REXHEP KASUMAJ: ‘NËNTË KAFETË E GJUMIT’ SKLLAVNOR!

Berlin, 14. 02. 2014 – (Mbi ofshàmën e ndaluar dhe kulturën e mohimit) – “Dhjetë kafe gjumë kanë zbritur në këtë botë, nëntë i kanë pirë robërit dhe një të vetme të mbetur – gjithë bota tjetër”. Kështu shkruan Talmudi i mirë, duke i bërë, ashtu, pikturën më të saktë tipologjisë së gjithmonshme robnore. Këtë evokim të artë do ta mendoja si pararendje të pyetjes fundore: deri ku mund të greminoset fashitja, pritja bestyte dhe fatpajtimi me të keqen që ka, tashmë, shenjën nacionale? Më parë se konkludimi i prerë, fillimisht e pashmangshme ngjan pyetja tjetër: ka ngelur liria veçse një gëzhojë? Pa esencën lëngësore të saj? Pa mishin e butë të jetës dhe pa shpirtin e përkorë të krijimit?
1.
Në ngarendje pas emblemës së re të demokratizmës, ideologë, aparatçikë e retorë të komunizmit janë rezervuar qyshkur si referenca e zezë e çnjerëzisë: pa ndjesinë e kultivuar humane e, ndër popujt që ishin kundërvullnetshëm pjesë perandorish, dhe pa fillesën etnike të tyre! Por konteksti i kohës sikur rrah, jo ta justifikojë, por ta shpjegojë ngrehën e hemisferës së kuqe në arenën e madhe të botës. Ishte, së paku në hapsirën e palirë arbënore, monarkia shfarosëse serbiane, dhe më pas, ariozofia përtrollisëse që i dhanë asaj frymëzim, krah dhe legjitimitet gjysmëshekullor. Pastaj ajo, si dihet, rezultoi krejt natyrshëm në disfatë dhe sprovë dështake të historisë. Porse zezona e saj, veç formulës ekonomike stanjative, pati gjithësesi dhe kundërthënjën dialektike në përqasje ndaj nacionit, në një anë dhe njeriut, në anën tjetër. Ai, ideologjizanti e praktikanti komunist (shpesh dhe figura të denja kombi) mund ta kenë dashur, sipas mënyrës së tyre, krijesën e vet amtare. Fundja, komunizmi asnjëherë (anipse proklamohej një edukatë e tillë) nuk e përjashtonte afeksionin nacionalist. Por ishte, njëkohësisht, revanshi i dogmës fatkeqe që përthante esencën sublime të tij. Përse? Sepse, tashmë në rrafshin e dytë, vriste e shuante njeriun brënda bashkëkombësit të admiruar kot. Madje kjo vrasje, për shkak të mosligjërimit të mendimit opozitar, shpesh nuk ishte vetëm dhunësi shpirtërore e morale, por mbaronte në represalje fizike: burgje e kampe, internime e likuidime që gjunjëzonin fare popuj të gjendur në skeptrin e tiranisë. Ndaj, si mund të ishte kjo dashuri e paqme dhe e vërtetë? A mund ti shpallej kombit një dashuri e zjarrtë, ndërsa prishen pjestarët e tij? Ajo, abstrakte e shpifarake, përfundonte në levë lajthitëse që duhej të krijonte imazhin e rremë altruist dhe të shplante trurin e përpunuar të “njeriut të ri”!

Rëndesa e saj ishte ende më e përgjakur atje ku, si në trojet e Shqipërisë së jashtme, shtypja ideologjike kishte dhe një instancë tjetër ndajshtimore: okupimin e egër serbian, të cilit ajo i shërbente si veglëri komplementare në ngasjen, gati testamentale për ta arkivuar çështjen e nëpërkëmbur shqiptare. Por as sistemet e mëpasme, si ky i demokracisë parlamentare që trumpetohet më i afërti me natyrën e njeriut, nuk është i fundmi dhe as përkryer. Nuk është ende shelbimi i tij. Dhe pasardhësi i Papës së zhgënjyer Gjon Pali, Françesku reformator, do të shpallte në Encyklikën e parë, vlerësimin proverbial: “Kapitalizmi vret”! Me sa duket, në rendin e përtashëm ndëshkimor, nuk mund të etablohet assesi një sistem i harmonisë absolute toksore. Po kjo është një temë tjetër dhe, ndoshta, një luks për ata që ende përpeliten për ringjitje nga pluhnaja harrestare e kohës.
2.
Po tani ç’ndodh?
Përse kjo shmagjepsje me indipendencën, votën e tregun e lirë dhe gjenin vetiak? Ku nis krusma e saj? Armiku qindvjeçarë, përbetimi i jashtëm, vonesa objektive e ardhjes në tryezën e popujve të arrirë?
Këta përcaktues, sigurisht, nuk janë hipotetikë. Janë të gjallë e të frigshëm. Por a mbaron këtu tabela e shkaqeve të shmagjepsjes tragjike? A janë shqiptarët, më saktë paria e përzgjedhur sovranisht, krejt dorëjashtë në fatkeqësinë e vet? Aspak! Përkundrazi!
Dhe është gjithësesi vulgu aristotelian (“Demokracia rrezikon të shndërrohet shpesh në sundim vulgu”, thoshte ai para mijëra vjetësh) që është fronësuar e sundon qenërisht, arsyeja pse ndokujt do ti shpëtojë padashje një ofshamë tek kujton “kohën e vjetër të ikur”, që më ka rastisur ta dëgjoj të shprehur në sintagmën dridhmuese: “Kur e kishim keq, jetonim më mirë!”. Ç’është e drejta, nostalgjia për kohën e bukur që s’vjen më, është një kurth i vjetër. Njeriu përherë kujton me mall rininë e humbur. Në zemër fshehet njeriu, e jo në kokë, pohonte që moti Schopenhauer. Dhe bukuria e saj, herr kujtesën në vitet e vona për ta stolisur vetëm me çastet dritësore të saj. Pra, e bukura herake që kujtohet mallëngjyeshëm nuk është gjithmonë e kohës së ikur, por e rinisë së bjerrur. Megjithatë ajo “ psherëtima përmalluese”, mbërthen, mjerisht, dhe postulatin tjetër antinomik: “atë të jetesës së mirë në kohën e keqe”! Dhe kjo është dhimbja e saj. Një dhimbje që, si do thotë Niçe, e varrosur për së gjalli ngrihej sërish pasi kishte dremitur pak! Helmi i frymës do t’kje veçse një mit i lashtë sikur t’mos kishte aftësinë e përhapjes së heshtur e ngulmëtare. Ajo tejçon rrathët e saj përtej “ofshàmësit” të mekur, atje ku nis rropama e breznisë së re republikane. Madje, e mëkuar faktorësh pëprlindës, kërcënon të marrë dhe konturat e doktrinës. Të doktrinës së pritjes. Të pritjes së një kohe të dytë të korbave…
Si përhihet kjo rrëzomë e ligë dhe ku zanafillon ajo? Si thamë, komplotet dhe armiqtë, nuk mjaftojnë për ta zbërthyer nyjën e saj. E, pra, as për ta përligjur atë! Përgjigjen, me sa duket, pa hyrë në labirinthet e lodhshme të stërhollimeve teorike, do t’na e japë i lashti burrështetar, Hamurabi madhnor. Para rreth 3500 vjetësh, u drejtohej ai sundtarëve me këshillën e përsosur: “Qeveriseni mirë popullin, se, ndryshe, çdo invazion të huaj do ta presë e përjetojë si çlirim”! Ndoshta, pra, andej vjen e ngjizet kjo ofshàmë pikëlluese, loja dhe goditja më idhnake e ironisë së jetës! Të jesh i ndaluar e të ëndërrosh, të jesh i segreguar e të rezistosh, të jesh i kolonizuar e të luftosh flijueshëm për lirinë – dhe pastaj, së mbrami, në duar të mbash vetëm gërdhàjën e saj: të ngrënë e duhmosur nga pinjojt bastardhë, nga Edipët e shkërdhyer dhe nga Judat e shumtë si krimbat, që i pijnë gjakun t’ëmes së vet? Ah, një rrëzomë e papërballueshme në mnerin e saj dhe një çekulibrim që prek themelet e qenies kolektive.
Por terrina nxinë mëtej. Pasvështrimi s’ka si t’mos tërheq mbi vete cilësorin komod të trathtisë nga arkivi i higjienës kombdashëse. Mbase ajo dhe duket se fqinjëron me të. Po kush është, njëmend, fabrikuesi e, njëkohësisht, manipuluesi pervers i ndjeshmërisë dhe lojës diskredituese të saj? “Pësherëtitësi” i këputur si gjethi vjeshtak? Apo titullarët e harbuar të entitetit shkurtabiq? Nëse patriotizmi i vjetër etnik i moteve bizantine i ka lëshuar vëndin patriotizmit kushtetues për mëkëmbjen e një shoqërie të lirë, të përparuar dhe egalitare, aherë, legjitimisht, dhe ekuivalencën e kundërt negative – trathtinë e dikurshme etnike, do ta ketë spostuar lënda e re e saj: trathtia kushtetuese si një përceptim posesiv i pronave dhe ardhmërisë së landit të epërm shqiptar. E, për pasojë, ndërsa tek humbamanët e “ofshàmës” ilegale ajo shfaqet vetishëm, pa vullnetin a mendimin e bluar – tek shtetshaluesit e ndërkryer krejt e ndryshmja ndodh: si dijekeqësa meskinë, ata prijnë përherë me gërmadhë morali a qëllim ultësor. A nuk janë këta të dytët vetë, e askush tjetër, mbëltuesit dhe kultivatorët, rojat e autorët e “psherëtimës” mpakëse? Që këtej, pesha e fajit, zymtor e i përzitshëm, rëndon i gjithi mbi ta, mbi kalorësit e tregtizës provinciale politike. Gjëndja e makthit, kjo pengmbetje në hiret e së shkuarës, nuk është një mëkat i rezervuar i viktimës së pafat. Plebësit që shkumojnë të hipur salloneve, janë, prandaj, farkuesit e përbuzshëm të saj dhe, deduktivisht, trathtarët e vërtetë të idesë dhe çështjes së frenuar kombëtare.
3.
Rjedhimisht, shpirti i njeriut të vogël zhbiron e përballet dy udhësh shtegdalëse nga apatia përmbytëse: arratia nga realiteti apo aktivizmi qëndrestarë. Vite të tëra i refuzuar nga bota, ai kishte bërë dorëzimin pranë të parës, arratisë, që do ta shndërronte ngadalë në theror të përpjekjes për tu çliruar e realizuar në botën kujtimore: thërriste dromcat e saj të stisura, të shformuara e të sedefta, që rrekeshin të thurnin një kuazi-jetë paralele imagjinare, në mbrojtje fiktive nga padurueshmëria e jetës reale në kalvarin e mbijetesës.
Ishte mësuar të bënte qëndresë jetike, solidarësi nëvojtare e kryengritje përflakëse. Por, i tillë dhe në flatra mirëbesimi entuziast, ai tani ka humbur orientimin. S’di si t’ja bëj me të vetët. Ata e shpërdorin mjeshtërisht mungesën e kulturës politike të lirisë dhe pritjen e tij lapidare që Republika e re të marrë këmbë njëherë. Dhe pikërisht ky shpërdorim i abstenimit a shpërqëndrimit social të “ofshàmësit” të sfilitur e, sidomos i fisnikërisë atdhetare të pritjes, me njëlloj niçeanizmi primitiv, e bën klasën e guvernantëve të tij, më të poshtrën në Europë.
Athua i ka ardhur fundi mashtrimit dhe rrjeshtimit të vjetër – vetëm kundër serbit, këtij fatprerësi të përjetshëm të shqiptarëve? Dhe a janë pirë, tashmë, të nëntë kafetë e gjumit robnor?
Mbase, tradicionalisht, nuk ishte etabluar kultura e revoltës europiane të mohimit, sepse, thjeshtë, ajo është produkt e bashkërritet me shtetin kombëtar, i cili poashtu mungonte për mijëra vjet. Ndërkaq tani, për të qenë sërish e askundshme, do të merakosej sistemi veshtar i kriptodespotisë: me shantazhimin trembës të shumicës ose korruptimin shpirtshitës të pakicës.
Ndaj, ç’lidhje strukturale ka, rëndom, mes varfërisë dhe ideologjisë? E gëzon, vallë, skamnori komoditetin e rrjeshtimeve partiake në revanin e tyre pushtetmarrës? Apo të vajtjes pas një beteje sindikale, të dyshimtë e lojalizuar, të ndehur e mbivëzhguar? Apo të ndjekë atllarë të vetëçertifikuar kombi në ankthet e tyre për lavdinë? Përgjigja është, mjerisht, negative. Ekzistenca i prinë prore identitetit. E assesi e kundërta. Ky është kodi hyjnor i këtejbotshëm. Për rrjedhojë logjike, ngurrimi përnxitet nga frika e humbjes së statusit të varfërisë. Humbje të statusit të varfërisë? E çuditshme? Në dukje mbase, por kjo s’është aspak e tillë. Sepse humbja e saj çon në një stadium tjetër ende më poshtërënës të rrokullimës: në atë të urisë kronike kur jeta merr kuptim vetëm nga të qënit gjallë. E njësojtë me vdekjen!..
Varfnjaku a ùntaku, për të qenë pjesë e lëvizjes përmbystare të mohimit, kërkojnë tjetër levë e kauzë: kërkojnë një trup popullor të primë dijes e moralit të burrave të mirë dhe prej tyre vetë. Jashtë dorëzave e maskave të partive a ideologjive të kompromituara që janë vetë promotori i keqrrnesës së tyre. Çdo epokë ka resurset, idealet dhe heronjtë e vet. Historia e një populli nuk është tjetër, veçse biografia e njerëzve të tij të mëdhenj!
4.
Dhe tash kur duket se shqiptarët (e lëvizjes protestore rektoriale), kanë bërë tutje në leksionet e lirinxënjes – nga ariozofë miturakë a kombtaristë të ribërë me afat skadence, dezhurojnë nofkat për varietetin racor (që predikojnë dëlirësinë e gjakut), për udbashizmin e posashpluar (që s’e kishim ditur kaq total, gati mbarëpopullor) dhe për komunizmin famkeq (po kush ka tagër etik ta dënojë atë, kur pothuajse të gjithë kjenë të tillë?!), tek hidhen si çelës i zbardhjes magjike të rrënjës së keqësisë. Të nyjëtuar me uniformitetin vezullues, si nxënës të rryer të bolshevizmës, janë veç këta – vulgokratët me armatën e milicëve dhe sigurimsave parashtetërorë, pëshpëritësve e denoncuesëve, neostambollitëve e levantinëve, skribomanëve e kurvomanëve, polpotistëve e qefinlënursëve, që i mbajnë në jetë reminishencat dhe, kësaj udhe, përftimin e vakët, lajthitshëm të vakët të “ofshàmës ilegale”, për “ditët kur ishte keq, e jetohej më mirë”, të kësaj ftome aq të trishtme në sythimin e brishtë të lirisë! Mirëpo sado dredharakë e ndërskëmbëcorë të jenë – është Hamurabi i pavdekshëm që i kap n’flagrancë dhe nxjerr në pah fytyrat e tyre shëmtane. Pushtetarët e këtij miljeu, që sipas urdhërit të species, përçmojnë dijen e urtinë, nuk denjojnë ta shohin aksiomën e tij. Le ta ndjekin aherë vuajtësit e tyre me hovin kreativ: jo për të mirëpritur invazorë, por për të kallur e rrëzuar përdhè të kësokohëshmit inkuizitorë!..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura