SALIH KABASHI: UDB-ja, KJO ARMIKE E DASHUR DHE E PANDASHME E ‘NAROD-it’ TË ‘KOSMET-it’!

Paris, 30. 01. 2014 – UDB-ja ngelet edhe më tutje armikja e tyre shumë e dashur. Vetëm me të, me ndihmën e saj shqiptarët, mund të bëjnë atë që kanë bërë gjithmonë: nga urrejtja që kanë ndër veti, t’i hanë kokën njëri tjetrit, të mos e ndërtojnë por ta shesin e tradhtojnë Atdheun e tyre sa herë iu jipet rasti, duke bërë që UDB-ja të fërkojë duart nga pika e lezetit.
UDB-ja është krijuar në kohën kur shqiptarët në ish-Jugosllavi jipnin treqind groshin për birën e minit. Lufta e Dytë Botërore kishte përfunduar, Kosova me viset e saj, edhe ato të ngelura nën Mal të Zi e Maqedoni, në vend se t’i bashkohej Shqipërisë siç kishte proklamuar shtypi socialdemokrat e komunist serbo-jugosllavë dhe si kishin “vendosur” në Bujan të Malsisë në ditët e fundit të dhjetorit e fillimjanarit 1943-44 Fadil Hoxha me komunistë të tjerë shqiptarë e malazez të Kosovës, me urdhër të Titos u vu nën gjendje okupimi të egër e tërësisht të pakontrolluar gjakatar ushtarak që rezultoi me likuidime masive shqiptarësh që kapin shifrën e frikshme të rreth 50 mijë të të vrarëve e të pushkatuarëve pa gjyq.

Ish agjenti i UDB’ës, Bozhidar Spasiq!

Kushtet e terrorit serbo-jugosllav kishin qëllimin dhe objektivin e tyre: Të shuhej përgjithmonë e të shkulej me rrënjë njëherë e mirë ëndrra e kosovarëve për liri e për Shqipëri.
Për të arritur më lehtë realizimin e ideve shfarosëse, UDB-ja, e cila metoda veprimi kishte kombinimin e veprimeve hitleriane e staliniane, ndër komunistët shqiptarë të Kosovës, të cilët pehateshin sa të Shqipërisë e të Enverit, sa të Jugosllavisë dhe Titos, lypi dhe gjeti të tillë që u bënë më serbë se serbët në vullnetin çmendurak për shtypjen e vrasjet e shqiptarëve.
Vitet e para të pas “çlirimit” njohin rekrutime përmes seleksionimesh rigoroze të të rinjve shqiptarë në detyra milicie dhe ushtrie dhe për aksione të ndryshme. “Pushteti i ri”, kryesisht malazez e serbë u instalua në kullat shqiptare duke i zhvendosur banorët e tyre në stallat e ngelura pa kafshët që i merrte “otkupi” (mbledhja me dhunë e tepricave ushqimore, drithë, kafshë shtëpiake…), gjoja për ndihmë popullatës së varfër nëpër Jugosllavi dhe, edhe kështu propagandohej – në Shqipëri… Pushteti i ri me të gjitha sjelljet e veprimet donte t’u tregonte atyre që ende mund të dyshonin “ko je ovde gazda” (cili është këtu i zoti i shtëpisë).
Populli jetoi mbi një dekadë nën zijen e bukës dhe nën frikën e vrasjeve, bastisjeve, linçimeve e leçitjeve (diferencimeve) publike. Pati edhe zhvendosje të familjeve të tëra nëpër vende të largëta deri në Vojvodinë. Shqiptari u shtyp dhe ai mund të jetonte vetëm si gjarpër nën gurë, pa guxuar të nxjerr kokën.
Mehmet Hoxha, ai që kishte hapur e mbyllur Mbledhjen dhe që pati rolin kryesor në Deklaratën e Bujanit, pak muaj më vonë u bë ministri i parë shqiptarë në Qeverinë e parë të Serbisë Federale, në fakt komuniste-çetnike! Pra, Mehmet Hoxha duke i hapur shtegun një tradhtie disadekadëshe në dêm të shqiptarëve, shkeli atë që i kishte premtuar popullit të Kosovës, bashkimin me Shqipërinë. Ndër më të zellshmit tradhtarë, ata që atij iu bënë shokë në punët e ndyra e mizoritë, në terrorizimin e shtypjen e Kosovës dhe në shërbimet ndaj Serbisë, ishin edhe (sidomos) Ali Shukria, Kolë Shiroka, Sinan Hasani, Alush Gashi, Elhami Nimani… Frikësimi e propaganda serbojugosllave bëri që saora çdo komunë, çdo bashkësi lokale, çdo lagje e çdo fshat të gdhihej me “skojistë” që terrorin shtetëror e bënë përditshmëri. Kosovës përmes OZNA-UDB-ës i pat ardhur koha e rrezikshme “kur erresh e nuk njehesh” (kur ngrysesh e nuk gdhin).
Më e keqja erdhi atëherë kur populli i frikësuar dhe i uritur, po fillonte të besonte gënjeshtrën e të zinte t’i përshtatej pushtimit: Ai dalëngadalë po bëhej bashkëpushtues shumë i zellshëm dhe shumë brutal në krahë të regjimit okupator serbo-jugosllav.
Në këto kushte terrori, për çudi të çudive, lindi dhe u farkua jarania e shqiptarëve me UDB-në, e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite!!! Edhe sot, në Kosovën e shkëputur nga Serbia, fjalët e ish-udbashëve interpretohen, citohen, përshtaten dhe, thjesht, besohen më shumë se gjithçka tjetër. Ky fascinim ndaj një organizate fund e krye kriminale e terroriste, të një policie të egër politike, te shqiptarët më shumë se te të gjithë popujt ku ajo ka vrâ e kthjellë, vazhdon edhe sot.
Shqiptarët në fillim i trembeshin dhe i dridheshin edhe përmendjes së emrit të UDB-së, por më vonë asaj i hynë në bythë duke e njohur e konsideruar si institucionin më autoritativ të Jugosllavisë së Titos, kësaj nostalgjie të tyre pabesueshmërisht në rritje.
Sot ka ardhur puna sa Kosova të lërë mënjanë gjithë hallet e saj me papunësinë, me qeverisjen e keqe e të paaftë, me krimin e organizuar dhe mosfunksionimin e asgjëje që përbën shtetin dhe të merret me përrallat e ridizejnuara të pleqve të UDB-së, të cilët e dijnë saktësisht se çka do pazari i Kosovës.
Sot ka ardhur puna sa shqiptarët përmes mediave të tyre dhe të rrjeteve sociale në internet të digjen nga dëshira të jenë të vërteta spekulimet manipulative të udbashit senil Bozhidar Spasiq, i cili për shpirtkëqinjtë e hajvanët politikë të Kosovës është bërë njëfarëlloj heroji. Kur lexon mrekullimet e një xhurulldie të madhe kosovarësh ndaj deklaratave të kryespiunit serbo-jugosllav, e sheh qartë gjendjen e vajtueshme të injorancës dhe lehtëmanipulimit të tyre. Serbi Spasiq arriti t’i bëjë shërbimin e madh dashakëqinjve të Kosovës. Ai hodhi helmin e radhës, të cilin “narodi” i “Kosmetit” do ta pijë edhe kësaj radhe ashtu siç i ka pi gjithmonë: si aranxhadat më të ëmbla.
Prandaj mund të thuhet lirisht: Shqiptarët, për arsye gjeografiko-historike më shumë gegët se sa toskët, (kosovarë e veriorë), shkurt, nuk bëjnë dot pa UDB-në.
UDB-ja ngelet edhe më tutje armikja e tyre shumë e dashur. Vetëm me të, me ndihmën e saj shqiptarët, mund të bëjnë atë që kanë bërë gjithmonë: nga urrjetja që kanë ndër veti, t’i hanë kokën njëri tjetrit, të mos e ndërtojnë por ta shesin e tradhtojnë Atdheun e tyre sa herë iu jipet rasti, duke bërë që UDB-ja të fërkojë duart nga pika e lezetit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura