Berlin, 24. 10. 2012 – (Nëse Gadishulli ilirik konfigurohej kryehershëm nga miqtë e Serbisë – tani, në fillimmijëvjeçar është rikonfiguruar e betonohet nga armiqtë e saj! Nuk e konstatojmë, gjithaq, me gëzim vuajtjen e fqinjëve, të njerëzisë së rëndomtë që, nga epigonë të ariozofit të tyre të vockël me emrin Millosheviq, u serviret e tillë, rrejshëm dhuntare, përmbysja gjeopolitikës së moçme. Por ndjesia nuk fqinjëron as me keqadhjen rutinore. Përkundrazi, përnaltësimi i saj fisnik lumnon shpirtërat e drejtë dhe, mbase rrallë në historinë politike, konvergjon me parimet universale dhe interesat e mëdhenj!)
1.
“Në Belgrad dëgjova gjëra të frikshme”, do të thoshte Karl Bildt, diplomati suedez që paradoditësh i bëri një vizitë kryeqytetit të serbëve, këtij rezervati të së keqes në Europë. Ndryshe, suedezi që ka bërë dhe karrierë në gadishullin idhnak, shpesh përvijohej në media si njëlloj anëmbajtësi serbësh në rropamat ballkanëse, ndër të cilat, të mëkuarit e tij, të parët e të fundmit, kishin dorën e përgjakur… E, prandaj, do të ketë qenë vërtetë diç e terrshme, më e terrshme se limitet e mirëkuptimit të tij, që ai të shpallte ashtu thyerjen e mërzinë. Tashmë nuk është mister që, në thelb të pëshpëritjeve vëlimtare serbiane, qëndron e gjithpushtetshme gjeopolitika hileqare! Jo kalcifikimi i të përtashmës– por përkundrazi, përskajimi i sërishmë i saj, është trazimi që vrujon nënujshëm në agjendat e tyre testamentale. Ndonëse, në dukje, nuk ngjan e ligë, po të rrëmojmë pak në programet e rinuara shtetomëdha, do të gjejmë aty po atë helmin e vjetër – i mjaftë për suhinë e një hataje të re gadishullore.
Diplomati suedez – Karl Bildt.
……………………………………………….
Rrjedhimisht, çdo redizajnim i konstelacionit ballkanës nuk mund të mos nis me luftën dhe vdekjen. Ajo është ngjizja, fillesa dhe përmasa ndryshimore e tij. Dhe nuk është aspak e çuditshme, kur dihet se Serbia ndodhet në gjëndje lufte të pashpallur me të gjithë fqinjësinë e saj. Fundja, si thotë politologu Epler (në interpretim të lirë nga “Rikthimi i politikës”), nocioni i luftës ka humbur konturat klasike dhe me mijëra jetë vijojnë të lëndohen e shuhen mes luftës latente dhe paqes së qelqtë…E Bildi, megjithë afeksionin e lehtë, do të trandej nga fantazma e saj që i përhihej si një makth i pambarim!
Por, sa larg mund të venë tani orgjitë mortore serbiane?
2.
Militanti i skenës politike rashjane (si do të shprehej Shuteriqi në “Sytë e Simonidës”, sepse Serbi natyrale është vetëm Rasha e asnjë pllëmbë më shumë!) V.Drashkoviq, të cilin shtypi gjerman e pat portretuar bukurisht saktë – si mediokër në letërsi dhe folklorik në politikë – do të shkruante në hamendësimet udhëkryqore serbe, se përendimi duhet të jetë gjithnjë referencë shejtnore e dilemave serbe. Pikërisht me uratën e tij, udhëzon ai me përdellesë rashjanët e vet, kemi shtyrë e zgjëruar tri herë gardh-kufirin shtetëror në qindvjetin që lamë pas. E kjo do të thotë se, asaj, “ngordhësirës së aleatëve” (të tillë e cilësonte Klemanso, Serbinë e Luftës së parë) tri herë, si peshqesh i smeraldtë, do ti dhuroheshin toka të huaja, e sidomos nga hapsira jetësore shqiptare. Dhe, tash njëqind vjet, obsedimi gjumëprishës i saj ishte si të mbaheshin nën skeptrin sundimor ato – Kosova e Lugina, Sanxhaku e Vojvodina, në heshtje, pa fjalë, pa kundërshtim e të përligjura përgjithmonë. Por dalja e Kosovës më vete në fundshekullin e ikur, do të shprishte mitin e stisur të lavdisë së armëve dhe të parzmit mbrojtës të krishterimit. Dhe jo vetëm kaq. Restituimi i balancave pa hegjemon sllav, do të jepej vranshëm në horizontin e murrëtyer. Droja e eprorëve politikë belgradas se kishte marrë udhë dekompozimi i krijesës së tyre shtetërore të arnuar copëzash aneksive, ngjante reale deri në trëmbje e dëshpërim!
Kosova e mosvarme frymëzon indipendentizmin vojvodinas dhe lë Luginën e Sanxhakun të zbuluar, si kufijë të jashtëm serbë, të rrëzueshëm që në ftomën e parë turbulente! Madje dhe Xhingjiqi skofiar i shpresave të mëdha brukseliane, pohonte të mos kishte aspiratë qeverisjen e shqiptarëve të Kosovës, të cilët, ankohej ai, po na mbetën në derë, do ti shohim pikëllueshëm pronarë të mëdhenj e ngulimtarë të shumtë deri në Terazi, në oborrin e shtëpisë. Por njëkohësisht, ankohej Premieri i vrarë në betejat përbetuese, ata – së pari, duhet të japin tagrin për vetëjetesë dhe – së dyti, çdo ndryshim statusi i Luginës do të bënte uvertyrën e Luftës së re ballkanike!.. Ç’ironi! Vetëm një mëndje patogjenisht shovene mund të pillte një gjëmë të tillë. Kjo enë e ndryshkur e urrejtjes po përpiqej të bindte botën se as popullimi etnik shqiptar i vjetër sa bota dhe as gjaku që ka lagur më shumë se shiu trojet amtare, nuk kishin aftësinë e dëshmisë mbi të drejtën natyrale e politike të mëvetësisë. Serbi i ledhatuar kërkonte diç tjetër: kërkonte, si përherë, territor shqiptar! Aspironte ai, kështu, një hinterland sigurie apo anulim simetrie, për të mos rënë gurë të tjerë të çmuar, ngjitur përdhunshëm në kurorën fatkeqe koloniale.
Mirëpo popujt e vjetër kanë kujtesë. E ftuar, ajo, kësaj radhe nga pena e D. Pejiq, politolog nga Novi Sadi në eseun “Çka duhet bërë?”, flet për Vojvodinën si entitet historik (e aspak mëshirë kushtetutare serbe) të themeluar qysh më 1860 në truallin historik të shtetit hungarez. Ndërkaq, hartografia etnike gjermane (folksdojçerët e njohur), jo fort moti, përshtrihej nëpër ultësirën panonike deri në viset e Transilvanisë. Dhe, pra, ashtu siç nuk ishte “alfabeti shpirtëror” – por nëntoka e begatë kosovare (“vetëm nga rezervat e thëngjillit Serbia do të sigurohej për njëzet shekujt e ardhmë”, vajton eksperti D. Cvjetiçanin), arsyeja e njëmendtë e dhimbjes për humbjen e saj, pokështu as ndjesia e krenisë a nderit të shibluar kolektiv serb, nuk është shkaku i pretendimeve sanksionuese ndaj veriut të okupuar kosovar –por një objektiv tjetër alternativ në larginë. Dekurajimi i veçimtarëve vojvodinas, sikundër izolimi i Sanxhakut dhe, sidomos, i Luginës nga një rrip territorial me banorësi langore shqytarësh të shpërdorueshëm serbë, duhej të ishte, që këtej, leva rrethimtare që do ta bënte të pashpresë ëndrrën e zgjimit të lirë në një ag të kuqrremtë…
3.
Këtë synim strategjik, trashëguar nga elaboratet e etërve, ndryn e lançon në mënyrë manifestative, prononcimi i premierit serb Daçiq për ndarjen e Kosovës! Pastaj, po në këtë hulli interesash komplementarë, prerja kirurgjikale do të krijonte presedanin e natyrshëm dëshirak për coptimin e Bosnjës. Dhe kështu, projeksioni fantomik i Sërbisë së madhe, do të mbinte mnershëm në zemrën e Europës. Si një qëndismë zie mbi rrënojat e qytetnisë së re demokratike. Epitaf mbi varrin e saj. Ndoshta në imagjinatën e Karl Bildit, tek paskësh dëgjuar shpalesat e fshehta serbe, ndodh të jetë ftillëzuar pikërisht kjo skemë e trishtë: shkatërrime, refugjatë e apatridë… dhe prapë: vdekje, gjak e robër!..Një kalvar që do të rrënqethte prapë Europën e tij të bashkuar në idealet egalitare.
Pol Poti i Kampuçias së largët (lexuar tek Terzani në “Fundi është fillimi im”) mendonte se, për të zhdukur themelësisht borgjezinë, duhet paraprakisht të zhdukeshin qytetet. Ndaj u rrek të rrafshonte ato, ti fshinte nga faqja e dheut. Duhej, thjeshtë, të shkuleshin, të treteshin e degdiseshin fizikisht banuesit e tyre. Të gjithë. Nuk kënaqej me shpronësime e poshtërime, por prekte, ashtu, kufijtë e absurdit. Të apokalipsës vetë. Po, me sa duket, doktrina fatale ka autorësi më të vjetër dhe vjen nga një zonë tjetër e botës. Mendimi shtetëror serb, tradicional e mondan, do ta ketë thadruar atë ende më herët në një rrafsh të ndryshëm ideologjik: jo në territorin e vet shtetëror, por në kombet e tjerë përreth. Do ta shartonte, pra, polpotizmin duke e transponuar në amzën e tij parake: për ta bërë të veten një tokë të huaj, nuk mjaftonte pushtimi i saj. Madje as nënshtrimi i shpallur prej rrënjësve të tij. Jo, jo! Ai duhej spastruar e zbrazur nga zotërit e gjithmonshëm të së drejtës mbi te, me teknologjinë mortit e shfarosjes, për të shuar edhe kujtesën e truallit edhe idenë e lirisë së tij! Ndaj çdo ekspandim serb jashtë pashallëkut belgradas ndër vite, ka pasur vulën e kësaj doktrine vrastare, derisa një ditë të frenohej përballë një force tjetër që identifikohej vdekshëm me dheun e të parëve, diku në veri të Shqipërisë dhe të rispraspet tani në kufijtë jugor historikë të Hungarisë!
4.
Mbase Karli gjakftohur nordik është tronditur për një çast. Nga vetë parashestimi i marrëzishëm në Dedinjën e mugët. Sigurisht, vetëm për një çast. Do ta ketë marrë veten, besojmë shpejt, sepse dhe ai e di mirë, tepër mirë se Serbisë së ndërkryer i mungon masa biologjike dhe fuqia ekonomike, mandej pajisja ushtarake dhe martirizmi flijimtar pas trokut mashtrues dhe së fundmi, ajo lëngon poaq mungesën e aleancave rajonale dhe të mentorsisë ndërkombëtare për marshimin e tillë!
H. Kisingjeri, diplomati legjendar amerikan, pat thënë në një rast, se çështja e Kosovës është trajtuar njëherë dështueshëm sipas shijes së Kremlinit dhe nuk mund të ketë një të dytë zgjidhje – prapë sipas vullnetit të përsëdytur rus.
Rezulton, në mbyllje, se nëse Gadishulli ilirik konfigurohej kryehershëm nga miqtë e Serbisë – tani, në fillimmijëvjeçar është rigonfiguruar e betonohet nga armiqtë e saj! Nuk e konstatojmë, gjithaq, me gëzim vuajtjen e fqinjëve, të njerëzisë së rëndomtë që, nga epigonë të ariozofit të tyre të vockël me emrin Millosheviq, u serviret e tillë, rrejshëm dhuntare përmbysja gjeopolitikës së moçme. Por ndjesia nuk fqinjëron as me keqardhjen rutinore. Përkundrazi, përnaltësimi i saj fisnik lumnon shpirtërat e drejtë dhe, mbase rrallë në historinë politike, konvergjon me parimet universale dhe interesat e mëdhenj!
Kjo rrethnajë e mirë, ndërkaq, nuk u jep shqiptarëve komoditetin e asgjëbërjes. Aq më pak të keqbërjes. Epleri (sërish ai) thotë se politika përkundet si lavjerrës historie. Dridhjet e tij, duke qenë aq të ndjeshme e të ndërrueshme, lehtësisht mund ta shtyjnë atë në anën e kundërt. E mandej, në pritje prurjesh të një kohe të dytë, gjithçka do të niste nga e para: sërish derdhje gjaku të pafajshëm për të riardhur baraspeshë e vjetër me kuptimin e jetës dhe magjinë e lirisë!