Prishtinë, 17. 03. 2016: Katër pikat famoze të ligjëratës së Hashim Thaçit, që e ka mbajtur në Institutin e Hagës për Drejtësi Globale përkufizohen që në fillim të ekspozeut të tij, ku ai thotë se: “Serbia dhe Kosova duan të jenë pjesë e BE-së dhe kjo, sipas tij siguron mjete përmes së cilave mund të vendosen paqja dhe bashkëpunimi. Nëse pikat i përmbledhim në katër fjali, që ilustrojnë më së miri qëndrimin e tij atëherë këto janë:
1. Kosova duhet ta ndihmojë Serbinë që të anëtarësohet në strukturat euroatlantike.
2. Duhet të gjejmë zgjidhje për 5 vitet e ardhshme, duhet të bëjmë kompromise që Serbia të hapë kapituj të negociatave me BE-në.
3. Jam krenar që vitin që shkoi kam nënshkruar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.
4. Gjykata Speciale përbën një mundësi dhe një përparësi për Kosovën.
Pika e parë, sipas Thaçit duhet të jetë kontributi i Kosovës dhe i Serbisë ndaj problemeve evropiane. Kosova duhet ta ndihmojë Serbinë që të anëtarësohet në strukturat euroatlantike. Komentimi i kësaj pike është tepër i qartë dhe zbulon sërish para opinionit se qëllimi i bisedimeve dhe marrëveshjeve që ka nënshkruar, Hashim Thaçi në Bruksel ka qenë që duke bërë kompromise në dëm të Kosovës t’ i mundësohet Serbisë të anëtarësohet në strukturat evro-atlantike, edhe pse shteti dhe Qeveria serbe ka bërë të ditur me qindra herë se nuk e bën kurban Kosovën për integrim në BE. Ndihma e pakursyer që pretendon Thaçi t’i japë Serbisë, gjithnjë në dëm të Kosovës, padyshim se nënkupton një karotë nga Serbia, dhe kjo është fare lehtë e kuptueshme për pozitën ku ai ndodhet aktualisht. Karota e Serbisë, për Thaçin do të ketë shijen e keqe që do të kundërmojë jo vetëm derisa të jetë gjallë…
Pika e dytë: Thaçi ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë marrëveshje afatgjata që do t’i ndihmojnë të dyja vendet të përqendrohen në ekonomi. Ne duhet të gjejmë zgjidhje për 5 vitet e ardhshme, duhet të bëjmë kompromise që Serbia të hapë kapituj të negociatave me BE-në. Dikush mund të thotë se dialogu duhet të përdoret si një shkop kundër Kosovës dhe Serbisë. Unë them se zbatimi i marrëveshjeve është karota dhe shkopi për të dy shtetet.
Edhe kjo pikë është kryekëput në shërbim të Serbisë, me qëllim që ajo t’ i hapë kapitujt e negociatave me BE-në. Thaçi shprehet i gatshëm edhe për kompromise të tjera, sidomos në afatin 5-vjeçar derisa pretendon të jetë kryetar i Kosovës. Ky program i Thaçit i ideuar nga Brukseli dhe Beogradi, nuk ka nevojë as për karotë as për shkop, sepse karota dhe shkopi nuk vlejnë në Serbinë, ndërsa për Thaçin të dyja këto anulohen me kompromiset që ai i ka bërë dhe po i bën në dëm të Kosovës.
Pika e tretë: Në këtë pikë Thaçi konsideron se “Nëse Kosova dhe Serbia arrijnë pajtimin, atëherë Bosnje e Hercegovina mund të bashkëpunojnë me Kosovën pa probleme nga udhëheqësit e “Republika Srpska”-s. Kjo do të thotë se ai është në gjendje të pranojë kompromise të reja për orekset e Republikës serbe, duke krijuar edhe një republikë të tillë në veriun e Kosovës, e cila nuk do të quhet me të njëjtin emër (ky është kompromisi, që Beogradi dhe Brukseli i bëjnë Thaçit) por do të jetë e njëjtë për nga përmbajtja dhe të gjitha funksionet relevante vetëqeverisëse.
Thaçi në këtë pikë është mburrur madje ndihet tepër “krenar që vitin që shkoi ka nënshkruar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Sërish, jo të gjithë në Prishtinë më duartrokitën për këtë. Por, ne jemi liderë, jemi këtu për të marrë vendime të vështira, por të drejta”. Thaçi drejtpërdrejt pranon se ka marrë vendime të vështira, por të drejta. Shtrohet pyetja pse ka qenë vendim i vështirë çështja e demarkacionit, nëse Kosova nuk i ka humbur 8000 hektarë tokë. Nëse ai beson se është respektuar vija e kufirit, përse paska qenë një vendim i vështirë, por edhe i drejtë sipas tij? Ky qëndrim prepotent, ogurzi dhe tejet cinik i Hashim Thaçit drejtohet drejtpërdrejt kundër opozitës, me qëllim të eskalimit të situatës në vend, sepse duket se kjo i konvenon më së shumti regjimit tashmë policor të Kosovës, për të vazhduar uzurpimin e pushtetit.
Pika e katërt: Kosova ka vendosur dhomat speciale – një gjykatë speciale, e cila do të vendoset në Hagë. Gjykata Speciale përbën një mundësi dhe një përparësi për Kosovën. Kjo është pika ku Thaçi ka investuar më së shumti, “me qëllimin më të mirë” që për hir të partnerëve ndërkombëtarë të pajtohet për themelimin e një Gjykate kundër UÇK-së, për të cilën shprehet i sigurt se “ne nuk mund të vazhdojmë të shpërfillim akuzat thjesht, sepse ne duhet të heqim çdo dyshim mbi emrin e UÇK-së”.
Thaçi me asnjë fjali nuk ka përmendur faktin se prej vitit 2000 e deri tani gjashtë gjykata vendore, rajonale dhe ndërkombëtare kanë shpallur fajtorë, madje kanë dënuar me burg të rëndë, për krime lufte, edhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Ai ka fshehur faktin se gjykatat kanë shpallur fajtorë dhe kanë dënuar krerët më të lartë të luftës së UÇK-së dhe qindra luftëtarë të lirisë. Pika e katërt e planit të Thaçit ka qenë karota, të cilën ai e ka ngrënë me qëllim për t’ i shpëtuar shkopit, nëse në fund nuk i ngel në fyt edhe shkopi, pas sa e sa lëshimeve, që i ka bërë Beogradit e Brukselit, në dëm të Kosovës, me të vetmin qëllim, shpëtimin e vetvetes, mundësisht edhe tre prej atyre që i kanë mbetur besnikë në të gjitha lëshimet e deritanishme.
***
Katër pikat e Hashim Thaçit kanë të bëjnë me integrimin e Kosovës në Serbi dhe së bashku me Serbinë në BE. Këto janë synimet që Thaçi pretendon t’i arrijë me çdo kusht, sepse vetëm me lëshime të tilla, është mbajtur dhe po mbahet në pushtet. Por, nuk thuhet kot se “prej të thënës në të bërë, mes është një det me rërë”.