RRËNJËT HISTORIKE TË KRYEFETSËS SONË KOMBËTARE

Gëzuar 28 Nëntorin 1443 – 1912 🇦🇱

RRËNJËT HISTORIKE TË KRYEFETSËS SONË KOMBËTARE

Nga Sheradin Berisha

Jemi në prag të dy festave mbarëkombëtare:

1]. 28 Nëntorit 1443, kur Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ngriti Flamurin arbëror në Krujë dhe

2]. 28 Nëntorit 1912, kur Kuvendi mbarëkombëtar në Vlorë shpalli Shqipërinë e pavarur në kufijtë e saj etnikë, prej 121.329 km².

I. DITA E FLAMURIT

      583 vjet më parë, më 28 nëntor 1443, Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në prani të popullit krutan (arbërve të Krujës), ngriti flamurin e Lirisë (atë të Kastriotëve) mbi muret e Kështjellës së Krujës. Sipas të dhënave shkrimore të Marin Barletit, Skënderbeu me këtë rast iu drejtua krutanëve me fjalët lapidare: “Armët nuk ua solla unë, por ju gjeta të armatosur! Lirinë e pashë se e keni kudo: në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat tuaja.”

      Rrjedhimisht, 28 Nëntori 1443 është Dita e Flamurit tonë kombëtar.

      II. DITA E PAVARËSISË

      469 vjet më vonë, saktësisht më 28 nëntor 1912, në Kuvendin mbarëkombëtar të Vlorës, delegatët e Katër Vilajeteve Shqiptare (Vilajetit të Kosovës, të Manastirit, të Janinës dhe të Shkodrës) shpallën Pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë e saj etnikë, prej 121.329 km².

      Në këtë ditë historike, Kryetari i Kuvendit, Ismail Bej Vlora (Qemali), për ta madhështuar këtë akt të pavarësisë, ngriti në ballkonin e shtëpisë ku u mbajt Kuvendi Flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si simbol kombëtar të shqiptarëve.

      Dhe në këtë drejtim, pa asnjë ngatërrim: 28 Nëntori 1912 është Dita e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë e saj etnikë, e jo Dita e Flamurit!

      III. KATËR VILAJETET SHQIPTARE NË PRAG TË SHPALLJES SË PAVARËSISË (MË 28.11.1912)

      Sipas vjetarit statistikor të Ministrisë së Financave të Perandorisë Osmane, gjendja demografike e vilajeteve shqiptare për vitet 1910–1911 paraqitet kështu:

      1.Vilajeti i Shkodrës kishte një sipërfaqe prej 12.991 km² dhe 233.965 banorë. Dendësia e popullsisë ishte 18 banorë për km².

      2.Vilajeti i Kosovës kishte një sipërfaqe prej 44.192 km² dhe 1.243.501 banorë. Dendësia e popullsisë ishte 28 banorë për km².

      3.Vilajeti i Manastirit kishte një sipërfaqe prej 44.136 km² dhe 880.000 banorë. Dendësia e popullsisë ishte 20 banorë për km².

      4.Vilajeti i Janinës kishte një sipërfaqe prej 20.000 km² dhe 537.199 banorë. Dendësia e popullsisë ishte 27 banorë për km².

      Kosova dhe Janina hynin në vilajetet me dendësi të madhe popullsie në Perandorinë Osmane. Ndërsa të gjitha vilajetet shqiptare së bashku kishin një sipërfaqe prej 121.319 km² dhe një popullsi prej 2.894.719 banorësh.

      Nga kjo shifër duhet zbritur një përqindje e popullsive me përkatësi të tjera etnike. Por është e sigurt se shqiptarët e kalonin shifrën e 2 milionëve. (Burimi: Hasan Bello – “Sa ishte sipërfaqja dhe popullsia e vilajeteve shqiptare në vitet 1910–1911?”)

      IV. KRYEFESTA JONË KOMBËTARE

      Në çdo nëntor, shqiptarët në gjeografinë etnike dhe kudo në botë, trupin, shpirtin dhe mendjen e kanë të përqendruar te Kryefesta Kombëtare – atje ku ka filluar numërimi i këtyre 114 viteve, më 28 nëntor 1912, në këtë ditë pikënisjeje për Pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë e saj etnikë, prej 121.329 km².

      E quaj pikënisje për pavarësi për faktin se nuk u bë Shqipëria e 28 Nëntorit 1912! Ajo u copëtua në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në korrik të vitit 1913, duke u njohur një Shqipëri e gjymtuar prej vetëm 28.748 km². Prandaj, duhet të punojmë për Shqipërinë e 28 Nëntorit 1912!

      GËZUAR! 🇦🇱🤝🇦🇱

      ───

      P.S. Në Kosovë, më datën 28 nëntor shënohen edhe dy ngjarje të tjera të rëndësishme:

      (1) ditëlindja e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, dhe

      (2) dalja e parë publike e UÇK-së në varrimin e mësuesit Halit Geci, në fshatin Llaushë të Skenderajt.

      Total
      0
      Shares
      Lini një Përgjigje

      Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

      Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

      Postime të Lidhura