REXHEP KASUMAJ: LEHTËSIA E PADURUESHME E SUNDIMIT

Berlin, 14 qershor 2018: “Papa Xhulio i dytë ishte aq i rrëmbyer dhe koha kur jetonte aq e përshtatshme për këtë sjellje, saqë ai realizonte gjithmonë qëllimet e veta”, shkruan Niccolo Machiavelli, një borgjez laik, diplomat e ushtarak fiorentinas në “Princin” e famshëm (1513), këtë libër të librave mbi moralin e politikën.
Që në hyrje, tek i drejtohet prijësit Lorenzo de’ Medici të cilit i kushtonte veprën, thotë përvujtnisht se s’mund t’i ofronte hirësisë princërore diç më të mirë, sesa mundësinë për të përfituar në pak ditë atë që ky kishte mësuar tërë jetën.
Pastaj, në hullinë e mendimit të sipërthënë, do nënvizonte se suksesplotë është vetëm ai Princ që i shkon për mbarë fryma e kohës. Rrjedhon që, po të jetonte dhe ca Papa i hallakatur e, njëherësh, koha të ndërronte trillet papritur, do ndëshkohej keq prej saj…

Këto janë ligjet e kryehershme të historisë. Por a nuk njohin dhe ato të drejtën e përjashtimit? Natyrisht! Kosova është prova lapidare e këtij kumti, këtij urdhëri të përjetshëm të dialektikës. Sepse, ndryshe, nuk shpjegohet dot përse koha e saj ka prorë një pjellori mahnitëse për të ngjizur e fryrë kurorën e së keqes!
Behnin këndej tufanesh të përgjakura Vali e Zhupan, Hazjajin e Komitetar, Vozhd e Mëkëmbës dhe, të gjithë e përherë, gjenin në motet e saj atë frymën ideale të Niccolos, për të prishur e shprishur çdogjë: me doktrinë e mort, plaçkitje e dëbim biblik. Ata vinin e tretnin dhe kohët dukej se lëviznin shenjën, ornamentin a ideologjinë, por, sërish, secilit që fronsohej i dhuronin lehtësinë e padurueshme të sundimit që fatkeqësonte jetën e brezave të flijuar.
A nuk është kështu dhe sot? Republika e mosvarme vijon njëj bujarie të askundparë përshtatshmërinë e përsosur: që frymën e fatit të vet ta bëj të shtruar për guvernantët fillhumbur, tashmë, të stolisur me petkun e bukur kombëtar!
Machiavelli pohonte se kohët, duke ndryshuar, ndëshkojnë princat që vuajnë marrëzinë e ndërkryer, mandej mungesën e intuitës a leximin e kumtit të saj. Mirëpo, mjerisht, kohët e Kosovës shqiptare, megjithëse ndryshojnë shpesh, ruajnë si një cen të rezervuar qiellor, tharmin konstant ndër shekuj: pllenimin frytbartës për liganët politikë që, dhe në cikël perëndimesh të tyre, alternohen paprerë në role e misione, të zinj si vetë nata e saj!

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura