REXHEP KASUMAJ: KULTURA E MASHTRIMIT!

Berlin, 7 shtator 2017: 1. Colmar…(një sprovë heretike)
Në Colmar shpesh janë ndërruar guvernat dhe flamujt. Elsaß-Lothringen (ose Lorraine), herë pushtohej nga Lui 14-të e loste rol të epërm politik për Oborrin e tij, e herë çlirohej (“pushtohej”) nga Bismarku (1870), për të stolisur krenarinë prusiane. Por nëse Provinca gjithë kohës i ndërronte zotat politikë, do të ruante përherë shpirtin kulturor gjerman. Dhe Gëte, që mburrej të pëlqente filozofinë kantiane mbi qytetësinë e botës, mahnitej me kullat, arkitekturën, udhët, portalet dhe frymën gjermane të Strasburgut.
Alternimi i stinëve, sundtarëve, pluhnajës së ushtrive, stemave, teorive mujshare të së drejtës, mandej konspirimet, dogmat, mitet e shpifura, arroganca e fuqisë, identifikimi jetik, shpallja e mbarimit të kohës që do të përftojnë turbull këtij qyteti elsasian, sikur s’ndjehen aspak të huaja dhe kërkojnë trollëzim në Kosovë…
Ndaj dhe, kjo bashkësi a kryeqytet i Haut-Rhinit vjen si yshtje me dritë-hijet e viteve në Republikën çalamane. Dhe vjen me misionin e mundur: të përziej gurët e një mozaiku të errtë. Behja e saj nuk është, që këtej, një simbolikë shterpësore. Vete përtej saj dhe delirit të turmave. Është kumti i fshehtë i historisë që përmbyste realitete politike mbi gropën e vullneteve etnike.

Dhe, si për të vijuar makthin, i gjithë fragmenti del të komponohet natyrshëm në amzën e përbetimeve të vjetra që i dhuruan rreth 100 vjet status robi një interesi kombëtar, të piketuar qëkurshëm si të kundërt në Gadishullin ilirik..!
2. Dhunë…
Mashtrimi është dhunë klasike. Një nga format më të fshehta e të rënda të saj.
Dhunë është, poashtu, ta mbash dikë në lajthitje e terr: një viktimë e besimit të vet fismëtar.
Etika e braktisur, mbanë tjetër, bën një shenjë lajmëtare, të errtë e pararendëse të dhunës. Çdo krizë kombi a shteti zanafillon pikërisht tek venitja, dorëzimi i saj.
Rrjedhimisht, e transponuar kjo qasje në politikë, del se një pushtet i rrëmbyer me mashtrim e gënjeshtër është, ndaj, pushtet i rrëmbyer me dhunë.
Por, me gjasë, oligarkët e zinj të Prishtinës, keqkuptojnë, po ta kenë lexuar, Niçen e vështirë. Ai thoshte: nuk ka dukuri morale, veçse shpjegim moral të tyre.
Dhe, në këtë gjurmë, ata bërtasin me instinkte edipiane: ti biem Dhéut mëmë, tani që e kemi nën thundrat tona…
3. Shpalesë e trishtë…
Ngadalë shpalohen, pa mundur të shkëlqejnë, fletëzat e një sundi të riformatuar, të errtë mbi krahët e lodhur të Kosovës.
Haradinaj, i ekzaltuar që preku ëndrrën fajtore pas betejash n’për tezga ku shiten mandate politike me pakicë, tha fjalën shenjëzuese.
Ardhja e Akr-së, u shpreh ai, është një nder i mirë. Një logjikë ose, më saktë, një rezon i ulët kulturor. Po është dëgjuar a, (ruana Zot) lexuar, vallë, ndonjëherë ky kategorizim nderesh? Si mund të ketë nder të mirë, që presupozon të kundërten, nderin e keq? Nderi, vërtetë, ose është ose nuk është. Një dyllojësi a oponencë në këtë vlerë morale, e kjo dmth. njeri i ndershëm i mirë dhe i ndershëm i keq, s’ka njohur historia e qytetnisë.
Këto janë xixat e para që paralajmërojnë nivelin e emancipimit politik. Ndërkaq, dimensioni i dytë, tashmë i keqnjohur, është riqarkullimi i lirshëm i klanit shtetvjedhës, e pra kriminal, i paparë në Europë. Por, tashmë, i plotësuar me gjak, pasion, revansh e fantazi të re flatruese.
Dhe, për të mbyllur rrethin e përsosmërisë negative, një ironi therëse hedh fijet e saj. Ata që vranë e prenë shqiptarë dhe të tjerë që i mbështetën ata në veprën e etnocidit, tani fërkojnë duart të gëzuar. Eksponentë të tyre që, për çudi, nuk e fshehin aspak rolin e lig në prapaskenat e mnerit, formësojnë mozaikun e legjislaturës së vonuar, madje përcaktojnë ngjyrat e saj..!
Zymtore, sigurisht!
4. Simbolikë…
Pjesëtarët e fisit afrikan Ga (të Ganës) kanë ca rituale interesante varrimi. Për ata që iu lënë sh’ndenë, porosisin arkmortër formash të çuditshme, që duhet të pasqyrojnë pasionin e të ikurit: si piano, çekan, peshk a kitarë…
Tani që janë bërë të lirë e globalë, shqiptarët, më saktë sundtarët e tyre, do mësojnë përvojat e vyera gjithandej botës.
Ndaj, me gjasë, më shumë se vetë ganezët e zinj, do të deshnin një arkë të pangjashme për mbetjet e tyre trupore. Nuk do të joshen fare nga peshku e çekani, aq më pak nga një piano e përzishme.
Të devotshëm e venddashës, ata kallen dhimbjes për një sarg a, madje, sarkofag solemn me profilin e Naltmadhnisë së bekuar, Monedhës, në aktin triumfal të Vjedhjes së saj..!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura