TEUTA HADRI: VEPRIMTARINË TIME KOMBËTARE E KAM NISUR ME DJEGJEN E 25 FLAMUJVE JUGOSLLAV!

Pashtriku.org, 18. 12. 2014 – (Intervistë me veprimtaren dhe doktoreshën, Teuta Hadri) RKL: Zonja Teutë, duke qenë se qysh në moshë të re jeni orientuar në idealin e lirisë, cilat rrethana mendoni se kanë ndikuar më shumë në këtë orientim Tuajin kombëtar?
Teuta Hadri; Edhe unë shpesh herë kur ndalem dhe kujtoj të kaluarën, fëmijërinë time dhe krahasoj me fëmijërinë tash, e bëj këtë pyetje që ma bëni edhe ju , e pyes vetën se ku mora gjithë ato ide aq të mëdha për çështjen e atdheut për çështjen e Kosovës. Unë si fëmijë pa më organizuar askush me kokën time i kam shqyer 25 flamuj jugosllav pas 68-ës, pa as një rekomandim nga askush, as nga babi as nga vëllai. Andaj kur e bëj atë krahasim me rininë e sotme habitem. Në këtë drejtim kanë luajtur rol tre faktorë, një familja, dy shkolla dhe tre Shqipëria. Unë kam lindur në një familje të arsimuar. Gjyshi im ka qenë përhapës i gjuhës shqipe, ai qysh në vitin 1915, në Vushtrri, ka hapur shkollën e parë shqipe, pastaj me ditar në dorë ka qenë jo vetëm në trojet e Kosovës, ai ka shkuar edhe në Shqipëri po më 1915 ka hapur shkollën në Petrelë. Edhe babi im ka qenë profesor i historisë ai me ditar në dorë ka përhapur frymën atdhetare tek nxënësit, për këtë ka qenë i etiketuar si nacionalist i kohës, dhe është përndjekur vazhdimisht. Unë si fëmijë kujtoj sa e sa herë kur kanë ardhur ta arrestojnë babën por ka qenë një fat i madh se ka qenë luftëtar Nacional-çlirimtares, luftëtar i Luftës së Dytë Botërore, shok i Emin Durakut dhe Abedin Terbeshit dhe i kanë pas dhënë një medalje për pjesëmarrje në luftë, e ajo ka qenë arsyeja që nuk kanë mundur ta burgosin. Mirëpo, familja ime ka qenë gjithmonë nën presion të pushtuesit. Një rol në formimin tim e ka luajtur edhe vëllai im, në atë kohë studionte gjuhën dhe letërsinë shqipe, dhe na furnizonte me literaturë nga Shqipëria që filloi të përhapej në Kosovë, në atë kohë shtëpia ime ishte shndërruar si një miting poezi , vëllai na sillte literaturën nga Prishtina, nga universiteti i Prishtinës, ku përhapeshin shkëndijat e luftës për liri. Vëllai im Pleurati asokohe 3 vjeçar ka recituar Lahutën e Malcisë, me një fjalë e gjithë shtëpia ishte e brumosur me ndjenjë atdhedashurie. Elementi i dytë ka qenë shkolla. Gjakova njihet si një qytet me një kulture, me një histori përparimtare. Më vjen keq që e them por Gjakova ka dalluar nga qytete e tjera ngase ka përhapur frymën e patriotizmit, të historisë të kulturës. Në shkollë ne kemi pasur një frymëzim shumë të pastër kombëtar ata na kanë edukuar na kanë shpjeguar Migjenin e rilindësit tjerë. Organizoheshin takime të veçanta letrare . Përveç shkollës rol ka pasur edhe Shqipëria dhe televizioni shqiptar. Më 1972 u bë një marrëveshje,të bartet materiali i Shqipërisë në Kosovë, ministri i atëhershëm i arsimit Ymer Jaka ka qenë. Filmat shqiptarë kënga shqipe , kanë qenë frymëzuesit kryesor në përcaktimin e rritës sonë, e formimit të drejtë kombëtar.

RKL: E cekët se i keni grisur 25 flamuj Jugosllavë, ku kanë qenë të vendosur ata?
Teuta Hadri:
Unë kam banuar në rrugën kryesore Skënderbeu me parë quhej Mahmut Pasha, por pas viti 1968 e mori emrin e kryetrimit e heroit tonë Skënderbeu, dhe unë u frymëzova dhe nuk mundja me i shikuar tu valuar flamujt në lagje nëpër dyqane, andaj edhe i shqeva. Mandej u bë problem politik dhe i arrestuan disa studentë të asaj kohe. Unë nuk u zbulova e deri vonë as familja ime nuk e ka ditur se unë e kam bërë një veprim të tillë, ngase kisha frikë se do të ma arrestonin babën, apo vëllanë, dhe e mbaja sekret në vete.
RKL: Keni qenë pjesëtare e organizatave që kanë vepruar në programin e Lëvizjes Kombëtare në Kosovë. Ku dhe kur e keni filluar veprimtarinë e fshehtë patriotike, e cila zakonisht quhet Lëvizje ilegale?

– TEUTA HADRI –

Teuta Hadri: Unë veprimtarinë time ilegale e kam filluar në mars – prillin e Pranverës së vitit 1978. Veprimtarinë e kam filluar më Hasan Malën, Teutë Bekteshin, Remzie Limanin, e kem formuar një grup kundër Jugosllavisë. Që nga ajo ditë ne u betuam se do të luftojmë pa marrë parasysh sakrificat që do të na vijnë për lirinë e Kosovës e atdheut. Dhe nga 68-ta, në këtë grup duke vepruar duke formuar grupe tjera me qëllim që të përhapim ideologjinë tonë në të gjitha trojet kudo ku janë pa marrë parasysh moshën e profesionin. Synimi ynë ka qenë shtrirja sa më e madhe, sa më masovikisht të shtrihemi dhe të përgatitemi për një luftë të ardhme për çlirimin e vendit, ngase Kosova nuk mund të çlirohej vetëm me fjalë, llafe, literaturë por çlirohej me një forcë të armatosur siç u pa se q farë force iu nevojit Kosovës për tu çliruar nga Jugosllavia . Kështu nga ai grup ku drejtues ka qenë Hasan Mala ne kemi formuar mbi 30 grupe e celula në gjithë Kosovën, vetëm në Prishtinë i kemi pasur dhjetë degë, fillimisht duhej ta përgatisnim anëtarët që ai te jetë i besueshëm për t ju besuar pastaj detyra të tjera . Betimi kur behej tani veç konsideroheshe ushtarë i ardhshëm në luftë për lirinë e Kosovës. Në atë kohë shpërndanim revistën LIRIA, që botohej nga ilegalët e kohës. Shkruanim parulla, prishnim parullat ku shkruante Tito apo ndonjë emër tjetër, aktivitetin e kemi vazhduar deri sa kemi rënë në burg.
RKL: Edhe bashkëshorti i juaj z.Hilmi Ramadani është ndër emrat e njohur të Lëvizjes së Rezistencës. Ka qenë dy herë me burg të gjatë dhe të rëndë për veprimtari atdhetare kundër regjimit pushtues jugosllav. Ju ka bashkuar ideali në jetë apo thjesht dashuria për njëri tjetrin.
Teuta Hadri:
Jo, nuk kemi pasur dashuri, neve na ka bashkuar ideali për liri. Ka qenë koha kur Ilmiu ka dalë nga burgu pas katër vjet të vuajtjes së dënimit . Dashuria jonë është lidhur me emrin liri. Nuk ke pasur mundësi ta ndije vetën të dashuruar, Ilmiu edhe pse kishte dalë nga burgu, brenda i kishin mbetur shokët e idealit dhe e ndiente vetën shumë të rëndë, kështu që ne nuk e patëm mundësinë të dashuroheshim ashtu siç e paramendon dashurinë një i ri apo e re ashtu si në romane e filma. Pra dashuria jonë kishte një emër luftë, sakrificë për liri. Ilmiu çdo hap ndiqej nga pushteti ai kishte rënë në burg me grupin e vitit 1975 . Jashtë kishte gjetur edhe disa shokë të lëvizjes, dhe përqafimi apo përshëndetja kur kishte përshëndetur më shokët kur ka dalë prej burgu se ne do ta vazhdojmë luftën për liri i kishte filluar përsëri.
RKL:Keni qenë pjesëmarrëse aktive, por edhe në mesin e organizatorëve të protestave të Marsit e Prillit 1981. çka ju ka mbetur më shumë në kujtesë nga ajo kohë e vlimeve të djalërisë revolucionare të Kosovës?
Teuta Hadri:
Jo këtu nuk pajtohem me ty, sepse nuk ishte vetëm djalëria shqiptare, por në demonstratë ishte i pranishëm 50 % elementi femër, dhe mbaj mend për me ta kujtuar këtë se kur shpërthyen demonstratat para konvikteve në orën 7 e 15 minuta, tek mensa ishin vajzat shqiptare aty, UDB-ja, filloi ti arrestoj disa nga djemtë, atëherë ne vajzat i kapem krah për krah dhe bëmë kordonin, dhe nuk lejuam të na arrestonin djemtë.
Pjesëmarrja e femrës ka qenë e përhershme në demonstratë. Prandaj edhe në demonstratën e 26 marsit 1981 policia jugosllave sulmin më të madh e ka përdorur ndaj femrës shqiptare, ndaj studentes shqiptare. Policët i sulmonin vajzat shqiptare me palica në bark dhe i thoshin “nikad neqesh da se rodish albanca” .Femra shqiptare ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në këtë demonstrate, i ka dhënë forcë mashkullit por edhe gjithë Kosovës. Me 11 mars, 26 mars, 1 e 2 prill 1981, këto ditë kanë rolin e tyre në histori ngase i shkatërruan themelet e Jugosllavisë titiste i dha një grusht të fortë dhe i hapi dyert e lirisë për Kosovën. Për ne si organizues ishte një test shumë i rëndësishëm që ne ia bënim vetës dhe popullit të Kosovës.
Testi i parë që ne i bënim vetës ishte se ne kishim dhënë një betim, kishim formuar grupe, i aktivizonim. Ishte e vështirë të fusje rininë në një organizim për një luftë të ardhme për Kosovën. Me ja marr një nëne e babit vajzën e djalin për një lufte të ardhshme, dhe a jemi të gjithë së bashku për një sakrificë që na pret testi i dytë ishte se a e pranon populli i Kosovës këtë demonstrate, dhe fakt ishte se të gjitha kushtet ishin përgatitur për demonstratë, kudo në Kosovë kishte grupe ilegale, rinia patriotike kudo gjendej me shkrimin e parullave diku të organizuara nga grupet tona diku pa grupe, kudo nga qendra e Prishtinës e deri ne zonat malore në kufi të Shqipërisë ne e shtrimë këtë element për të ardhur deri te kjo demonstratë, a na pranon populli me hy në luftë me Jugosllavinë që në atë kohë Jugosllavia kishte emër në botë.
Por u vërtetua se me demonstratën e 1981 populli na pranoi ai ishte kudo me ne, na përkrahu, na ndihmoi , na mbrojti e në çdo mënyrë, ata na këshillonin ne. Këtu e pamë se populli është i gatshëm për ne, për ndërrimin e proceseve politike të kohës, me çdo sakrificë të mundshme qoftë edhe me gjak.
RKL: Për shkak të pjesëmarrjes në protestat dhe demonstratat e vitit 1981 jeni dënuar me burg nga regjimi i ish-Jugosllavisë. Ku e keni mbajtur burgun dhe si ju kanë trajtuar?
Teuta Hadri:
Nuk jam dënuar për demonstratën e 81- ës, ka qenë një fat i madh se unë nuk kam rënë në syrin e policisë e të UDB-së, aktivitetin e kam vazhduar ilegalisht deri më 1985 kur UDB -ja, na hetoi dhe më arrestoi. Në atë kohë kam pasur kujdes të madh dhe syri i UDB-ës, nuk më ka zbuluar. Pas 81-ës, disa grupe tona ranë në burg, kishte mungesë të organizmit mungesë të shokëve. Për të mos u ndier kjo se mbetem pak , unë në atë kohë më 1982 kam shkuar në Zvicër, jam takuar me Hasan Malën, Saime Isufin, Shukrie Isufin, dhe Xhafer Shatri ka qenë atëherë në Zvicër, atje bëmë takime se si ti mbajmë këto degë, në të ardhmen ta bëjmë një organizim më të fuqishëm të vazhdon kjo lufta jonë të mos mbetet vetëm me demonstratë me arrestime e burgosje, por luftën tonë ta qojmë deri në fund, dhe pas një kohë jemi kthyer përsëri në Kosovë dhe organizuam grupe të tjera. Jam arrestuar me 9 nëntor 1985 në fillim jam akuzuar nga neni 1936 ka qenë neni për veprimtari armiqësore dhe organizim, një nen që dënoheshe më shumë. Por duke mos pasur për mua fakte dhe elemente do të më bashkëngjitej ai nen, ngase unë isha dënuar me dy fëmijë të mitur që nuk kishin të drejtë ata ti dënonin, me Naime Maqestena dhe Bujar Sokoli, dhe e kishin arrestuar Teuta Bekteshin dy vite më parë dhe nuk kishte të bëjë asgjë me aktivitetin tonë. Këtu rashë me nenin 1931 për propagande armiqësore, shpërndarje literature, për këtë jam dënuar me një vit burg dhe jam liruar në ditën që kam mbushur vitin.
RKL: Por me siguri maltretimet nuk kanë munguar pavarësisht se keni qenë një vit e dënuar?
Teuta Hadri:
Burgu ishte një shkollë revolucionare. Unë takova në burg shumë vajza trimëresha, habitesha me rezistencën dhe heroizmin e tyre, ato ishin të dënuar me shumë vite burgim, Ajshe Gjonbalaj me 13 vite burg të rëndë, Akile Dedinca 8, Hava Shala 7, Mervete Dreshaj 5, Trendelinë Labënishti 3, Teuta Bekteshi 2,e të tjera që më vjen keq që nuk më kujtohen, ishin plot 30 vajza. Unë shkova aty pas torturave të tmerrshme që na bënë në hetuesi, kur aty i shoh ato vajza të reja më një frymë revolucionare, brenda atyre mureve e që të bëhej se po shpërthenin muret nga zemra e tyre revolucionare, ato më dhanë forcë që të mos tradhtoja shokët, ngase kishte momente që në tortura dobësoheshe, dhe i kuptoj ata shokë që na tradhtuan, them na tradhtuan se ashtu thoshim në atë kohë, por torturat ishin te mizorishme e dobësohej njeriu, unë vet kam rënë në disa situata që ishte e pamundur më të duroje. Në burgun e Mitrovicës ne bëmë një shkollë, aty u frymëzuam dhe lidhëm besën mes vete Have Shalën, Merveten, Zyrafeten, Hydajeten etj, kur të dalim nga burgu ta vazhdojmë aktivitetin dhe ta organizojmë popullin për një luftë të ardhme. Pas daljes nga burgu unë me Havë Shalën i kam gjetur në Pajtimin e Gjaqeve, dhe kur u ktheva nga Zagrebi se kam qenë në specializim, takova Mervete Dreshajn, Musën, Ademin, duke organizuar se do ta bëjnë një aksion për faljen e gjaqeve. Aty pak jam angazhuar në atë aktivitet , ishte një aksion i qëlluar nga rinia studentore se një luftë e ardhme të mos këtë hasmëri vëllazërore por ti gjej të bashkuar dhe të rrëmbejnë pushkët kundër pushtuesit e jo kundër njëri tjetrit. Kështu që them Burgu i Mitrovicës ka qenë një Gestapo, që është përdorë dhunë ndaj femrës shqiptare një dhunë e paparë. Aty nuk janë kursyer asnjë, është përdor dhunë që nga mosha më e njomë që ishte Naimja 16 vjeçe deri te nënë lokja Rexhije Malaj që ishte një grua e fisit Malaj gruaja e Hasan Malës ishte e dënuar me 2 vite burg, pra pa kursyer as rininë e as moshën e vjetër. Por burgu ka qenë një shkollë e madhe për ne.
RKL: Qysh në fillim të luftës së UÇK-së, keni shfaqur gatishmëri për t’iu bashkuar radhëve te saj. Me kujtohet kur keni shfaqur gatishmëri për t’u bashkuar radhëve te saj. Me kujtohet kur keni ardhur ne Krojmir, ne vere te vitit 1998 dhe keni shfaqur gatishmëri për ta ngritur një repart te improvizuar te gjinekologjisë, meqë atje ishin zhvendosur mijëra njerëz nga trevat e përfshira ne lufte. Pastaj filluan ofensivat e verës dhe popullata u zhvendos ne Gryken e Shpëtimit. Me vonë jeni inkuadruar ne ZOLL, e në Karadak. Çka do të veçonit nga ky angazhim Juaji gjatë luftës?
Teuta Hadri:
Unë nuk e harroj ditën e parë kur ju kam parë Ju me uniformën dhe emblemën e UÇK-së, pastaj shoqet tuaj Elmije Plakiqin e të tjerat që i kishit aty. Ishte hera e parë në jetën time që shihja femrën shqiptare të uniformuar. Atë ditë u bënë bashkë edhe lotët, edhe dhimbja edhe krenaria kur ju pash ju aty.
Me të vërtetë unë isha ardhur për tu aktivizuar, ngase duke parë nevojën për mjekë për dorën e shëndetësisë me e futë në ato treva pasi që ishit të bllokuar. Kam ardhur në Krojmir aty ju takova ju, pastaj takova z. Ahmet Qeriqin dhe ai më tregoj se kanë gjetur një shtëpi dy katëshe për këtë spital. Ne patëm folur më parë edhe me Jakup Krasniqin të organizohet një shëndetësi nuk donë të thotë në Drenicë, sepse atje ishte spitali i Likocit mirëpo në një Zonë tjetër, zona nuk ishte caktuar tamam dhe mbetem të aktivizojmë një spital në Krojmir pasi kishim folur edhe me Ahmetin.
Mandej ndodhi Rambujeja, pastaj organizimet, pastaj ofensivat e vazhdueshme, dhe u pamundësua një organizim i tillë për atë kohë në Krojmir. Nga ana ime e pata bërë gati tavolinën gjinekologjike edhe për raste të operacioneve sepse nuk e ndjeja veten mirë të vij veç një plagë me qep, edhe ultrazërin tim personal. Pasi u kthyem juve u përfshiu ofensiva dhe dolët në male. Tavolina ka pas mbet deri vonë dhe e mbaja si simbol të luftës. Ne pas asaj kohe mbetëm në Prishtinë. Me 2 prill kam bërë përpjekjen e parë për të dal në luftë por kam dështuar. Pastaj kam qenë në kontakt me Shtabin e Përgjithshëm. Burri im Ilmiu ishte në Shtab të Përgjithshëm, me Ramë Bujën e të tjerët. Pastaj kam qenë mjeke në Nënë Terëzë, ne u kemi ndihmuar edhe në lindje, i kemi ndihmuar të plagosurve në luftë. Kemi bërë intervenime operative kirurgjike, gjithë ato plagosje të rënda në luftë, deri në momentin kur iu bashkëngjita UÇK-së, por bashkëngjitja ishte e vështirë sepse kudo u bllokoheshe nga policia e paramilitaret. Ilmiu pat dalë më herët dhe unë pata mbet në Prishtinë. Me 2 prill ka qenë përpjekja e parë por na ranë në gjurmë dhe u kthyem. Me ndihmën e Sami Pejës dhe djalit të tij Blerimit unë kam rënë në kontakt me Ali Aliun, ka qenë një tregtar që bartte qumësht në Zonën e Llapit, me ndihmën e tij unë ju kam bashkangjitur fillimisht ushtareve në Zonën e Gollakut të UÇK-së. Aty kam shërbyer, kam qenë e vetmja mjeke me kualifikim specialiste pastaj kanë qenë tekniket si Qerim Kiden, Arifi, dy motra Linda Asllani etj, që kanë shërbyer, por ato dhanë një kontribut të mirë në ofensifn e pare ne Gollak, ku neve na përfshiu ajo vale e plagosjeve
Në ofensivën e Gollakut kam punuar pa anestezion, pa kushte elementare, u sulmua spitali ku ishim, kam punuar në fushë pra kam qenë mjeke fushore, d.th. ndihmën e parë e kam dhënë në fushë më mjete jo aq higjienike. Nuk e harroj këtu prej të lënduarve të parë kam pasur ushtarin Sokol Sopi djali i Mustafë Sopit vëlla i gjashte motrave, ai ka pasur gjashtë plagë në trup por ai nuk vdiq nga plagët por ranë pritë më vonë, mandej Afrimin dhe të plagosur të tjerë, dhe një Gashi edhe ai vëlla i gjashtë motrave i plagosur rëndë. Pra kontakti i parë me të plagosurin e luftës ka qenë në Gollak. Asnjëri nga të plagosurit nuk ka pësuar nga plagët të gjithë janë trajtuar. Pastaj nga Gollaku pasi të gjitha shtëpitë u dogjën, u shkatërruan, e edhe ambulanca, unë kisha dëshirë të kaloja në ZOLL, sepse ka qenë më e organizuar profesionalisht e ka pasur sallën e operacionit, për të gjitha ndërhyrjet, aty ka qenë kolegu Riza Binishi, Miftari nga Mitrovica, dy anesteziolog, motrat Ibadete, Selvete , doktoresha Ajete, Skender Murati, dhe vërtet e ndija një siguri profesionale. Aty kemi dhënë një kontribut shumë të madh , unë më të ndjerin Riza Binishi kemi bërë edhe operacione. Një fëmijë me veshkë të shkatërruar është qepur ka mbet më një veshkë. Janë dëmtuar dy të tretat e zorrëve, janë bërë intervenime të llojllojshme. Është bërë një punë e madhe që vërtetët populli i asaj ane edhe sot vijnë dhe na falënderohen për punën e angazhimin tonë, dhe ka qenë fat që asnjë nuk na ka vdekur nga plagët. Një djalit ju instalua kateter i ureterit në zemër sepse i ishte mbledhur abces, dhe qesen e mbushte me gjak, por fatmirësisht ai djalë ka shpëtuar dhe sot është gjallë. Ky ishte bashkimi im me kolegët profesional që dhamë kontribut dhe ndihmë ushtarëve të UÇK-së.
RKL: Ju keni pasur edhe një moment kur jeni rrethuar nga forcat serbe?
Teuta Hadri:
Unë e ndija vetën shumë mirë në Llap, por duke e parë se në Llap u shkatërrua spitali tërësisht, na bombarduan, qëllimi ishte që mjetet ti ruajmë dhe ti aktivizojmë diku tjetër. Unë kërkova që të dal nga Zona e Karadakut që në atë kohë nuk kishte as motër e as mjek. Me ndihmën e ushtarakëve kam dalë në Gollak mandej na Karadak, dhe aty kam shërbyer si mjeke. Aty nuk kemi pas raste të ketë plagë të mëdha, por i shëronim popullatën që vuanin nga sëmundje të ndryshme si: diarre, hipertension, diabet, etj. Pra isha një mjeke e përgjithshme jo veç gjinekologe sepse shumica e popullatës kishin dalë refugjatë dhe kishin mbetur pak femra për të lindur në atë kohë. Por unë nuk ika nga detyra ime qëndrova aty deri në datën e 11 qershorit. Forcat serbe na kishin diktuar se një mjeke dhe një grup ushtarësh janë aty, ata na rrethakuan, që në mëngjes të orës 7-të. Atë ditë nga gëzimi së u fitua liria hyri NATO në Kosovë, unë u thash ushtarëve lërmëni të flejë sot e të pushoj. Por një djalosh i quajtur Liridon, insistonte të çohesha dhe më thoshte: doktoreshë çohu e pije kafen e lirisë, në atë moment paramilitarët filluan të gjuajnë në drejtim tonin, unë kërceva nga kati i dytë dhe nuk dija nga shkoja, ushtarët me mbronin, plumbat më depërtuan në pantallona por nuk mi prekën këmbët , pantallonat i kam të shqyer nga plumbat dhe i ruaj edhe sot kujtim të luftës të asaj dite. Por tragjedia e asaj dite të rëndë që më mundon edhe sot ishte se ushtari Enver Miftari në moshën 17 vjeçare duke më mbrojtur mua në tërheqje është qëlluar, fillimisht më plumb në këmbë eci disa hapa dhe e lidhte këmbën, por plumbi i dyte e ka kapur në kokë. Shokët tjerë më ndihmuan në tërhiqem duke shtënë me armë kundër paramilitarëve, të cilët thërrisnin ”ubij majku shto se ne ubijesh” se nuk më kapnim plumbat. Ne u tërhoqëm me të gjithë shokët. Enveri mungonte dhe dëgjuam se AI, duke më mbrojtur mua ra në fushën e betejës, ra me nderë.
RKL: A mendoni se luftës se UÇK-se ju kane bashkuar mjaft mjeke e mjeke?
Teuta Hadri:
Unë mendoj se në fillim në gjithë Kosovën doktorët kanë qenë të gatshëm tu ndihmojnë, tu ndihmojnë luftëtarëve të lirisë, se e kemi edhe traditë popullore ndihmën por edhe si mjek jemi betuar në betimin e Hipokratit. Por disa e kanë pasur të pamundur të futën në luftë. E mbaj mend kur kam qenë në këshillin komunal të shëndetësisë si kryetare e këshillit kemi organizuar grupe te mjekëve dhe komisione të ndryshme për ta ndihmuar luftën dhe ushtarët. Ne me Ali Zatriqin patëm bërë disa grupe, emergjenca të natës, ka qenë ambulance Jeta ne Breg të Diellit, që ka punuar vazhdimisht, kanë kujdestaruar mjek të profileve të ndryshme , çdo grup ka pasur ekipin e vet. Kemi organizuar rininë studentore me ndihmën e parë si të mbrohemi dhe si të punojmë në një luftë që do të vij edhe në Prishtinë . Por jo të gjithë mjekët e kanë pasur guximin të shkojnë në zonat e luftës. Frika nuk ka ilaç, është normale, disa nuk kanë mundur me depërtuar, disa nuk kanë mundur me i bë ballë luftimeve, disa edhe kane ikur nga zona e luftimeve. Unë vet kam qenë në Gollak dhe në një ofensivë në lagjen e Bullovitëve, kur nuk dinim nga t’ ia mbanin kur plasi ofensiva, pas njëzet e katër orëve unë kam rënë në kontakt me shokët. Më vonë e pamë se çfarë lufte u bë në ç farë përmasa kaloi lufta jonë, kështu që nuk mund ti akuzoj. Nuk mund ti akuzoj pse nuk na janë bashkuar.
RKL: Duke qene se keni një jetë të tërë në angazhimin tuaj atdhetar, pas luftës, një kohe keni qenë edhe deputete në Kuvendin e Kosovës, si ndiheni sot me situatën aktuale politike e shoqërore në të cilën po kalon vendi?
Teuta Hadri:
është një pyetje shumë e rëndë, është një gjendje shumë e keqe, e ndiej vetën shumë keq. Nuk e kam besuar se do të vijë një gjendje e tillë në Kosovë, me ata djem trima , me atë gatishmëri për luftën, me atë sakrificë që e kam parë në luftë në çdo moment e në çdo rast me atë gjallërinë e tyre që nuk kanë kursyer as jetën e vet e të vijnë deri në këtë gjendje çuditem.
Ne politikisht nuk ishim të përgatitur sa duhet, ne është dashur që në fillim ti bëjmë pyetje vetës pse Francezët e morën Mitrovicën, është dashur të mobilizohemi për një gjë të tillë dhe të mos pranojmë, ne klasa politike e ushtarake, është dashur ta dimë se Franca gjithmonë ka qenë aleate e Serbisë, ky veprim ka qenë sinjali i fortë se në Kosovë nuk kanë për të shkuar si duhet se liria e shumë pritur nuk erdhi ashtu siç e ëndërruam dhe siç e merituam. Prandaj këtu klasa politike nuk qe e gatshme për kohën e pas luftës. Dhe ne u hymë proceseve, dhe i bëmë një servilizëm ndërkombëtarëve, i përkrahëm edhe aty ku nuk duhej. Është dashur të këmbëngulim që amerikanët të vendosën në Mitrovicë .
Prandaj këtu u pa se ndërkombëtaret dhe OKB, synimin kryesor e kishin të ndalin gjakderdhjen dhe bllokimin e refugjatëve, dhe nuk e kishin dertin ata që ne ta gëzonim lirinë dhe sakrificën shekullore të luftës për liri. Pra nuk na u dha mundësia ta gëzojmë atë ditë. E në këtë drejtim kemi rënë të gjithë në provim sepse të gjithë u gëzuam dhe u hapëm dhe nuk menduam ta vazhdojmë luftën politike, ti çojmë proceset politike përpara . Të realizojmë ëndrrën shekullore të baballarëve tanë. Te mendojmë ashtu si kanë vepruar ata. Baballarët tanë nuk kanë qenë të pasur, ata nuk kanë menduar të pasurohen. Unë e mbaj mend kur gjyshja ime me ka thënë se gjyshi ka shkri pare me e ndërtua hekurudhën që ka lidhur Kosovën me Selanikun, kanë dhënë fond, e tani me ne ndodh e kundërta i heqim hekurudhat e i shesim për hekra .
Politikisht jemi treguar nuk them të unët por të papërgatitur. Ndoshta Serbia nuk është e dobët që në agjenturën e vet na shpërndau na qau na bëri pikë e pesë. Krahu i luftës u përça, nuk u lidhëm mes vete u shpërndamë, Thaqi veç, Ramushi veç, Jakupi veç, pse mos me qenë një forcë e madhe që edhe bota me e lyp mendimin tonë. E tani si janë bërë të përçarë nuk i pyet, ose i pyet e vepron si donë vetë, ndryshe kur je një forcë politike e përbashkët.
RKL: A mendoni se për krizën aktuale, por edhe krizat e përgjithshme që janë manifestuar në vendin ton prej kohës se Çlirimit, në verë të vitit 1999, e deri tani është përgjegjës edhe faktori ndërkombëtar, i cili në emër të pajtimit të shqiptarëve me serbe sikur e ka mbajtur dhe po e mbanë peng Kosovën, apo përgjegjësia kryesore i takon klasës politike?
Teuta Hadri:
Unë mendoj se faktori ndërkombëtar i bën politikat ndërkombëtare. Ti je një piun i shahut në Evropë nuk mundesh me i drejtua politikat ndërkombëtare, do me të fut në Evropë, ne e kemi pranuar një proces të tillë, e tani ne duhet të presim nga ata sepse ata janë që i udhëheqin ato politika. Ne nuk treguam dhe nuk po tregojmë se dimë të udhëheqim me shtetin, nuk patëm atë krenarinë të tregojmë se ne dimë të punojmë për vetën tonë. Ata po i bëjnë politikat e veta . Ne u përçamë dhe për këtë ne kemi faj jo ndërkombëtarët. Ne është dashur që të mendojmë për Kosovën që ta ndërtojmë e të punojmë për të. Ne kemi dështuar, ndërkombëtari ka interesin e vet. Ai ndërkombëtar ishte kur ne na vrisnin , u deshtë të derdhet aq gjak për të reaguar ata, ishin fëmijët e tyre ata që më shumë e ngrenë zërin dhe u thanë baballarëve të tyre atë se që ngjante në Kosovë. Ata nuk ishin determinues të fatit tonë ndërkombëtar . Ne kemi kërkuar BE, ne duam me hy në BE, atëherë duhet të hyjmë siç donë ata. E për tu pyetur ne ndonjëherë, duhet të jemi një zë i bashkuar e jo 10 zëra të shpërndarë.
RKL: Përveç angazhimit atdhetarë e profesional, ju jeni marrë edhe me krijimtari artistike. Keni botuar edhe përmbledhje me poezi. Mbase shkruani edhe tani. Çka do të thotë poezia për një mjeke dhe veprimtare, a është thjesht një shfrim ndjenjash, është mesazh i kohës apo përpjekje për të lënë gjurmë në kohë, me fjalën poetike?
Teuta Hadri:
Këtu keni shumë të drejtë shfrim ndjenjash, ngase njëherë filloi me poezinë një lule nënës, 8 marsi etj, por më vonë duke u rritur në frymën e robërisë dhe angazhimin për një luftë të ardhme atëherë poezia ime e ndërroj tematikën. Atëherë më nuk ishte shfrim ndjenjash, por për të lënë gjurmë . Mbaj mend poezitë e mia janë botuar në revistën Liria për të lënë gjurmë poezitë e mia, siq ka bwrw , Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima, ishin të gjitha me motiv patriotik . Mes poezive ne donim të përçonim një mesazh tek populli. Unë kam shkruar një përmbledhje poetike, tematika e tyre ka qenë me gjurmë nga burgu, pastaj nga historia, trashëgimia e popullit tonë, e ndonjëherë edhe ndjenjat e mia personale. Gjurmët nëpër poezi kanë qenë të fushave të ndryshme patriotike, historike, kulturore si Vaqe Zela etj. Përmbledhjen e kam titulluar Heshtja është poezia ime , kanë qenë momente krize, jam izoluar, kam pasur pak shokë të rrëfehem atëherë i kam shprehur me anë të poezisë.
Pastaj jam marrë me veprimtari tjetër një ka qenë me rastin e organizimit të Konferencë shkencore për gruan dhe lëvizjen ilegale , kjo konferencë nga historianët është cilësuar si një konferencë e parë ballkanike me karakter politik dhe organizativ te gruas. Masar Rizvanolli me kujtimet e tij në të gjitha ato konferenca të paraluftës këtë konferencë e ka veçuar. Në atë konferencë kanë prezantuar mbi 450 gra të lëvizjes ilegale të ardhura nga të gjitha trojet shqiptare e më gjerë, nga Ballkani e Evropa, nga Kosova , nga Shqipëria, kudo ka pasur femra të lëvizjes ilegale. Me punimet e saja ka treguar aktivitetin e gjithë asaj veprimtarie të përfshirë nga viti 1945 e deri te lufta e UÇK-së. Periudhën e luftës së UÇK , ua kemi lënë të punojnë akademikët dhe historianët.
Mendoj se i kem dalë hakut të gruas në Kosovë. Kemi mjaft nëna që kanë lënë gjurmë në atë libër, ato nënë, motra, që kanë lënë fëmijët, prindërit, familjen dhe është vënë në shërbim të lëvizjes ilegale ne kurorëzuam me atë konferencë. Unë kam botuar një leksikon të gruas për veprimtari ilegale ku janë përfshirë mbi 108 femra, aktiviste që i kanë shërbyer lëvizjes të burgosura të lëvizjes ilegale , gra që kanë shërbyer lëvizjes, gra që ka qenë të burgosura. Më vjen keq që nuk kanë mundur të përfshihen të gjitha ato gra veprimtare për shkaqe të ndryshme. Disa janë lutur të shkruajnë për veprimtarinë e tyre por nuk kanë paraqitur gatishmëri. Në të ardhmen besoj se do të bëhen plotësime . Gratë tona duhet të krijojnë vetëdijen e lartë intelektuale që të shkruajnë për jetën e tyre.
RKL: Ju faleminderit për kohën dhe bisedën!
Teuta Hadri
: Faleminderit juve që ju ka rënë në mend të ma kujtoni atë të kaluar.

………………………………………

SHTOJCA E EDITORIT TË PASHTRIKU.ORG

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura