RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE – VIDEO (VI) FUND/

Flet Hydajet Hyseni

RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE – VIDEO (VI)

Prishtinë | Datë: 7 qershor, 2015 |

JETA REXHA (INTERVISTUESJA), RINA KRASNIQI (KAMERA)

Jeta Rexha: Tash nëse kishit mujtë me na tregu për familjen e jujë, domethanë si u takutë ju me bashkëshorten tuj, edhe ku ishit mas luftës, edhe gjatë luftës faktikisht?

Hydajet Hyseni: E tash, kjo… si t’thushë linja familjare është veçanarisht e dhimbshme, në shumë raste. Rasti im mund t’mos jetë më i dhimbshmi sepse unë kam pasë fatin ndoshta… megjithate familjen ta kem të tërën, edhe pas burgut. Kam arritur t’i shoh te dy prindërit. Shumë kush nuk e ka pasë këtë fat. Kam arritur do të thotë të ruaj familjen, jo n’saje timen, po ka arritur familja ime ta ruaj veten. Edhe këtëia detyroj n’radhë t’parë gruas sime, e cila ka sakrifikuar shumë. Ka qenë shumë e vështirë për të t’jetosh në fshat, në kohë linçimi, izolimi, bojkotimi, demonizimi…

Dhe kauzës të tij, me shpifjet nga më të poshtrat, të cilat kanë vazhduar për t’qenë e vërteta në vijimësi. S’janë ndalur kurrë! Sepse s’është ndalur kurrë sherri i UDB-së në Kosovë. Madje, për fat të keq, as pas burgut. Madje, për fat të keq, as pas luftës. As sot! Vetëm ndryshon format, rrugët, po si sherr vazhdon vazhdimisht. Me shpifje, intriga, nga ma të ultat, nga ma t’pabesueshmet. Dhe funksionon gjithandej. Unë jam shumë i lumtur me këtë fakt! Gruaja ime ka rritur me duar me me thonjë fëmijët e mi, fëmijët tanë. Tre i kishim. Dhe pastaj, meqë i kishim dy djem e një vajzë, kishim dëshirë që t’kishim edhe një pas burgut, me shpresë se ai do t’rritej ndryshe. Ata ishin rritur pa i parë unë. Dhe tani është absolvent, Liriku, që është fëmija ynë i katërt. I detyrohem shumë bashkëshortes sime, dhe përpiqem t’ia kompenzoj. Pa modesti fallco mund t’them që edhe ia kam kompenzuar n’masë t’madhe.

Po s’ishte vetëm ajo. Kanë qenë vuajtjet e prindërve t’mi, të ndjerë tash. Babai im, që ka qenë ai vet pesë, gjashtë vjet nëpër kampe t’përqendrimit, pastaj e ka pasë t’vetmin djalë t’njejtën pozitë. Dhe është mbajtur fort, më fort sesa që kam menduar. Dhe nëna ime që ka pasë vëllezërit, për gjithë jetën e saj me burgje, dhe pastaj djalin e saj t’vetëm. Dhe që megjithate nuk është luhatur asnjëherë. E ia atribuoj si t’thushë këtë qëndresë n’radhë të parë rrethit familjar, në fshatin tim, Përlepnicën time, që është vërtetë unike për gjithçka. Nuk ka pasë bojkotim atëherë, nuk ka pasë izolim t’familjeve, nuk ka pasë linçim. Përkundrazi, ka pasë solidaritet të paparë. Rinia e fshatit tim kanë shkuar si brigadë punuese, ia kanë punuar babait tim arat.

Dhe mua më del tash parasysh kënaqësia që shihja në fytyrën e tij kur m’tregonte, “Biro, mos u mërzit! Gjithçka po shkon mire!” Edhe e përmendte këtë fakt, “Të ri e të reja kanë ardhë si brigadë pune, dhe arë marë m’ka shku!” I kanë kry puntë n’shejë solidariteti me plakun, po edhe me birin e tij, edhe me kauzën për t’cilën ai po dergjej në burg. Edhe sot kjo më bënë borxhli ndaj tyre. Janë shumë prej tyre në parti të ndryshme, janë me pozicione të ndryshme, po ne jemi shumë afër njëri tjetrit, dhe unë i dua shumë. Edhe ata më respektojnë mendoj, n’masën e duhur. E, individi mund t’qëndrojë, një familje mund t’qëndrojë, vetëm nëse e ka ambientin, rrethin, nëse popullit i qëndron.

Kjo e spjegon edhe këtë që ka mbërri Kosova. Kosova ka arritur këtë që e ka arritur sepse u dëshmua si popull, si vend, se është përgatitur për një ndryshim rrënjësor. Kosova mund t’i arrijë këto që ka përpara vetëm duke dëshmuar se është përgatitur për ndryshimet që e presin. Edhe për integrimin në Evropë, edhe për integrimin kombëtar, se nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Është absurde t’mendohet sikur, “Ne duhet t’integrohemi në Evropë, po s’ban të flasim për integrimin me njëri-tjetrin.” E pse? Kujt i prishë punë? Çka prishi punë integrimi i Gjermanisë në integrimin e Evropës? A do t’integrohej Evropa pa integrimin e Gjermanisë? Jo! Evropa nuk s’do t’integrohej po s’u integrua Gjermania. Po edhe ne në takatin tonë, duke u integruar me njëri tjetrin, me vëllezërit tanë matanë kufirit, që s‘është i yni, se kemi bërë ne, se duam ne, nuk i duhet kujt, edhe heqja e tij s’i prishë punë kujt. Vetëm do të ndihmonim në normalizimin e raporteve në fqinjësi, dhe me fqinjë. Do të përfitonin të gjithë përreth. Unë jam i sigurtë se kështu edhe do t’ndodhë. Po me kushtin që ne të ngritemi në nivelin e përgjegjësisë që kërkon koha.

Unë kam shumë arsye për t’qenë i pakënaqur me shumëçka që kemi bërë, edhe me… shpesh vetveten. Jam i pakënaqur me vetveten shpesh. Por, megjithate jam optimist i papërmisueshëm si thonë, i pandryshueshëm, se ne megjithate do t’vonohemi, do të humbim ndoshta rrugën dikund, do të shkasim dikund, në t’majtë, në t’djathtë, po megjithate do t’ia dalim. E kam këtë besim jo veç pse e dua, po kam besim shumë te populli ynë, që në momente krizash… edhe siç thoshte Adem Demaçi, njeriu që me përvojën e tij ka dëshmuar… si të thushë… dhe ka krijuar modelin e konsistencës e t’qëndresës, “Kur t’binë n’fund t’pusit, atëherë s’ke ku shkon ma poshtë! Vjen edhe ecja përpara, këndellja, kthimi!” Unë jam i bindur që ky popull megjthate do të gjenerojë forca t’reja, dhe po gjeneron forca t’reja, që do t’ngriten në misionin e e përgjegjësisë historike që kërkohet. Dhe do ta bëjnë këtë vend me dalëzotës.

Jeta Rexha: Tash, me çka mirreni sot? Me çka jeni t’angazhumë?

Hydajet Hyseni: Kam… kam nji pjesë të mirë të krijimtarisë edhe t’burgut që nuk e kam botuar, dhe e përgatis. Pak si gjatë m’ka shkuar kjo punë. Kam nji pjesë që e kam shumë përzemër, është krijimtari për fëmi. Dhe janë disa poema, që secila prej tyre bënë një libër n’vete. Dhe mendoj t’i përmbledhë në një botim t’përbashkët. I kam shumë përzemër, sepse i dua shumë fëmitë. Dhe, sa ma shumë kam… si të thushë, punë me t’rriturit, ma shumë më tërheqin… si të thushë, bota shpirtërore e fëmive, që është e pastër, e dëlirë, e pasherr. Dhe aq ma shumë e ndjej veten borxhli ndaj tyre. Shkruaj nga pak vazhdimisht. Kam edhe plane tjera, dhe kam si t’thushë një opus të mjaftueshëm edhe me shkrime gazetareste, e tjera, të cilat s’i kam përmbledhë, nuk i kam botuar, dhe m’presin.Bëj një punë në “Shoqatën e të ish-Burgosurve Politikë” Natyrisht, punë benevole, po që më motivon shumë. Se më krijon përshtypjen që sado pak po bëj diçka për bashkëvuajtësit e mi, për shoktë e prangave. Edhe për ata që s’i kam njohur unë, po që kanë pasë pranga n’duar. Dhe më imponon shumë përkushtim.

Jam angazhuar po ashtu në Lëvizjen Vetëvendosje. Konsideroj se është forca politike që… është brumi politik… si të thushë, që është në vazhdën e këtyre përpjekjeve të brezave të tërë, dhe m’duket më mirë se gjithkush tjetër e përfaqëson këtë frymë. Është rinore në çdo pikëpamje: edhe me moshë, edhe me mendësi, edhe me vizion, edhe me kërkesat që shtron, po edhe që i përgjigjet kërkesave t’kohës. Natyrisht, aty këtu edhe me shfaqjet që ka mosha rinore ndonjëhere, e që dikujt mund t’mos i pëlqejnë. Mund edhe të jenë të diskutueshme ndonjëherë, po që mua më duket megjithate duhet të bëjë edhe unë argatin tim. Më duket ni mënyrë vetja si me fëmitë e mi. Ndonjëherë me ta kam edhe ndonjë dallim t’vogël, por ajo që m’bashkon është tepër e fortë, e veçantë. Ndonjë punë mund ta bëj edhe unë, siç e bëjnë ata, po kur e bëjnë ata sesi m’duket diqysh më e sigurtë. Unë jam vozitës, shofer, po kur shkojmë familjarisht në rrugë me makinë, ma përpara preferoj gjithmonë që timonin ta kenë djemtë e mi, ose rejat e mia, ose vajza ime. Se janë… u besoj ma shumë syve t’tyre, u besoj ma shumë instinkteve të tyre, u besoj ma shumë duarve të tyre, e tjera. Dhe ndjehem mirë! Aty këtu, mund edhe t’u them ndonjë vërejtje, ndonjë sygjerim, e tjera. Nuk ma kuptojnë keq!

Jeta Rexha: Falemnderit shumë! Për fund, n’qoftë se keni me shtu diçka?

Hydajet Hyseni: Jo nuk… Tash edhe jam pak i shkapërderdhur. Ta tham t’drejtën, e kam bisedën sikur kur kam biseduar me dy vajza jo për regjistrim, jo për media, po thjesht bisedë kështu. Nuk del gjithmonë mirë kjo, po ja, kështu u ndjeva!

Jeta Rexha: Na vjen mirë! Falemnderit shumë!

Hydajet Hyseni / Pjesa e Gjashtë, Intervistë

FUND /

___________

Kthehu në fillim të intervistës

Flet Hydajet Hyseni

RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE – VIDEO (I)

Prishtinë | Datë: 7 qershor, 2015 |

JETA REXHA (INTERVISTUESJA), RINA KRASNIQI (KAMERA)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura