ROLI I SHQIPËRISË NË (MOS) PËRKRAHJE TË UÇK-së!
Shkruan: Reshat Sahitaj
Shkas i këtij shkrimi, janë shkrimet dhe deklaratat e zyrtarëve të lartë të Republikës së Shqipërisë, të cilët menjëherë pas çlirimit të Kosovës, i glorifikojnë ato pak veprime e aktivitete në favor të vetëvetës dhe disa prej tyre insistojnë se janë themeluesit e pavarësisë së Kosovës. Madje ndonjëri shkon edhe më largë dhe ankohet se Kosova nuk po i vlerëson objektivisht kontributet e tyre në vendosjen e gurthemeleve të shtetit tonë më të ri në botë.
Paskal Milo në librin e tij «Ditari i një ministri të jashtëm» shkruan: «Kështu ka ndodhur në shumicën e rasteve edhe me Rambujenë e konfliktin në përgjithësi në Kosovë, ku kontributi i Shqipërisë e i popullit të saj ose është mohuar, ose është anashkaluar. Kjo është e padrejtë sepse Shqipëria i dha të gjitha çfarë kishte për të dhënë, ndau vuajtjet, dhimbjet, sakrificat e sfidat me shqiptarët e Kosovës, u dha strehë mbi 500 mijë shqiptarëve në mos më tepër, vuri në shërbim të aleatëve të NATO-s të gjithë territorin e saj, hapësirën ajrore e atë detare, priti e përcolli forca aleate, ushtarë e gjeneralë, liderë botërorë e diplomatë të të gjitha niveleve. Ajo u bë baza dhe prapavija kryesore e luftës, jo vetëm e shqiptarëve, por i të gjithë atyre që kërkonin që regjimi i Millosheviçit të ndëshkohej jo për hatër të popullit të Kosovës, por edhe për paqen e stabilitetin e Ballkanit, por edhe të Evropës».

Para se të vazhdoj të sqaroj rolin dhe kontributin e Shqipërisë në përkrahje të Kosovës, do ta analizoj paragrafin e cituar më lartë që Paskal Milo e fillon librin e tij. Qe në rreshtat e parë, padrejtësisht hedhë akuzë se Kosova, nuk po e vlerëson kontributin që e paska dhënë Shqipëria në favor të pavarësisë së Kosovës. Siç e keni lexuar, Paskal Milo krenohet që Shqipëria i ka strehuar 500 mijë të shpërngulurit, ka lëshuar hapësirën detare dhe tokësore aleatëve të NATO-s dhe ka pasur takime më liderët botëror. Nëse këto Paskal Milo i quan kontribute, çka mundemi të themi se të njejtën gjë e kanë bërë Maqedonia dhe Mali i Zi. Do ia rikujtoj Paskal Milos, se lëshimi i hapësirës tokësore, detare dhe ajrore ishin të përfshira në Marrëveshjet diplomatike të NATO-s, ku secili shtet që i ka liruar këto hapësira ishte edhe përfitues si psh. Maqedonisë i garantuan qendrushmërinë e kufinit dhe shtetit të tyre që mos të shkatërrohej nga lufta shqiptaro-maqedone, e as nga apetitët bullgare. Në këtë marrëveshje çka ka përfituar Shqipëria e din Paskal Milo, sepse asokohe ishte Ministër i Punëve të Jashtme ose nuk din asgjë.
Në fjalinë e fundit të këtij paragrafi Paskal Milo shkon edhe më larg dhe e injoron krejtësisht faktin se NATO nuk e ka bërë këtë luftë për hatër ose për të mirën e Kosovës dhe popullit shqiptar, por e paska bërë vetëm për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në Ballkan duke e përfunduar paragrafin e tij kështu « ….që regjimi i Millosheviçit të ndëshkohej jo për hatër të popullit të Kosovës, por edhe për paqen e stabilitetin e Ballkanit, por edhe të Evropës ». Një përkufizim i tillë jo vetëm që nuk është gjuhë diplomatike, por në nënteksitn e saj nënkupton njëfarë urrejtje ndaj Europës dhe NATO-s të cilët luftën e kanë bërë vetëm për të rrëzuar Millosheviqin. Në fakt, po të ishte ashtu siç shkruan Paskal Millo, Kosova nuk do të ishte çliruar dhe nuk do ishte pavarësuar.
Kurrë nuk më ka shkuar ndërmend, se një burrshtetas i shtetit amë, pas çlirimit të Kosovës do të lavdërohet për ndihmën dhe përkrahjën që ia ka dhënë, apo nuk ia ka dhënë luftës sonë çlirimtare.
***
Duke qenë protagonist i shumë takimeve diplomatike europiane, dhe me ato shqiptare e në mesin e tyre edhe më Paskal Milon, në vazhdim të do bëj një pasqyrë të përgjithshme të takimeve me zyrtarë të lartë të huaj si dhe më Paskal Milon në verën e vitit 1998 në zyrën e tij.
Nëna Shqipëri
Në gjysmën e atdheut të pushtuar nga forcat jugosllave, Shqipëria ishte shtylla kryesore ku gjenim shpresa shpirtërore dhe e quanim: «Nana Shqipëri». Për ne, nuk kishte rëndësi që «Nana» jonë burgoste, vriste, maltretonte bijtë e bijat më të mirë të saj, ngase ajo kujdeset për çeshtjen madhore kombëtare, mendonim ne në Kosovë. Nuk kishte rëndësi, as kur Nana Shqipëri e ndalonte Adem Demaçin, Fazli Grajçevcin, Rexhep Elmazin, Fishtën …., jo. Mendonim se Nana Shqipëri kujdesej për ardhmërinë tonë më të ndritshme. Kështu mendonim ne të rraskapitur e të masakruar nga UDB-a jugosllave. Duruam dhe e adhuruam Nanën Shqipëri e Enver Hoxhën e quanim «xhaxhai ynë». Vetëm për emrin e tij, për fotografinë e tij, u vramë, u burgosëm, u shpërngulëm në shkretira e deri matanë detit.
Gjatë dekadave në robëri, ekzistonin dy rryma: enveristët dhe titistët. E para përfaqësonte të gjithë patriotët, kurse e dyta spiunët dhe pro-serbët. Si në të parën edhe në dytën kishte spiunë dhe patriotë, e ngjarjet historike vazhdonin të rrjedhnin sipas plan-programeve të fshehta të njërës e të palës tjetër.
Gjatë viteve të ’90-ta situata në Kosovë ishte tendosur, por shpresat për një fitore përfundimtare ishin më të mëdha. Në Kretë, Fatos Nano dhe Millosheviqi zhvillonin bisedime në dëmin e Kosovës. Në Bruksel Sali Berisha në Komisionin Europian nënshkruante se Kosova është hapësirë demokratike e Jugosllavisë. Në Parlamentin Evropian vinin personalitete politike të ftuar e të paguar nga eurodeputeti grek Avgerinos e të tjerë. Personalitetet politike nga Shqipëria nuk vinin në Parlamentin Europian për ta mbrojtur Kosovën, por as për t’i mbrojtur interesat e Shqipërisë. Greqia ishte kundër Shqipërisë që të anëtarësohej në Bashkimin Europian, e të gjithë personalitetet tona flisnin sipas vijës së trasuar greke.
Konferenca e parë e Sali Berishës në I.P.C. Bruksel
Gjersa po bisedoja më gazetarin e RTB Lucas Devos, pa e hetuar mbi supe më preku Idriz Basha (që më vonë u emërue ambasador i Shqipërisë në Bruksel) i cili më prezantoi me Sali Berishën, Gazmend Polo dhe një tjetër emrin e të cilit e kam harruar. U ngrita dhe u përshendeta duke i prezantuar me mikun tim Lucas Devos. Pas pak çastesh Idrizi më largoi për pak sekonda duke më thënë se qysh nuk po entuziasmohem e nuk po shprehem i gëzueshëm që më takoi më Sali Berishën.

Në foto : Reshat Sahitaj duke biseduar me gazetarin e RTB Lucas Devos
Shumë më herët kisha ftuar dhe takuar: Adem Demaçin, Ibrahim Rugovën, Rexhep Qosjën e shumë emra të njohur të politikës kombëtare dhe ndërkombëtare, kështuqë takimi me Sali Berishën e Gazmend Pollon nuk çonte peshë në mendjen time. Madje, mua më interesonte sensibilizimi i dramës kosovare e jo Partia Demokratike e Shqipërisë. Mirëpo edhe sikur të më interesonte nuk mund të bëja asgjë për PD-ën, sepse për promblemet në Shqipëri duhej të fliste dikush më origjinë nga Shqipëria. Kjo metodë e punës sime më së miri sqarohet në librin tim «Enver Hadri-ambasadori i parë kosovar», në të cilin e përshkruaj një takim më Princin e Habsburgve z Otto Van Habsburg. Në takim në mars 1983, me eurodeputetin O.V. Habsburg ishim: Idriz Basha, Enver Hadri dhe unë Reshat Sahitaj. Kur Idrizi filloi të fliste për problemet në Kosovë, Habsburgu i tha: «I nderuar doktor Basha, kqyri punët e tua e na folë për situatën në Shqipëri e jo për Kosovën. Për situatën në Kosovë, flasin këta dy e jo ti». Nga ajo kohë e kuptova se për Kosovën duhet të flasin kosovarët, ndërsa për Shqipërinë ata nga Shqipëria, sepse kjon gjarjeve u jepte kredibilitet.
Me plasjen e luftës në Maqedoni, pavarësisht që me të gjithë diplomatët dhe institucionet e huaja kishim kontakte, Ekrem Krasniqi dhe unë kontaktet tona u kemi dhënë shqiptarëve të Maqedonisë. Këtë munden ta konfirmojnë Fazli Veliu, Musa Xhaferi…
Andaj, Salih Berishën e prita me gjakftohtësi e me respekt, por jo siç flisja me Demaçin, Qosjen, Rugovën apo ndonjë tjetër personalitet. Gazmend Pollo dukej shumë i ri dhe lënte përshtypje që ishte bartës i çantës së Salih Berishës. Tërë kohën rrinte pas trupit të Sali Berishës dhe aprovonte çdo gjë që thoshte. Tipat që i aprovojnë çdo fjalë të bashkëbiseduesit i urrej. Gazmend Pollon nuk e urreja, por më neveriste. Në Konferencën për medie në I.P.C. Saliu foli për rrëzimin e sistemit komunist, për guximin e tij, ndërsa gjatë tërë kësaj konference Idriz Basha dominonte duke e lënë nën hije shefin e PD-së të cilin vetë e kishte ftuar. Më Salih Berishën do të takoheshim edhe shumë hera tjera në Parlamentin Europian, por jo i ftuar nga unë. Ai tanimë kishte krijuar rrjetin e tij më eurodeputetë kryesisht të P.P.E. që ishte Grupi më me influencë e në mesin e të cilëve kisha edhe unë shumë miq që e përkrahnin Kosovën si Doris Pack, Otto Van Habsburg, Nicolle Fontaine…
Ministri i Mbrojtjes së Greqisë kundër Kosovës
Gjatë Konferencës së Grupit PPE të ftuar në prill 1997, në lokalin Nr 62 të Parlamentit Europian, ku ishin të ftuar liderët e shumë vendeve botërore, nga Shqipëria ishte i ftuar Sali Berisha, ndërsa nga Kosova Lazër Krasniqi dhe Avdullah Kajragdiu dhe Behare Rexhepi që kishte ndërmjetësuar te Doris Packu të ftohej edhe Kosova. Mbledhja vazhdonte punimet, mirëpo Sali Berisha rrinte në kafenenë e Parlamentit duke biseduar me shqiptarët që atë ditë kishin ardhur ta takonin.
Ministri i Mbrojtjes së Greqisë, foli për situatën në Kosovë ku përveç tjerash tha: «Sipas informatave të sigurta që posedon Shërbimi ynë, Kosova nuk është duke luftuar për çlirimin e saj nga Serbia, por ata janë duke luftuar për flamurin musliman të Muhamedit. Ky grup islmaistësh shqiptar, po ushtron terror mbi popullsinë e vetë, kurse forcat serbe po e mbrojnë këtë pjesë të shqiptarëve të terrorizuar nga grupi islamist shqiptar. Ne duhet të marrim masa që këtë grup ta asgjësojmë».
Pas përfundimit të fjalës së Ministrit grek, Behare Rexhepi e mori fjalën duke e kundërshtuar ministrin grek: «Kjo që folët ju i nderuar Ministër i Mbrojtjës, më vjen shumë keq që Shërbimi i Greqisë ju paska dezinformuar gabimisht apo ndoshta qëllimisht që ta njollsni rezistencën çlirimtare që po zhvillohet në Kosovë. Nuk është asapak e vërtetë që atje ka grupe islmaistësh që luftojnë për flamurin e Muhamedit, por ata luftojnë për flamurin e Skënderbeut që ishte mbrojtës i Europës për më shumë se dy dekada. Ju këtë e dini shumë mirë. Sa për informimin tuaj ju tregoj se unë jam shqiptare nga Kosova dhe nuk luftoj as për muslimanizëm, e as për katolicizëm, por për çlrimin e atdheut tim nga Serbia. Ja urdhëroni shikojeni letërnjoftimin». Lidhur me diskutimin e Behres, Avdullah Kajragdiu posa të kthehet në Kosovë do të shkruaj artikullin: «Në Bruksel Behare Rexhepi e para e theu akullin».
Në të njejtën kohë sa po fliste Beharja, unë i nervozuar shkova në kafenenë ku rrinte Sali Berisha: «Ҫka hamain po folë më këta muta, kur atje Ministri i Greqisë po folë kundër Kosovës?! Me pare të popullit dhe të Parlamentit Eurpian ke ardhur këtu të dëgjosh e jo të bisedosh me shqiptarë ». Sali Berisha mbet i hutuar nga fjalët e mia të ashpra e banale. Nuk më kundërshtoi asnjë fjalë. « Ҫka mund të bëjë unë? A është vonë t’i përgjigjem ?! «Eja pas meje i thashë dhe e ftova Musli Beqën dhe ia diktova tesktin që të shkruante në gjuhën frenge se çka duhej të fliste Berisha.
Gjysëm ore më vonë Sali Berisha e mori fjalën dhe e kundpërshtoi ministrin e Greqisë. Kjo ishte përkrahja e parë në skenën e diplomacisë ku Shqipëria i doli zot Kosovës.
Kurrë më, nuk kam dëgjuar e as lexuar ndonjë deklaratë të zyrtarëve të lartë nga Tirana që të ngrisin zërin në Parlamentin Europian, në Këshillin Europian apo në NATO.
Sa i përket NATO-s dhe Shqipërisë është edhe një detaj tjetër shumë i keq për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, kur gjatë kohës së Sali Beirshës, gjenerali shqiptar që e përfaqësonte Shqipërinë në NATO, gjatë një mbledhje sekrete në lokalët e NATO-s për strategjinë afatgjate kundër Rusisë, përfaqësuesi nga Shqipëria në NATO do ta informonte Rusinë hollësisht për këtë takim sekret të mbajtur në Bruksel. Unë nuk e di nëse gjenerali i Shqipërisë në NATO ka pasur lidhje direkte më Rusinë apo gjenerali i ka raportuar Ministrit të Mbrojtjës në Tiranë e departamenti i tij e ka njoftuar Rusinë. Asgjë nuk e di si ka ndodhur por dihet se NATO përkohësisht e ka larguar gjeneralin e Shqipërisë nga NATO dhe Sali Berishës i ka dërguar Notë indinjate për rolin e Shqipërisë. Kjo aferë e spiunazhit të gjeneralit apo minstrit të Mbrojtjës kurrë nuk u denua e askush nuk u u burgos për tradhëti komëtare.
Pasi e permenda NATO-n, nuk mundem ta kaloj një sjellje infantile të Ambasadorit shqiptar në NATO, z. Artur Kuko. Gjatë një takimi që kishte pasur Artur Kuko me një personalitet të lartë në Bruksel, ai qendronte tërë kohën duke përtypur çamçakez. Pas takimit personaliteti europian ia kishte dhuruar një libër të trashëgimisë kulturore të vendit të tij, kurse Arturi kishte shkue dhe dalur nga zyra më duarë në xhepa. Shumë vite më vonë dëgjova në lajme se Artur Kuko ishte kandidat për kryetar të Shqipërisë. Nga ky lajm u shqetësova e në vete mendoja një Shqipëri dhe tërë shqiptaria në duarë të një ambasadori më çam-çakëz në gojë.
I zhgënjyer nga sjelljet e diplomatve të Shqipërisë
Sa herë më rastiste të takohesha me personalitete politike nga Tirana që vinin në takime në institucionet në Bruksel, ndahesha më i zhgënjyer se nga taikimet e mëhershme. Ҫ’po ndodhte me pesimizmin tim ndaj Nënës Shqipëri? Unë qe dikur isha në gjendje të vdisja për Nënën Shipëri, tani me takimet që kisha me zyrtarët e Shqipërisë zhgënjesha dita më ditë. Nga ata prisja që të flisnin për situatën në Kosovë e të përkrahnin çeshtjen tonë. Jo. Asnjë fjalë për Kosovën!
Kur Perëndimi i vuri embargon Serbisë, Shqipëria i furnizonte me naftë tankset dhe autoblindat serbe që mbanin nën kontroll Kosovën. Kur bijtë e bijat tona vriteshin në vijën e frontit kundër forcave serbe, në Shqipëri kalëronte krimineli Arkan me sejmenët e tij. Kur luftëtarët e lirisë shkonin për furnizim në Shqipëri, vriteshin në prita jo nga bandat, por nga bandat e telekomanduara shtetërore. I njihja personalisht të gjithë zyrtarët e Tiranës që vinin në Bruksel, andaj nuk prisja që këta të ngrisin zërin për Kosovën.
Marsi i vitit 1998.
Në Prekaz ndodhi masakra në familjen e komandantëve legjendarë Adem e Hamëz Jashari. Në lokalet e Parlamentit Europian kisha përgatitur një ekspozitë me fotografi të fëmijëve e të rriturve që forcat serbe kishin ushtrue mbi popullin tonë të pafajshëm. Kjo ekspozitë u bë edhe në lokalet e Radio «Dojçe Vele» pak ditë më vonë. Ambasadorët nga Shqipëria të instaluar në Bruksel, jo që nuk folën një fjalë por as që erdhën me vizitue ekspozitën të cilën e hapi eurodeputeti Jack Vanden Melebrouck, e pastaj foli Xhafer Shatri si Ministër i Informatave i R. Kosovës.
Diplomacia pas perdeve
Lufta në Kosovë po merrte permasa të mëdha. Sipas informatave UҪK-ëja kishte çlirue 35% të territorit të Kosovës. Gjatë bisedave me zyrtarë të lartë europianë, shihej një gëzim në fytyrat dhe bisedat e tyre. Nëse UҪK-ëja arrinë t’i çlirojë 45% të territorit – më thonin zyrtarët e huaj – UҪK-ja trajtohet si forcë ushtarake e jo rebele. Gjatë kësaj kohe kisha bërë takime me ministrin e Mbrojtjes të Belgjikës dhe zyrtarë të NATO-s për Bislim Zyrapin që ishte Shef i SH.P. dhe Mujë Rugovën që ishte emëruar ambasador i Kosovës në Gjermani. Më herët kisha bërë takime për Fazli Veliun, Adem Grabovcin, Ibish Nezirin.

Bruksel maj 1999, takim me personalitete të NATO-s dhe belge. Në foto: Bardhyl Mahmuti, Hashim Thaçi, Reshat Sahitaj
Sipas Paskal Milos në shkrimin «Shpiëria dhe UҪK-ëja, prapaskena të historisë» që kryesisht i kushton rëndësi diplomacisë së UҪK-së, e në fakt nuk tregon asgjë, sepse nuk ka njohuri për asgjë lidhur me diplomacinë e UҪK-së që është zhvilluar. Në fakt, duhet cekur se Paskal Milo e ngushton me, ose pa qëllim fushëveprimin e diplomacisë kosovare duke u koncentruar vetëm në një rrafsh atë të UҪK-së, duke e injoruar diplomacinë që e ka zhvilluar Ibrahim Rugova, Adem Demaçi etj., vite të tëra. Nëse bëhet një pasqyrë e diplomacisë kosovare ajo duhet të analizohet në tri rrafshe apo në tre faktorë:
a) diplomacia e mërgimtarëve,
b) diplomacia e periudhës së LDK-së dhe
c) diplomacia e UҪK-së.
- Diplomacia e zhvilluar nga diaspora e jonë, i ka rrënjët menjëherë pas okupimit të Kosovës, mirëpo faza tjetër fillon nga 1981-1999. Në fazën e parë, është Enver Hadri dhe ekipi i tij Reshat Sahitaj, Behare Rexhepi dhe Gani Azemi. Ёshtë e kuptueshme që Enver Hadri dhe ekipi i tij nuk ishin të emëruar nga Kosova, sepse vendi ishte i sunduar. Gjatë kësaj kohe, Enver Hadri i hapi dyertë e Parlamentit Europian dhe janë zhvilluar qindra takime me zyrtarë të lartë të institucioneve botërore të instaluara në Bruksel. Aprovohen dy rezoluta në Parlamentin Europian dhe për herë të parë në historinë e Kosovës, në maj 1989 dërgohet një komision nga 25 eurodeputetë në Kosovë, për të vërtetuar situatën dramatike që vuante populli ynë. A nuk është kjo diplomaci ?! Vrasja e Hadrit a nuk është vrasje e një ambasadori kosovar që me takimet e tij diplomatike e pengonte Jugosllavinë?! Po të mos ishte e rëndësishme diplomacia e Enver Hadrit, Millosheviqi nuk do paguante 2 milionë e gjysëm dollarë për vrasjen e tij (sipas dëshmitarit C 48 në GJ.Hagës)! Pra, kur ne kemi bërë diplomaci në Parlamentin Europian 1981-1999, Paskal Millo e zyrtarët tjerë nga Tirana as që e kanë ditur që ekziston B.E.
- Faza e dytë ku diplomacia kosovare e vazhdon aktivitetin më të madh, është lindja e LDK-së dhe koordinimi i faktorit të brendshëm më atë të diasporës. Kjo është faza më e bujshme, faza më produktive në fushën e diplomacisë kosovare e që Paskal Milo e ka injorue totalisht me apo pa qëllim, vetëm ai e din. Vrasja e Enver Hadrit më 25 shkurt 1990, bënë që diplomacia jonë të vazhdojë diplomacinë me themelimin e Byrosë Informative të Kosovës në Bruksel. Themelimi i LDK-së bënë që Ibrahim Rugova të dali në skenën politike si përfaqësues i Kosovës.
Në mars të vitit 1990, aprovohet rezoluta e tretë e Parlamentit Europian në favor të Kosovës, e në të njejtën kohë në sesionin e Strasburgut në lokalet e Parlamentit Europian organizohet ekspozita e fëmijëve të vrarë, dhe konferenca për medie në qendrën e konferencave në Parlamentin Evropian e organizuar nga Byroja Informative e Kosovës. Në qershor të vitit 1990, Behare Rexhepi në bashkëpunim me eurodeputetin Jack Vanden Melebrouck ftohet Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Ali Aliu, Bujar Bukoshi, Hivzi Islami.
Ardhja e delegacionit në Parlamentin Europian, ishte hapi i parë diplomatik që Ibrahim Rugova zyrtarisht po i bënte me zyrtarë të lartë europianë, e në mesin e tyre edhe kryetarin e këtij Parlamenti z Baron Krespo.
Nga ky moment fillon të zhvillohet diplomacia kosovare e faktorit tonë politik të brendshëm. Nga kjo nuk duhet nënkuptuar se personalitetët tona të brendshme nuk kanë zhvilluar diplomaci në Kosovë. Gjer në fundvitin e 1999-tës u zhvilluan një mori aktivitetesh diplomatike nga Byroja Informative e Kosovës me seli në Bruksel si: Konferenca e Paqes mbi Jugosllavinë ku Behare Rexhepi ishte urëlidhëse ne mes Ibrahim Rugovës dhe Konferencës së Paqes, e më gjërësisht lexonte librin e Ambasadorit gjerman Gert Ahrens «Diplomacia mbi tehun e thikës» (Botim 2010 Washington DC). U realizuan mbi 27 rezoluta në favor të Kosovës nga Parlamenti Europian dhe nga Senati Belg.
Si ka mundësi që Paskal Milo të anashkaloi diplomacinë e LDK-së, kur dihet që asokohe Ibrahim Rugova realizoi takime me burrat me të mdhenjë të këtij planeti ?! A nuk është diplomaci të takohej me Klintonin? Si mundet Paskal Milo të anashkalojë diplomacinë që e ka zhvilluar Enver Hadri, Behare Rexhepi, Reshat Sahitaj e Gani Azemi dekada me radhë në Parlamentin Europian, NATO etj ?!
- Faza e tretë i takon diplomacisë së LPK-së e shndërruar në UҪK. Ёshtë e njohur se përfaqësuesit e LPK-së nuk e kanë preferuar diplomacinë si armë e domosdoshme për fitoren përfundimtare. LPK-ja më shumë është koncentruar në demonstrata dhe grumbullimin e armëve për t’i futur në Kosovë. Mirëpo me takimet e shumta diplomatike që bënte Ibrahim Rugova me zyrtarë të lartë botëror, LPK-ja mbeti nën hije. Mbetën nën hije edhe për shkak të kontakteve të tyre me parti të majta gjermane dhe me grupe ekstremsite kurdistane. Përfaqësuesit e LPK-së nuk e përdornin fjalorin e diplomacisë, por të forcës: «Nëse nuk fitojmë, tërë bota do të kallet» ishte motoja e secilit aktivist të LPK-së. Me fuqizimin e LDK-së dhe takimet diplomatike, LPK-ja e shihte rrezikun e dobësimit si faktor i brendshëm edhe i jashtëm. Andaj, për t’u faktorizuar duhej takime me zyrtarë të lartë europianë. Fazli Veli kryetar i LPK-së e kërkon ndihmën e Behare Rexhepit që t’i bënte takime. Duke u nisur nga fakti se Byroja Informative nuk ishte vasal i asnjë grupi e asnjë partie politike, por vepronte për realizimin e kërkesave që populli i Kosovës i shtronte. Pra, në Bruksel e ftuam Fazli Veliun, Muhamet Kelmendin, Adem Grabovcin dhe Ibish Nezirin të cilët realizuan takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë. Ky ishte takimi i parë diplomatik në historinë e kësaj Levizje, e që më pas do vazhdonte ky bashkëpunim në mes Beahre Rexhepit dhe LPK-së. Më vonë përmes Burosë Informative do të vinë në NATO, Senatin Belg, Parlamentin Europian… Bislim Zyrapi, Fehmi Lladrovci, Jakup Krasniqi, Bardhyl Mahmuti, Hashim Thaçi, Jashar Salihu etj. Pse Paskal Milo nuk i paska bërë këto takime të lartëpermendura?! Pse Paskal Millo i shlyen nga truri i tij këto takime dipplomatike?!
- A e din Paskal Millo që në tetorin e 1998, në lokalet e OKB-së Gjenevë unë e organizova Konferencën e parë të UҪK-së përmes kryetares së Senatit të Belgjikës zonjës Anne Marie Lizin, në të cilën mori pjesë Bardhyl Mahmuti? Nuk e din, apo nuk ka dëshirë të din asgjë për tjerët. A e din Paskal Millo që kjo konferencë bëri bujë në të gjitha mediet botërore e poashtu edhe në ato të Serbisë e cila OKB e quante «Ҫerdhe të UҪK-së? Unë më ekipin tim kemi arritur të bëjmë një organizim të tillë e Paskal Millo ka mundur por nuk ka ditur ose nuk ka dashur!

Kopje nga ZËRI » takimet e Fazli Veliut në Bruksel të përgatitura nga
Behare Rexhepi
Këto hapa të diplomacisë u përmendën sipërfaqësisht pa u thelluar si janë zhvilluar dhe çka është biseduar, sepse më gjerësisht mundeni t’i gjeni në 7 vëllime « IDEALISTËT« (botuar 2018 – Prishtinë 3000 faqe).

Takim më kryetaren e Senatit Anne Mari-Lizin, Jashar Salihu, Berdhyl Mahmuti dhe Reshat Sahitaj (1998)
Letra e Gj.Bushit dërguar Millosheviqit që Paskal Milo nuk ka njohuri
Tani do them më hapur se Paskal Milo harron qëllimisht, se duke i falenderuar diplomacisë që ne kemi zhvilluar në Bruksel, sot Kosova mundet të mburret, se jemi i vetmi shtet në botë ku Parlamenti Europian i nderoi me çmimin Sakharov dy personalitete tona: Adem Demaçin (1991) dhe Ibrahim Rugovën (1998). Do ia shtroja një pyetje Paskal Milos: Pse diplomacia e Shqipërisë nuk arriti që Pjetër Arbnori ta fitonte çmimin Sakharov, më prestigjiozi në Europë? Sepse ju nuk e keni ditur as ku gjendet Parlamenti Europian.
Në shkrimin e tij, Paskal Milo vazhdon të shkruaj me sa vijon: «Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) si faktor ushtarak e politik ka historinë e saj për të cilën është folur e shkruar shumë. Ajo ka zhvilluar edhe diplomacinë e saj, në fillim në kushtet e ilegalitetit nëpër Evropë, por duke filluar nga pranvera e vonë e vitit 1998 edhe kontaktet e para publike përmes përfaqësuesve të saj në vënde të ndryshme, por edhe në Kosovë. Për t’i dalë përpara çdo keqkuptimi, termi diplomaci i përdorur në këtë rast ka karakter relativ dhe nënkupton kontakte me përfaqësues të vendeve e qeverive të ndryshme, jo zyrtare, informuese dhe sensibilizuese për gjëndjen në Kosovë… «
Që në fillim Paskal Milo si ish-ministër i Jashtëm gabon dhe nuk ka informacione të mjaftueshme për diplomacinë e UҪK-së e aqë më pak të LDK-së. Në rastin konkret, kur dërgohen në Kosovë një delegacion eurodeputetesh prej më shumë se njëzetë nuk quhet diplomaci ilegale e as informuese, por thjeshtë diplomaci. Kur aprovohen mbi 27 rezoluta nga Parlamenti Europian gjatë njëzetë vitesh nuk quhet diplomaci ilegale por thjeshtë aftësi diplomatike.
Kur arrihet që brenda lokalve të OKB-së të bëjmë konferencë për medie dhe kur Serbia e quan OKB çerdhe të UҪK-së nuk quhet ilegale por thjeshtë aftësi diplomatike e djelmoshave dhe vajzave të Kosovës në bashkëpunim me ministra të huaj.
Ish Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë z. Paskal Milo, në shkrimet e tij vazhdimisht i referohet letrave zyrtare, e asnjëherë takimeve në kabinetin e tij. Nga kjo rezulton se Paskal Milo nuk ka përvojë në diplomacinë, e cila nuk zhvillohet përmes letrave të hapura dhe bisedave gjysëm orëshe në kabinetin e tij, por ajo programohet prapa perdeve. Tjetër gjë flitet në letra e ndryshe veprohet në terren. Ja si shprehet Paskal Milo në shkrimin e tij: «Deri në nëntor 1997 UÇK-ja apo alternativa radikale e shqiptarëve të Kosovës për të arritur pavarësinë e saj nuk ekzistonte në axhendën diplomatike të Uashingtonit… ». Bazuar në këtë që shkruan Paskal Milo, duket se ky nuk ka lidhje në diplomaci, sepse e harron letrën e Xh.Bushit dërguar Sllobodan Millosheviqit dhe Gjeneralit të tij, ditën e fundit të dhjetorit 1991. Letër e cila është e mbyllur në arkivat e Beogradit, por e publikuar në qarqet diplomatike perëndimore. Cili është sekreti i kësaj letreje që Beogradi e ka mbyllur për opinion? Vetëm një fjali e kësaj letreje i tregon Millosheviqit të mos ta kalojë kufinin sepse Kosova është sferë amerikane.
Deklarata e Gelbardit në Prishtinë
Paskal Milo shkon edhe më tutje duke iu referuar deklaratave të personaliteteve botërore, që sipas tij asnjë shtet në botë nuk i përkrahte kërkesat e kosovarëve dhe citon Ambasadorin e SHBA-së R.Gelbard-in lidhur me deklaratën e tij për UҪK-në: «Është një grup tha ai, “i cili duhet të jetë shumë i kujdesshëm në çfarë bën dhe çfarë kërkon të bëjë. Ajo po merr mbi vete rrezikun e të etiketuarit organizatë terroriste nga qeveria e SHBA”. Një muaj më vonë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Klaus Kinkel në vizitën e tij në Tiranë, ndërsa deklaroi se “Kosova nuk është çështje e brendshme e Jugosllavisë”, pohoi gjithashtu se “pavarësinë e Kosovës nuk e mbështesim” dhe “as nuk përkrahim lëvizjen separatiste”.
Ёshtë e domosdoshme t’i analizojmë deklaratat e Gelbardit për situatën në Kosovë. Deklaratën e Gelbardit, zoti Paskal Millo e keqinterpreton, ose e interpreton sipas interesave të Serbisë.
Duke e parë që gjendja në Kosovë ishte stagnuese që nuk ecnim as para e as mbrapa. Vrasjet, burgosjet e maltretimet ishin të përditshme, mirëpo nuk kishte asnjë rezistencë që bota të kishte pretekt të ndërhynte. Më të ardhur Gelbardi në Prishtinë tha : « Unë nuk jam superman!». Kjo deklaratë ishte një mesazh që i jepej popullit tonë, se pa rezistencë nuk zgjidhet asgjë. Pas kësaj deklarat Unioni i Studentëve e organzoi demonstratën masive dhe gjërat filluan të marrin kahje tjetër. Jugosllavia duhej të shpartallohej copë-copë, por inisiativa duhej të vinte nga popujt që e përbënin e jo nga Perëndimi. Nëse Paskal Milo ka zhvilluar biseda miqësore e intime me zyrtarët e lartë perëndimor, këtë gjë duhej ta ketë ditur, mirëpo duket se biseda të tilla nuk ka bërë kurrë në jetën e tij, përveçse ndoshta në Beograd që sipas deklaratës së tij qe 15 vite rregullisht e viziton Beogradin në muajin tetor.
Nga deklarata e Kluas Kinkelit nënkuptohet hapur që Gjermania është përkrahëse e Kosovës nëse bazohemi në fjalinë e tij kur thotë: «Kosova nuk është çështje e brendshme e Jugosllavisë ». Kur një personalitet gjerman deklaron se Kosova nuk është çështje e brendshme e Jugosllavisë, këtu përgjigja është e nënkuptueshme. Diplomatët e huaj nuk e marrin daullen (tupanin) me të tregue se çka mendojnë. Pra, Kosova nuk është më çështje e brendshme e Jugosllavisë, por një problem ndërkombëtar. Nga kjo fjali e Kinkelit duhet të nënkuptohet, që Serbia nuk mundet të luajë me Kosovën sipas dëshirës. Fjalinë e Kinkelit do ta kuptonte edhe një debil e jo më Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Më këto e shumë shkrime tjera të Paskal Milos, përsonalisht konkludoj: Paskal Milo dëshiron të mbetet në histori si shtet themelues i Kosovës, siç edhe ka deklaruar dhe se është i vetmi që e ka vu gurin e parë; Paskal Milo edhepse ka qenë Ministër i Jashtëm nuk ka lidhje me diplomaci, por faktet historike ia atribuon vetëvetës. Paskal Milo nuk ka njohuri mbi aktivitetet diplomatike që janë zhvilluar në favor të Kosovës.
Përvoja ime-gëzime dhe zhgënjime
Tani do të ndalem në përvojën time, dhe takimin tim në kabinetin e Paskal Milos sa ishte Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, dhe a e gjeti Kosova përkrahjen e tij, dhe të Shqipërisë për luftën që kishte filluar. Më daljen në skenë të UҪK-së, diplomacia perëndimore ndryshoi qëndrimet lidhur më zgjidhjen e statusit të Kosovës. Në opinionin e gjërë, flitej për një autonomi të zgjeruar, mirëpo në takime private me miqë të besueshëm bisedonim për shpartallimin total të Jugosllavisë. Sipas ekspertëve perëndimorë, Armata e Jugosllavisë konsiderohej si forca e katërtë në Europë, pas Anglisë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Shpartallimin e Jugosllavisë nënkuptonte shpartallimin e Armatës Jugosllave.
Gjatë viteve të ’80-ta perëndimi bazohej në faktorin shqiptar, i cili më 1968 dhe 1981 kishte dridhur themelet e Jugosllavisë. Gjatë kësaj periudhe kohore ishte ngritur vetëdijësimi i shqiptarëve masovikisht. Ndryshimet e Kushtetutës të 1974, në marsin e vitit 1989 dhe ashpërsia e Millosheviqit duke shtuar masat e dhunshme, ndikoi në unifikimin e faktorit shqiptar. Ishte hera parë që intelektualët tanë kundërshtonin hapur vendimet e Francuska 7 të Beogradit. Intelektualët tjerë, duke e parë që Beogradi nuk merrte masa ndaj këtyre, filluan ngadalës, por vendosmërisht të rreshtohen në fushën kombëtare. Në anën tjetër Sllovenia dhe Kroacia përkrahnin kauzën tonë, natyrisht që ata revoltën shqiptare e përdornin për interesa të tyre, mirëpo kjo ishte edhe në favorin tonë.
Më themelimin e LDK-së (që në fillim ishte Lëvizje), në skenë doli Ibrahim Rugova si lider i pakontestueshëm i të gjithë shqiptarëve nën Jugosllavi. Disa vite më vonë për shkaqe materiale u krijuan edhe liderë tjerë si: Nevzat Halili në Maqedoni, Sulejman Uglanini dhe Mehmet Bardhi, në Mal të Zi, si edhe Riza Halimi në Luginën e Preshevës, e më të cilët unë kisha relacione të mira për bashkëpunim. Të gjithë këta liderë ishin imitues dhe bashkëpunues më besnik të Ibrahm Rugovës përveç Sulejman Uglaninit, i cili e kundërshtonte opsionin e Rugovës.
Ekipi i Byrosë Informative të R.Kosovës, me vite të tëra kishte krijuar relacione miqësore me shumë eurodeputetë, gazetarë të medieve kombëtare dhe internacionale, senatorë dhe ministra nga shtete të ndryshme e veçanërisht belgë. Në mesin e miqëve të parë shquhej senatori Wily Kuijpers, euodeputetja Anne Marie-Lizin, e më vonë senatore, kryetare e Senatit dhe anëtare e Organizatës për Siguri dhe bashkëpunim Eurpian.
Nga fundi i vitit 1997 dhe gjatë vitit 1998, UҪK-ja ishte bërë faktor kryesor që e ndryshoi Status-quon, e pa të cilën nuk mund të zhvillohej asnjë bisedim për ardhmërinë e Kosovës. Pavarësisht që zyrtarisht flitet për ndërhyrje humanitare dhe pretekste tjera, çeshtja e Kosovës duhej të kishte një zgjidhje në favorin tonë e të kalojë në sferën euro-atlantike.
Duke e njohur kokëfortësinë e Millosheviqit, i cili shpresonte që Rusia nuk do të lejonte shkëputjen e Kosovës, perëndimorët ishin të përgatitur edhe për luftë këmbësore. Në një vend sekret të Belgjikës forcat aleate kishin ndërtuar me maketa fshatra të tërë si në Drenicë dhe bënin ushtrime.
Anne Marie-Lizin, që ishte anëtare e Organziatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, kërkonte të kishte më shumë njohuri sa ishte e gatshme Shqipëria t’i ndihmonte Kosovës në një luftë të re, që ishte e pa evitueshme. Ajo kishte bërë të gjitha takimet me personalitetet e larta duke filluar nga Kryetari Rexhep Mjedani e deri të ministrat tjerë. Kërkoi nga unë që ta shoqëroja e mos të flisja asnjë fjalë gjatë takimeve që do t’i bënim. Unë i propozova që të na shoqëronte edhe Afrimi që pas luftës u punësua në NATO. Në udhëtimin për në Shqipëri u nisëm shtatë vetë ku përveç Anne Marie – Lizin të tjerët nuk i njihja.
Tiranë verë e vitit 1998
Rinas.Vera e vitit 1988. Qëllimi i vizitës ishte matja e pulsit të personaliteteve shqiptare dhe gadishmërinë e tyre për të ndihmuar luftën në Kosovë. Delegacioni ynë me zyrtarë europianë u futëm në tri makina zyrtare e dy të policisë që na shoqëronin. Hera parë në atdheun tim. U akomoduam në vilën e shokut ENVER HOXHA. Java ishte e ngarkuar me takime zyrtare si Paskal Milo, Pandeli Majko, Fatos Nano, Maq-ço Lakrori …. Rexhep Mejdani. Kamerat e TVSH dhe lajmet qendrore çdo mbrëmje flisnin për bisedat që zhvillonim në zyrat e personaliteteve më të larta shqiptare. Takimet tona përfunduan në Koncertin që e kishte përgatitur Agim Doçi……
Për këtë vizitë njëjavore, të gjitha këto takime do t’i gjeni në lajmet televizive RTSH-së 1998.
Takimi më Paskal Milo në kabinetin e tij
Gjatë takimit më Fatos Nano, zonja Lizin kërkoi që të shkonim në Kukës për t’i vizituar kosovarët e shpërngulur dhe bazat e UҪK-së. Përgjigja e tij ishte se nuk kishte garanci që delegacioni ynë të kthehej gjallë në Tiranë, sepse atje çdo gjë ishte e çrregulluar. Anne Marie-Lizin insistoi që të nisej me helikopter, mirëpo përgjigja ishte që as helikopteri nuk ishte i sigurt, ngase mund të qëllohej nga banda të ndryshme shqiptare që nuk i japin llogari askujt.
Në pyetjen se si qëndron gjendja e UҪK-së në Kosovë, Fatos Nano ishte indiferent duke shtuar se çdo gjë ishte nën kontroll.
Ditën tjetër ishte takimi me Paskal Milo-n. Nga villa e Enve Hoxhës na përcollën me dy kerre zyrtare dhe eskort policor. Edhepse ishte ora 10.00 bënte vapë. Tiranën e kishte mbuluar një tis i hollë pluhuri që kisha përshtypjen se isha personazh i një filmi holivudian, e ngjarja po ndodhte në Meksikë. Delegacioni ynë brenda në makina dhe përcjlljen nga policia, më dukej se po e luaja rolin e një qeveritari meksikan.
Zyrja e Paskal Milo-s ishte e thjeshtë, më e thjeshtë se zyrja e një drejtori të shkollës fillore të një fshati në Kosovë. Me secilin personalitet që takoheshim asnjëherë nuk kërkonin të dinin emrat e pjesës tjetër të delegacionit. Anne Marie-Lizin fliste në emër tonë, e fotografi që na shoqëronte bënte fotografi gjatë takimeve.
«Ҫka mendoni rreth zgjidhjes së problemit të Kosovës?» ishte pyetja ne mesin e pyetjeve tjera që zonja Lizin ia shtroi Paskal Milos.
«Për zgjidhjën e situatës në Kosovë, gjëja më e mirë që duhet bërë, është organizimi i një Konference e ngjashme me atë të Dejtonit». U përgjigjë me zë të ulët Paskal Milo dhe dukej se me këtë i dha fund bisedës.
« Mirëpo Dejtoni, ka shumë mangësi, dhe mendoj që kjo nuk do të jetë zgjidhje e mirë për Kosovën ! ». Ndërhyri Anne Marie-Lizin.
« Një Konferencë e tillë do t’ia mundësonte një autonomi të zgjëruar Kosovës, e për këtë edhe Millosheviqi është pajtuar e këtij mendimi iu kanë bashkue edhe Grupi i Kontaktit ».
Ky është thelbi i bisedës që u zhvillue në mes Paskal Milos dhe Anne Marie-Lizin, e unë qëndroja pa folur asnjë fjalë. Detyra ime ishte vetëm të dëgjoja.
Në fytyrën time dukej zhgënjimi total. Zonja Lizin më pyeti se çka mendoja unë për këtë zyrtar dhe mendimin e tij. « Më duket së është naiv dhe narcistik. Ёshtë i dashuruar në vetëvete ! », iu përgjigja shkurt, gjersa po drekonim në një restaurant afër Vilës së Enver Hoxhës.
Takimi me Rexhep Mejdanin
Të gjitha takimet që kishim zhvilluar me personalitetet më të larta të Shqipërisë, në asnjërin nuk e dallova dashurinë për çlirimin e Kosovës. Secili na thoshte se UҪK-ja nuk ishte faktor dhe asgjë nuk duhet pritur më shumë se autonomia e zgjeruar. Ishte koha kur UҪK-ja kishte pësuar disfatë nga kundër ofenziva serbe. Tirana ishte mbushur me ushtarë të plagosur, ushtarë që kishin ikur për të shpëtuar jetën.
Gjatë orëve kur nuk kishim takime dilnim në kafenetë e Tiranës, për të kaluar kohën. Ҫuditërisht, personalitetet e larta që kisha takuar në zyre të tyre, i shihja në kafene. Në një kafene më duket se quhej «Piano» ose «Charli Chaplin» nuk më kujtohet saktësisht e shikoja Paskal Milon duke biseduar me një aktivist të LPK-së por tani i UҪK-së. Në vete mendoja se Ministri i Punëve të Jashtme vizionin për luftën e Kosovës e ka formuar në bazë të bisedave të kafeneve. Nga tjerët dëgjova se ky paguhej nga këta përfaqësues të UҪK-së për lehtësime të bartjes se armëve, levizjeve deri në Kukës, mbrojtjes së gomarëve që bartnin armatim. As sot ende nuk e mësova sa ishin të vërteta ato që flisnin. Por një gjë e mësova se këtij njeriu nuk i hante palla për luftën apo fitoren e Kosovës.
Takimi i fundit ishte më Kryetarin e Shqipërisë Rexhep Mjedani. Zyra e tij dallonte nga të gjitha tjerat. Kishte një tavolinë të gjatë akazhu. Në krye qendronte kryetari. Anne Marie Lizin afër tij. Përballë nesh rrinte Preç Zogaj.

Në mesin e shumë pyetjeve ishte e njejta pyetje se çka mendonte kryetari për zgjidhjen e problemit të Kosovës.
« Sikur të mos dilte në skenë UҪK-ja, edhe 300 vjet mund të kalonin e gjendja në Kosovë nuk do të ndryshonte kurrë! UҪK-ja është një faktor që duhet të merret seriozisht, sepse në të ekzistojnë shpresat dhe vendosmëria për çlirimin definitiv. Ne, do bëjmë çdo gjë që është mundur që Kosovën ta përkrahim me të gjitha mjetet demokratike në bashkëpunim me aleatët tanë që kërkojnë zgjidhje afatgjate dhe sa më të mirë për Kosovën».
Nga gëzimi nuk e përmbaja vetën dhe sa herë që fliste Kryetari i Shqipërisë, unë ia pohoja fjalët e tij me lëvizje koke. Në anën tjetër Preç Zogaj u lirue më shumë dhe foli më ashpër kundër Serbisë dhe për fitoren e Kosovës. Në të njejtën kohë Afrimi filloi të flsite shqip me Preç Zogajn dhe i pohonte mendimet e tij. Vetëm tani e kuptuan se delegacioni ynë nuk përbëhej vetëm nga të huajt por edhe me dy shqiptarë.
Problemet e mia me Fatos Nanon
Ditën e parafundit, Fatos Nano kishte organizuar darkë për Anne Marie Lizin dhe delegacionin. Darka ishte solemne dhe vetëm me ftesa. Kah fundi i ditës ne shkuam në vilën e Enver Hoxhes, ku ishim akomoduar pesë ditë më parë, dhe po përgatiteshim për të shkuar në darkë ku ishte paraparë edhe vallëzim.
Dy orë para se të fillonte darka, dy përfaqësues të Fatos Nanos erdhën të vila dhe e kërkuan Anne Marie Lizin. Gjysëm ore më vonë zonja Lizin hyri në dhomën time dhe flsite me zë të ulët. Fatos Nano e kishte porositur Maço Lakrorin t’i thoshte Anne Marie – Lizin që në darkë të mos e shoqëroja unë. Në pyetjen e saj, pse të mos e shoqëronte Reshat Sahitaj, Maço Lakrori ishte përgjigjur: «Ky është i dhënë tepër për Kosovën dhe është i pa kompromis». Lizin i kishte thënë: «Edhe më mirë dhe nuk ka asgjë të keqe këtu». «Ёshtë urdhër nga Fatos Nano e madje ky duhet ta lëshojë Shqipërinë sa më parë!».
Mbeta i habitur. Në vendin tim që e kisha ëndrruar donin të më arrestonin. U largova nga Shqipëria më i zhgënjyer se kurrë më parë në jetën time. Në Kosovë qe nga ikja më 1978 nuk guxoja të shkoja, e tash edhe në Shqipëri më ndalohej të qëndroja.
Fatos Nano kishte urdhëruar t’i paguaja edhe shpenzimet gjashtë ditore të akomodimit në Vilën e Enver Hoxhës. Kjo ishte Shqipëria ime që e kisha në zemër që nga fëmijëria.
(Nga libri « Diplomacia pas perdeve” Prishtinë, 2022)
© Pashtriku.org