RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE – VIDEO (V)

Flet Hydajet Hyseni

RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE – VIDEO (V)

Prishtinë | Datë: 7 qershor, 2015 |

JETA REXHA (INTERVISTUESJA), RINA KRASNIQI (KAMERA)

Jeta Rexha:  Mas burgut, çka keni ba?

Hydajet Hyseni: Erdhi një kohë kur n’burg ne ishim edhe me t’burgosur tjerë, edhe t’kombësive tjera. Ka qenë ni periudhë kur kjo ishte tmerr në vete. T’burgosurit thonë, janë ma zi se burgu. Janë e keqe ma e madhe se vet burgu. Dhe shpesh ata dërgoheshin që t’ishin të tillë. Që ta bënin t’pamundur burgun. Secili prej tyre ka rrëfime, se si lihej i vetëm n’shoqëri me dy, tri, pesë, 15 ordinerë, t’dënuar secili ma zi se tjetri, secili më i çoroditur se tjetri. Devijantë, me sëmundje t’ndryshme, dhe t’porositur që të të bënin t’pamundur jetën. Dhe shpesh, njerëzit detyroheshin të gjejnë nji mënyrë, qoftë edhe t’bëjnë një delikt t’vogël, që t’shkojnë në qeli, dhe atje t’jenë në beton e tjera, po s’paku t’jenë megjithate më t’sigurtë, dhe shpirtërisht ma t’qetë. Po kjo s’mund t’zgjaste gjithmonë, përsëri duhet t’ktheheshe atje. Ishte një tmerr i llojit të vet, dhe ka zgjatur shumë ky tmerr.

Po dikur ndodhën edhe do ndryshime në botë, ndodhën edhe ndryshime në hapësirën e ish-Jugosllavisë, edhe filloi edhe njifarë hapje, dhe na linin edhe me t’burgosur tjerë. Dhe ajo që dua t’theksoj, n’fillim kishte një urrejtje t’plotë ndaj nesh. Na konsideronin armiq, nacionalistë, irredentistë, me “izmat” më të zi na identifikonin. Shpesh, kjo na kushtonte edhe fizikisht. Sulme, provokime, e tjera. Po me kalimin e kohës, filluan edhe ata ta kuptojnë se ishin t’njejtën lëkurë, filluam edhe ne të komunikojmë me ta. Dhe duket sot e pabesueshme, erdhi ni kohë që t’burgosurit politikërespektoheshin prej shumicës dërrmuese t’burgosurve tjerë. Respektoheshin për shkak se reflektonin ndryshe, ishin unik mes vete, ishin më dinjitoz, ishin më t’pjekur, lexonin më shumë, ishin ma humanistë ndaj të tjerëve dhe i ndihmonin edhe të kombësive tjera ndonjëherë kur kishte nevojë, ishin ma korrektë ndaj tyre, dhe gradualisht filloi të ndryshohej opinioni i tyre për ne. Sa ni periudhë n’burgun e Nishit dhe n’burgjet e tjera… në burgun e Nishit ku kam qenë unë, ne arritëm të kemi gradualisht pothuajse respektin e shumicës dërrmuese të të burgosurve tjerë.

Madje edhe të një pjese të gardianëve. Kishte gardianë që lexonin, ishin njerëz të… ndryshe nga ata që ishin bisha t’vërteta. Dhe kur i shihnin këta duke lexuar vazhdimisht, i admironin. Dhe kur shkonin tek qelitë e tyre nuk e merrte pendrekun, vetëm pse nuk dëshironte ta sheh veten… si t’thushë, polic para këtij që lexonte, sepse edhe ai lexonte, bisedonin për librat, bisedonin për personazhet, e tjera. Dhe kur dilte n’shëtitore, dhe ai duhej të ruante t’mos flet njëri me tjetrin, ai mbyllte me qëllim atë dritaren, dhe i jepte shenjë shfrytëzojeni rastin, e tjera. Ishte edhe kjo anë, krahas atij tmerrit që kishin pjesa ma e madhe e gardianëve, që ishin t’porositur, ishin t’pashpirtë, xhelatë tamam. Dhe ishte kjo pjesa e t’burgosurve, që poashtu reflektonin pozitivisht. Sa në fund, kishim edhe greva e protesta t’përbashkëta, në t’cilat ndodhte që një i dënuar politik, me burg të randë politik, ishte krah për krahu, dhe ishte n’përballje me policinë e burgut, me autoritetet e burgut, krahas me një që kishte qenë polic dhe ishte burgosur për aksident n’komunikacion, e tjera. Dhe ishte tani n’barrikadë, bashkë me t’burgosurit, edhe me t’burgosurit politik, kundër autoriteteve. Duket si një skenë e sajuar… si t’thushë, romani ose filmi, por në t’vërtetë ishin në realitet.

Dhe ishte jo një realitet krejt i izoluar. Ka pasë shkruar atëhere “Politika e Ilustruar”… jo “Politika e Ilustruar”m’falni, po “Ekspres Politika”. Ka qenë nji gazetë, “Ekspres Politika”. Ka pasë bërë edhe një intervistë me mua, dhe na akuzonin, shkruante, “Irredente ne miruje”, “Irredenta nuk qetësohet, nuk rri urtë.” Dhe teksti ishte se Irredenta ka organizuar edhe grevën dhe protestën e madhe në Deligrad. Deligrad quhej punëtoria e burgut, që kishte rreth dy mijë t’burgosur, që ishin punëtorë, që ishte taman  ni kapacitet… si të thushë, industrial. Sepse punohej në shumë reparte industriale. Dhe organizimi i një greve që ishte bërë edhe me ndikimin tonë të tërthortë, po na atribuohej si vepër armiqësore, si vazhdimësi e veprimtarisë armiqësore, edhe në Nishë, edhe me të burgosur.

Dhe atëherë kur më patën thirrë autoritetet në burg dhe më pyesnin, “Ju e keni organizuar!” dhe më akuzonin edhe mua drejtpërdrejtë, përgjigja ime ka pasë qenë që, “Kjo është komplimenti ma i madh që i bëhet një t’burgosuri politik, dhe që mund t’më bëhet mua n’këtë rast. Unë vetëm po druaj mos nuk është e vërtetë krejt, dhe mos po na nderoni tepër me këto që po thoni!” Ishte pak edhe ironi, por e vërteta ishte edhe ashtu. Nuk ishte krejtësisht e jona. Po ishte edhe fakti që ne kishim ndërtuar raporte të mira edhe me të burgosur tjerë, jo-politik, shqiptarë. Dhe nëpërmjet tyre kishim arritur edhe t’lehtësonim… si t’thushë, ndikimin edhe tek t’burgosurit tjerë. Kishte aty edhe serbë e malazezë, po kishte boshnjakë, vllehë, që edhe ma lehtë… si të thushë, identifikoheshin e afroheshin me ne.

Kjo dikur edhe ka qenë arsyeja që krijoi bindjen se ma mirë është të kthehen në Kosovë, se sa të mbeten. Sepse do t’frikësoheshin se do t’përhapej e vërteta për ‘81-shën. Sepse ç’është e vërteta… si thonë, në çdo luftë, e para që vdes është e vërteta. Edhe n’luftën politike, edhe më shumë se sa n’luftën e armatosur, e vërteta vritet! Pas ngjarjeve të ‘81-shës, e para që qe vrarë, qe vrarë e vërteta për atë që kishte ndodhë në ‘81-shën. Dhe unë tek më vonë kam gjetur, kam lexuar, që ka pasur edhe intelektualë të shquar serbë, si Sergja Popoviç, që qysh atëherë, në ‘81-shën, ka ngritur zërin kundër asaj që po ndodhë në Kosovë.

Dhe kanë pasë guximin dhe vizionin që t’thonë që megjithatë është e drejtë ajo që kërkojnë shqiptarët. Dhe, me politikën ndaj Kosovës, dëmtohet jo vetëm Kosova, po dëmtohen Serbia edhe të tjerët. Është dëm që nuk ka pasë më shumë fuqi ky zë. Dhe nuk është e rastit! Pushtuesit janë edhe sundues të popujve të tyre. Prandaj ata i frikësohen t’vërtetës edhe ndaj të pushtuarëve, sepse e vërteta ndaj tyre mund t’i ngrehë në këmbë edhe t’sunduarit në vendet e tyre, te popujt e tyre. Prandaj edhe kanë bërë gjithçka për ta pamundësuar të vërtetën që të depërtoj atje. Unë madje jam i bindur që edhe sot e gjithë ditën, ne nuk kemi arritur ta themi t’vërtetën tonë para… edhe para qytetarëve serbë. Kur kemi arritur ta themi, efekti ka qenë befasues dhe pozitiv.

Kam dalë nga burgu në vitin ‘91. Në kohë ndryshimesh të mëdha! Ndryshimet që filluan i kemi pritur në burg. I kemi përcjellë, i kemi diskutuar, i kemi mirëpritur, falë edhe ndonji mirëkuptimi… si t’thushë, nga ndonji i burgosur, zakonisht jo-shqiptar, se ata i kishin mundësitë, kemi pasë siguruar edhe ndonji transistor që e kemi mbajtur fshehur në dhomat e burgut ku ishim. Dhe nëpërmjet tyre dëgjonim edhe lajme, informata, që jepnin radio stacionet. Po edhe Tiranën, që atëhere përsëri e ndiqnim me kujdes të veçantë. Dhe ato lajme i shpërndanim në…  i shkruanim në letra dhe i shpërndanim pastaj midis t’burgosurve nga pavijoni në pavijon. Natyrisht duke rrezikuar që edhe n’burg të dënoheshe, s’paku me qeli. Megjithëse ka pasur t’burgosur që janë dënuar me burg politik, Xhafer Shatri, Isa Kastrati, e disa të tjerë, janë dënuar pasi që kanë qenë t’dënuar, për shkak të veprimtarisë në burg. Ndonjiherë edhe propagandistike, ndonji libër që kanë lexuar, kanë shpërndarë, janë dënuar pastaj me vite të tjera t’burgut. Kështu që edhe ajo nuk përjashtohej.

Po i prisnim dhe i mirëprisnim. Dhe ishim të gatshëm të angazhoheshim në jetën pluraliste, të cilën e konsideronim si sukses dhe një shansë historike për ne që t’leganizonim veprimtarinë e deri atëhershme politike. Kështu edhe ndodhi. Pas daljes nga burgu, nji kohë kam pasë vendosur t’shikoj. Shumica e shokëve t’mi ishin të angazhuar në alternativën e atëhershme Lidhjen Demokratike të Kosovës, dhe n’forca tjera politike. Dhe ne ishim marrë vesh në burg që të angazhoheshim nëpër parti të ndryshme politike, por atje të funksiononimpastaj si njëfarë katalizatori që e ruan unitetin, që ruan balancin, që ruan orientimin kah synimet edhe imediate edhe afatgjata kombëtare, që ruan edhe frymën kombëtare, edhe moralin që i duhet një Lëvizje t’tillë politike. Dhe mendoj që, suma sumarum edhe ka funksionuar kështu. Kemi pritur më shumë. Edhe unë kam pritur më shumë. Ka mundur më shumë, po megjithate t’burgosurit politikë, me ndonjë përjashtim, megjithate janë dëshmuar si forcë kohezive, pozitive, paravajtëse, dhe e ndershme kryesisht.

Alternativa e padhunshme politike për mua atëherë dukej e përshtatshme për momentin, për konjukturën. Edhe lëvizja e ‘81-shës ka qenë e padhunshme politikisht. Edhe ‘68-ta, edhe lëvizjet e tjera, kryesisht kanë qenë t’padhunshme. Por nuk kanë qenë robë të konceptit t’padhunshëm. Nuk kanë qenë ni mos-dhunë kristiane: nëse të bjen shuplakë në njërën anë, ktheja tjetrën. Por kanë qenë më shumë respektim i porosisë së Sami Frashërit, “Ta kërkojmë me t’mirë, se e drejta mund të kërkohet me t’mirë. Po edhe pushkën ta kemi plot!” Ta kërkojmë me t’mirë, ta provojmë me t’mirë, t’shfrytëzojmë t’gjitha mundësitë që ofron rruga e padhunshme, po t’mos bëhemi robë t’saj. Dhe defekti i alternativës t’viteve ‘90 është pikërisht ky, që me strategjinë e padhunshme u teprua. Dhe thojnë, mënyra më e mirë për t’diskredituar diçka të drejtë, është ta çosh n’absurd. Ta kthesh n’absurd.

Është e vërtetë që strategjia e padhunshme politike e viteve të ‘90-ta, u kthye në një jo Lëvizje të padhunshme politike, siç thoshte Gandi e të tjerë… dhe Gandi thoshte, “Po të jetë puna të zgjedhë në mes qyqarllëkut dhe luftës, unë luftën zgjedhë!” Gandi nuk ishte sikur adventistët që s’duan të dëgjojnë për armën, për dhunë. Po ai besonte në potencialin e dhunës t’padhunshme, prandaj e shfrytëzonte maksimalisht, dhe është model i saj. Por ta kthesh në të kundërtën e saj, do të thotë ta pacifikosh dhe ta pasivizosh një lëvizje t’padhunshme politike. Mendoj që ky ishte gabimi që ishte, dhe që ishte vërejtur gjatë atyre viteve, dhe na kushtoi shumë. I kushtoi edhe Kosovës, dhe i kushtoi edhe vet Lëvizjes t’padhunshme politike.

Unë kam qenë për këtë të dytën: Lëvizje e padhunshme po, po aktive, edhe pasive, kombinim i tyre. Dhe institucionaliste. Ne bëmë Kuvendin, prandaj mendonim që duhej t’thirrë Kuvendin, edhe nësa na burgosnin. Dhe n’këtë kuptim ne patëm një mospajtim me udhëheqjen e LDK-së t’atëhershme. Unë isha nënkryetar i LDK-së, dhe kam pasë konsideratën, respektin edhe për drejtuesit tjerë. S’kemi pasë kurrë kurgja personale, por tek rruga që duhej t’ndiqnim kishim në këtë periushë edhe dallime. Ne bëmë zgjedhjet, dhe kishte një hezitim për t’thirrur Kuvendin. Madje kishte një qëndrim t’mos e thirrnim Kuvendin, prandaj ne kemi ofruar, “Po e thërrasim ne, dhe po e marrim ne përgjegjësinë. Nëse del keq, ne burgosemi, ne nashta edhe vritemi, po le t’ecë procesi përpara”. Dhe të tjerët le t’vazhdonin. Megjithate nuk u lejua.

Edhe Adem Demaçi pranoi të hynte në këtë lojë. Të hynte në Kuvend dhe të merrte ai përgjegjësinë, sepse atëherë e mori çmimin “Saharov” të Këshillit të Evropës, dhe kishte mundësi të angazhonte edhe europarlamentarë në këtë lojë. Kishte edhe premtime nga ata, “Nëse ju e thirrni Kuvendin, ne do t’vijmë!” Dhe për mendimin tim ishte rast shumë i mirë që ne të sfidonim n’këtë mënyrë me mos dhunën tonë, po edhe pasive, edhe aktive, edhe institucionale, gjithpërfshirëse. Taman gandiste!

Nuk u bë kjo, po për pasojë breza të tërë po iknin jashtë. Po dëbonin! Serbia po akomodohej mirë në Kosovë. Ajo ose dëshironte ni mos-dhunë të paefektshme, që filloi të bëhet në fund të viteve ‘90, ose ni aventurë tëarmatosur të cilën do ta thyente lehtë. Ne duhej t’mos ia jepnim asnjërën shansë, dhe mendoj që kemi bërë mirë që nuk kemi rënë në asnjërën prej këtyre dy grackave. Ne nuk e morëm, ose nuk e mbajtëm flamurin e Lëvizjes t’padhunshme politike, si paravajtëse, avancuese, dhe doli pastaj alternativa e Rinisë Studentore. Studentët e morën këtë nismë n’vitin ‘97. Dhe ne prapë aty patëm një ndarje. Lëvizja Studentore ishte e drejtë! Kërkonte shkollën, kishte një të drejtë elementare. Rrezikonte pak, po duhej t’rrezikonte. Prandaj ne u ndamë: ata që e kundërshtonin, dhe ata që përkrahnin.

Për më tepër ndodhi pastaj edhe një gjë që s’duhej të ndodhte. Alternativa e padhunshme ishte demokratike, dhe kishte letër të fortë të dimensionit demokratik. Po qenia demokratike duhej t’dëshmohej n’radhë t’parë në funksionimin demokratik, në konsistencën, në funksionimin demokratik. U degradua funksionimi demokratik! U kthye në njifarë formaliteti që kontrollohej, menaxhohej, dhe abuzohej nga një rreth i lidershipit. Vazhdimi i kësaj logjike e bënte edhe ma të rrezikshme atë paralizën që ishte imponuar nga pushteti. Prandaj edhe u krijuan t’gjitha rrethanat, po e përsëris, edhe sidomos funksionimi jo-demokratik në fund, imponimi i… edhe i udhëheqjeve, e tjera, sipas kuteve. Madje në një kontekst shumë problematik, kur nga Beogradi po ofrohej edhe ni lloj marrëveshje me Kosovën, por në suaza të Serbisë, me nji kthim të disa t’drejtave që ishin rrëmbyer. E Kosovës i ishin rrëmbyer atëherë praktikisht t’gjitha t’drejtat, ishin rrënuar të gjitha institucionet.

Dhe sipas asaj logjikës, kur fëmija kërkon djathin, merrjabukën, dhe ai harron djathin. Kosova kishte rrezik atëherë t’kënaqej me bukën që t’i kthehej, dhe kurrgjë ma tepër. Serbia atëherë jepte sheja se ishte e gatshme. Edhe Serbia zyrtare, edhe Serbia kuazi- opozitare, ishte e gatshme që t’hynte n’pazare me udhëheqjen e Kosovës. Po me një pjesë t’udhëheqjes të Kosovës. Me kushtin që zgjidhje të gjendej brenda Serbisë, me disa t’drejta ekonomike, arsimore, kulturore, e tjera. Po pa pavarësi e Republikë, dhe me kushtin që të hiqeshin prej tryeze qysh i quanin ata, irredentistët. Do të thotë përfaqësuesit, ose pjesëtarët e Lëvizjes atdhetare që kishte ardhë prej brezave të ndryshëm.

Kjo ishte arsyeja pse ne s’mund t’shkonim më bashkë. Ndodhi ndarja në Lidhjen Demokratike të Kosovës, dhe u formua Lëvizja e Bashkuar Demokratike, që synonte bashkimin e gjithë spektrit politik shqiptar. Dhe, në këtë kohë edhe të UÇK-së, sepse si pasojë e kësaj që thashë, trysnisë t’madhe të Beogradit dhe vazhdimësisë së Lëvizjes të fshehtë politike, me Lëvizjen Popullore të Kosovës, e tjera… Lëvizjes Popullore ma vonë, ishte ruajtur kjo linja e angazhimit atdhetar, edhe jashtë institucional. Prandaj edhe ishte nevoja e domosdoshme e bashkimit t’gjithë këtij potenciali, për të cilin LDK-ja nuk ishte e gatshme atëherë. Dhe kështu u imponua një rirreshtim, ripozicionim në Kosovë, që çoi pastaj edhe në Konferencën e Rambujesë. Megjithate gjërat lëvizën pozitivisht, dhe për mendimin tim pa këto zhvillime nuk do t’ishte ky ndryshim edhe i… dhe qëndrim i partnerëve ndërkombëtar, ose qendrave ndërkombëtare të vendosjes.

U sigurua një përfaqësim atëhere adekuat, që ishte një përfaqësim nga LDK, një përfaqësim nga LBD, dhe një përfaqësim nga UÇK-ja, me një rol që ne insistonim që t’respektohej, për nji pozicionim t’veçantë të UÇK-së, sepse UÇK-ja ishte atëherë forca më e merituar për ndryshimin që u bë, sepse ishin sakrificat ma t’mëdha. UÇK-ja ishte më e rrezikuara që të diskreditohej, dhe të goditej. Prandaj edhe duhej t’favorizuar. Kështu që ishte edhe marrëveshja që në konferencën e Rambujesë, me përfaqësimin e saj, pa UÇK-në t’mos kishte bisedime, dhe UÇK-ja të kishte udhëheqjen në delegacion, dhe UÇK-ja ta dërgonte përfaqësuesin edhe për t’udhëhequr qeverinë që mendonin ta krijonim. Ishte marrëveshja paraprake që kishim bërë, para se t’vendosnim të shkonim në Rambuje.

Me gjithë vërejtjet që kishim, rezervat që kishim, Konferenca e Rambujesë, megjithatë doli pozitive për Kosovën. Bëri kthesën edhe n’saje t’qëndresës që u manifestua në Konferencë, edhe pse kishte edhe anë që mund t’ishin t’abuzueshme edhe nga Serbia, dhe nga miqtë e saj. Ne ishim të vetëdijshëm për to, porishim t’bindur se kjo do t’kalohej. Kjo objektivisht edhe u kalua, në pjesën më t’madhe. Por ajo ndarja që shpesh dëgjohet pro e kontra, mendoj që objektivisht të dy palët kanë të drejtë në qasjen e tyre. Ata që e mbrojnë Rambujenë kanë arsye, por injorojnë faktin se po t’mos ishte edhe qëndresa e vazhdueshme edhe në Konferencë, po edhe ma vonë, nuk do t’ishin tejkaluar disa sfida, disa gracka që i linte Rambujeja.

Po këta që ishin kundër mund t’i injorojnë disa të arritura të Rambujesë, po në të vërtetë… nëse nuk e teproj, ata megjithate bënin një gjë të mirë që e trajtonin edhe atë proces si një hallkë t’procesit, si një stacion n’cilin po të binim ne do t’mund të ngecnim, të mbetemi. Prandaj mendoj që duhen t’parë në lëvizje, në proces.Kështu edhe u krijua mundësia për kthesën e madhe që ndodhë në Kosovë, për ndërhyrjen e NATO-s, dhe krijimit për herë t’parë ndoshta, të nji bashkëveprimi midis forcës kryesore t’armatosur të botës dhe forcave atdhetare, liridashëse, çlirimtare, që bashkë pastaj edhe me rreshtimin e Shqipërisë, edhe bëri të parin rreshtim… si t’thushë, historik, pas Luftës të Dytë Botërore, që kishte sjellë po ashtu një rreshtim të tillë. Dhe Kosova nuk do t’ishte këtu pa këtë bashkëveprim.

Më vjen mirë që unë kam qenë pjesë e këtij procesi, edhe i konferencës të Rambujesë, edhe i procesit që i parapriu atij. Në angazhimin tim kam pasë pikërisht… edhe unë, me mundësitë e miamodeste, dhe me rolin tim modest aq sa ka qenë, kam synuar pikërisht këtë: ruajtjen e procesit të zgjidhjes të çështjes së pazgjidhur shqiptare në vijimësi, pa djegur etapat, dhe pa fjetur në etapa. Pa rënë në ndikimin e cilësdo force politike, po pa përjashtuar forcat politike, duke synuar bashkimin e tyre, dhe n’këtë mënyrë optimalizimin e potencialeve tona të munguara praktikisht, edhe vepruese, edhe luftarake, madje shpesh edhe empirike, e tjera.

Hydajet Hyseni / Pjesa e Pestë, Intervistë

VIJON …

______________________

Flet Hydajet Hyseni

RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE – VIDEO (VI)

Prishtinë | Datë: 7 qershor, 2015 |

JETA REXHA (INTERVISTUESJA), RINA KRASNIQI (KAMERA)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura