RRËFIMI PËR DHUNËN, BRIGADAT, SHABAN POLLUZHËN, RËNIEN E NASERIT DHE BETIMIN PARA VARRIT TË TIJ

Prishtinë, 06. 04. 2016: (Në 35 vjetorin e rënies së dëshmorit Naser Hajrizi, flasin prindërit e tij, Beqir dhe Fatime Hajrizi) – Një burrë i heshtur dhe i përvuajtur i Strofcit të Vushtrrisë, nga vendlindja e tij e dashur ishte shpërngulur që në vitin e largët 1953 dhe tani jeton në Prishtinë. Mbi supe bartë jo vetëm mbi tetë dekadat e jetës së tij, por edhe pasojat e vuajtjeve e të sëmundjeve që e kanë shtrirë në shtrat. Këtu e 35 vjet më parë kishte mbetur pa djalin e tij të madh.
Është ky Beqir Hajrizi, babai i dëshmorit të kombit, i dekoruar me Medaljen e Artë të Lirisë, Naser Hajrizit. Në prill të vitit 1981 Naseri po i mbyllte notat e vitit të fundit në ish-Normalen e Prishtinës. Për tre muaj do të bëhej 20 vjeç. Së bashku me shokun e tij të klasës e të idealit, Asllan Pirevën, ranë heroikisht në ballë të demonstratës së 2 prillit të vitit 1981 në Prishtinë. Ata ishin militantë të organizuar të Lëvizjes Çlirimtare të kohës dhe organizatorë të të rinjve në demonstratën e mëngjesit të 2 prillit në qendër të Prishtinës. U vranë nga të shtënat e oficerëve ushtarakë, të vendosur gjatë natës në objektin e Bankës Popullore, sot seli e Qeverisë në Sheshin “Skënderbeu”. Në vendin e rënies është vendosur një pllakë modeste mermeri, në kujtim të gjakut të derdhur për liri.

Beqiri, edhe pse me vështirësi të shumta, si pasojë e gjendjes së rëndë shëndetësore, merr forcë dhe për “Epokën e re” rrëfen ngjarjet pikante që shoqëruan jetën e tij, me theks të veçantë, rënien e të birit, Naserit. Përkrah tij është edhe e shoqja, Fatimja, nëna e zhuritur e Naserit.
Z. Hajrizi, a mund të na flisni pak për kohën e fëmijërisë tuaj?
Beqir Hajrizi:
Unë jam i lindur më 1933. Në atë kohë jeta ishte tepër e rëndë. Populli ynë ka qenë nën Serbi, i robëruar, i shtypur dhe i persekutuar. Andej prej nesh, në Çiçavicë kishte qenë një stacion i xhandarmërisë serbe. Pas luftës së Azem Galicës, e kishin prishur atë objekt dhe stacionin e kishin ngritur nën fshatin tonë. Kur kaloje pranë stacionit, po ta përshëndesje xhandarin, të rrihte, demek kush ishe ti të flisje me të, por edhe po të mos e përshëndesje, të rrihte prapë, sepse nuk e kishe përfillur. Populli ishte i shkelur e i vuajtur. Prandaj, kur erdhi gjermani më 1941, populli u gëzua dhe e konsideroi si mik, sepse u çlirua nga zgjedha serbe. Siç u pa më vonë as ai nuk ishte çlirim.
Si e kujtoni hyrjen e gjermanëve në fshatin tuaj?
Beqir Hajrizi:
Fillimisht, nuk dinim se ç’po bëhej. Nga fshati ynë shihej kolona e gjatë në rrugën Prishtinë-Vushtrri. Atëherë isha 8-9 vjeçar. Sjellja e gjermanëve ishte krejtësisht e kundërt me atë të serbëve. Po ju rrëfej një ngjarje. Ishim disa çobanë duke ruajtur bagëtinë, kur nga Gradica (Drenica), po vinin hipur në kuaj, dy gjermanë. U dolëm përpara. Ishin të shoqërueshëm dhe na pritën mirë. Filluam të luajmë me kuaj. Ecëm përkrah tyre disa qindra metra. Ishte ndryshim i madh me xhandarët serbë.
A keni pasur ndonjë konflikt me gjermanë?
Beqir Hajrizi:
Baba kishte pasur një konflikt me një bashkëvendës të mobilizuar nga gjermanët, kur kishte dashur t’ia merrte qerren. Baba nuk kishte qëlluar aty, por me të arritur dëgjon shamatën që po bënte grabitësi me gratë. Ndërhyn me fjalë, por ai burri e kërcënon dhe ia kthen pushkën. Ky në shpejtësi kërcen dhe ia rrëmben armën duke e çarmatosur. Ai shkon dhe e njofton komandën. Pas një kohe kthehet me një grup ushtarësh gjermanë. Baba dhe disa burra të tjerë të familjes ishin tërhequr në një përrua përtej trojeve tona, por ata e zunë afër shtëpive një kushëri dhe e rrahën, duke e lënë të shtrirë në tokë.
Në vitin 1941 shkuam te mjekiqtë në Grabofc. Një grup serbësh kishin shkuar në Grabovc. Kishin zbritur nga treni dhe kishin hyrë në mal. Qëllimi i tyre ishte t’i digjnin fshatrat shqiptare. Një fshatar i kishte parë tek po hynin. Për të lajmëruar fshatarët e tjerë, shkrep disa herë pushkë. Hyjnë shqiptarët në Çiçavicë dhe i zënë të gjallë gjashtë serbë, ndërsa nuk dihet sa prej tyre i vrasin në luftime. Të kapurit i fusin në një shtëpi dhe i marrin në pyetje. Njëri thotë “jam shqiptar nga Sllatina, i biri i Mahmutit”. Në fakt ai ishte serb, por e dinte shqipen shumë mirë. Dikur detyrohet të pranojë që ishte Lazar Bojaniq i Sllatinës. I lirojnë të gjashtit dhe i përcjellin deri në Plemetin, për të mos i vrarë ndokush. Pas disa ditësh, kishte ardhur një brigadë nga Serbia dhe i ishte afruar Strofcit. Hyjnë në një shtëpi dhe e vrasin një fshatar. Fillon lufta. Ne dolëm të gjithë në oborr. Pipat e kumbullave binin në tokë nga plumbat. Një plumb hyri për dritare dhe ra në shtrat. Na thonë ikni se është mbushur plot çetnikë. Të gjithë, pleq e fëmijë, jemi nisur bjeshkës përpjetë dhe kemi shkuar në Gradicë. Ne shkonim andej, kurse nga Drenica vinin burra të armatosur, të cilët po shkonin në luftime. “Mos u tutni se këmbë shkau s’mund të hyjë këtej”, na jepnin zemër ata. Dhe vërtet ashtu doli. Afër Sllatinës, në një greminë, kishin mbetur dy kufoma serbësh. Ne qëndruam dy ditë në Gradicë dhe më pas u kthyem në shtëpi.
Midis dy luftërave botërore janë vrarë disa burra të familjes suaj. Kush janë ata dhe si janë vrarë?
Beqir Hajrizi:
Po. Në vitin 1921, një grup çetnikësh serbë kishin hyrë nëpër shtëpi të fshatit tonë. Kë kishin gjetur nga burrat nëpër shtëpi dhe oborre, i kishin lidhur me litarë. Babai ndodhej në shërbim ushtarak në Beograd. Njëri nga të zënët, që kuptonte serbishten, i kishte dëgjuar serbët tek thoshin: “A po i vrasim këtu apo po i çojmë në mal”. U kthehet bashkëfshatarëve të vet: “O vëllezër, kush mund të zgjidhet le të ikë, se neve do të na vrasin, o këtu, o atje”. Një kushëri yni arrin të zgjidhet, por në ikje e sipër e gjuajnë. I plagosur, barkas vazhdon deri në një përroskë, pi ujë dhe vdes. I vrasin të gjithë. Njëzetekatër gjithsej. Ata të cilët s’mund t’i zgjidhnin, i çojnë dhe i varrosin afër Gradicës. Nga familja jonë, aty janë vrarë axha im, Zymer Hajrizi, si dhe kushërinjtë, Osman e Hajriz Hajrizi. Zymeri ishte babai i Zenel Hajrizit, luftëtarit dhe veprimtarit të njohur tëArtakollit të Vushtrrisë.
Të kujtohen brigadat partizane të Shqipërisë? Kishin kaluar ato nëpër fshatin tuaj?
Beqir Hajrizi:
Po. Një brigadë shqiptare po kthehej nga Sremi i Serbisë, ku kishte qenë në luftime. U bë një mosmarrëveshje në Mitrovicë. Duke menduar se janë partizanë serbë, një grup shqiptarësh të armatosur u kishin dalë përpara. Ishte zhvilluar një përleshje aty, ku u vra një njeri. Më pas erdhën në fshatin tonë. Një grup e morëm ne në shtëpinë tonë. U dhamë ushqim dhe ua pastruam rrobat. Qëndruan tre-katër ditë dhe vazhduan. Në brigadat shqiptare ishte edhe Zenel Hajrizi, por edhe në Luftën e udhëhequr nga Shaban Polluzha.
Si e kujtoni fundin e Luftës së Dytë Botërore, periudhën e Shaban Polluzhës?
Beqir Hajrizi:
Në dimrin e vitit 1945 serbët e kishin bllokuar urën e Pestovës. Dëgjon Mehmet Gradica dhe u çon fjalë që ta lirojnë urën. Sapo dëgjojnë emrin e Mehmetit, pa një pa dy, ikin të gjithë. Shaban Polluzha me bashkëluftëtarë hyn në Çiçavicë dhe fshati ynë mbushet me partizanë. Ishte koha e darkës, kur në lagjen tjetër u dëgjua një rafal armësh. Nuk dihej se çfarë ndodhi. Më vonë u kuptua se ishte vrarë një serb në bunker.. .
Pas Gjermanisë, erdhi pushteti i ri. Çfarë mund të na thoni për të?
Beqir Hajrizi:
Pushteti i Serbisë, prapë.
A shpresohej se do të ishte më mirë dhe nuk do të ishte si ai i para luftës?
Beqir Hajrizi:
Nuk ishte gjë më i butë se ai i kohës së krajlit, por vetëm më i fshehtë. Vrasjet vazhduan edhe në fshatin tonë.
Diku 15 vjet më vonë, vëllai juaj, Zeqiri, bie në burg. A kishit njohuri ju për angazhimin e tij në një organizatë ilegale dhe që po merrej me aktivitete kundër shtetit jugosllav?
Beqir Hajrizi:
Zeqiri ka rënë në burg bashkë me një djalë të dajës sonë, Banush Ademin. Ai s’ka treguar asgjë në familje për ato angazhime. Megjithatë, unë mora vesh diçka nëpërmjet dajës, Banushit. Në një rast, ishim me të te Ura e Vragolisë dhe tanket e ushtrisë po shkonin drejt Aeroportit të sotëm. Ne po prisnim derisa të kalojnë. Ai mendonte se unë dija diçka. Tha: “Nuk po guxojnë me ia nisë, se fort mirë e dinë çka jemi duke bërë”. I thashë: “Banush, mua më tregove diçka, por atë ditë që do të marrin vesh, ke me u burgosë”. “Jo, s’guxojnë me ia nisë”, tha. Ishte i bindur për këtë. Pas një kohe, në janar të vitit 1961, Banushi, Zeqiri, dhe tre veta të tjerë nga Strofci, ndër ta edhe baca Zenel, arrestohen dhe burgosen. Ata ishin të organizuar bashkë me Kadri Halimin, Ali Aliun, Ramadan Hoxhën etj., në një organizatë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Si ndodhi arrestimi i Zeqirit?
Beqir Hajrizi:
Atë ditë Zeqiri ishte në Prishtinë, së bashku me bacën Zenel. Në shtëpi kishin ardhur dy udbashë dhe një bashkëpunëtor i tyre nga fshati. E kishin kërkuar Zeqirin, por nuk e kishin gjetur. Me ndihmën e këtij bashkëpunëtorit e kishin takuar rrugës duke ardhur nga Fushë-Kosova dhe e kishin arrestuar.
Çfarë bëtë ju si familje?
Beqir Hajrizi:
Shkova në stacionin e policisë në Fushë-Kosovë. Aty ishte edhe një polic, të cilin e njihja. Erdhi komandanti, ndërsa polici i tregoi se për çfarë kisha shkuar. “Edhe ky i njëjtë është”, ia ktheu komandanti duke bërtitur. Megjithatë, na njoftoi se Zeqiri nuk gjendej aty, por e kishin dërguar në Prishtinë. Pas nja tre muajve, e arrestuan edhe kushëririn, Zenel Hajrizin.
Shkova disa herë në Prishtinë për ta takuar Zeqirin. Një ditë më orientuan, thanë shko në katin e tretë, zyra numër 34. Trokita në derë, nuk doli askush. Pas disa çastesh, doli një zyrtar nga një tjetër zyrë. Më mori brenda. Më pyeti se për çfarë kisha ardhur. Pas pak, me rrapëllimë erdhi udhëheqësi kryesor. Më pyeti kush të solli në këtë zyrë. I tregova. Iu drejtua tjetrit: “Përse e ke marrë në zyrë? Ky është drejtuar te unë dhe askush nuk guxon ta marrë prej aty”. Paraqitej kishe njeri i mirë. Më tregoi se çfarë mund të sillja nga shtëpia për Zeqirin.
Sa herë e keni vizituar në burg?
Beqir Hajrizi:
Disa herë. Një nga këto vizita, qëlloi të jetë natë Bajrami. Sipas traditës, nëna kishte përgatitur hallvë. Së bashku me një dajë dhe bacën Brahim, vëllanë e Zenelit, shkuam ta vizitojmë. Na thanë që nuk është këtu dhe mos prisni kot. E kishin çuar në burgun e Podujevës. Në atë moment po kalonte një serb duke ecur me shpejtësi. “Edhe këtë e patëm mangut”, thashë. Daja iu vu pas për ta pyetur. Ai iu kthye me rreptësi: “Ik, ik tutje”.
Si dukej me shëndet Zeqiri gjatë këtyre vizitave, çfarë thoshte ai për burgun, për trajtimin?
Beqir Hajrizi:
Ka qenë shumë keq. Kur na u lejua ta vizitojmë për herë të parë me nënën, mezi mbahej në këmbë. Polici e solli për krahu te vendi ku duhej të bisedonim. Në një moment më shikoi polici në sy, duke ma bërë me shenjë “që ta ndërpresim takimin”, sepse e vuri re që Zeqiri s’mund të rrinte në këmbë, aq keq ishte. Unë ia ktheva po ashtu me shenjë që ta ndërpresim, sepse nuk doja që të rrëzohej para nënës. Zeqa ka hequr shumë.
Çfarë mund të na thoni për kushëririn tuaj, Zenel Hajrizin?
Beqir Hajrizi:
Zeneli ka lënë shumë vepra të mira pas vetes. Ishte atdhetar i madh dhe burrë i vendosur. E kanë respektuar gjithë populli i asaj ane dhe vlerësohej shumë nga shokët e vet, Kadri Halimi, Ali Aliu etj.
RËNIA E NASERIT DHE BETIMI PARA VARRIT TË TIJ
Varrimi i Naserit u bë më 4 prill. Pushteti nuk lejonte më shumë se katër veta në përcjellje të kufomës. Ne ishim në një kamion të mbuluar, plot njerëz. Afër Gjykatës së Qarkut na ndaloi policia dhe i zbriti njerëzit, të cilët vazhduan këmbë drejt varrezave edhe me të tjerë. Pas varrimit, të gjithë pjesëmarrësit u betuam para varrit të Naserit
Do të kthehemi pak në jetën tuaj private. Disa vite pas martesës nuk keni pasur fëmijë. Pas një periudhe, u lind djali juaj i parë, Naseri. Si e përjetuat këtë lindje?
Beqir Hajrizi:
Lindja e Naserit ishte gëzim i madh, i madh për gjithë familjen, sepse lindi pas 12 vjet martese.
Si e kujtoni Naserin si fëmijë?
Beqir Hajrizi:
Naseri ishte djalë i mençur. I kuptonte thellë gjërat, të cilat ishin edhe përtej moshës së tij. Në vitin 1979, u burgosën për herë të parë vëllai Mehmeti (Hajrizi) dhe Gani Sylaj, por unë nuk kam ditur gjë. Kam shkuar në punë, ndërkohë ka ardhur Naseri dhe me ka njoftuar për arrestimet.
Kur filloi të merrej Naseri me veprimtari ilegale, a dije ti gjë për këtë?
Beqir Hajrizi:
Unë nuk e dija, por disa shenja dukeshin. Recitonte poezi dhe këndonte këngë, të cilat në atë kohë ishin të ndaluara. Lexonte libra të fshehtë dhe takohej natën me shokë. Ishin shokë të ngushtë me Asllan Pirevën, me të cilin ishin të pandashëm.
Kur e kuptuat ju se ai po merrej me aktivitete?
Beqir Hajrizi:
Unë e kuptova nga Asllani dhe nga një profesor i tij. Shkova në një rast në shkollën e tij dhe takova profesorin, emri i të cilin nuk mëkujtohet. Më tha: “Naseri i ka dy shokë. Po të shihet njëri nga të tre në korridor, dihet që shumë shpejt do të dalin edhe dy të tjerët”.. .
Marsi dhe fillimprilli i vitit 1981 u shoqëruan me demonstrata të mëdha të shqiptarëve kundër Jugosllavisë. Çfarë mund të na thoni për demonstratën e 2 prillit, ditën kur u vra edhe djali juaj, Naseri? Në këtë demonstratë morët pjesë dhe ju?
Beqir Hajrizi:
Po. Unë fillimisht atë ditë isha në punë. Janë dëgjuar krismat dhe kam dalë me një shok timin, Jasharin nga Padalishta. “Dikë e vranë”, i thashë. Kemi dalë të Xhamia.. . Policia hodhi gaz lotsjellës. Jam takuar me vëllain, Tahirin. Po ecnim rrugës “Ramiz Sadiku”, kur erdhi një tank dhe u kthye mbrapsht në drejtim të Fakultetit Teknik. Aty gjendej një pllakë e madhe. Një grumbull fëmijësh të vegjël, filluan ta gjuajnë tankun me gurë. Jemi kthyer. Kur kemi dalë më poshtë.. . , i kemi takuar edhe dy vëllezërit tjerë, Mehmetin dhe Zeqirin, si dhe kushëririn Qamilin, të birin e Zenelit, tash edhe ai babë dëshmori. Te Shkolla Teknike kishte mbetur një makinë ushtarake. Disa fëmijë mundoheshin ta digjnin, por nuk mundeshin. Shkoi Qamili dhe ia vuri flakën. Po shkoja përpjetë drejt Gërmisë. Kur kalova afër shtëpisë së Fadil Hoxhës, erdhi një tank, duke gjuajtur pa ndalë. Hyra me shpejtësi në një sokak. Shpëtova. Erdha në shtëpi në mbrëmje. Naseri s’kishte ardhur. Mendova, ose e kishin arrestuar, ose vrarë. Pritëm gjithë natën, por nuk erdhi. Të nesërmen shkova në spital. Nuk mora vesh asgjë. Naseri s’kishte asnjë dokument me vete atë ditë. U ktheva në shtëpi. U nisa prapë për në spital, së bashku me vëllezërit, Zeqirin dhe Mehmetin. Shikuam listën, nuk gjetëm gjë, as te gardëroba nuk ishin veshjet e tij. Vendosëm të shohim ku gjenden kufomat. Hymë në morg me shumë vështirësi. Unë nuk arrita ta gjej. Erdhi edhe Mehmeti. Bashkë e gjetëm kufomën e Naserit. Dy policë rrinin në derë, njëri shqiptar, ndërsa tjetri serb. “A ka nënë?”, na pyeti polici shqiptar. “Jo, këta që janë vrarë, i kanë bërë pelat, nuk kanë nëna”, ia ktheva. Nuk foli më. Dolëm nga spitali. Pas dhjetë metrash u përballëm me policët. Na i drejtuan pushkët. “Ndal”, na thanë serbisht. “Në shtëpi do të ndalemi”, ua ktheva. “A ke armë?”, më pyetën. “Jo”, thashë. “A ke në shtëpi?”, vazhdoi njëri. “Eja atje dhe do të shohësh”, ia ktheva. Mehmeti rrugës më tha të mos hyj në fjalë me ta. Vazhduam tutje deri te vendi im i punës, morëm një makinë, një arkivol dhe u nisëm për spital bashkë me Zeqirin, kurse Mehmeti duhej ta njoftonte familjen, para se të arrinte kufoma atje. Erdhi një makinë policore plot me policë. Zbriti njëri prej tyre dhe filloi të na pyet se pse kishim ardhur. Thashë, të kam treguar disa herë. Drejtorin e sipërmarrjes ku unë punoja, e kishte shok. Iu kishte ngërmuar pse ma kishte dhënë makinën. Drejtori i kishte thënë se “është punëtor yni”. Pas disa vitesh kam dëgjuar se ky polic kishte vdekur në një ndeshje komunikacioni.
Kur dhe si u bë varrimi i Naserit?
Beqir Hajrizi:
Varrimi u bë më 4 prill. Pushteti nuk lejonte më shumë se katër veta në përcjellje të kufomës. Ne ishim në një kamion të mbuluar, plot njerëz. Afër Gjykatës së Qarkut na ndaloi policia dhe i zbriti njerëzit, të cilët vazhduan këmbë drejt varrezave edhe me të tjerë. Njëri nga policët iu ngërmua hoxhës: “Ku po shkon ti?” Hoxha ia ktheu: “Po shkoj ta kryej detyrën time”.
A ndodhi ndonjë ngjarje tjetër gjatë ceremonisë së varrimit?
Beqir Hajrizi:
Pas varrimit, të gjithë pjesëmarrësit u betuam para varrit të Naserit.
Kush e lexoi tekstin e betimit?
Beqir Hajrizi:
Mehmeti e lexoi…
Pas varrimit, a patët telashe me UDB-në, me pushtetin? A erdhën në shtëpinë tuaj?
Beqir Hajrizi
: Erdhën gjatë ngushëllimeve. Ishin dy shqiptarë. Dola. Më pyetën nëse është dikush brenda. Oda ishte plot njerëz, se vinin radhët pa mbarim. Nuk hynë brenda. Më thanë, “kur do të vishë të paraqitesh në organet e sigurimit?”. Thashë, “sa di unë, ju nuk i pyesni njerëzit se kur duan të paraqiten”. “Ty po ta lëmë në dorë, kur të duash vetë”, ma kthyen. Unë nuk shkova. Pas disa ditësh erdhën prapë dhe më thanë se duhet të paraqitem patjetër. Shkova të hënën që vinte. Në zyrë ishte edhe një serb. Atë e nxori jashtë dhe mbeti vetëm zyrtari shqiptar. I thashë: “Po e hapi bisedën para se ta fillosh ti. Për dy gjëra nuk dua të më pyesni asnjëherë: se kë e ka pasur shok dhe kush ishte për ngushëllime, sepse për këto dy çështje nuk do të merrni përgjigje nga unë”. Mirë, tha. Më pyeti nëse kam pasur ndonjë problem me ndokënd. Thashë “po”. Tha “me kë”? Thashë “me ty”. Tha, “duhet të dish kush ta ka vrarë djalin”. Thashë “unë e di, por ti e di edhe më mirë”. “Nuk po më beson hiç”, më tha. Unë ia ktheva: “Asaj karrigeje ku ti je ulur, nuk i besoj asnjëherë”. Tha “s’më the asgjë për të shkruar”. Thashë: “Unë s’kam ardhur këtu të shkruaj revista, por më ke thirrur ti”. Më bëri edhe disa pyetje por nuk nxori gjë. Më pas, e kam takuar dy-tre herë te dera e tregut në Prishtinë. E ngrinte dorën dhe më përshëndeste.
Si quhej?
Beqir Hajrizi:
Nuk më kujtohet emri i tij.
Disa muaj më vonë, për shkak të angazhimeve në aktivitete ilegale kundër Jugosllavisë, arrestohen edhe dy anëtarë të familjes: vëllai juaj, Mehmeti dhe nipi, Jahiri. Si e përjetuat këtë rast, vetëm pak kohë pas humbjes së djalit?
Beqir Hajrizi:
Ishte një goditje e madhe për familjen tonë. Gjendja u rëndua edhe më shumë.
Si ndodhi arrestimi i tyre?
Beqir Hajrizi:
Kah fundi i atij viti, erdhën policët në shtëpi, por nuk e gjetën Mehmetin. Baba zhvilloi një diskutim të ashpër me njërin prej tyre. Kishte qenë shumë i poshtër. Më 18 dhjetor 1981, Mehmetin e arrestuan në shkollën e fshatit Grashticë, në të cilën për disa vite me radhë po jepte mësim. E nxorën nga ora mësimore. Më kujtohet që në të njëjtën ditë, Radiotelevizioni shqiptar njoftoi për rastin e Mehmet Shehut në Tiranë. Jahirin, ndërkaq, e arrestuan më 1 shkurt të vitit 1982. Mehmetin e kishin arrestuar edhe njëherë tjetër në vitin 1979, por në mungesë të provave e kishin liruar, pas dy muaj hetimesh. Mendonim se kishte përfunduar me kaq, por nuk doli ashtu.
Kur i vizituat për herë të parë në burg?
Beqir Hajrizi:
Nuk më kujtohet saktë, por e di që fillimisht i mbanin në Prishtinë. Më pas i dërguan në Prizren, diku pas 6-7 muajsh. Atje i mbajtën edhe një vit. Shkuam për vizitë. Na thanë “nuk janë këtu, nuk e dimë ku i kanë çuar”. Vazhdova të interesohem nëpër gjyqe, por nuk dinte askush asgjë, ose nuk donin të jepnin informacione. Ndërkohë, u kuptua që i kishin dërguar në burgun e Novi Sadit. Unë, vëllai Bahtiri dhe gruaja Mehmetit, Haxherja, me fëmijë, u nisëm me tren për vizitë. Ishte kallaballëk i madh. Fëmijët ishin të vegjël dhe i zuri gjumi në kabinë. “Nuk është vend për të fjetur ky”, tha me nervozë një udhëtar. “Lëri, se fëmijë janë”, ia ktheu një tjetër. Më pas, e ndezi edhe një cigare. Dikur e zuri gjumi. Ishte natë. Pak përtej Mitrovicës, ishte një stacion i vogël. Treni u ndal dhe këtij nevrikut i doli gjumi. “Çfarë stacioni është ky?”, pyeti. “I Kralevës”, i thashë. Me nguti e mori valixhen dhe doli. Treni u nis. “Shumë mirë ia ktheve”, më tha bashkudhëtari tjetër. Duhet të ketë pritur nja gjashtë orë, deri në trenin e radhës. Arritëm në Novi Sad. Morëm një taksi dhe vazhduam drejt burgut. I takuam ndarazi Mehmetin dhe Jahirin. Vizita zgjati rreth 15 minuta.
Në këto rrethana, juve ju bie edhe përgjegjësia e përkujdesjes së familjes. Sa ishte e vështirë kjo?
Beqir Hajrizi:
Ishte situatë e rëndë. Me gjithë vështirësitë e shumta, ia dilnim.
Si e përjetuan burgosjen e tyre prindërit tuaj?
Beqir Hajrizi:
Me gjithë dhimbjen, ata ndiheshin krenarë. Fjalët miradije që fliteshin për Mehmetin dhe Jahirin nga shokët dhe bashkëveprimtarët e tyre, ishin melhem për zemrën e tyre.
Ndër vizitat e shokëve e bashkëveprimtarëve të Naserit, Mehmetit, Jahirit, ishin edhe ato të Rexhep Malajt e Nuhi Berishës. Çfarë kujtimesh keni nga këto vizita?
Beqir Hajrizi: Rexhepi më pak, por Nuhiu ka ardhur shumë herë në shtëpinë tonë. Rexhepi ishte takuar disa herë me Zeqirin, duke i sjellë materiale për t’i shpërndarë. Nuhiu druhej se mund të ishte i gjurmuar dhe më pyeste për mundësitë e daljes nga shtëpia, në rast se vinte policia. Edhe unë druhesha se mund të ndodhte ndonjë gjë e tillë, ashtu edhe siç u ndodhi në Kodrën e Trimave. Ishte djalë shumë i vendosur dhe trim.

A keni ndonjë kujtim apo dhuratë nga Nuhiu?
Beqir Hajrizi:
E kam një brisk të tij, të cilin e ruaj si të shenjtë. E kishte harruar në një nga vizitat.
Ngjarjet rrodhën dhe erdhi lufta. Si e përjetuat luftën e UÇK-së?
Beqir Hajrizi:
Ishte e pritur. Dihej se nuk kishte tjetër rrugë.
Naseri është dekoruar me Medaljen e Artë të Lirisë. Ju keni qenë në këtë ceremoni. Si u ndjetë?
Beqir Hajrizi:
Ishte emocionuese, sepse vepra e tij, sikurse e shumë dëshmorëve të tjerë, po vlerësohej dhe çmohej nga shteti.
Bashkimi i Kosovës dhe i të gjithë trojeve shqiptare me Shqipërinë është kauza për të cilën djali juaj ka dhënë jetën. A mendoni se do të arrihet kjo ndonjëherë?
Beqir Hajrizi: Po, sigurisht. Gjithherë, bashkimi bën fuqinë. (Fund)
RRËFIMI I NËNË FATIMES
Nëna Fatime, a të kujtohet si e ke përjetuar lindjen e Naserit?
Fatime Hajrizi:
Po, jam gëzuar shumë. Ishte djalë i shëndoshë. U bë shumë i dashur për të gjithë. Askush nuk di ndonjë fjalë të keqe nga ai.
Kur filloi të merrej Naseri me aktivitete ilegale?
Fatime Hajrizi
: Nuk e di saktë, por frikësohesha shumë për të. Kur e lusja që të mos dilte në demonstrata, më thoshte: “Jo moj nënë, ua kam dhënë besën shokëve dhe do të dalë. Bile, është mirë të dalësh edhe ti, si shumë gra të tjera”.
A mund të na e kujtoni 2 prillin 1981? Naseri kishte marrë pjesë edhe në demonstratat paraprake, më 26 mars dhe 1 prill.
Fatime Hajrizi:
Po. Ishte ditë e enjte. U zgjua në mëngjes, u vesh dhe u mbath. Mëngjesin e hëngri në këmbë, pa u ulur, si duke kënduar. E luta të mos dilte. Nuk e mori parasysh lutjen time. Më 1 prill kishte mbathur këpucë, ndërsa atë ditë mbathi atlete. “Për të vrapuar më lehtë”, mu përgjigj në pyetjen se pse nuk po i mbathte këpucët. E kam përcjellë deri te dyert e oborrit. Më përqafoi dhe u nis. Kam dalë në ballkon të shtëpisë dhe kam qëndruar gjatë gjithë kohës. Dëgjohej kënga e normalistëve tek dilnin nga shkolla dhe i bashkoheshin demonstratës. Këndonin për Kosovën Republikë. U dëgjuan deri poshtë te Shtëpia e Mallrave. Kur kanë arritur aty, i kam parë policët. Isha me vajzën, Mihrijen. Vajza e madhe, Sadija, kishte dalë në demonstratë. “Tash do t’i vrasin”, kam bërtitur. Nuk ka vonuar shumë dhe janë dëgjuar krismat e pushkëve. Ishin vrarë Naseri bashkë me Asllanin.
Kur e morët vesh lajmin për vrasjen e Naserit, kush ju tregoi?
Fatime Hajrizi:
Atë natë nuk ditëm gjë. Unë e lashë derën hapur dhe i rregullova shtratin. Herët në mëngjes shkova në dhomën e tij. Nuk kishte ardhur. U mërzita shumë. E morëm me mend se çfarë mund të kishte ndodhur. Gjatë ditës erdhën pesë profesorë të tij. Bujari, djali ynë i vogël, ishte pesëvjeçar. Erdhi dhe më tregoi. Dola. Katër prej tyre qëndruan më larg, ndërsa njëri u afrua te shkallët. Ishte Zenun Gjocaj. Më pyeti, “si je oj loke?”. Thashë, “Naseri ka dalë dhe nuk dimë gjë për të”. “Është i plagosur dhe gjendet në spital”, më tha. E pyeta, “a është gjallë?”. “Po, po, i plagosur është”. Kaq më tha dhe shkoi. U bë britmë e madhe. Beqiri dhe vëllezërit e tij ishin mbledhur në shtëpinë e Mehmetit. Vajza e madhe, Sadija, shkoi dhe u tregoi për atë që tha profesori. Më pas, shkuan dhe e nxorën kufomën nga spitali. Mua ende nuk ma kishin dhënë lajmin. Më vonë erdhi Mehmeti. Po thoshte se ka shumë të plagosur e të vrarë, por ende nuk dihej saktë për Naserin. Më vonë tha “sido që të jetë duhet të bëhemi të fortë”. E dita që është vrarë. U mundua të më mbante brenda dhe të mos dilja. Në ato momente hyri makina në oborr. Hyri Bujari dhe mu drejtua: “Nënë, e sollën Naserin, e ti ke mbetur brenda”. U ngrita me shpejtësi. Mehmeti u mundua të më ndalojë. Dola në oborr. U bë gjëmë e madhe. U futën në shtëpi. Iu afrova, e shikova. Ishte i nxirë nga gjaku. Plumbi i kishte rënë në kokë dhe i kishte dalë në anën tjetër.
Çfarë mund të na thoni për Nuhi Berishën?
Fatime Hajrizi:
Unë kam ndejt dhe biseduar shumë herë me të. Vinte shpesh te ne. Zakonisht vinte vonë dhe kërkonte t’i fiknim dritat e oborrit. Thoshte e kam emrin Nazmi. Vetëm pas vrasjes së tij, ia kam mësuar emrin e vërtetë. Ishte djalë shumë i pashëm. Herën e parë, ka ardhur me një grumbull gazetash, në të cilat shkruhej për Naserin dhe rënien e tij. Ishim ulur me Beqirin në ballkon, kur erdhi. E solli djali i Bahtirit, Besimi. “A jeni ju prindërit e Naserit?”, na pyeti dhe na përqafoi. U ul midis nesh. Na i dha gazetat. “A ke qenë ndonjëherë te varri i Naserit?”, më pyeti. “Jo”, i thashë. “Mehmeti dhe Jahiri më patën premtuar, por u burgosën. Beqa nuk më dërgon se mendon që ligështohem”. Ishin bërë tre vite nga rënia e tij dhe unë nuk kisha qenë asnjëherë te varri i djalit tim. “Unë do ta çoj në vend fjalën e bacës Mehmet. Do të të dërgoj, por do të ma japësh fjalën se nuk do të qash”, më tha. I premtova se nuk do të qaja. Erdhi edhe disa herë të tjera. “Bëhu gati se do të shkojmë te varri i Naserit”, më tha në një prej vizitave. Ishte ditë e shtunë. E mora vajzën e madhe dhe u nisëm me makinë, të cilën e ngiste një njeri, i panjohur për mua. Më vonë e kemi kuptuar se ishte vëllai i Kadri Zekës, Taipi. Sa njeri i mirë ishte! Rrugës takuam Beqirin dhe Bahtirin. Kishin dalë për të blerë diçka, sepse do të shkonin për vizitë në burg te Mehmeti dhe Jahiri. E ndali makinën. Beqa erdhi me ne. Shkuam te varri. Unë e mbajta premtimin, nuk qava. Më pas, ka ardhur edhe disa herë të tjera. Në një rast kërkoi t’i shihte fëmijët e Mehmetit. Po të njëjtën ditë, i kishte rënë në divan brisku me dy çelësa. Fillova të qaj. “Nënë, ia jep herën tjetër kur të vijë”, më thanë vajzat. Por, ai më nuk erdhi. Kishte rënë heroikisht duke luftuar, së bashku me Rexhep Malajn, gjatë një rrethimi nga forcat jugosllave. E kam vizituar shpesh familjen e tij. Nëna i kishte vdekur kur ishte katër vjeç. Kur kishte ardhur për herë të parë për vizitë babai i tij, kam dashur t’ia jap briskun, por nuk e mori. “Ta kesh kujtim”, më tha. Edhe sot e mbaj afër orës dhe çiftelisë së Naserit, të varur në mur. Naseri e kishte punuar në dru stemën e Shqipërisë, të cilën ma kishte dhuruar. Më vonë e kanë marrë dhe e kanë dërguar në Shqipëri. Ishte punim shumë i mirë. Thonë se ruhet diku në arkivat e Shqipërisë.
Tetëmbëdhjetë vjet pas rënies së djalit tuaj të madh, djali i vogël, Bujari, iu bashkëngjit radhëve të UÇK-së. Si e përjetuat këtë rast?
Fatime Hajrizi:
Në vitin 1999, si shumë shqiptarë të tjerë, edhe neve na nxorën nga shtëpia dhe na dërguan në Maqedoni. Unë nuk e dija që Bujari ishte në UÇK. Nuk më tregonin. Frikësohesha shumë, sepse nuk doja që të më vritej edhe ky. Pas disa ditësh, më thirri në telefon. Tha se jam në një shtëpi, i strehuar. Nuk më tregoi as ky që kishte hyrë në radhët e UÇK-së. U qetësova disi. Pas përfundimit të luftës, u kthye në shtëpi, disa ditë pas nesh. Ishte në uniformë të UÇK-së. Më shpërtheu vaji. U emocionova shumë.

Intervistoi: Musli Krasniqi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura