REXHEP KASUMAJ: PJELLORIA MAHNITËSE

Berlin, 09. 12. 2015: (Një lehtësi e padurueshme e sundimit) – “Papa Xhulio i dytë ishte aq i rrëmbyer dhe koha kur jetonte kje aq e përshtatshme për këtë sjellje, saqë ai realizonte gjithmonë qëllimet e veta”, shkruan Nikolo Makiaveli, një borgjez laik, diplomat, ushtarak e poet fiorentinas në “Sundimtari-n” e famshëm (1513), librin, që do ta bënte filozofinë më të largdëgjuar të politikës dhe shtetit.
Që në hyrje, tek i drejtohet prijësit Lorenco de Mediçi, të cilit i kushtonte veprën e tij, thotë përvujtnisht se s’mund ti ofronte shkelqësisë princërore diç më të mirë, sesa mundësinë për të përfituar në pak ditë, atë që ky kishte mësuar tërë jetën.
Pastaj, në hullinë e mendimit të sipërdhënë, alkimisti që i hoqi fuqisë pushtetëse etikën ose maskën e saj, do t’nënvizonte se është i suksesshëm vetëm ai Princ që i shkon për mbarë fryma e kohës. Ndaj, po të rronte dhe ca Papa i hallakatur e, njëherësh, koha të ndërronte trillet papritur, aherë do të ndëshkohej rëndë prej saj…

Këto janë ligjet e historisë dhe kohët nuk i lëmojnë përherë sundtarët…Por çuditërisht, trualli i Kosovës, i veçantë në shumëçka, jep provën e pakëputshme të së kundërtes! Sepse, ndryshe, nuk shpjegohet dot përse motet e saj kanë një pjellori mahnitëse për të ngjizur e fryrë kurorën e së Keqes!
Behnin rend këndej, tufanesh të përgjakura, Vali e Zhupan, Hazjajin e Komitetar, Vozhd e Mëkëmbës dhe, të gjithë e përherë, gjenin në vitet e saj atë frymën ideale të Nikolos, për të prishur e shprishur çdogjë: me doktrinë e mort, plaçkitje e dëbim biblik. Ata vinin e iknin dhe kohët dukej se lëviznin shenjën, ornamentin a ideologjinë, por, sërish, secilit që fronsohej i dhuronin lehtësinë e padurueshme të sundimit që mjeronte jetën e brezave të flijuar.
A nuk ngjan kështu dhe sot? Republika e mosvarme vijon me një bujari të askundparë përshtatshmërinë e përsosur: që frymën e fatit të vet ta bëj shtrojë komode për guvernantët fillhumbur, të stolisur, tashmë, me petkun joshës kombëtar!
Ndërsa, pra, si pohonte Makiaveli, kohët duke ndryshuar ndëshkojnë princat e paintuitë – në Kosovën shqiptare ato ruajnë ngulmërisht tharmin e tyre konstant ndër shekuj… Madje, kultivojnë si prurje jetike pllenimin frytbartës për demonët politikë që, dhe në cikël perëndimesh, riqarkullohen paprerë në role e misione të errtë, si vetë nata e saj!
R.Kasumaj – Prishtinë, fillimtetor 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura