RKL: USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS NUK ISHTE USHTRI GUERILE E HASHIM THAҪIT!

Prishtinë, 01. 10. 2014: Duke lënë anash kaosin dhe ngërçin politik, në të cilin e ka futur vendin, kryetari i PDK-së dhe kryeministri aktual, Hashim Thaçi, ish-drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së gjatë luftës, e ka parë të arsyeshme të krenohet dhe të dallohet nga kolegët e tjerë të politikës, për besnikërinë ndaj Amerikës dhe luftën që po bën ky shtet kundër, sikur thuhet “terrorizmit radikal islam”. Thaçi jo rastësisht e ka trajtuar këtë temë në prag të seancës së 2 tetorit, ku do të bëhen përpjekjet e fundit për ta nxjerrë vendin nga kriza, që ka sjellë paralizën e institucioneve. Rikonfirmimi i dashurisë dhe i besnikërisë për Amerikën, nga zt. Hashim Thaçi nuk dallon asgjë nga përcaktimi i shumicës dërrmuese, jo vetëm të krerëve politikë, por edhe të shumicës së banorëve të Kosovës.
Në një shkrim autorial të botuar gazetën “The Guardian”, me titull “Kosova nuk është strehë e terrorizmit”, ai ka rikonfirmuar qëndrimin e tij, duke mohuar se Kosova është çerdhe e terrorizmit, edhe pse policia e tij ka arrestuar dhe mbanë në burg shumë të akuzuar, pikërisht për këtë lloj të terrorizmit të shpifur, për qëllime politike. Me politikën e tij të pa peshuar si duhet dhe veprimet e papërgjegjshme e krejt naive të dy tre ministrave ai vetë, ai e ka radhitur Kosovën me hipotekën e vendit terrorist.
Ajo që tërheq vëmendjen e lexuesve në këtë shkrim autorial të Hashim Thaçit ka të bëjë me konstatimin e tij ku identifikohet me UÇK-në, në vetën e parë. Mes tjerash ai shkruan:“Ashtu sikur ushtria ime guerile, pat hedhur poshtë ofertat nga luftëtarët xhihadistë, në luftën e vitit 1999, edhe sot ne e refuzojmë të keqen e re që buron nga ISIS dhe grupe të ndryshme në Lindjen e Mesme”.
Jemi mësuar tashmë me retorikën bombastike të Hashim Thaçit dhe pretendimet e tij egoiste për të folur në vetën e parë si: “populli im”, “Qeveria ime”, “partia ime”, “Kosova ime” e kështu me radhë, dhe nuk është kjo “sëmundje prepotente” vetëm e Thaçit.

. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është identifikuar dhe identifikohet me legjendarin e saj, Adem Shaban Jashari,…

Të gjitha këto mbi dhe vetë-vlerësime nuk janë marrë seriozisht, meqë kemi të bëjmë me një politikan të dalldisur, me një retorikë të ngjyrosur, të një njeriu, i cili pretendon të paraqitet si lider i të gjithë shqiptarëve, edhe pse faktet po tregojnë se ai është vetëm një lider partie, të cilin me apo pa të drejtë e urrejnë të gjithë liderët e tjerë partiakë, bashkëkombës të tij. Pikërisht kjo gjendje e krijuar në vend edhe me fajin e tij, nuk i jep aspak të drejtë atij, as ndonjë politikani tjetër të identifikohet me popullin, Kosovën, të kaluarën e saj të përgjakshme, sepse lufta e sotme e liderëve politikë në krye me Thaçin nuk është luftë për Kosovën as shtetin e Kosovës, por është luftë për pushtet, dominim, shfrytëzim edhe të asaj pak pjese fizike që ka mbetur pa u shfrytëzuar e pa u tjetërsuar nga krejt kjo klasë mujsharësh politikë.
Konstatimi i Thaçit se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, paska qenë ushtri e tij guerile”, mund edhe të fyejë ndjenjat, në radhë të parë të veteranëve të luftës, apo të një pjese të tyre, por edhe të gjithë pjesëmarrësve në luftën për çlirimin e vendit nga sundimi dhe barbaria serbe, sepse jo të gjithë e kanë pranuar dhe e pranojnë Thaçin si lider të pakontestuar, sikur ai pretendon të jetë. Realisht ai është lideri më i kontestuar i historisë më të re të Kosovës, me apo pa fajin e tij.
Pretendimet për t’ia ulur pazarin luftës së UÇK-së duke e paraqitur ushtri guerile, sipas pazarit të ditës dhe koniukturave ekzistuese politike, madje si ushtri që lidhet me një emër të caktuar, janë pretendime anakronike dhe nuk kanë bazë realiste, sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës, u ideua nga bërthama e parë çlirimtare e Kosovës, në Drenicë, pjesëtar i së cilës ishte edhe Thaçi, dhe nga Lëvizja Popullore e Kosovës, që ishte krahu i saj politik dhe ushtarak. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është identifikuar dhe identifikohet me legjendarin e saj, Adem Shaban Jashari, me familjen dhe lagjen Jashari të Prekazit të Drenicës. Ndërsa para Hashim Thaçit, për merita të veçanta qëndrojnë edhe një varg personalitetesh, të rënë në luftë dhe të tjerë të gjallë, që kanë shumë e më shumë merita për luftën e paqen dhe që kanë luajtur rol me rëndësi në themelimin, jetësimin dhe konsolidimin e kësaj ushtrie idealistësh të kombit shqiptar. Askush nuk e përjashton as e ka përjashtuar angazhimin e Hashim Thaçit, por askush nga të gjallët nuk ka të drejtë të manipulojë dhe t’i vë vetes aureolë, sidomos jo për qëllime politike dhe pretendime për ta mbajtur me çdo kusht pushtetin.
Realisht, në fillet e saj Ushtria e Kosovës, më vonë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, u krijua dhe u formësua nga disa grupe guerile, por ndërkohë u rrit dhe u konsolidua si ushtri e organizuar, me të gjitha strukturat përkatëse të një ushtrie çlirimtare, madje edhe me institucione të themeluara asokohe dhe që kanë funksionuar edhe gjatë tërë luftës.
Ne që kemi marrë pjesë në luftën e UÇK-së dhe në parapërgatitjen e saj në kohën e ilegalitetit, e dimë mirë se pa aktivitetin politik luftarak të LPK-së, prej kohës së themelimit në vitet 80, pa rezistencën dhe burgjet e mbushura përplot me idealistë prej vitit 1981 e deri në vitin 1990, pa gjakun e sa e sa militantëve të lirisë gjatë dhe pas asaj periudhe kohore, nuk do të kishte kurrë UÇK, ashtu sikur pa UÇK-në nuk do të kishte kurrë Kosovë të çliruar dhe të pavarur.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, qysh prej fazës së konsolidimit dhe të ristrukturimit në tetor-nëntor të vitit 1998, nuk ishte më organizatë guerile, por një ushtri e mirëfilltë çlirimtare, që ishte shtrirë dhe vepronte në tërë territorin e Kosovës. Brenda në vend funksiononte Shtabi i Përgjithshëm me disa drejtori, Komandanti i këtij shtabi, zëdhënësi politik, zëdhënësi i Përgjithshëm i UÇK-së, shtatë Zona Operative të strukturuara sipas doktrinave ushtarake në kohë lufte të shtrira në tërë vendin, 30 brigada, më shumë se 120 batalione, qindra njësi luftarake, dy institucione të informimit, sektori i shëndetësisë, Logjistika dhe tërë një mekanizëm veprues me jo më pak se 20.000 ushtarë dhe pjesëmarrës në luftë.
Tërë ky mekanizëm veprues, me një koordinim të jashtëzakonshëm, në kushte dhe në rrethana të luftës nën pushtim dhe rrethim të hekurt, nuk do të mund ta përballonte as e kishte përballuar dot një ta quajmë, “ushtri guerile”, çfarë pretendon ta paraqesë jo vetëm Thaçi, por edhe ndonjë analist ushtarak, me apo pa ndonjë qëllim të caktuar.
UÇK-ja nuk ishte vetëm e Hashim Thaçit dhe e asnjë hashimi tjetër. Ajo ishte ushtri e vullnetarëve idealistë shqiptarë, ushtri e bijave dhe bijve më besnikë dhe më të dashur të kombit, ishte ushtria që në luftë për çlirimin e Kosovës dha rreth 2000 dëshmorë, 1400 invalidë dhe më shumë se 12.000 martirë. Një ushtri e tillë çlirimtare nuk mund të fragmentohet e të minimizohet ashtu sikur edhe nuk ka hije të mbivlerësohet. Një ushtri e tillë, as edhe figurativisht nuk mund të identifikohet me një gjallë, përveç se me komandantin e saj të parë, Adem Jasharin legjendar, të cilin Hashim Thaçi e kishte edhe vetë komandant dhe të cilin gjithnjë e më rrallë po e përmend.

……………………………………………………

(Ilustrimi është i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura