ADNAN ABRASHI: HASHIM, PLAKUN RAMADAN MUJA NUK E DUAN AS MILITANTËT PDK-së…!

Prizren, 13. 10. 2013 – Rikandidimi i 75 vjeçarit, Ramdan Muja, si kandidat të PDK-së, për kryetar të Prizrenit, në zgjedhjet e 3 nëntorit, nuk befasoj vetëm opinionin e gjerë, por edhe vetë anëtarët më militant të kësaj partie. Kuptohet, ky propozim u bë njëanshëm dhe në mënyrë autokratike nga ana e vetë Hashim Thaçit, andaj, edhe përpos pakënaqësive (të heshtura) ekzistuese në radhët udhëheqëse të degës së PDK-së në Prizren, nga njëra anë, dhe të anëtarësisë së gjerë, nga ana tjetër, as që ka guxuar dikush publikisht ta kundërshtoj këtë emërim. Edhe përpos shumë argumenteve të bazuara të cilat aspak nuk shkojnë në favor të kandidatit Muja, personalisht mendoj se janë 2 rrethana kyçe që e kanë shtyrë Hashim Thaçin ta merr këtë vendim tejet të gabuar të kandidimit të sërishëm të Ramadan Mujës, (për të tretën herë) si kandidat për kryetar të PDK-së në Prizren. Hap, ky, gjithsesi fatal, i cili, kësaj partie në këto zgjedhje, këtë herë do t’i kushtoj me humbje të pashmangshme të pushtetit:
– E para: duke e ditur gjendjen e disponimit të vërtetë të qytetarëve të Prizrenit me (keq)qeverisjen e gjertanishme të këtyre njerëzve në pushtet, përveç Ramadan Mujës servil dhe verbërisht të nënshtrueshëm ndaj direktivave të “shefit të madh”, asnjë kandidat tjetër i arsyeshëm nga ky qytet nuk ka pranuar të jetë i përzgjedhur për këtë post dhe ta përfaqësoj atë parti si kandidat;

– E dyta: është besimi i tepruar i Thaçit tek përkrahja e premtuar nga ana e partive minoritare të Prizrenit pro kandidatit të tij, veprim ky taktik që ai po mendon se e ka në dorë si atu të fortë politike, për ta arritur fitoren e pashmangshme të kandidatit të tij në këtë qytet. Dega e PDK-së në Prizren (saktësisht, vetë Hashim Thaçi), tashmë edhe formalisht ka lidh një marrëveshje përkrahje për kandidatin e vetë Muja, me udhëheqësit e 6 subjekteve politike minoritare të Prizrenit. Por, ata që e njohin mirë Prizrenin, si dhe mentalitetin karakteristik të qytetarëve të tij në përgjithësi, dhe atyre të minoritarëve, në veçanti (mirësjellje alla “mos me ja prish qejfin askujt”), menjëherë mund të konkludojnë se kjo marrëveshje për përkrahjen e kandidatit të Hashimt për Prizrenin prej tyre, si efektive, është thjesht një marketing politik, përmes së cilës, nga ky pazar manipulativ quaja alla hashimijan, përfitojnë vetëm disa individ të rrethit të ngushtë partiak të minoritetit konkret, të cilët si karaktere gjithmonë kanë qenë të manipulueshëm ndaj premtimeve karrieriste dhe financiare të partisë në pushtet. (Mahir Jagxhillar, Xhemil Luma, Haxhi Zylfi Merxha…etj) Në anën tjetër, bazuar në kontaktet e mija të shpeshta me qytetar të zakonshëm dhe të ndershëm apolitik minoritar prizrenas (turq, boshnjak, romë, ashkali… etj), shumica e tyre as që dinë për këtë marrëveshje, e lere më se kanë vullnet që më 3 nëntor të veprojnë në frymën e interesave të ngushta të liderëve të tyre partiak edhe ashtu të përçara në mes veti.
Sa për kuriozitet, ja në vazhdim se çka më tha një ditë një mik i imi (minoritar) i cili aktualisht ka një post të rëndësishëm në partinë e cila para disa dite ka nënshkruar atë marrëveshje famoze me Hashim Thaçin, në emër të përkrahjes së përbashkët, në zgjedhjet e 3 nëntorit, të kandidaturës së Ramadan Mujës për kryetar të Prizrenit:
“Jo more çfarë marrëveshje…është politikë kjo…kushdo që në Prizren vjen prej partive shqiptare në pushtet, patjetër neve si minoritete do të na ketë aty…Janë lojëra këto, o mik i nderuar! Ne as që po apelojmë tek përkrahësit tanë që ta votojnë Ramadan Mujën për kryetar. Bile-bile, heshtur po e bojkotojmë atë…”
Krejt në fund, si karakteristikë metaforike e tregimit të mentalitetit specifik prizrenas, desha të shërbehem këtu edhe me një thënie popullore që shpesh citohet mes prizrenasve tanë autokton (kuptohet, më tepër në shaka) – “Prej Prizrenit ka ik edhe “jahudija”. Se çfarë porosie konkrete fshihet prapa këtij eufemizmi karakteristik prizrenas, po ia lë personalisht Hashim Thaçit që ta zbuloj vetë. Kuptohet, me kusht që, këtë herë, të mos informohet nga informatorët e gjertanishëm, të cilët, deri më sot, gabimisht e kanë informuar për disponimin e vërtetë politik të shumicës së qytetarëve të këtij qyteti…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura