Rexhep Kolli më 1968: Ramiz Kelmendi, Gjon Shiroka, Idriz Rexha: Kemi këto porosi nga Fadil Hoxha, Veli Deva, Rezak Shala

Pashtriku, 25 dhjetor 2020: Botohet i plotë një dokument sekret të gushtit të vitit 1968 të ish-zv.ministrit të Brendshëm Rexhep Kolli drejtuar Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ramiz Alia, lidhur me ardhjen në Shqipëri të disa personaliteteve të shtypit të Kosovës, për të nënshkruar disa marrëveshje për shkëmbime kulturore dhe arsimore midis Tiranës zyrtare dhe Prishtinës. Në këtë relacion tregohet në mënyrë të qartë survejimi i vazhdueshëm që u bëhej këtyre përfaqësuesve të shtypit dhe arsimit kosovar në Shqipëri nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit. Gjithashtu, konstatohet edhe një vazhdë e rregullt informacionesh të marra në rrugë operative nga agjentët e Sigurimit rreth qëndrimeve dhe opinioneve personale të Gjon Shirokës, Ramiz Kelmendit dhe Idriz Rexhës lidhur me qëndrimin zyrtar të Beogradit nëpërmjet politikave të tij mbi shqiptarët e Kosovës, por dhe të trevave të tjera shqipfolëse në Jugosllavinë e viteve ’60.
Komentet dhe qëndrimet personale të këtyre tre intelektualëve të Kosovës, lidhur me marrëdhëniet politike, ekonomike dhe kulturore midis Shqipërisë komuniste dhe Kosovës paraqiten të ndryshme. Dhe kjo pasi disa prej tyre mendonin se sulmet e shumta që Enver Hoxha ndërmerrte në organet e shtypit shqiptar të kohës ndaj Josip Broz Titos në përgjithësi, dhe ndaj udhëheqjes kosovare të kryesuar nga Fadil Hoxha në veçanti, e dëmtonin rëndë procesin e normalizimit të marrëdhënieve reciproke jo vetëm ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe Jugosllavisë, por edhe atë të Tiranës me Beogradin. Ndërsa pjesa tjetër mendonte se ky qëndrim zyrtar i ashpër dhe i prerë i udhëheqjes shqiptare në adresë të serbëve ishte tejet efikas dhe i duhur, pasi çdo ditë e më tepër regjimi jugosllav po përdorte të gjitha format dhe mënyrat e mundshme për të shtypur çdo kërkesë për autonomi, liri dhe demokraci për popullin e Kosovës.
Por kërkesa kryesore e të gjithë intelektualëve kosovarë drejtuar shtetit shqiptar do të ishte, pa dyshim, intensifikimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve dhe shkëmbimeve ekonomike, kulturore, artistike dhe arsimore ndërmjet dy vendeve, pasi vetëm një fakt i tillë do ta unifikonte në mënyrë të ndjeshme faktorin politik shqiptar në Gadishullin e Ballkanit si kundërpeshë ndaj represionit brutal të qeverisë jugosllave e ndërmarrë në vitet ’60, mbi popullsinë shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Preshevës. Viti 1968 do të ishte vendimtar për sa i përket periudhës së fillimit të demonstratave nga ana e shqiptarëve të Kosovës për të kërkuar statusin e Krahinës Autonome të saj brenda kufijve të ish-Jugosllavisë si dhe lejimin e përdorimit të gjuhës shqipe dhe flamurit kombëtar në institucionet e saj, gjë që do të arrihej në vitin 1974, por që do të ndërpritej në mënyrë tragjike në vitin 1981 pas vdekjes së Titos.

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE TEPER SEKRET MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME DREJTORIA E PARE Tiranë, më 6.8.1968 Nr.1426 Prot. Lënda: Mbi grupin përfaqësues të entit të botimeve të Kosovës SEKRETARIT TE KOMITETIT QENDROR TE PP SE SHQIPERISE SHOKUT RAMIZ ALIA

Nga data 21.7.1968 deri më datë 27.7.1968 erdhën dhe qëndruan në vendin tonë: Gjon Shiroka, drejtor i gazetës “Rilindja”, Ramiz Kelmendi, drejtor i shtëpisë botuese “Rilindja” dhe Idriz Rexha, drejtor i entit të botimeve të teksteve shkollore, për të përfunduar me “Arteksportin”, një marrëveshje për blerjen e një literature artistike, kulturore dhe arsimore. Gjatë takimeve dhe bisedave me ta mundëm të mësonim si vijon: 1. Lidhur me polemikën e hapur që zhvillon partia jonë në drejtim të klikës revizioniste jugosllave, Gjon Shiroka dhe Idriz Rexha kishin pothuaj pikëpamje të barabarta, ndërsa Ramiz Kelmendi kishte pikëpamje të kundërta me ta. Gjon Shiroka tha se: Lufta që ju bëni kundër Jugosllavisë, që kohët e fundit është ashpërsuar shumë, dëmton përpjekjet tona për të siguruar autonominë e Kosovës.
Eksperienca ka treguar se, sa herë që ashpërsohen marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, aq më e vështirë është bërë gjendja e shqiptarëve në Jugosllavi. Idriz Rexha për këtë tha: Puna jonë në Kosovë po vështirësohet nga sulmet shumë të rënda që drejtoni kundër Titos. Në koniunkturën e krijuar në Jugosllavi, ku Titoja mbahet në sajë të Ushtrisë, është i detyruar që të mbështesë kërkesat tona, prandaj ne, duke kapërcyer çdo organ, i drejtohemi atij direkt, dhe ai i plotëson ato çka kërkojmë ne. Mirëpo kur ju e kritikoni, puna jonë në Kosovë bëhet e vështirë. Më kanë porositur Fadil Hoxha, Veli Deva, Rezak Shala (prokuror i krahinës) etj. që t’jua transmetojmë këtë gjë. Do të mjaftonte që ju të kritikoni vetëm Lidhjen e Komunistëve pa përmendur Titon. Ndërsa Ramiz Kelmendi tha se: Polemika e hapur kundër regjimit titist që zhvillohet në shtyp dhe në radio nga ana e Shqipërisë është pozitive. Megjithatë ka mendime që kjo gjë duhet të ndërpritet për hir të afrimit me Kosovën.
Po të ndodhë kjo, do të qe më e vështirë për Kosovën dhe do t’i jepej mundësia udhëheqjes serbo- kosovare për të marrë masa karshi shqiptarëve, ndoshta dhe më të përgjakshme se ato të vitit 1956, prandaj kjo polemikë duhet të vazhdojë. Rexhep Kolli: Gjon Shiroka dhe Idriz Rexha e paraqesin gjendjen të mirë për shqiptarët e Kosovës 2. Mbi gjendjen aktuale në Kosovë, Gjon Shiroka dhe Idriz Rexha e paraqitën mjaft të mirë dhe pozitive për shqiptarët, ndërsa Ramiz Kelmendi pohoi të kundërtën. Ai tha: Kam qenë i gabuar kur kam menduar se mbas Brionit, Kosova fitoi lirinë. Menjëherë mbas Plenumit të 14-të të LK të Kosovës, gjendja në Kosovë nuk është më ajo e para. Shihet qartë presioni për masa frenuese ndaj shqiptarëve. Udhëheqja e sotme kosovare nuk është pozitive. Edhe në qoftë se kanë bërë diçka në favor të shqiptarëve, kjo u është detyruar nga presioni i masës.
Të gjithë këta udhëheqës kanë qenë ata që në vitin 1956 kanë pasur poste të rëndësishme, prandaj duart e tyre janë të lyera me gjakun e pafajshëm të kosovarëve patriotë. 3. Për sa u përket lëshimeve në fushën politike që duhet të bëjë udhëheqja federative – për këtë krahinë autonome – që 28 Nëntori të jetë festë zyrtare, që të lejohet ngritja e flamurit, që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare e detyruar etj., që të tre shpreheshin optimistë dhe thoshin se të gjitha këto duhen realizuar. Merita, sipas tyre, u takon përpjekjeve që ka bërë Fadil Hoxha dhe disa udhëheqës të tjerë kosovarë që e pasojnë. 4. Idriz Hoxha, duke folur për patriotizmin e disa udhëheqësve kosovarë, tha: Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës që gëzojnë një farë autoriteti, kanë një farë alergjie karshi udhëheqjes shqiptare, dhe kjo lidhet me postet e tyre. Me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ata mendojnë se humbin postet që kanë, prandaj kërkojnë një farë garancie. Kjo vërehet edhe tek intelektualët që kanë poste të rëndësishme. 5. Po fillon të bëhet e qartë se UDB-ja e sotme po fillon të ndjekë të njëjtën rrugë si UDB-ja e vjetër. Xhevdet Hamza, shefi i UDB-së për krahinën e Kosovës, ka kërkuar nga Komiteti Krahinor i LK të Kosovës që të merren masa për të frenuar situatën.
Para disa javëve, kur Grupi Artistik Liman Kaba i Dibrës së Madhe dha disa shfaqje në Kosovë me repertorin krejt shqiptar dhe me përmbajtje patriotike, Xhevdeti kërkoi që jo vetëm të ndaloheshin shfaqjet, por edhe të merreshin masa frenuese. Kombinati i Drurit, që u dogj para disa kohëve në Obiliq dhe që u munduan ta përdornin si argument që të bindnin opinionin se Shqipëria ndërhyn në çështjet e brendshme të Jugosllavisë, jo vetëm që doli e qartë se djegia ishte kurdisur nga ish-UDB-ash të hequr, por edhe nga UDB-ash të rinj. Grupi i albanologëve shqiptarë që mori pjesë në simpoziumin e Prishtinës, gjatë gjithë kohës u mbajt nën një kontroll të fortë nga ana e UDB-së.
6. Shpërnguljet e shqiptarëve në Jugosllavi nuk janë ndërprerë. Nga Kosova gjithmonë po largohen familje shqiptare për në Turqi. Edhe në Malin e Zi po vërehet largimi i shqiptarëve, ndërsa në Maqedoni ky fenomen është më i theksuar. Ramiz Kelmendi: Vdekja e Panajot Plakut në Beograd nuk ishte natyrale
7. Emigracioni reaksionar shqiptar që ka banuar në Kosovë, në pjesën më të madhe është larguar jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Jugosllavia. Në Kosovë kanë mbetur vetëm ata emigrantë që kanë lidhje të ngushtë me UDB-në. Këta janë persona pa kredi që populli i ka urryer. Edhe ardhja e Panajot Plakut në Kosovë nuk e përmirësoi gjendjen e tyre. Sipas Ramiz Kelmendit, mbas vdekjes së Panajotit, ky ishte takuar në Beograd me një person që e njihte atë dhe i kishte thënë se Panajoti tri herë kishte tentuar të vetëvritej.
Mendimi i Ramiz Kelmendit ishte se vdekja e Panajot Plakut nuk ka qenë natyrale. 8. Mbi gjendjen në vendin tonë kishte mendime të ndryshme. Gjon Shiroka shprehu mendimin se propaganda në Shqipëri ka bërë që njerëzit të humbasin individualitetin dhe të kthehen në automatë që flasin të gjithë njëlloj, ndërsa Ramiz Kelmendi e kundërshtonte këtë duke thënë: Kjo është gjëja më pozitive, sepse tregon se populli është i lidhur me partinë, dhe kur njerëzit mendojnë të gjithë njëlloj, është më mirë, se Shqipëria bëhet më e fortë dhe këtë koha do e provojë. Gjon Shiroka shprehu mendimin se në Shqipëri mungon liria e shtypit, artit dhe muzikës, liria në shkencat shoqërore dhe filozofike, ndërsa në Jugosllavi ekziston liri e plotë. Edhe për këtë, Ramizi dhe Idriz Rexha nuk ishin dakord me Gjonin.
Ata i thanë se: Në Jugosllavi ekziston vetëm anarshi e plotë. Ata paraqitën edhe këto kërkesa: – Të hapet në Prishtinë një ekspozitë e librit shqiptar, të dërgohet një ansambël artistik, të këmbehen gazetarë, t’u jepet mundësia për të vizituar redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit” ose “Bashkimi” për të parë organizimin e punës. – Të trajtohen me ngrohtësi kosovarët që vijnë në Shqipëri dhe të mos konsiderohen si përfaqësues zyrtarë jugosllavë, por si shqiptarë. – Për përfundimin e kontratës, e sidomos për çmimin e blerjes së librave mbetën shumë të kënaqur, duke thënë se, “ky është një sukses i dyfishtë, për ju dhe për Kosovën”. Nga ana tjetër, u bë mirë për ne si persona, mbasi po të mos e kishim përfunduar edhe kësaj here marrëveshjen, do të na akuzonin se “ne nuk vijmë në Shqipëri për blerje librash, por nga dashuria për Atdheun”. ZV/MINISTRI I PUNEVE TE BRENDSHME (REXHEP KOLLI)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura