Berlin, 4 mars 2020: (Mbi zhvendosjen e të drejtës)
Një “popull i sëmurë”? Kështu, në fakt, e shihte popullin e vet gjerman Friedrich Wilhelm Foersters në messhekullin e ikur. Veçse ky popull do gjente shpejt udhët e katarsisit kolektiv.
Tani pa drojën e teprisë, do thoshja se serbët ende nuk gjejnë dot udhën e vështirë të këndelljes. Ndaj dhe mungon një Beate Klarsfeld serbe, s’mund të ketë “festë drite” apo ndjesë që merr dhe formën e “ditës e plisave shqiptarë” në Belgrad, ashtu si kujtimi përulës i gjermanëve me “kipat” e hebrenjëve në Berlin.
Serbia, e vjetër dhe e re,
ndalon Kosovën. Ndërsa e vjetra tragjedizonte jetën, e reja turbullon horizontin e lirisë së saj.
Porse ajo, që nga fillimmijëvjeti, s’do të prejë më gjakshëm fatet shqiptare. Serbia është aty, për aq sa shqiptarët i thërrasin për të qenë hije përbetuese në betejat e ulta pushtetëse.
Presidenti i serbëve, Vuçiq, në dijeni të këtij ceni, kërcënon hapjen e dosjeve të kolaboratorëve shqiptarë. Pse? Mesazhi i shkon pikërisht kontigjentit spiunor. Kohët janë të errta dhe ata duhet të rideshmojnë zellin e hershëm: madje asnjë i penduar të mos guxojë të braktisë shërbesën…
2.
Në një shkrim të mëherëshëm kisha bërë pyetjen: cili është fronti i vërtetë i Qeverisë Kurti? Dhe, poashtu: cila ishte kauza opozitare që do merrte bekimin popullor? Marrëveshja me Serbinë duke zgjedhur anën e përballjes me dalëzotësin e madh apo mëkëmbja e Republikës nga kneta e krimit, hajnisë publike dhe apatisë?!
Nuk do të besoj që Kurti vuan relikte marksiste në majtizmin e tij. Dhe që, këndej, ka marrë pushtetin për të valëzuar flamurin kundër imperializmit botërorë.
Sovraniteti shtetëror teorikisht buron nga populli. Kështu mësojnë lektyrat shkollore, por kush dhe kur do fitonte lirinë vetëm me të drejtën natyrale për të gëzuar këtë dritë? Ishte Fuqia që i hapte prorë dritaren rrezeve të saj!
E pra, ashtu si çlirimi i Kosovës, shteti i saj nuk mund të kryhej a të mbahej pa Vullnetin dhe Fuqinë e aleatit tejatllantik.
Dhe ky status, kjo gjendje mundësie nuk shpjegon koefiçientin e racës. Popujt e vegjël kështu gjejnë levën e ekzistencës dhe fatin historik.
3.
Nga instrument politik shqiptar, taksa (sipas vërejtjes së Eskilit për zhvendosjen e të drejtës tek kundërshtari) është shndërruar tashmë në instrument politik të Serbisë.
Si dhe përse?
Mallërat hyjnë në Kosovë, tregtiza politike turbullohet, shqiptarët armiqësohen, energjitë e ndryshimit hargjohen, vizioni çorientohet, pastaj në horizont shfaqen shenjat e keqkuptimit me Amerikën, Kurti rrëzohet dhe, në qarkullim rreth pikës zero, kthehet sërish Republika e vjetër…
Sado i mungon nota triumfaliste, e rezervoj saktësinë pretendimit tim. Sepse, po t’ishte ndryshe pse Serbia nuk dërgoi një gjest të vetëm vullneti të mirë? Por përkundrazi: “afat-reflektimit” të Kurtit (deri me 15 mars) do t’i përgjigjej me shpërfillje të ftohtë, duke paralajmuar (Sierra Leone) ç’njohje të reja të Kosovës!
4.
Ndërsa ndiqja kuvendtarët në Parlamentin e legjislaturës së re, pati momente kur do kujtoja dy mendje të ndritura.
Njëri, Aristoteli dhe (si do shkruante ç’prej mijëra vjetësh), plebsin e kjo dmth. zhganin e demokracisë…
Dhe tjetri, Fishta me Kuvendin e Dhéut…Ç’fjalë e përskajim i rrallë, gati legjendar! I veçantë e hijerëndë, ai përmban në vete dy kuptime madhore. Kuvendi si instancë e epërme mbarëkombëtare dhe, poashtu, kuvendi i dhéut
një koherencë etike me cilësimin e virtytshëm e të naltuar “burrë i dhéut” nga motet fishtjane: një personifikim i nyjëtuar i dijes dhe nderit.
Shpirtërat e magjepsur mbyllur në bibliotekë, zgjohen kur i thërrasin, thotë Emmerson. Por me ç’shihet njeriu politik i Prishtinës nuk i thërret kurrë…
Evokimi, disi i vetishëm, ndërkaq, nuk trollëzohet njësoj në ditët e vona. Ndërsa definimi aristoteljan i demokracisë ngjan deshpërimisht i provuar, Kuvendi i Fishtës mbetet dëshirak e i largët si yjet: me Përmasën dhe me Burrat e munguar të Dhéut!
Postime të Lidhura
XHELAL ZEJNELI: MARRËVESHJA E ZYRËS OVALE NË SHBA
Shkup, 10 shtator 2020: Marrëveshja ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së…
XHEVAT BISLIMI: TË RISHIKOHET MARRËVESHJA PËR KUFIRIN ME MALIN E ZI
Prishtinë, 2 mars 2017: Marrëveshja për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi dhe marrëveshja për “Bashkësinë e…
HIPOKRIZIA NË FORMË TË FTESËS PËR OPOZITËN E DHUNUAR NGA POZITA DHE JANUSE PRESIDENTJA!
Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA Bisedime për mbetjet mortore të shtetësisë së Kosovës Draft – statuti për…
MR.SC.REXHEP AHMETI: SITUATA E TASHME (E RREZIKSHME) BËNË PËR KOMBIN TË DOMOSDOSHME SHKUARJEN DREJTË KUSHTETUTËS KOMBËTARE
Mitrovicë, 01. 02. 2013 – (Pastaj, për arsye të lumturisë personale të tij, çdonjëri le të mendoj dhe…