RRAHMAN HYSENI: KUJTIM NË 40 VJETORIN E LINDJES SË DËSHMORIT TË KOMBIT FLORIM RUSHITI – KINGJI (02.04.1979 – 26.05.1999)

Pashtriku, 2 prill 2019:

 

 

 

 

 Më mbani mend shokë?
Unë jam F L O R I M I vetë
jam ai djali nga Medvegja
nga amshimi në liri ju flet…
Mos shkelni mbi gjakun tim të derdhur
se edhe për ju ka faqe historia
amanetin në vend ma çoni
bashkoni në një Shqipëri të gjitha trojet e mia.

***
KUSH ËSHTË FLORIM RUSHITI- KINGJI…
Florim Rushiti nga fshati Kapit i Medvegjës, i cili me kufizimin e lirisë, përuljen si shtresë, këto dhe shumë primesa të tjera, u detyrua që shumë i ri ta marrë rrugën e kurbetit, e të shkojë në Munih të Gjermanisë për të qenë ndihmës i familjes…
Edhe pse jetonte shumë larg, me zemër gjithmonë ishte afër Atdheut, rriste dhe kultivonte brenda vetes ndjenjat patriotike dhe atdhetare, si dhe urrejtjen shpirtërore kundër armikut…
Zëri i Atdheut sikur e thërriste gjithmonë Florimin në ëndërr e në zgjim, gjersa një ditë vendosi t’i përgjigjej atij zëri, duke marrë rrugën për në Burrel të Shqipërisë, ku e priste detyra e parashtruar vetvetes – të stërvitej dhe të hynte në radhë…
“Kingji” ishte nofka e F L O R I M I T nga një epror shqiptar i Akademisë Ushtarake Shqiptare “Skënderbej”, ngase ai vërtet ishte i tillë, shumë i dëgjueshëm…
Pas përfundimit të detyrës së stërvitjes, F L O R I M I N e priste detyra e radhës, e parashtruar vetvetes.
Ai e dinte që kjo detyrë ishte jo e sigurt dhe se ishte çështje jetike, mirëpo zërit të Atdheut i ishte përgjigjur me betimin “O VDEKJE O LIRI!”.
U nis për në malet e Pashtrikut së bashku më trima të tjerë. Më 26 maj 1999 u ndeshen ballë për ballë me armikun… Në atë vend armiku pësoi humbje të mëdha, e në këtë front të rrezikshëm plagoset rëndë bashkëluftëtari i “Kingjit” – Muhamet Bajrami, ndërsa F L O R I M I hidhet pa hezitim në ndihmë që ta tërheqë nga ajo pozitë, mirëpo më kot, ngase plumbat e rrëmbejnë edhe atë, duke rënë aty dëshmor për lirinë e Atdheut të vet, për Kosovën, por edhe për Medvegjën, Preshevën e Bujanocin e tij. Ai ra heroikisht për të mos vdekur kurrë…
FLORIMI ENDE PA LAPIDAR??
Vëllai i tij Lulëzimi, me të dëgjuar që Florimi kishte rënë në altarin e lirisë, e merr armën në dorë dhe u bashkëngjitet radhëve me synimin për liri. E babai i tyre, Rrahmani, përveç dhembjes, ndiente edhe krenari që kishte rritur bij të tillë që do t’i dilnin zot vatanit. Motrat e Florimit, Lumnija e Miradija, sa ishin tronditur, aq ishin krenare me të vëllanë dëshmor, ndërsa nënë Aza nuk pajtohej me faktin se i biri ishte vrarë, duke thënë se nuk kishte vdekur, por vetëm po pushonte pas betejave për lirinë e fituar.
Këtë pavdekësi e dëshmojnë poetët, këngëtarët dhe shkrimtarët tanë nga të gjitha trojet tona etnike me përkushtimet e tyre poetike. Horizonti mbi të cilin thuren vargjet, tregon individualitetin poetik, duke arritur në përmbledhje poetike me vargje të zgjedhura, brenda të cilës shprehen të bëmat heroike të të rënit në malet e Pashtrikut, ku dhe sot ndihet aroma e gjakut të dëshmorit. Në to ndihet gjithashtu edhe mallkimi për plumbin e kobshëm që e ndaloi atë në gjysmën e këngës së luftëtarëve, këngë që sot vazhdon të këndohet në liri.
Në vargje shprehet edhe ndjenja e nënës, e cila i flet me shumë dashuri të birit “Fli, bir i nënës”, me dhimbjen e shpirtit të saj, duke e bërë atë stoike për të birin e lartësuar në qiellin hyjnor.
Me çka u jemi mirënjohës dëshmorëve për jetë për kontributin e tyre në realizimin e lirisë sonë kombëtare, e njëri ndër ta ishte edhe Florim Rushiti “Kingji”.

FLI, BIR I NËNËS
(Florim Rushiti) “Kingjit”
Në shtratin e shtruar
si mbulesë ilirio-dardane
në këtë kullë të trashëguar
fli me ninullat e nënëlokes shqiptare
bir i nënës fli.
Kur dielli në Medvegjë të perëndojë
e të çmallesh me harkun e hënës
dhe ylli në atë kaltërsi të ndriçojë,
fli i qetë, o bir i nënës.
Bir i nënës, fli
Ëndërroji Preshevën, Medvegjën e Bujanocin
ëndërroje dhe Kosovën të bashkuar me to në liri
ëndërroji të gjitha në një nënë-Shqipëri.
Bir i nënës, fli
kur gjinkallat ta prishin gjumin
s’e bezdis ti nënën kurrë
vjen prapë nëna e të vë në gjumë.
Bir i nënës, fli
fli në prehrin e nënëlokes
mos më ik si pëllumb nga dora
gjakatarët ta ndërruan shtratin
në mes të rrugës ta ndalën hapin.
Bir i nënës, fli
fli atje në malet e Pashtrikut
në mes lulëkuqeve të Kosovës
fli i qetë, biri i nënës
atje ku ta ndiejmë ende aromën e gjakut.
Bir i nënës, fli
në Prizrenin e lashtësisë
nga Medvegja ke të fala
një kurorë mbi shtratin e përjetësisë
një pikë loti nga të gjitha trojet e shqiptarisë.

Shkruan: Rrahman Hyseni
Shkëputur nga libri: Shkruan: Rrahman Hyseni
Shkëputur nga libri: FLI, BIR I NËNËS, Përkushtime poetike për FLORIM RUSHTIN – KINGJI

***
Kjo video i kushtohet dëshmorit Florim Rushitit-Kingjit me rastin e promovimit të librit nga Rrahman Hyseni i cili me shumë autor kanë shkruar poezi i ka përmbledh në një libër me titull “FLI, BIR I NENES”
https://www.youtube.com/watch?v=F19fII1C0IM

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura