Berlin, 15. 03. 2016: Ç’fantazma nuk dolën territ dhe ç’formula nuk lindën epruvetës mbi fatin e keqshkruar të Kosovës: edhe nga ata që thuhej se ndihnin, edhe prej të tjerësh që nuk e fshehnin se e rrëmihnin…
“Sui generis”-si, i miri, shpëtimtari, duket se ka rënë në vdekje klinike. Tani gjithëçka sikur i kthehet ngadalë skemës klasike: të vjetrës, të njohurës e natyrales skemë që kanë kaluar kombe të mëdhenj e të vegjël në historinë politike të botës. Jashtë – ajo orvatet të çajë udhë drejt fronit të të barabartëve, kurse brënda, megjithë veçansitë – rreket të mësojë kulturën e lirisë.
Në fakt, ajo deri vonë nuk mund të ishte pjesë e saj, sepse ndër qindra vjet kje robinë e një skeme tjetër: e skemës së pushtimit.
Një koalicion mbrapshtan i të këqijëve, një Premier i hargjuar në kohët serbe dhe një President etikisht i kontestuar, pastaj lëvizja opozitare heterogjene, revolta sociale që, pa mundur dot të marrë formën e një aksioni të organizuar civil, mbaron në gropën e abstinencës – bëjnë pamjen kontrastike të mësimnxënjes së vështirë…
Po tani? Ka, vallë, një prag, përtej të cilit pret një epokë e re?
A përvijohen turbull palë që mund të cilësohen konfliktorë të ardhshëm?
Ndërkohë që lëdëkë-istët që bënë pak murmurimë gjatë “orës turbulente presidenciale”, mbetën të hezituar, të pathënë e dorëfshehtë – militantë të tjerë (të Partisë, Serbisë a Frustrimit..?), ata që thonë të farkojnë idealet jakobiniste të lirisë, shpejtuan dhe bënë një hap tutje. U prononcuan të formësuar në grupacion a Rend organizate me emrin “Qytetarët e pakënaqur”.
Ndonëse të rezervuar njësoj, të dy krahët i diferencon thellë, konfliktualisht thellë referenca e rezistencës interne kundër, si ankohen, shkelësve të parimeve partiake: partneri koalitiv shenjëzohet në shkallë demoni politik e kombëtar. Ndërsa të parët piketohen kolaboracionistë e me prijës që ruan akoma rudimente slobodaniste, të dytët tipizohen si mishërim i errtë i mafiokracisë. Por nëse i ndan lënda e dyshimit akuzator, i bashkon ndërkaq një nyjë e pakëputshme: eti pushtetar patogjen i krerëve të tyre – sepse parashpallën sfidueshëm një kronikë të ardhme të gjatë kohabitimi, mandej vonesa lapidare – sepse shumë ujë ka rrjedhur nën urë teksa ata, një mjes të bukur, u zgjuan e panë se paskëshin gabuar, e mëtej dyzimi moral – sepse patën heshtur si mumje të statujta në momentin e kurorëzimit politik dhe së fundmi, xixat fatale të përplasjes klasike…
Dhe ishte “morali i turmës” që do ti pajiste me fuqinë e do i ngrinte në kierarkinë e epërme politike ata që, më pas, do përthyhen mbi kryet e saj. E tani pyetja: mund ti zbresë, vallë, q’andej po n’atë mënyrë dhe po ky “moral” i heshtur, i shtruar e truar?
Megjithë fajin e vet (a s’janë dhe popujt shpesh gabimtarë?), banori i kësaj toke, shqiptar gjithmonë, nuk e meriton një Lter të ri, tashmë pa kauzë e kuptim, që kërkon sërish gjakun e tij në një luftë: tashmë në luftën civile.
Por aq më pak meriton të ketë një Pari që shndërrohet në kauzator e simbol të saj…Përveç nëse, si do theksonte Niçe, gjithnjë strehon në shpirt mendësia e “skllavit që do absoluten, kupton vetëm tiraniken, pa nuanca, deri në fund e deri në dhimbje…”!