Prishtinë, 09. 05. 2013 – (Serbia vazhdon të përfitojë gjatë negociatave në Bruksel, për shkak të lëshimeve të vazhdueshme të qeveritarëve të Kosovës) – Ditë e më tepër po qartësohet fakti se të bisedosh me Serbinë, nuk është humbje kohe, sikur pretendojnë disa analistë fodullë e politikanë mendjeshkurtër, por është humbje sovraniteti e pavarësie, sikur realisht po ndodh gjatë bisedimeve që ia ka imponuar Brukseli zyrtar Kosovës, me qëllim për t’i bërë koncesione Serbisë. Vetëm matrapazët e politikës nuk e shohin as duan të binden se në bisedimet aktuale, që po zhvillohen në Bruksel, po sakatoset pavarësia e vendit tonë, po degradohet lufta jonë çlirimtare, po instalohet një pjesë e fuqishme e sovranitetit të Serbisë brenda Kosovës, me pretekst të ruajtjes dhe sigurisë së serbëve, me qëllim që Kosova të mos bashkohet me Shqipërinë dhe trojet etnike shqiptare.
Këto pretendime Serbia po i realizon përmes zyrës se komisares së BE-së, Keterin Eshton dhe mekanizmave politikë e diplomatikë të saj, e cila mbi të gjitha është e interesuar të ruajë status-quonë në Kosovë, pavarësisht sa dëmtohet sovraniteti dhe ardhmëria e vendit tonë. BE-ja edhe ashtu ka probleme të veta kapitale, ekzistenciale, dhe nuk duket të jetë e interesuar të ndajë drejtësinë më ndryshe për çështjen e Kosovës, sesa e kanë ndarë baballarët e gjyshërit e këtyre diplomatëve të sotëm evropianë.
Në këto bisedime, në të cilat ka fituar dhe po përfiton Serbia, Kosova po humb, duke i qëndruar besnike partneritetit me Brukselin, duke treguar servilizëm të neveritshëm, duke lëshuar pe në të gjitha kërkesat e Serbisë dhe duke i mbuluar të gjitha këto me një retorikë pompoze, pa asnjë mbulesë reale.
Sa e sa herë deri tani politikanët tanë kanë dhënë deklarata trimëruese se Kosova e ka shtrirë sovranitetin në çdo metër katrorë të territorit, edhe pse dihet mjaft mirë se Kosova nuk e kontrollon 25 për qind të territorit të vet, në veri dhe në enklavat serbe, as në bastionet kishtare sllave brenda vendit. Dihet po ashtu se asnjë qeveritar i Kosovës, madje as me truproje, apo në përcjellje të forcave policore nuk merr guximin të vizitojë pjesën veriore të vendit, ku qenka shtrirë qind për qind sovraniteti.
Delegacioni i Serbisë në Bruksel, në krye me kryeministrin Daçiq, besniku më i neveritshëm i regjimit kriminal të Milosheviqit, ka shtyrë sa e sa herë bisedimet me negociatorët e Kosovës, duke insistuar ne realizimin e të gjitha kërkesave, dhe vetëm atëherë kur ka konstatuar se nuk mund të ndukë më shumë, ka pranuar marrëveshjen. Tani, kur pritet implementimi i marrëveshjes, e cila e ka dëmtuar deri në palcë pavarësinë dhe ardhmërinë e Kosovës, delegacioni i Serbisë për implementim nxjerrë në sipërfaqe kërkesa të tjera, meqë praktika ka treguar se ai që lëshon pe një herë, dy herë e tre herë ai lëshon pe gjithmonë.
Aktualisht bëhet e ditur se delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë gjatë bisedimeve në Bruksel lidhur me implementimin e marrëveshjes nuk kanë arritur t’i afrojnë qëndrimet rreth një plani të marrëveshjes. Duke folur pas këtij takimi, zëvendës-kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka deklaruar se të dy palët kemi shprehur qëndrimet tona dhe mendoj se ndërmjetësuesi, Gjentilini do të paraqes një projekt plan të ri, sa i përket planit të zbatimit dhe shpresoj që do të diskutojmë për të. Kuçi nuk ka dashur t’i komentojë akuzat, që ka bërë pala serbe ndaj delegacionit të Kosovës, të cilin Serbia e akuzon për mungesë të fleksibilitetit. I pyetur për këtë, Kuçi ka thënë: “Nuk dua ta akuzoj askënd. Ne jemi këtu për të arritur planin e zbatimit dhe jo për negociata të tjera. Ata duan të arrijnë diçka përtej marrëveshjes apo ndoshta një marrëveshje tjetër”. Brukseli zyrtar nuk ka dhënë deklarata lidhur me rrjedhën e takimit.
Këshilltari i kryetarit të Serbisë, Marko Gjuriq, i cili udhëheq delegacionin serb në këtë takim, ka thënë se Serbia kërkon që të diskutohet në nivel të lartë politik edhe për disa çështje jetike, të cilat deri më tani nuk qenkan përfshirë në marrëveshje. Ai, ka përmendur pozicionin e Kishës Ortodokse serbe, çështjen e pasurisë së saj, si dhe kushtet e integrimit të serbëve nëpër institucionet e Prishtinës. Gjuriq e thotë hapur se marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse lëshon pe Prishtina në kërkesat e Serbisë. Ai ka kërkuar nga Prishtina më shumë “fleksibilitet”, duke anashkaluar fjalën kompromis, meqë kompromisi tashmë ka ndodhur. Gjuriq, në deklaratën e tij ka përmendur edhe faktin se ndërmjetësit evropianë vazhdimisht kanë treguar mirëkuptim për kërkesat e Serbisë. Pikërisht për këtë ai ka paraqitur edhe kërkesa të tjera, të cilat në mos të gjitha, disa prej tyre pritet t’i realizojë, me shpresë se në të ardhmen do të nxjerrë edhe më shumë përfitime.
Mirëkuptimi i Evropës për kërkesat e Serbisë ka qenë dhe po mbetet evident. Është ky një fakt i pamohueshëm, të cilin zyrtarët tanë po e interpretojnë si këshillë e sugjerim të partnerëve tanë, me të cilët e paskemi çliruar Kosovën, e paskemi shpallur pavarësinë dhe tani po i normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë, duke e qasur atë brenda, për t’ ia plotësuar të gjitha kërkesat.
Po t’i bëjmë një rekapitullim bisedimeve të deritanishme shqiptare-serbe, arrijmë në përfundim se Serbia në vazhdimësi, qysh prej vitit 1912, kur ka filluar pushtimin, vrasjen masive dhe dëbimin e shqiptarëve nga trojet etnike, me ndihmën e Rusisë dhe të gjitha shteteve të Evropës, ajo i ka arritur qëllimet e veta në negociata me shqiptarët, qysh prej marrëveshjeve me Esad pashë Toptanin, Ahmet Zogun, Ceno beg Kryeziun, pastaj me Ali Shukriun, Fadil Hoxhën, Xhavit Nimanin, Rrahman Morinën, Azem Vllasin, Sejdo Bajramoviqin, Ibrahim Rugovën, Sali Berishën, Fatos Nanon, Veton Surroin, Fatmir Sejdiun, Atifete Jahjagën, Hashim Thaçin, Blerim Shalën e të tjerë.
Serbia kurrë nuk ka pranuar të bisedojë, as të negociojë me Azem Galicën, Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Elez Isufin, Ymer Berishën, Adem Demaçin, Adem Jasharin dhe liribërësit e vërtetë të Kosovës.
Duhet pranuar fakti se shqiptarët karshi Serbisë, jo në të gjitha situatat kanë qenë në pozitë të pafavorshme. Përderisa me të drejtë mund të konkludohet se deri në qershor të vitit 1999, të gjitha bisedimet shqiptaro serbe kanë qenë të pabarabarta, meqë Serbia si fuqi ushtarake dhe politike me ndikim në Evropë dhe në botë ka ushtruar presion të fuqishëm diplomatik, për të mbajtur të pushtuara trojet shqiptare, pas fitores së UÇK-së dhe ndihmës nga ajri të forcave të NATO-s, në qershor të vitit 1999, që rezultoi me dëbimin e forcave ushtarake, policore dhe tërë administratës serbe nga Kosovës, kreu politik shqiptar në Prishtinë dhe në Tiranë është treguar i papërgjegjshëm dhe tërësisht i paaftë për ta marrë në dorë fatin e kombit, në raport me Serbinë e mundur, të anatemuar, të sulmuar nga tërë bota dhe të katandisur në gjendjen më të mjerë, si asnjë shtet tjetër i Evropës pas Luftës së Dytë Botërore. Serbia është i vetmi shtet në botë që është bombarduar nga fuqia më e madhe e botës, nga NATO-ja. Turpin e këtij bombardimi historia e popullit serb nuk do të mund ta gëlltisë kurrë, edhe pse qarqet evropiane, pro serbe të Brukselit po bëjnë përpjekje ta “ndreqin” imazhin e Serbisë, duke i bërë kompromise mbi kurriz të Kosovës.
Nuk duhet harruar edhe faktin se cilado marrëveshje, që prek interesin e shqiptarëve shumicë në Kosovë, që anashkalon trevat shqiptare nën pushtimin e Serbisë, nuk mund të jetë kredibile dhe në rrethana të caktuara duhet kërkuar korrigjimin ose prishjen e njëanshme të saj, meqë unioni globalist evropian edhe ashtu nuk i ka të gjata ditët e mbijetesës. Është fat që këto bisedime nuk po zhvillohen me ndërmjetësimin e OKB-së, dhe si të tilla nuk kanë ndonjë garanci të fortë ndërkombëtare.
Po ashtu, duhet pasur parasysh edhe faktin se dominimi serb në Ballkan është tkurrur dhe po tkurret vazhdimisht edhe nga pasojat e dobësimit demografik në Serbi, ndërsa shqiptarët janë i vetmi popull në Ballkan dhe në Evropë që ka shtimin më të madh demografik. Serbia në të ardhmen do të ballafaqohet me humbjen e Vojvodinës, Timokut, Sanxhakut, ndërsa bashkimi i territoreve të shqiptarëve në një shtet të vetëm do të krijojë një ekuilibër të qëndrueshëm në rajon.
– Analizë e Radios Kosova e Lirë.
======================
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
MOS U GËZONI AS MOS U HIDHËRONI PËR FITOREN APO HUMBJEN E TYRE!
Më 5 dhjetor 2010 (vetëm një javë para zgjedhjeve të 12 dhjetorit) kam bërë këtë shënim “Mos u gëzoni as mos u hidhëroni për fitoren apo humbjen e tyre”, të këtyre matrapazëve politikë, që i shihni në foto! Në këtë shënim kam parashikuar edhe Negociata dhe marrëveshje të reja me Serbinë, të cilat për fat të keq po ndodhin sot! (Sheradin Berisha)
Lexoni me kujdes këtë shënim: