REXHEP KASUMAJ: RECITAL – VRASJA E ETIKËS!

Berlin, 03. 03. 2016: “Si? Njeri i madh? Unë shoh vetëm një njeri që reciton idealin e vet”! Duke marrë frymë shkrimi nga ky mendim naltues niçean, do ta përceptoja natyrshëm idealin si – një të vërtetë.
Po a s’është, në fakt, kështu? Ideali është e vërteta e njeriut që e beson atë! Të drejtë, të ligjshme dhe të denjë për flijim.
Në kohë të humbëta, idealet e vogla nyjëtohen njëj përbashkimi të madh. Mirëpo kur këto mote ikin, po ndodhi të harrohen shpejtësisht persekucioni, burgjet, gjaku, poshtërimi, dhimbja e vetmia – si do të ankohej dhe De Goli për këtë gjiriz lakmie që zvetnonte kombin e tij, aherë beh shmagjepsja e të mundurve të lirisë.
E, pastaj, ideali kolektiv i “viteve të mbrapshta” robnore, thërmohet e derdhet si gurëzit e mozaikut që tresin harmoninë. Por sidomos më i vështirshëm është ambientimi me vezullinë lëbyrëse të lirisë në miljetë e posadalë nga mjegulla mijëvjeçare. Për pasojë, në orët e tyre të çakërdisura, çorientimi pusullhumbës shfaqet prore fatal…

Dhe secili, ndaj, shpall e promovon të vërtetën e tij: si një dëshirim i vogël në kalvarin e mbijetesës dhe si pasion i egër për të sunduar me arrogancën e kapitalit të pistë apo fuqinë e politikës dhuntare. Madje, në entitetet e ngujuara në epruveta të parriturish, ky dyzim total përvijohet me të dyja bashkë…E aherë, si do thoshte Koliqi, “kanga e kronit shndërrohet në vaj”!
Mirëpo nëse i ndan subordinimi klasor, ata pothuaj të gjithë i bashkon veskeqi harbues: vrasja e etikës. Përveç pusive të tjera rrethanore, është kjo vritmëri në shpirt që bën preludin e pashmangshëm të gropës së një kombi dhe ngrehës së tij shtetërore.
E tani, pa mohuar asnjëherë individualizmin e artë të demokracisë, një mizëri e tërë shtegësish ngre flamujt e shumtë, pafundësisht të shumtë të jetëpamjes dhe reciton mërzitshëm idealin e vet! Idealin që i përket vetëm atyre e askujt tjetër. Aq më pak atij që akoma e gjithnjë quhet popull!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura