!
2.
Dhe, saherë vërej këtë rënje që nxinë më tepër nga mungesa e vullnetit për pikësynimin e mbrothësisë, i thur lavdi Konicës së madh. Sigurisht, është trishtuese të mendosh se fjalët e tij konformohen ende sot në mijleun shqiptar. Thumb i tyre është therës e ngushëllues dhe, poaq, rrafshues e këndellës njëkohësisht. Është vetë drita iluministe që fton për të çarë perden homerike. Tek shpotiste zemërplasur (në “Përrallat e Zululandit”) bashkëkombësit e vet të mbytur në injorancën e pashpresë – citonte ai zulutë që fantakseshin pas këtyre vargjeve:
“E marta kur u mbarua
e mërkura u fillua”
Ose:
“Gomarica vjen vërdallë
A do qumësht a do dhallë?
Bandi, dandi, kandi, randi
Rroftë; e qoftë Zullulandi!”

Kaq mjaftonte që, pastaj, i gjithë zhgani i zuluve t‘brohoriste kopeisht përgjatë përroit, thuase kushedi ç’vargje të arta poetike apo aksiomash filozofike, kishte deklamuar idhull i tyre.
A nuk ndodh, mjerisht gati ngjashëm, dhe në arenën facebook-jane (dhe në portale të tjerë) të motit tonë? Kur ndonjë “mik” kuvendtar editon, fjala vjen, këtë zbulesë ingjenioze: “Në Postasel kishte pluhur, e në Königshausen ka veç gjelbërim“ – turma e mijëra miqëve, si tek zulutë e zvargur, turret me pëlqesa, komentime, replika të ethshme, dithirambe, elozhe idhujtarie, shtesa, lëvdata me afsh, kritika, ripostime gjithë patos!.. Me flamurin e vulgut të lumur e triumfues, hovzohen e naltohen, ashtu, baltovinat e pështirosura. Po rrjeshtimi koral pas tyre, më tepër se për skribomanin zuluist, flet për ordinë bërtitëse dhe mjerimin e saj provincial. E, pse jo, për të gjithë ata që flasin gjuhën e tyre.
3.
Elitarët janë pakicë kudo e përherë. Ajo që është e pritshme prej tyre, nuk është prej të tjerësh. Po është prapë pikëlluese se si, ndjekur hirit duhmonjës, zbresin teposhtë injorueshëm krijime nga shpirtëra të mëdhenj, shqiptar e të huaj. P.sh. „Kokaina e popujve“ e Ekos, „Paraja“ e Borhesit apo „Kthimi në Kosovë“ i Agollit, përftojnë shurdhërisht. Nuk i preferon kush. Ose fare pak. Do t’ishte në limitet e durueshme morale, sikur ato të ndëshkoheshin veç me heshtje (ose shfletim të pashenjuar) nga tirania e Naltmadhnisë së saj, Smirës. Salierizmi është krejtësisht njerëzor. Po e keqja, si për të dëftuar fantazinë e saj të bujshme, qëndron më poshtë. Poeti i largdëgjuar rus Jevtushenko, shpallte i zhgënjyer se tani që hodhëm pas krahësh censurën bolshevike – kemi rënë në kthetrat e një tjetre, akoma më fundosëse: në censurën e mosleximit! E pra, refuzimi i brilantinëve që lëbyrin sytë e mësuar në terr, është kumt i keq. Është pikërisht kjo rrëzomë që me ligështon. Sepse, posi tek kampionët e gjakut, e përshfaqur në lëpestrat e këtij kuvendi të gjithëbotshëm, ajo bën, si me thënë, mikroplanetin e arealit tonë kulturor kombëtar!
Globalizmi me të gjithë rrëketë anësore të pamira, rezultoi një ngushtore e rreptë e mediokritëve a diktatorëve lokalë, në kulturë dhe politikë. Gëzojmë prej tij më kollajshëm se kurrë, hapsirat e interferencave dhe dhuntarët ndjehen të mbikqyrur e jokomodë. I vret ndërgjegjësimi i të sunduarëve dhe u prish gjumin dyshimi sfidues i tyre. Shpalesat e rrjetëve socialë, si do të provonte pranvera arabe, do të bëheshin fushëtakim djemërie që u inspiruan e guxuan të bënin histori. I dhanë fund një kodeksi të ligjëruar e zakonor që prente fatet e tyre qysh nga faraonët e lashtësisë. Dhe kjo është ana tjetër e magjisë së tyre: aktivizmi pragmatik për begatimin dhe fisnikërimin e jetës kur ajo ngujohet në statu-quonë e padurueshme të rutinës së shfytyruar!
Degjenerimi i kastave politike e represaljet shtetërore, mandej frustrimet e gjakimet kolektive dhe solidarësia e vegimet e përbashkëta, gjenden prandaj, si askund, në flakëzat e tyre. Si kurorë e mohimit të së keqes, ngjizen, tutje, xixat e rebelimit të emancipuar. Natyrisht, pa manifest të shkruar, pa prijës të largët e mistik që ngreh fijet diku nga padukshmëria e errtë. Turma e sugjestionuar pozitivisht nga statusi i njeriut të vogël të nëpërkëmbur dhe ideja e përmbysjes së titjave të rremë, sikur jep vetë udhëheqësin. Në proces e lëvizje shfaqen konturat e tij. Madje, shpesh nuk ka rezultuar asnjë i tillë. Ka shpërthyer si një Vezuf, një magmë vullkanike, e më pas, kur ka djegur guvernantët poshtërues, është kthyer sërish në shtratin e vet, pa flamurtarë fuqidashës. Ishin e janë, rëndom, të tjerët që fronsohen në tempull…
Që këtej rrjedhon friga, gati mneri i tiranive a klikave të çoroditura politike nga zjarri i tij. Sakohë plasin turbulenca të ngjashme, jo vetëm si gjasë po dhe si prani reale, kudo në skutat e botës, e veçanërisht në fqinjësinë e saj, Kina, fjala vjen, drynon vegëza informacionesh në shkallë kombëtare. Kurse Erdogani, të cilin nuk e mendoj despot, do t’thoshte për to një fjalë të pamirë e mosmarrëveshëse në epokën e civilizimit demokratik: janë, pohonte ai këto ditë, fatkeqësia më e rëndë e njerëzisë. Athua? Njerëzisë apo pushteteve të liga?!
Porse, tek meditoj për këtë misionarizëm spontan të tyre, e pra dhe të të mirit Facebook, m’vjen vetiu pyetja: përse nuk gjejmë në versionin e tyre shqiptar një mobilitet të tillë? Dhe poashtu: përse tiranët tanë, bashkë me kastat e tyre zvarranike të stolisura suporesh parlamentarie, nuk ia kanë fare dronë atyre? Madje janë vetë aty për të shpërndarë mesazhe plot premtime e shpresë, përshkuar nga gënjeshtra e cinizmi më i kulluar. E, në vend të dridhmës, janë krejtësisht të qetë e të prehur si lulja e nacionit dhe personifikim i dedikimit dashunor ndaj tij. Megjithatë, është e pashmagshme një pretencë sqaruese: kujtojnë, vërtetë, se janë të tillë apo, duke njohur mirë popullin e tyre inert, bluajnë marrëzitë tragjike? Sigurisht. Kjo është përgjigja dhe asnjë tjetër! Bashkë me të zezat që vargojnë – iu shtohet poaq, me një ngjitje çuditërisht përpjestimore edhe rrethi i admiruesëve të ndërkryer që shkumojnë në delir kur luten gërrithshëm e ritualisht për ngadhnjimin e tyre. Pikërisht si në seancat e përtallura të tribuve gaztor të Konicës.
Ndërkaq, jashtë këtyre kolonave milituese, gjithkush e gjithçka tjetër është antinomike e përjashtuese. Në një anë ankesa e vaj për hipokrizinë pushtetare, keqdefinimin e interesit kombëtar si pasojë e kundrimit nga vendimmarrës të hipotekuar, shpërdorimi i pronës dhe kallja e përspektivës së fëmijëve të tyre, por sërish – qetësi harmonioze. Sindikalistë të klientelizuar. Organizma joqeveritarë të xyfur e lakmitarë. Pajtim bestytnor. Pritje që tjetri të ngrejë krye e të bjerë. Mnirje tinzare. E tmerrshme!
Një park që ishte shenjuar të zhbëhej në Stamboll apo përmbytjet në Saksoni, do ti nxirrnin jashtë mijëra qytetarë të nxitur në faqet internetore: një palë në revoltën përndritëse dhe tjetra në vullnetarizëm ndihmëtar. Por, kryesorja që i bashkon të dyjat, është mosngurrimi, kurajua civile dhe sublimiteti i tyre ndërmarrës deri në pragun e flisë!
Më shumë kulturë, qytetari dhe frymëzim për veprimësi publike do t’ishte, mbase, imanenca kuptimore e rrjetëve të mrekullueshëm socialë. Kukuvajkat e fshehura janë rojë, janë stagon, ku në vend të ujit të bekuar, mbahet i mbyllur gjaku i prishur i qyqarisë. “Përmes dijes njeriu çlirohet prej mortit“, mësojnë Upanishadat hinduiste, që ndonëse fjalërënda, rrëfejnë udhën për ti dredhuar zvetnimit dhe gropës së popujve të harruar të botës.
Berlin, pranverë 2013

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura