GJOKË DABAJ: KUSH ËSHTË GRABITËSI MË I MADH NË SHQIPËRI?!

Durrës, 2. 7. 2016: Më 30 qershor 2016 ndodhi në Aeroportin e Rinasit një grabitje “spektakulare” e një sasie parashë që do të niseshin me avion për diku jashtë Shqipërisë. Dikush tha se u grabitën 3 milionë euro, dikush tha 1 milion. Opozita kërkoi menjëherë që Presidenti të mbledhë Këshillin e Sigurimit të Republikës për të përcaktuar përgjegjësitë. Kryetari i PD-së deklaroi se, me këtë ngjarje kaq të rëndë “qeveria ka rënë”. Edhe në Stamboll një ditë më parë ndodhi një hata në aeroport, por as përafërsisht si kjo e Rinasit. Këtu s’u vra asnjë, atje u vranë gati 50 vetë dhe u plagosën gati 300 vetë. Megjithëkëtë, nuk dëgjuam që opozita e atjeshme ta ketë proklamuar të rrëzuar qeverinë turke.
Por këto janë komedira liliputësh, qoftë të atyre që i kemi jashtë qeverisë, qoftë të atyre që i kemi në qeveri. Populli shqiptar do të duhej t’i shihte ndryshe të gjitha këto punë.
Sapo mora vesh që qenka bërë ajo grabitje parashë, në kohën kur ato para po çoheshin te avioni, m’u formulua vetëvetiu pyetja: Sa herë në ditë nisen shuma të tilla parashë nga Shqipëria?! Dikush thotë, në 10 ditë 30 milionë, në 3 muaj 300 milionë dhe në 1 vit, mbi 1 miliardë euro. Bashkë me Republikën e Kosovës dhe pjesët e tjera të Shqipërisë, bëhen mbi 3 miliardë euro në vit që dalin nga atdheu ynë.

Ku fitohen këto para?! Doemos, këtu në Shqipëri! Po ku shkojnë?! Doemos, jashtë Shqipërisë! Importohen mallra dhe shiten këtu. Punojnë kompanitë e huaja, investojnë 20 e fitojnë 100.
Veprojnë bankat e huaja. Çdo kokërr leku, çdo euro, çdo dollar, çdo paund, çdo frang, që hyn në sportelet e bankavet, pjell para. Mjafton të shohësh sa mirë janë pajisur ambientet e tyre. Sa bukur vishen punonjëset dhe punonjësit e tyre! Aristokratë të vërtetë! Dhe bëjnë sikur na shërbejnë ne! Ku i gjejnë paratë bankat, që i mobilojnë kaq komod ambientet e tyre?! Sigurisht që këtu! Po, sa për qind të fitimevet të tyre lënë këtu në Shqipëri ato banka?! Sigurisht që fare pak! Pjesën më të madhe ato e çojnë në aeroport.
Nuk po dua të them që ata grabitës bënë mirë që ia morën një banke 1 a 2 a 3 milionë euro! Ata janë grabitës dhe në bazë të ligjevet, po u kapën, meritojnë të dënohen.
Por, kush është grabitësi më i madh në këtë vend?! Ata 3 kriminelë që morën 3 milionë, apo 300 a 3000 subjekte të huaj, që u marrin shqiptarëvet miliarda?!
Dikush tjetër më tha që nuk dalin nga Shqipëria 3 miliardë euro në vit, por shumë herë më shumë. Një grabitje deri në palcë të kockës të secilit prej nesh dhe deri në palcë të dheut tonë!!!
Nuk na grabisin me skena filmike, siç pamë dje e sot në television, por na grabisin me “rregulla” e me “ligje”. Një rrjepje në mënyrën më “të përsosur”, që të mos e ndiesh fare dhimbjen!
Dhe çuditemi pastaj pse duan të ikin shqiptarët nga vendi i tyre!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura