FLORIM RUSHITI RA PËR LIRINË E KOSOVËS, POR EDHE PËR MEDVEGJËN, PRESHEVËN DHE BUJANOCIN (VIDEO)

Përkujtim për dëshmorin e kombit Florim Rushiti – Kingji

FLORIM RUSHITI RA PËR LIRINË E KOSOVËS, POR EDHE PËR MEDVEGJËN, PRESHEVËN DHE BUJANOCIN

Nga Fehmi Ramadani, Pashtriku, 05 tetor 2021

Në Landovicën legjendare

Fli i qetë Florim Rushiti

Në tokën tënde arbërore

Ti je një lule Kosovë Lindore (f.r)

Nga Gjermania vjen në luftë

Florim Rushiti qysh në fëmijërinë e tij u ballafaqua me sfidën e skamjes dhe varfërisë, si shumë bashkëkombës të tij, të cilëve armiku iu kishte imponuar një prapambeturi, por edhe liri të kufizuar, të qenit njeri i shtresës së përulur. Këto premisa këtë djalosh e kishin detyruar që shumë i ri të marrë udhë kurbeti dhe të shkojë në Munih të Gjermanisë për të punuar, në mënyrë që sado kudo t’i ndihmojë familjes së tij. Kjo jetë e vështirë e rinisë së tij e kishte detyruar që në shpirtin e tij të kultivojë urrejtjen ndaj armikut dhe njëherësh të kultivojë ndjenja patriotike dhe atdhetare. Në vitin 1998 kur armiku deshi ta zhbënte popullin shqiptar të Kosovës nga kjo tokë, Florimi iu kishte përgjigjur ftesës së atdheut për t’i dalë në ndihmë atdheut. Ai pa hezituar aspak, e la punën në Gjermani, edhe pse ishte i vetmi burim i ekzistencës së familjes së tij dhe me shumë shokë tjerë kishte marrë rrugën e lirisë për t’u vendosur në Burrel të Shqipërisë për t’u stërvitur në mënyrë që më pastaj të futet në front kundër armikut. Pas përfundimit të stërvitjeve u radhit në Njësitin Diversant Vëzhgues TF0, të cilën e udhëhiqte komandanti Fadil Zejnullahu. Edhe pse, kishte një shtat më të njomë dhe më të vogël se shokët me vullnet dhe dëshirë të madhe i kryente detyrat e parashtruara. Ndërsa, nofkën “Kingji” e kishte marrë nga eprori shqiptar, i cili i mësonte gjatë stërvitjeve ushtarake në Akademinë e Ushtrisë Shqiptare “Skenderbej”, sepse ishte shumë i dëgjueshëm.

Florimi ra për një ideal të madh

Florimi ishte një djalë i dashur dhe shumë i afërt me shokë dhe me padurim priste momentin kur do të futeshin në front për të luftuar. Shokët e tij tregojnë se me të marrë urdhrin për nisje në front të gjithë ishim të lumtur dhe të gëzueshëm që më në fund do të futen në tokën e Kosovës, e cila ishte ndarë për 100 vjet nga trungu shqiptar. Gjatë kësaj rruge jehonte kënga për dëshmorët, lirinë e Kosovës, por edhe për Medvegjën, Preshevën e Bujanocin dhe të gjitha trojet tjera shqiptare. Këtu nuk kishte grupe interesi, as parti, as krahina, por të gjithë ishin njësoj, sepse ideali i tyre ishte i përbashkët të luftohet kundër armikut. Në fshatin Cahan ishin bërë përgatitjet e fundit për futje në malet e Pashtrikut. Florimi ishte pajisur me municion të mjaftueshëm për luftë dhe me vete kishte marrë armë të kalibrit të rëndë. Në mëngjesin e 26 Majit të vitit 1999 futen në malet e Pashtrikut dhe ballë për ballë fillojnë luftën me armikun. Luftohej në maje të kodrës së Pashtrikut. Në këtë betejë armikut iu kishte shkaktuar dëm i madh në njerëz dhe mjete luftarake. Vullneti dhe morali i luftëtarëve të UÇK-së ishte i madh, sepse avanconin në front. Armiku vazhdimisht binte përforcime, sepse zëvendësonte të vrarët dhe të plagostë. Pozicioni ku ishte Florimi dhe shokët tjerë ishin të pathyeshëm. Por, gjatë kësaj beteje plagoset rëndë Muhamet Bajrami një bashkëluftëtar nga Podujeva, i cili kishte marrë plagë të rënda dhe duhet dhënë ndihmë. Kjo ishte një zonë shumë e rrezikshme ku luftohej. Florimi, pa u hamendur aspak vërsulet si shigjetë në ndihmë të shokut dhe bashkëluftëtarit të tij. Deshi ta tërheq nga ajo pozitë e rrezikshme, por plumbat e armikut e kishin këputur në mes duke ia pamundësuar përfundimin e aksionit. Florim Rushiti, ky djalë i njomë, i cili kishte ardhur nga Kapiti i Medvegjës në malet e Pashtrikut la frymën e fundit për një ideal të madh, për ta shpëtuar shokun e luftës, por edhe për të luftuar kundër armikut.  Rënie e tij heroike ishte një dhimbje e madhe për shokët e tij dhe Njësitin Diversant TF0 të UÇK-së. Ata u betuan se do të hakmerren ndaj armikut dhe kështu më vonë kjo zonë ishte çliruar plotësisht nga armiku për tu bërë territor i lirë përgjithmonë. Florimi ra për lirinë e Kosovës, por edhe për Medvegjën, Preshevën e Bujanocin. Gjaku i tij i derdhur mu në malet e Pashtrikut është vlerë sublime që i dhuroi atdheut. Gjeneratat e tanishme, por edhe të ardhshme nuk guxojnë të harrojnë sakrificën dhe gjakun e derdhur për lirinë e atdheut, ajo duhet të shërbej si udhërrëfyes për të ardhmen.

Ai prehet në varrezat e dëshmorëve në Landovicë

Florim Rushiti-Kingji u lind më 02 prill 1979 në Kapit të Medvegjës, shkollën fillore e kreu në vendlindje për ta vazhduar të mesmen në Bujanoc, ku në vitin e tret për shkak të kushteve ekonomike detyrohet ta braktis shkollimin, ku edhe emigron ne Munih të Gjermanisë. Në vitin 1998 vjen në Tiranë se bashku me atdhetarin e madh Fehmi Lladrovcin, e që në atë kohë Florimi kishte vetëm 19 pranvera. Për shkak të moshës së tij të re Fehmi LLadrovci i thotë te kthehet në Gjermani dhe të kontribuojë nga atje, mirëpo pas vrasjes se Fehmi LLadrovcit, Florimi përsëri vjen në Shqipëri dhe menjëherë i bashkëngjitet radhëve të UÇK-se, për të luftuar armikun. Florim Rushiti-Kingji bie heroikisht në altarin e lirisë duke i ndihmuar shokët e tij të luftës në malet e Pashtrikut më 26 maj 1999. Në pamundësi për tu bartur trupi në vendlindjen e tij Kapit të Medvegjës për tu varrosur, sot e kësaj dite prehet në varrezat e dëshmoreve në Landovicë të Prizrenit. Përkundër saj, vendlindja e tij Kapiti i Medvegjës, së bashku me Bujanocin e Preshevën, edhe pse kishin luftuar, sidomos gjatë vitit 2001 dhe kishin dhënë shumë dëshmorë, kanë mbetur ende nën administrimin e Beogradit. Në këto troje shqiptare liria akoma nuk ka ardhur, ajo është në rrugëtim e sipër, sepse për këtë është dhënë sakrificë e madhe dhe është derdhur mjaft gjak.

Shkruan: Fehmi Ramadani, Prishtinë, 24. 05. 2010

*) Autori është sociolog dhe publicist i pavarur. Kontakti: [email protected]

______________________________ 

NDERIM DËSHMORIT TË KOMBIT, FLORIM RUSHTI – KINGJI

Pashtrik, 20.08.2021: Nderim Dëshmorit të Kombit, Florim Rushiti në Pashtrik. Ra dëshmor më 26 maj 1999, gjatë Operacionit të UÇK-së „Shigjeta“ në maje të Pashtrikut – DT2

Florim Rushiti, ka lindur më 2 prill 1979 në fshatin Kapit të Medvegjës, ndërsa ka rënë dëshmor më 26 maj 1999 në majen e Pashtrikut, saktësisht “Te varri i Pashtrikut”. Sipas dokumenteve arkivore Florimi ishte ushtar i Skuadrës së parë të Togut të Dytë të njësisë Diverzanto – Vëzhguese TF-0, me K-dant Fadil Rifat Zejnullahu, nga Llausha e Skënderajt, dhe Zv.K-dantët Bexhet B.Kuçi & Remzi Shala nga Theranda.

________________________________________

RUZHDI SARAMATI VAZHDON TA SHQETËSOJ FAMILJEN E DËSHMORIT TË KOMBIT, FLORIM RUSHITI!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura