DR.ABDULLA MEHMETI: FAKTE KUNDËR PROPOZIMEVE TË PADREJTA PËR NDRYSHIMIN E EMRIT KUSHTETUES TË MAQEDONISË

Tetovë, 18 shkurt 2018: (E vërteta është e shenjtë, prandaj duhet ta mbrojmë si sytë e ballit, që ta kemi të qartë të sotmen dhe të ardhmen tonë!)
Kërkesa e intelektualëve shqiptarë në lidhje me kontestin për emrin kushtetues të shtetit të Maqedonisë me Greqinë, është kërkesë e arsyeshme, e drejtë dhe e argumentuar shkencërisht. Përmes kësaj kërkese shpaloset njëherësh edhe e vërteta historike e fshehur dhe falsifikuar në dëm të shqiptarëve, sidomos pas vitit 1913 dhe gjatë ish regjimit komunist. Kjo kërkesë do të kontribuojë për të ardhmen tonë më të mirë, demokratizimin e shoqërive në shtetet e rajonit, lirinë dhe barazinë mes këtyre popujve fqinjë, forcimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Shumica e partive opozitare, organizata joqeveritare, qindra mijëra qytetarë grekë, të frymëzuar dhe përkrahur edhe nga Kisha ortodokse greke dhe nga Akademia greke e shkencave, organizojnë demonstrata e protesta nëpër qytetet më të mëdha të vendit, sidomos në Athinë e Selanik, në mbrojtje të një kauze të padrejtë përmes kontestit për emrin kushtetues të Maqedonisë.
Gjithashtu, shumë qytetarë maqedonas në organizim të disa partive opozitare dhe shoqatave ,,atdhetare” protestojnë pa ndërprerë nëpër rrugët e Shkupt; zërin e tyre e kanë ngritur edhe me qindra intelektualë maqedonas, si dhe shumë organizata në emigracion, për mbrojtjen e emrit të shtetit, ndërsa shumica e shqiptarëve, sidomos e partive politike, shoqata të qytetarëve, politikanë dhe intelektualë, heshtin për këtë çështje. Emri i Maqedonisë, më tepër se çdokujt tjetër u takon shqiptarëve, sepse janë i vetmi popull autokton në këto hapësira, por edhe si emër i shtetit, sepse është shtet edhe i shqiptarëve, më tepër se i çdokujt tjetër.
Propozimet për ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë, me një emër të ri me përcaktim gjeografik, si: „Maqedonia e Epërme“ dhe „Maqedonia Veriore“, hapin probleme të reja dhe pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë, nuk e paraqesin realitetin historik dhe etnik të brendshëm të këtij shteti, dhe si të tilla janë të papranueshme për shqiptarët vendës në Maqedoni.

Propozimi për ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë me emër të ri me përcaktim gjeografik, si: „Maqedonia e Vardarit“, gjithashtu është i papranueshëm për shqiptarët në Maqedoni, për shkaqet se, ky emërtim e dëmton interesin kombëtar të shqiptarëve dhe të maqedonasve, e cënon sovranitetin e shtetit dhe në njëfarë forme e shndërron Maqedonisë në shtet të dytë serb, duke pasur parasysh këto fakte:
1. Maqedonia e Vardarit përfshin pjesën e regjionit të Maqedonisë, e cila pas Marrëveshjes së Bukureshtit të vitit 1913 i është dhënë Mbretërisë së Serbisë. Sot, 98,09% (25.713 km2) e territorit me emrin „Maqedonia e Vardarit“ i takojnë Republikës së Maqedonisë, ndërsa një pjesë tjetër e vogël e territorit, ku ndodhet manastiri Shën Prohor Pçinski, ndodhet aktualisht në kuadër të Republikës së Serbisë (me sipërfaqe prej 1,91%).

2. Banovina e Vardarit – dikur ka qenë njësi territoriale administrative e Mbretërisë Jugosllave, nga viti 1929 deri më 1941. Ky territor shtrihej në jug të vendit, në kuadër të të cilit bënte pjesë tërë territori i sotëm i Republikës së Maqedonisë, pjesa jugore e Serbisë qendrore dhe pjesë të Kosovës juglindore. Ky rajon e ka marrë emrin sipas lumit Vardar (shqip: Bardhar), lumi më i madh që e përshkon përmesi Maqedoninë, i cili buron rrëzë Malit Sharr dhe derdhet në Detin Egje.

3. Deklarata për pavarësi e Republikës së Maqedonisë
„Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, në mbështetje të nenit 318 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, me rastin shprehjes prebishitare të vullnetit të qytetarëve për shtet sovran dhe të pavarur të Maqedonisë, në senacën e mbajtur më 17 shtator 1991, solli
DEKLARATË
Neni 1
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në referendumin e mbajtur më 8 shtator të këtij viti, duke vetëkonfirmuar në mënyrë plebishitare shtetësinë dhe sovranitetin e Republikës së Maqedonisë, (qytetarët) e shprehën vullnetin dhe dhanë votën e tyre që Republika e Maqedonisë të konstituohet si shtet sovran dhe i pavarur i Maqedonisë me të drejtë të hyjë në federatë (bashkim) të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë“.
Në këtë frymë ka qenë edhe pyetja e referendumit për pavarësi të Maqedonisë, me këtë tekt: „A jeni për Maqedoni të pavaruar me të drejtë të hyjë në lidhje (bashkim, federatë) të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë?“

Subjektet politike dhe jopolitike shqiptare të asaj kohe u kanë bënë thirrje qytetarëve shqiptarë në Maqedoni që ta bojkotojnë këtë referendum, të cilit bojkot ata iu përgjigjën njëzëri, duke iu kundërpërgjigjur katër muaj më vonë me shprehjen e vullnetit të tyre politik përmes referendumit për Autonomi politike-territoriale të shqiptarëve në Maqedoni, i mbajtuer më 11-12 janar 1992.
Shkaku kryesor i bojkotimit të referendumit për pavarësi të Maqedonisë nga ana e shqiptarëve ka qenë përmbajtja e pyetjes së këtij referendumi, përmes së cilës kërkohej të deklarohen se janë për lidhje apo bashkim të ardhshëm me republikat sovrane të Jugosllavisë, përkatësisht me Serbinë dhe Malin e Zi.
Shqiptarët në Maqedoni, si edhe vëllezërit e tyre në Kosovë, me asnjë kusht nuk dëshironin edhe më tej të jetojnë nën Serbi, të vetëdijshëm se procesi i shkatërrimit të ish fedetarës jugosllave ishte një akt i kryer, meqë Sllovenia dhe Kroacia tanimë e kishin shpallur pavarësinë e shteteve të tyre, më 25 qershor 1991.
Ish funksionarët e lartë të pushtetit të Maqedonisë, të dalë nga ish regjimi komunist, shumica e tyre agjentë të ish UDB-së jugosllave, në vitin 1991 e lanë Republikën e Maqedoninë pa pavarësi të plotë, për çka me të drejtë faktori ndërkombëtar edhe sot njeh këtë shtet me referencën „Ish republika jugosllave“ (mes tyre edhe shtetet më të fuqishme evropiane, Gjermania dhe Franca), sigurisht për shkak të paqartësisë në lidhje me shpalljen e pavarësisë, pyetjen e Referendumit dhe Deklaratën për pavarësi të Maqedonisë, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë (17 shtator 1991).
Me këtë duke i përjashtuar shqiptarët nga procesi i shtetndërtimit pas pavarësimit të Maqedonië, duke ua suprimuar të drejtën e popullit shtetformues, duke i shpallur për „fajtorë kujdestarë“, „armiq të shtetit dhe demokracisë“, „fatkeqësi elementare për shtetin unitar“, të cilët duhet të kontrollohen, të ndëshkohen dhe t’u mohohen edhe ato të drejta kombëtare që i gëzonin më parë, sipas kushtetutës së vitit 1974, statusin e popullit shtetformues, të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, të përdorimit të flamurit shqiptar etj.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura