REXHEP KASUMAJ: TRI BETEJA DHE NJË VETMI (Shpërdorimi i heshtjes së varrit nga pushtetarët!)

Berlin, 6 mars 2019: Në përmbyllje të ciklit që filloi shekulli i ikur, tri beteja zhvillohen kohëprerëse rreth Kosovës. Është, me gjasë, stacioni i radhës në itinerarin e fatkeqësisë.
E para, plot duhma mesjetare, ka hijen e thikës mitike të krimit. Është beteja e Belgradit për Serbinë në Kosovë. Anipse nga taborr i vjetër armik, ajo, e palodhshme, dinake dhe e devotshme, imponon një admirim zemërplasur.
Ndërkaq, e dyta është gjeopolitike. Kapitulli i fundmë i saj për Ballkanin pa Rusi. E, si pasojë, peshërënjen dhe bishtuljen e urtuar të Serbisë. E tillë, përkon natyralisht me interesin kombëtar shqiptar. Dhe qendra ku tërhiqen fijet e hemisferave të reja, është larg, përtej deteve, në Uashingtonin e lirisë.
Kurse beteja e tretë zhvillohet në votrën e saj në Prishtinë. Por ndryshe prej tyre, ngjan profane, e ligë, e përbuzshme. Në vend të naltësisë fisnike, ajo ka gjithë përmasën ndërklanëse të pushteteve të ulta – jo për kufij, territor a sovranitet, por për primat politik në kierarkinë e Fuqisë. Sa cinike, ndaj, duken fjalimet, betimet dhe evokimet pranë varrit të flijimtarëve. Të vdekurit na shohin, thotë Mësimi, por s’mund të flasin. Dhe është pikërisht ky shpërdorim i heshtjes së varrit që i bën ata më të poshtërit në Europë.

Në fund fare është Shqipëria, e pabetejshmja, e munguara e madhe. Madje, rrëzomë e saj vete përtej mungesës që rreket t’a mbushë ndonjë fjalë rituali formal, frigjid e shterpësor. Kur gjysma e atdheut jeton orën e vështirë, ajo, sipas një rregulli të çuditshëm, mbytet në kaos. Vërshojnë sheshet, flakëron urrejtja, sfidohen aleatët dhe tranden themelet e brishta të shtetit që, pas çdo rrotullimi, kthen përmallshëm në “vitin e tij zero”. Dhe, ashtu, ngujuar në pengmbajtjen e pandihmë të vetëvetes, i dërgon Kosovës dhe botës dy kumte tragjike: Kosovës vetminë dhe botës pazotësinë e racës shqiptare për shtetësinë..!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura