GJEKË GJONLEKAJ: DETROITI HUMBI MJEKUN E PËRMENDUR DR. ZEF LUCAJ

New York, 25 tetor 2017: Të hënen e kaluar herët në mëngjez ra telefoni im celular. Dëgjova një zë të trishtuar. Kush është pyeta? Jam Marash Lucaj tha. Si jeni sot e pyeta? Ai tha: “Si a ma zi për familjen tonë”. Pse çka ka ndodhë? Sot herët në mëngjez vdiq paprimtas doktor Zef Lucaj. E kishin njoftuar me telefon nga Detroiti se kishte vdekur pas një operacioni urgjent në zemër. Në ora 7:30 të mëngjezit Marashi ishte në aeroport.
Për Dr. Zef Lucaj kisha dëgjuar shumë. E kisha takua në dy vdekje tëpër tragjike të kësaj familje në New York. Më kishte lënë përshtypje të mirë për sjelljet e tij shumë korrekte. Për herë të fundit e kisha takuar para tre muajsh në New York, në një mbledhje të Fondit Humanitar Trieshi. Ishte me axhë Marashin dhe axhë Gjergjin. Të gjithë u gëzuan kur e panë. Ishte shumë i sjellshëm dhe i qetë. Nuk tregonte asnjë lloj epërsie. Pas mbledhjes bisedova më shumë, sidomos për mundësinë e një interviste për Zërin e Amerikës. Premtova se do të bisedoj me kolegët e mi atje në Washington për realizimin e një bisede për profesionin e tij në mjekësi. Vera dhe pushimet e bënë që ta shtyjmë për më vonë. Dëshira ime ishte të mësonte bota shqiptare për këtë mjek të përmendur shqiptaro-amerikan.

Kjo familje e madhe u largua nga Trieshi në vitin 1973. Largimi i tyre ishte një trishtim që nuk ishte parë asnjëherë, bile shumë skena të atij eksodi ishin transmetuar nga televizioni i atij vendi. Familja e Kolë Palokës siç e kishin njohur në Triesh ishte shumë e respektuar për sjellje të mira në vendlindje dhe kudo. Shumica u vendosën në New York, ndërsa babai i Zefit-Prëla ishte vendosur në Detroit. Zefi kishte filluar mësimet në shkollën fillore të Trieshit. Atje kishte mbaruar vetem klasën e parë. Kjo kohë sado e shkurtër e kishte ndihmuar për mësimin e gjuhës shqipe. Në Detroit kishte filluar mësimet dhe prej vitit të parë e deri në vitin e fundit kishte qënë nxënës i shkëlqyeshëm. Për sukseset e tij në shkollë kishin shkruar shumë herë gazetat lokale që sot e kësaj dite i ruan familja e tij.
Studimet e larta i mbaroi ne Wayne State University. Atje mbaroi mjekësinë, por përpara se të mbaronte studimet e larta në këtë fushë Zef Lucaj mbrojti me sukses tezën e disertacionit të doktoratit (PHD)gjithashtu në fushën e mjekësisë. Zef Lucaj ishte njëri prej studentëve më të përmendur në atë fakultet. Personeli akademik e nderonte për kërkimet shkencore në këtë fushë tepër të rëndësishme për jetën. Pas shumë kërkimesh shkencore filloi punën e tij professionale në spitalin Henry Ford. Dr.Zef Lucaj ishte specializuar në fushën mjekësore të neurologjisë. Pas disa vjetësh hapi klinikën e tij dhe gradualisht u largua nga punët e spitalit. Në klinikën e tij private kishte shumë punë. Kishte fituar emër të shkëlqyeshëm për shërime dhe trajtime të sukseshme. Kishte pacientë amerikanë e shqiptarë dhe të gjitha kombeve dhe kombësive të atij qyteti. Dr. Zef Lucaj ishte shumë korrekt dhe i dashur me shqiptarë. Shqiptarët e Detroitit ishin shumë të kënaqur për shërbimet e tij. Për ata që kishin vështirësi financiare Zefi ua lehtësonte shpenzimet. Ana financiare nuk ishte kusht për shërbimet e tyre shëndetësore. I mjekonte të gjithë si të kishin qënë anëtar të familjes.
Dr. Zef Lucaj jo vetëm që ishte specialist,por ishte edhe humanist. Pjesa më e madhe e pacientëve të tij ishin nga Kosova dhe Shqipëria. Dr. Zef Lucaj ishte një ndër personalitetet më të nderuara të Detroitit, ashtu siç kishte qënë edhe Dr.Lukë Gjokaj në Malësi.
Dr. Zef Lucaj ishte shumë i dashur në familje dhe në shoqëri.Kishte respekt për gjuhën e për traditën tonë. Kishte parime të forta familjare dhe kujdesin për familje e kishte mësuar nga të parët e tij. Paraardhësit e tij, bijt dhe bijat e Kolë Palokës jetojnë me nder e respekt në Shtetet e Bashkuara për pothuajse 45 vjet. Djemt dhe vajzat e tyre që lindën në Amerikë mbase është familja më e arsimuar shqiptaro-amerikane. Deri të hënën e kaluar kjo familje kishte 7 mjekë të gjithë duke punuar nëpër spitale dhe klinika. Nuk kam dëgjuar dhe nuk kam lexuar kurrë që një familje te ketë pas kaq shumë mjekë. S’ka asnjë dyshim se suksesi i tyre lidhet me suksesin e Zefit. Gjashtë prej tyre që sot e ushtrojnë këtë profesion janë në një mënyrë ose një tjetër nxënësit e Zefit. Ai ishte bërë shëmbull, për të gjithë. Zefi luante për ata rolin e prindit, të mësuesit dhe të profesorit. Ata veprojnë sot në Florida, në New York city dhe në Buffalo. Disa nga ata janë edhe specialistë, ashtu siç ishte Zefi. Dr. Zef Lucaj kishte vizituar disa herë vendlindjen e tij Trieshin. Bile kishte përshtypje të mira për këtë trevë dhe kishte pohuar se do të ishte vend i mirë dhe shumë i qetë për studime. Këto konstatime ia kishte thënë axhës së tij Marashit.
Familja e Kolë Palokës ka dhënë shumë kontribute për ndërtimin e objekteve të rëndësishme të Trieshit. Kjo familje ka dhënë kontribut të madh për rindërtimin dhe asfaltimin e Rrugës së Trieshit, bile Marash Lucaj është kryetar shumë i sukseshëm i Fondit Humar Trieshi në Shtetet e Bashkuara. Familja e Kolë Palokës Lucaj është njëra prej familjeve më të mira dhe më të arsimura shqiptaro-amerikane.
Humbja e këtij mjeku specialist dhe humanist është humbje e madhe për familjen dhe për shoqërinë shqiptaro-amerikane. Ështe humbje e madhe edhe për amerikanët dhe grupet tjera etnike me të cilët ka punuar dhe bashkëpunuar. Ky emër i bukur dhe i dashur shqiptaro-amerikan do të të kujtohet me shumë nder e respekt. Lusim Zotin që rrugën tënde do ta vazhdojnë djemt dhe vajza jote. Doktor prehu i qetë në dheun e Amerikës dhe Pusho në Paqe.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura