BEHXHET SH.SHALA’BAJGORA: PARIMET PËR BISEDIME PËR KOALICIONE PA PARIME!

Prishtinë, 09. 07. 2014 – (Koalicioni karikaturë i Lekë Dukagjinit) – Presidentja e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga e caktoi datën kur duhet të mbahet mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës dhe kur pritet edhe përballja e parë si duket edhe vendimtare midis koalicionit parazgjedhor që udhëhiqet nga PDK, ndryshe fituese e zgjedhjeve dhe koalicionit të zorit, inatit dhe urrejtjes që udhëhiqet nga LVV – FERR. Mundësitë janë shumë të mëdha që ai që e fiton Kuvendin do ta bëjë edhe qeverinë. Lesharapizmi parapolitik dhe papjekuria për ndërtimin e institucioneve, si parakusht i një shteti funksional duket se kanë qenë dhe mbetet shenjë identifikimi i shqiptarëve, në rastin konkret në Kosovë dhe gjithashtu edhe në të gjitha vendet apo shtetet ku jetojnë shqiptarët, duke filluar nga shteti që do të duhej të shërbente si Piemont i të gjithë shqiptarëve, Shqipërisë për të vazhduar pastaj me Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë etj., Kosova, me më pak se 2 (dy) milionë banorë dhe diçka më shumë se 10.000 km katrorë mbi të cilat nuk ka shtrirje të plotë të sovranitetit, prandaj edhe integritetin territorial e ka të dyshimtë, i ka mbi 60 subjekte politike të regjistruara të cilat marrin pjesë me synim ta marrin pushtetin. SHBA dhe Gjermania, si superfuqi botërore politike dhe ekonomike i kanë dy apo tri parti kryesore, të cilat ndërrohen në pushtet sipas një rregulli të pashkruar, prandaj edhe nuk kanë fare problem pas zgjedhjeve.


Hum(b)nerësit tunel’or të Kosovës!!! (sh.b)

Vetëm kur është shteti i lodhur dalin mbi sipërfaqe problemet me të cilat po përballen, jo partitë politike por qytetarët e saj. Partitë në Kosovë e synojnë pushtetin dhe jo mbrojtjen e interesit të qytetarit. Në këtë gjendje që jemi katandisur me fajin e partive politike dhe ambicieve të sëmura që pushteti të mbahet me çdo kusht apo të fitohet me çdo kusht, shpëtimin e kërkojmë te ata nga të cilët kemi krijuar raporte vartësie. Te ndërkombëtarët që kryesisht i quajmë miq ndonëse nuk sillen gjithmonë kështu. Për politikanët tanë më argumentues duket një kërcënim i ambalazhuar mirë apo edhe kërcënim lakuriq i ndërkombëtarëve se një këshillë e dobishme për të gjithë e autoriteteve vendore. Prandaj edhe flitet se do të dërgohet një zarf nga Brukseli përmes një politikani me ndikim apo se Kosovën do ta vizitojë një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit të SHBA-së etj. Zarfi na është bërë pikë referuese e ndërtimit të institucioneve. Sindromi i Princ Vidit po aktualizohet edhe tash në Kosovë. Shqiptarët historikisht dhe praktikisht shumë më lehtë i pranojnë “rregullat“ e anarkisë se ato të demokracisë. Prandaj e kemi këtë katandisje dhe luftë të pamoralshme për pushtet e jo përpjekje për të ndërtuar shtet. Jemi para dy situatave ku palët konfrontuese janë jashtë të gjitha rregullave demokratike. Partia në pushtet e ka çështje mbijetese politike, ekonomike por edhe fizike qëndrimin në pushtet edhe për një mandat. Partitë e koalicionit paszgjedhor duan ta sugurojnë mbijetesën politike, të forcohen ekonomikisht (përmes “luftimit“ të korrupcionit), të mbijetojnë fizikisht duke e eliminuar fizikisht pozitën përmes kërcënimit me burgosje prandaj nuk po zgjedhin mjete dhe mënyra ta marrin pushtetin duke bërë koalicione krejtësisht të panatyrshme, joparimore dhe jonormale. Moralin në këtë rast nuk po e përmend sepse do të dhunohej nëse vendoset në kontekst të luftës midis dy blloqeve politike!
Konstituimi i Kuvendit apo lamtumirë për shumë deputetë
Beteja e parë dhe kryesore parashihet të zhvillohet me 17 korrik 2014 në Kuvendin e Kosovës ku opozita paszgjedhore mendon ta zgjedhë Isa Mustafën kryetar të Kuvendit të Kosovës, e që nuk besoj se mund të ndodhë pa një marrëveshje politike, përkatësisht pa pëlqimin e koalicionit parazgjedhor i cili si grupi më i madh parlamentar edhe me Kushtetutë e ka këtë të drejtë. Mendoj se nuk ka nevojë fare të zhvillohet Beteja e Kosovës në Kuvend, sepse ligji përcakton shumë qartë se cilit koalicion i njihet e drejta dhe cila parti apo koalicion ka të drejtë të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Mbetet pastaj mundësi e opozitës e cila realisht i ka numrat të mos e votojë kandidatin e propozuar nga PDK. Pas edhe disa përpjekjeve të zgjidhet kryetari i Kuvendit përmes votimit dhe nëse dështojnë, shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme! Kështu si po veprohet i ngjanë një mashtrimi sepse as Isa Mustafa nuk do të bëhet kryetar i Kuvendit e as koalicioni “pasi është falur Bajrami“ nuk do ta fitojë këtë post. Nëse i mohohet e drejta (krejtësisht e ligjshme) koalicionit fitues të zgjedhjeve, si grupi më i madh parlamentar të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, lënda do të përfundojë në gijotinën e Enver Hasanit. Gjithashtu, me ligj nuk parashihet që për kryetar të Kuvendit të propozohen dy kandidatë prej dy subjekteve të ndryshme apo koalicioneve politike. Ky është mashtrimi i parë i madh i Koalicionit të “Shpresës“ që e lë Isa Mustafën me gishtërinj në gojë duke e kthyer në gjendjen vegjetative në kohën para zgjedhjeve lokale e njohur si: “me duar në xhepa”! Vetëm pasi të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe kryesia koalicioni “pasi është falur Bajrami“ ka të drejtë ta formojë grupin parlamentar i cili mund të nisë procedurën e shkarkimit të kryetarit të zgjedhur në pajtim me procedurën dhe ligjet në fuqi! Kështu, po bëhet shumë zhurmë për asgjë!
(De) Formimi i Qeverisë
Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar mandatarin për të bërë përpjekje të sigurojë numra të mjaftueshëm për formimin e qeverisë herën e parë ndërsa, nëse nuk sigurohen numrat e nevojshëm e lë në vullnetin e presidentes që të vendosë për mandatarin e dytë (e njëjta parti me kandidat tjetër) ose partia e dytë e që është LDK e jo koalicioni që është formuar pas zgjedhjeve e që nuk e njeh Gjykata Kushtetuese. LDK ka drejtë ta propozojë z.Ramush Haradinaj si kandidat të LDK-së për kryeministër dhe i cili sigurisht do të votohej nga LDK, AAK, NISMA dhe koalicioni LVV – FERR (të cilit i janë pranuar kërkesat për pezullimin e bisedimeve me Serbinë, ndalimin e procesit të privatizimit dhe moslejimin e formimit të Asociacionit të komunave serbe prandaj edhe mund të bëhet pjesë e qeverisjes). Në fakt, koalicioni LVV-FERR e ka pasion të bëhet pjesë e qeverisë dhe këtë do ta bëjë me çdo kusht dhe pa kushte prandaj nuk mund t’i bëjë ballë tundimit nëse duhet t’u mbetet besnik parimeve të proklamuara më herët! Te ne sot parimet llogariten si material shpenzues të cilat, pas riciklimit, nga qëllimet fisnike shndërrohen në letër tualeti. Është një evolucion sepse nga mashtrimet për parime po prodhoni diçka të përdorshme siç është letra e tualetit! Për aq sa kam njohuri, të gjitha parimet në botë kanë ndryshuar përveç parimeve të Kuranit, Biblës dhe Pakos së Ahtisarit! Nëse demokracinë do e kishim bazë për qeverisje dhe standard si të sillemi dhe veprojmë, e drejtë dhe e vetmja zgjidhje normale do të ishte se, nëse PDK dështon në përpjekje për t’i siguruar numrat atëherë rasti i dytë duhet t’i njihej LDK-së si parti e dytë parlamentare. Është shkelje e parimeve nëse mendoni që të qeverisni me çdo kusht edhe nëse nuk i keni numrat e që vlenë për pozitën aktuale. Është shkelje e parimeve nëse nuk i keni votat ndërkaq që doni të bëheni “fitues“ në mënyrë të pamoralshme dhe me metoda të ulëta duke promovuar, në vend të votës, mosdurimin dhe urrejtjen personale që doni ta shndërroni në një mundësi për hakmarrje. Te ne politikanët, në jo pak raste janë të pabesë prandaj ndjejnë nevojë ta rikonfirmojnë besnikërinë duke u besatuar pas çdo makiato të pirë, siç po vepron opozita aktuale. Nuk i besojnë njëri – tjetrit. Prandaj nuk duan as kafenë ta pinë bashkë e lëre më të bisedojnë me pozitën e kështu nuk kanë vepruar kur kanë ndarë tenderët milionësh! Apo kur i kanë bërë njëqind të zeza: “rreth interesit të përbashkuar…” Këtyre t’u besohet apo këtyre t’ua lëshë qeverisjen?! Po deklarojnë se askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me Thaçin apo të qeverisë me te. Mirë, zbatoni votimin e fshehtë pastaj do të shihni. Në raste të tensioneve, siç është kjo që u krijua, votimi i fshehtë është veprimi më demokratik i mundshëm dhe mbrojtje për të gjithë ata që nuk janë 100% në linjë të partisë, koalicionit, parazgjedhor apo paszgjedhor, nuk ka shumë rëndësi. Të “besatuarit“ kanë frikë se ka të “pabesë“ në radhët e tyre prandaj nuk duan të bisedojnë me Thaçin por nuk kundërshtojnë të bisedojnë me Vuçiqin. Është interesant fakti se më së shumti prodhojnë zhurmë ata kandidatë të partive të koalicionit paszgjedhor që kanë marrë më pak vota në zgjedhje se që kanë dëgjues këta fëmijët që i bien tarabukut në sheshin Nëna Tereze! Kërkojnë strehë nën topet e liderëve. Disa mund të strehohen mirëpo disa të tjerë do të piqen dhe zihen në diell sepse topet e liderëve të tyre nuk bëjnë strehë! Pastaj, nëse Hashim Thaçi qenka i korruptuar, këta të koalicionit qenkan të pastërt a ? Këtë mund ta besoj vetëm ndonjë kinez i painformuar. Nuk e gjeni edhe një shqiptar të vetëm që e beson këtë madje as këta që duan ta marrin pushtetin nuk e besojnë! Nëse Thaçi e paska kapur shtetin këta duan që ta çkapin shtetin për ta kapur vet për veten e tyre! Jo për qëllime tjera. Apo te krimi i organizuar…. Te procesi i privatizimit dhe bisedimet me Serbinë. Janë të përbashkuar të gjithë. LVV ishte kundër, tash u bë pjesë e grupit! Këto dy koalicione mund të dallojnë nga pamja por përmbajtjen e kanë të njëjtë! E mos të flas për qëllimin i cili përngjan sikur te binjakët siamezë. Këtu qëndron i tërë problemi dhe qëndrimi refuzues ndaj Thaçit është më shumë përpjekje për manipulim me opinionin se një fakt i mbështetur në një qëndrim kritik të opozitës e cila, deri dje ka fjetur në një shtrat me Thaçin duke bërë garë se cili do të bëhet ma tundues dhe të gjuhet i pari në shtrat, për t’u hedhur në krahët e Hashimit. Vardisja ndaj Hashimit pati fituar karakter garues e tash, të njëjtit, edhe të opozitës por edhe “civilistët“ nuk duan, as të takohen e as të bisedojnë me Thaçin. Besoni nëse keni rrjedhur nga mendja!
Çka , nëse shkohet në zgjedhje
Nuk do të bëhet kijameti. Madje, do të zgjidhej lëmshi i ngatërruar pa ndonjë arsye. Nëse të “besatuarit“ nuk do të “tradhëtonin“, do të krijoheshin dy blloqe të fuqishme garuese, PDK me aleatë dhe LDK me aleatë + koalicioni LVV – FERR. Nëse “të besatuarit“ kanë shumicën e votave siç po thonë, do ta fitonin Kuvendin dhe qeverinë me lehtësi dhe do të pranoheshin nga të gjithë! Mendoj se nëse zgjedhjet do të mbaheshin brenda tre muajve, PDK me aleatë do t’i fitonte 48-52 deputetë e këtë nuk do ta arrinte opozita rreth LDK-së, pa LVV-FERR. Të shkuarit në zgjedhje si bllok opozitar do t’u siguronte praninë e disa deputetëve në Kuvend ndryshe, po të shkonin të ndarë, Nisma nuk do ta kalonte pragun, AAK do të sillej kah 7% maksimalisht, LVV-FERR dikund te 10%, ndërkaq LDK do të kishte një ngritje të lehtë apo sa ta ruante këtë përqindje që e ka sot! Po e them zgjedhjet do të ishin zgjidhja më e mirë por askush nuk i do ato, as pozita, as opozita e lëre më ndërkombëtarët. Prandaj do të kërkohet një qeverisje që garanton stabilitet afatgjatë dhe garanci për përmbushjen e detyrimeve nga Marrëveshja e Brukselit, bishtat e së cilës kanë filluar të dalin si Lista Srpska, Parku i “Paqesë“, dhe shetitorja “Car Llazarit”, në ndërkohë që u vendos Millosh Obiliqi në Graçanicë. Sa për fillim janë këto ndërsa më të rëndat vinë më vonë! Ndërkombëtarët, në këtë fazë të procesit politik nuk kanë nevojë për udhëheqje profesionale, për njerëz të pakorruptuar dhe ata që e luftojnë krimin e organizuar. Ata kanë nevojë për politikanë që kanë kapacitet ta stabilizojnë situatën e destabilizuar prandaj kanë nevojë edhe për pozitën që është në pushtet, edhe për opozitën që dëshiron të bëhet pushtet! Do të përcaktohen për një zgjidhje të ndërmjetme. Ta shohim. Nuk është larg 17 korriku e cila, e them, pa ndonjë arsye të qëndrueshme llogaritet si dita D në Kosovë. Është me rëndësi dhe shumë pozitive që Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dhe Albin Kurti janë bërë shokë të pandashëm për momentin. Deri në kthesën e parë kur intereset për çka janë bashkuar nuk do të realizohen. Sa ishim në robëri na mobilizonte Serbia ndërkaq këta katër musketirët e koalicionit paszgjedhor po i mbanë të bashkuar Hashim Thaçi. E thuaje pastaj se Hashim Thaçi nuk është faktor unifikues!
Koincidencë e rastit apo ….
Në historinë e re të Kinës katërshi që merrte vendime që e dëmtuan Kinën quhej Banda e Katërshit. Në bisedimet e Vjenës delegacioni i Kosovës përbëhej nga katër anëtarë vendimmarrës. Që ishte diçka e ngjashme me Katërshin e Tien an Menit. Sot , koalicioni paszgjedhor përbëhet nga katër liderë. Pra është… e Katërshit. Mund të jetë krejt e rastit. Gjykoni vet, lexues të nderuar!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura