REXHEP KASUMAJ: PSALM*) /

Berlin, 04. 02. 2014 – (Për shërbimin hyjnor) – Të gjithë, apo pothuajse çdo popull, racë fe e gjuhë, vuajnë vrajë të tilla apo të ngjashme: cene, vese e ligësi, por, ndryshe nga ata, për shqiptarët, me sa duket, krijuesi s’ kishte kursyer dorën. Ndaj i lutemi Hyut të na mbrojë, jo nga prania (“Njeriu është krijuar i dobët”) e pashmangshme, por nga tepria e tyre.
Amin!

O Zot’ynë që je në qiell, na mëshiro e ruaj nga,
– Tirania (e çdolloji)
– Padrejtësia
– Milicia e
– Neo-shkinia dhe,
Njësoj, nga,
– Mjerimi (shpirtthyes a jetëmarrës)
– Mbidurimi (poshtërues)
– Verbimi e
– Dorëzimi,

Mandej nga,
– Kuvendarët (në rehatinë e tyre sfiduese)
– Pajtimtarët
– Serbofalësit a
– Ultraklanësit (e të gjithë ngjyrave)
– Papagallësit e
– Sojdalësit dhe,
Gjithnjë nga,
– Paqësoristë e
– Belicistë dhe,
Prore me shpresë nga,
– Çlirimtarë a
– Shpëtimtarë
– Komandarë e,
– Gjeneralë (pa beteja)
– Rrogëtarë
– Vizionarë e të
– Marrë dhe,
Pastaj nga,
– Veteranët (e robnisë)
– Rishtarët, sikundër nga,
– Martirët (e motit të ri, me emblemën vezulluese të korrupsionit)
– Tinzarët
– Ziliqarët dhe,
Sa druajmë shumë, shumë nga,
– Udbistë (të sinqertë), a hiç më pak nga,
– Sigurimsa (parashtetërorë)
– Kombëtaristë
– Jugosllavistë (në pritje) e,
– Sllobodanistë (t’fshehtë e të hapur n’për shkolla nate)
– Protoenveristë
– Majtistë e
– Djathtistë (të posavluar të kapitalit egërshan),
Por dhe nga,
– Mondialistë (shfytyrak)
– Konservativistë
– Idealistë (të molisur)
– Moralizantë e,
– Arrivistë (të molepsur)
Na mbro o Zot nga,
– Mburracakët (e mejhaneve)
– Tredhakët e
– Hiperprodhuesit apo
– Hiçbërësit
– Kumtarët e
– Thashethemtarët dhe
Veçanërisht nga,
– Përbetues apo
– Denoncues (të rremë)
– Kolaboratorë
– Hetues (vullnetarë)
– Qefinpunues e nga,
– Fatpajtues (bestytnorë) porse,
Njëkohësisht nga,
– Servilosës a
– Flirtuesë (vangoshë)
– Sherbëtorë e
– Mallkuesë (të vjetër)
– Pseudovajtuesë
– Gazmorë (cinikë) dhe,
Si të rënda supesh, na ruaj nga,
– Hordhia
– Zogoria
– Lukunia e,
Bashkë me to, nga
– Naciokratët (e shtirosur)
– Vulgokratët,
– Mullokratët e
– Mafiokratët dhe,
Në fqinjërim të tyre, nga
– Demon-kracia
– Gëzofndërresa (sipas motesh)
– Vetëshëmtimi e,
– Harbimi (kopeist)
– Mërgimi dhe,
Përherë nga,
– Kuazi-europianët
– Diplomatët (e dëgjueshëm nga kooperativa fisnore politike)
– Filoaziatët e
– Megalomanjakët (e shtuar),
Sikurse dhe nga rrëzoma e,
– Papunësisë (së pafaj)
– Apatisë
– Varfërisë (kronike) e,
Rrjedhimisht nga,
– Pritmëria (kotnare)
– Mërzia
– Bezdia e
– Blasfemia dhe,
Gjithësesi na ruaj nga,
– Ajatollahët (mbikëqyrës)
– Tempullarët e
– Idhujtarët, po,
Dhimbsurisht nga,
– Predikuesit (e mefistos)
– Neostambollitët
– Konvertitët dhe,
Padyshim, nga syri i keq i,
– Fanatistëve
– Vehabistëve (të disiplinuar) e,
– Jezuitistëve dhe,
Pse jo, nga
– Lideristët (e shumëzuar)
– Tenderistët
– Opinionistët apo nga,
– Solidaristët (fjalamanë)
– Fetishistët
– Idolatristët dhe
– Nihilistët (e mërzitshëm)
E poashtu, nga
– Rektorë (të partishëm)
– Profesorë (tek ndihin politikën për të ndrydhur kulturën e revoltës),
– Studentë (oborrtarë)
– Doktorë (etikëprishur)
– Mentorë e,
Ndrymë me ta dhe nga
– Injoranca apo
– Dijeblerja (industriale)
– Polpotizmi e,
– Plagiatizmi (i konsoliduar)
– Miopizmi dhe,
Na çliro, o Madhni, nga,
– Mesianizmi
– Snobizmi (kolektiv) e,
– Nepotizmi dhe,
Njëherësh nga,
– Xyfëria (gati identitare)
– Shpifëria
– Qenëria e,
– Skuthëria dhe,
Pokështu na parzmo atërisht nga,
– Kanunëria,
– Gjakësia (vëllashojtëse) e,
– Ngujimsia dhe,
Aq dashunisht, nga
– Mujshia (brutale)
– Paligjësia e
– Përunjësia
Por edhe nga,
– Spiritualiteti (që s’qaset dot njëherë)
– Gjenialiteti (i afishuar vetë kudo në shtylla udhësh, mure e porta) e,
– Mediokriteti (lumturak)
– Arroganca apo
– E parasë xanxa
Ruana, ruana fort nga,
– Provincializmat a,
– Krahinarizmat
– Purizmat (e kulluar)
– Egoizmat e
– Kosmopolitizmat (e falsuar)
Sigurisht dhe nga,
– Radikalët (pa krahë)
– Vandalët
– Imoralët a
– Çakallët (e ndërkryer)
Na dil krah dhe përballë,
– Skribomanëve
– Piromanëve apo dhe,
– Kleptomanëve (serikë)
– Kurvomanëve
– Manenutave (të braktisura) e,
– Skutave
Kërkojmë përulshëm mbrojtje nga,
– Ankestarët a
– Suflertarët
– Pendestarët (e vonë)
– Hënëmarrokët e
– Atllarët (e paçertifikuar të Kombit)
– Prijatarët dhe,
Natyrisht, nga,
– Laraskat a
– Korbat
– Fakirët (hatërmbetur)
– Sorrëshkinat e,
– Sokëllimat
Të ligj e të shumtë janë dhe,
– Vetëurrejtësit
– Smirëzinjtë e
– Qejfprishësit (zelltarë)
– Kodoshët (neveritës)
– Përnxirësit apo
– Laryshirësit
Na ruaj nga ata, sikur poaq nga,
– Iskariotët (kujdestarë)
– Poliglotët
– Konkubinët, e nga
– Gjahtarët (e zejes a karrierës)
– Lepurushët
– Strucët e
– Llaskucët
Mirëpo dhe nga,
– Titajt (e vranshëm)
– Titujt (e huazuar e t’stërgjatë në kierarkisë lodhëse)
– Suporet e
– Llogoret (e lavdisë)
E gjithmonë nga,
– Ngutësit
– Tutësit
– Kukuvajësit e,
Sidomos nga,
– Sheshet (vocërrane, sa vocërrane për bustet e shumtë!)
– Përleshjet e
– Përqeshjet dhe,
Prapë nga,
– Gënjeshtarët (mashtrues)
– Lajkatarët e
– Vrastarët dhe,
Mos na lër kurrë nën krusmën e,
– Sodomistëve
– Vetëshkërdhyesëve a
– Edipistëve dhe,
Tevona na ruaj se plasëm nga,
– Retorët (bajatë)
– Dredhorët e
– Pështymorët, dhe
Nga terri i,
– Ksenofilëve (të sprovuar)
– Kriptopedofilëve
– Kopilëve dhe,
Gjithaq i,
– Përdhosjes
– Pështirosjes a
– Munxosjes
Dhe, sërish, nga,
– Deliri (i përsosmërisë)
– Luciditeti (kaq i rrallë)
– Misionarizmi e
– Heroizmi (pagan) dhe
Përgjërohemi për rojë nga,
– Fatthënësit (ndikimorë)
– Kundërthënësit
– Keqthënësit
– Mosthënësit (e përjetshëm)
– Nder – humbësit dhe,
– Nder – shkelësit!..

Të gjithë, apo pothuajse çdo popull, racë fe e gjuhë, vuajnë vrajë të tilla apo të ngjashme: cene, vese e ligësi, por, ndryshe nga ata, për shqiptarët, me sa duket, krijuesi s’ kishte kursyer dorën. Ndaj i lutemi Hyut të na mbrojë, jo nga prania (“Njeriu është krijuar i dobët”) e pashmangshme, por nga tepria e tyre.
Amin!

___________
*)/ ‘Këngë kishtare’

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura