Nga Asallan Muharremi
Në Zvicër
Qysh gjatë kohës kur ndodhesha në Turqi, me shokët e kishim biseduar edhe çështjen e mundësisë së vendosjes sime në Zvicër. Mirëpo, vendimin përfundimtar për të kaluar në Zvicër e mora së bashku me shokët në Gjermani, Francë dhe Zvicër.
Shokët më kishin informuar se shteti gjerman mbante kritere të ashpra ndaj kërkuesve të azilit politik. Përkundër faktit se me vete kisha disa dokumente, që vërtetonin se isha i përndjekur politik, përvoja e shokëve fliste se gjasat për ta fituar statusin e refugjatit politik në Gjermani ishin të vogla apo minimale. Gjithashtu, edhe nga shokët e Zvicrës kishim marrë përgjigje se gjasat që autoritetet zvicerane do ta trajtonin çështjen time të strehimit në mënyrë më të drejtë ishin po ashtu të vogla.
Megjithëkëtë pasditen e Natës së Krishtlindjeve të viti 1983 së bashku me Faridin Tafallarin jemi nisur nga Shtutgarti në drejtim të qytetit të Konstanz, që ishte qytet kufitar në mes Gjermanisë dhe Zvicrës.
Kufirin e kaluam pa ndonjë problem. Në tokën zvicerane u takuam me Haxhi Berishën. Pimë nga një kafe së bashku dhe pas një ore u përshëndetëm me Faridin Tafallarin, i cili nga aty u kthye në Gjermani, ndërsa ne vazhduam rrugën për qytetin e Amriswilit, ku banonte Haxhi Berisha.
Haxhi Berishën nuk e kisha takuar asnjëherë më parë. E mbaja mend se nga Kosova kisha zhvilluar një bisedë telefonike me te, pas vrasjes së shokëve me 17 janar 1982 në Untergruppenbach. Nga disa shokë kisha dëgjuar se Haxhi Berisha kishte vepruar pranë Jusuf Gërvallës, që nga arratisja e tij në Gjermani. Edhe nga Skënderi kisha dëgjuar se Haxhiu, me porosi të Jusuf Gërvallës, i kishte dërguar në Kosovë numrat 3 dhe 4-5 të organit “Liria”.
Haxhi Berisha kishte disa vite që jetonte dhe punonte në Zvicër dhe kjo i kishte dhënë mundësinë të njihej e të krijonte lidhje bashkëpunimi me shumë mërgimtarë dhe klube shqiptare që vepronin aty. Pjesëmarrja aktive në shumë aktivitete, por edhe bashkëpunimi me veprimtarë të ndryshëm, e kishte ndihmuar Haxhi Berishën të njihte shumë për afër qëndrimet e Xhafer Shatrit dhe veprimtarëve të tjerë që vepronin në Zvicër. Haxhi Berisha, duke vepruar afër Jusuf Gërvallës dhe shokëve të tij, kishte mësuar shumë edhe nga dialektika e jetës, dhe kjo e fundit e kishte ndihmuar të bëhej një militant dhe veprimtar i shquar në radhët e emigracionit tonë.
- Zvicër, 1984: Haxhi Berisha, Demë Mustafaj dhe Asllan Muharremi
Në St. Gallen vepronte edhe Klubi Shqiptar “Xheladin Zeçiri” i cili tubonte rreth vete mërgimtarët shqiptarë nga Kosova dhe viset tjera shqiptare. Haxhi Berisha ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm si në themelimin, ashtu edhe në mbajtjen gjallë të aktivitetin e këtij klubi. Sa më gjatë që po qëndroja në Zvicër, gjithnjë e më shumë po bindesha se Haxhi Berisha ishte boshti “kurrizor” i krahut të LRSSHJ-së dhe veprimtarisë sonë në shërbim të lirisë në këtë vend.
Gjatë kohës sa kam qëndruar tek Haxhi Berisha dhe nëpërmjet tij jam njohur me veprimtarët tjerë të shquar si Elmaz Ademi, nga Tetova, Demë Mustafaj nga Deçani, Xhemil Beçiri nga Tetova (që kishte dy vëllezër të denuar politikë e me dënime të gjata në Maqedoni), Xhemajl Dauti nga Tetova, Isen Zyberi nga Tetova, Alush Tahiri nga Ferizaj, Januz Mustafa nga Prekazi i Skënderajt si dhe shumë veprimtarë të tjerë të LRSShJ-së.
Mirëpo kur arrita në Zvicër, Sabri Novosella ishte kthyer në Turqi dhe veprimtaria jonë zhvillohej në një gjendje shumë të tendosur. Kjo gjendje e rëndë, ishte jo vetëm në Zvicër, por kudo nëpër botë ku veprohej për lirinë e Kosovës.
***
Në ndërkohë nga Turqia nisën të na vinin materiale e komunikata të ndryshme në emër të KQ të LRSShJ-së! Në materialet e KQ të LRSShJ-së, shkruhej dhe thirrej për një vijë politike më ndryshe nga ajo që ndiqte Xhafer Shatri dhe që ishte shpalosur nga ana e tij në organin “Zëri i Kosovës”! Unë dhe shokët nuk dinim se kush ishin autorët e vërtetë të këtyre materialeve dhe komunikatave që na i dërgonte Sabriu nga Turqia. Ne i lexonim dhe shpërndanim ato, duke shpresuar e besuar se prapa tyre qëndronte KQ i LRSShJ-së, pra krahu i KQ i LNÇKVShJ-së në Kosovë, ashtu siç na kishte shkruar e thënë Sabri Novosella!
Në kohën kur po na vinin materialet e KQ të LRSShJ-së, nga Stambolli më ka marrë në telefon Njazi Straja, i cili gjatë bisedës, në mes të tjerash m’i ka përcjell edhe të falat e Ibrahim Qavollit :
“E takova shokun Ibrahim dhe ai më pyeti për Ty! Më tha bisedo me Aliun dhe pyete se çfarë është duke bërë ai dhe shokët e tij dhe se përse janë duke i lejuar të gjithë ato mbrapshti, që po shkruhen në “Zërin e Kosovës?!
Përshëndetja e Ibrahim Qavollit, nëpërmjet Njazi Strajës, ishte shumë domethënëse për mua. Ajo nuk ishte vetëm një ndërhyrje e thjeshtë, por thirrje e hapur për ta mbështetur qëndrimin e Sabri Novosellës.
Pas bisedës telefonike me Njazi Strajen dhe bisedave që kisha pasur unë dhe shokët me Sabri Novosellën, më krijohej përshtypja se prapa qëndrimeve të Sabri Novosellës, lidhur me vijën politike që duhej ta ndiqte “Zëri i Kosovës”, të cilën ne e kishim përqafuar pa hezitim, qëndronte edhe shteti shqiptar! Për të gjithë ne, përzierja e shtetit shqiptar në këtë çështje, kishte një rëndësi shumë të madhe. Ne nuk mund ta shpërfillnim atë…
Gjatë një tubimi përkujtimor për heronjtë janarit, që u mbajt në Sant Gallen, pata rastin ta takoja, veç të tjerëve, edhe Xhafer Shatrin dhe Hasan Malën. U shpreha ngushëllimet e mia dhe të shokëve për vrasjen e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës në Prishtinë, pak ditë më parë! Xhaferit dhe Hasanit u thashë se vrasja e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës ishte një humbje të madhe për gjithë lëvizjen tonë nacionalçlirimtare. Me këtë po përpiqesha t’jua përcjell edhe mesazhin se armikun e kemi të përbashkët dhe se Rexhep Mala e Nuhi Berisha ishin edhe shokët tanë… Gjithashtu, gjatë takimit, që pata me Xhafer Shatrin dhe Hasan Malën, unë ua përsërita qëndrimet e mia dhe të shokëve, ashtu siç i kisha shfaqur ato edhe në një fjalim të shkurt që mbajta atë mbrëmje, lidhur me vijën politike që do të duhej ta ndiqte edhe lëvizja jonë në përgjithësi dhe organi “Zëri i Kosovës”, në veçanti. Mirëpo, gjatë bisedës, krijova përshtypjen se Xhafer Shatri ishte më shumë i interesuar për qëndrimin tim rreth sjelljes së Sabri Novosellës, gjatë përplasjes me te, se sa rreth kritikës së drejtë që i kishte bërë Sabri Novosella dhe shokët tanë, lidhur me vijën politike të organit “Zëri i Kosovës”. Xhafer Shatri më shumë merrej me dallimet sesa me gjërat që na bashkonin. Isha i indinjuar nga ky qëndrim i tij! U përshëndetëm dhe u ndamë nga njëri-tjetri, fatkeqësisht, me pak shpresë se do të takoheshim përsëri.
Ky qëndrim i Xhafer Shatrit më brengoste shumë. Unë nuk e kisha kuptuar kritikën kundër tij si përpjekje për likuidimin e tij nga skena politike, por si një kritikë për të mirën e luftës sonë. Vallë pse nuk e kuptonte kështu kritikën tonë edhe Xhafer Shatri, e pyetja vetën? Nuk gjeja përgjigje në këtë qëndrim të tij, por qëndrimet e shokëve lidhur me veprimtarinë e Xhafer Shatrit, po më dilnin gjithnjë e më shumë të drejta dhe parimore. Ishte Xhafer Shatri që do të duhej të reflektonte dhe ta rishikonte qëndrimin e tij lidhur me luftën tonë për barazi dhe Republikë në kuadër të Federatës jugosllave dhe jo ne që përkundër nxitimit të Sabri Novosellës nuk po kërkonim asgjë më shumë sesa vendosjen e vijës sonë politike në binarë të drejtë. Në këtë pikë nuk mund të bënim kompromis.
Përkundër çarjes së madhe që i kishte ndodhur lëvizjes sonë, qëndrimi ynë ishte që ta vazhdimin bashkëpunimin, sidomos me grupin e shokëve të Xhafer Shatrit dhe Hasan Malës. Edhe sa isha në Kosovë, OMLK-në dhe LNÇKVShJ-në i kisha parë si dy degët e një trungu. Personalisht nuk kam njohur ndonjë anëtar të OMLK-së, por kisha dëgjuar dhe lexuar për dënimet e rënda e të gjata që u dhanë Hydajet Hysenit, Mehmet Hajrizit, Berat Lluzhës, Gani Sylës, udhëheqësve dhe anëtarëve të tjerë të OMLK-së dhe kisha lexuar e shpërndarë si “Lirinë” dhe “Këngët e lirisë”, ashtu siç i kemi shpërndarë dhe lexuar dhe “Lajmëtarin e lirisë” dhe “Zërin e Kosovës”. Me sa kisha lexuar organizatat tona dhe programet e tyre politike kanë qenë shumë të ngjashme. Unë dhe shokët e mi, anëtarët e OMLK-së i konsideronim si shokë idealesh… Edhe tek Sabri Novosella në Turqi, por edhe tek shokët e rrethit të shokëve të Jusuf e Bardhosh Gërvallës në Gjermani dhe tek shokët tanë në Zvicër e kisha hasur kudo këtë frymë. Shokët më kishin njoftuar edhe për qëndrimet e Jusuf Gërvallës rreth shokëve të Kadri Zekës, për ndihmën e pakursyer që ai u kishte dhënë daljes së organeve “Bashkimi” dhe “Liria”, duke rrezikuar edhe shokët e tij dhe dërguar ato në Kosovë.
Ne ishim të vetëdijshëm se përçarja do të çonte ujë në mulli të armikut tonë, se armiku ynë do t’i përdorë të gjithë njerëzit e tij, që mund t’i ketë në radhët e organizatave tona apo pranë e jashtë tyre, për ta thelluar edhe më shumë përçarjen në mes nesh. Prandaj mendoja se nga ne kërkohej maturi e madhe, me qëllim që përçarja, të mos bëhej e pariparueshme dhe të mos thellohej më shumë. Njëkohësisht, ne ishim të vetëdijshëm se lufta jonë nacionalçlirimtare, por edhe kjo pjesë e luftës për barazinë e shqiptarëve në kuadër të Federatën Jugosllave, nuk mund të bëhej pa bashkimin e të gjitha grupeve politike që luftonin për arritjen e këtij qëllimi.
***
Në fillim të shkurtit (1984) kam biseduar me shokët Haxhi Berisha, Elmaz Ademi dhe Demë Mustafaj dhe jemi pajtuar që të paraqitesha tek organet policore zvicerane dhe ta shtroja kërkesën për strehim politik. Si vend ku do të paraqitesha zgjodhëm qytetin e Olltenit.
Haxhi Berisha më përcolli deri në Stacionin e Policisë së Olltenit dhe unë hyra dhe e paraqita kërkesën për strehim politik, pranë organeve zvicerane. Sapo e shtrova kërkesën për strehim politik, policia zvicerane më mbylli në burg hetues. Për tre ditë më radh më mbajtën të vetëm në një dhomë burgu, ku edhe ushqimin e futnin nëpërmjet një biruce, që e kishin hapur në fund të derës, mbi dysheme!
Kjo ishte një befasi e madhe dhe që binte ndesh me shpresat që kisha për trajtimin që do t’i bënin kërkesës sime organet zvicerane.
Ditën e katërt nisën hetimet. Hetuesi, me vete kishte edhe një përkthyese të gjuhës serbe! Përkundër protestës sime, hetuesi nuk e ndërroi përkthyesen, por më detyroi të flisja serbisht, gjuhë kjo të cilën e flisja, por jo në atë nivel që të mund të shprehesha lirshëm si në gjuhën shqipe!
Ajo që më befasoj, qysh në fillim, ishte se gjatë marrjes në pyetje, hetuesi, përdorke një gjuhë shumë të egër dhe fyese ndaj meje. Ai nuk ngurronte të më quante terrorist, bandit dhe të më dhuronte etiketime të tjera fyese! Madje në një rast kur më pyeti se si do të jetoja në Zvicër, më konkretisht, se nga sa orë do të punoja dhe unë iu përgjigja se do të jetoja nga puna ime dhe se do të punoja nga tetë orë në ditë, hetuesi më quajti komunist, që kisha ardhur në Zvicër për të përhapur tek punëtorët zviceran idetë komuniste! Ndonëse unë përpiqesha të mbahesha i qetë, sjellja e hetuesit më solli buzë shpërthimit. Nga ato që po dëgjoja nga goja e hetuesit sikur të gjitha ato që kisha lexuar dhe dëgjuar në Radio Tiranë për trajtimin që u bëhej njerëzve në botën kapitaliste, sikur po më “dilnin” në vendin kur e kisha bërë kërkesën për t’u strehuar!
Gjatë marrjes në pyetje unë ia prezantoja hetuesit arsyet e mia për strehim. Atij i thosha se isha shqiptar nga Kosova, se unë dhe shokët e mi, ashtu si edhe populli ynë, kërkojmë që Kosovës t’i njihet statusi i republikës në kuadër të Federatës Jugosllave. Hetuesi bëhej sikur të ishte i shurdhër dhe nuk dëgjonte ato që po i prezantoja dhe kalonte tek çështja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, tek regjimi i Enver Hoxhës e të tjera çështje që unë nuk i kisha shprehur, gjatë parashtrimit të arsyeve të mia për strehim politik!
Mënyra e hetimit dhe trajtimi që më bëhej më bënte ta ndjeja vetën jo vetëm të fyer, por edhe i zhgënjyer në drejtësinë zvicerane. Megjithëkëtë, më duhej ta ruaja gjakftohtësinë. Hetuesit ia përsërita disa herë se unë po i kërkoja strehim politikë shtetit zviceran, i cili ishte nënshkrues i Konventës së Gjenevës dhe konventave të tjera mbi të drejtat e njeriut dhe të drejtat e refugjatëve, dhe jo atij (hetuesit) personalisht. Kjo hetuesit nuk i pëlqente dhe ma përsëriste kërcënimin se kurrë nuk do të më njihej e drejta e strehimit politik në Zvicër!
Dyshoja se kontribut të madhe në tensionimin e hetimit kishte dhënë edhe përkthyesja serbe, e cila nuk isha i sigurt se a përkthente ate që e kisha prezantuar unë gjatë shtrimit të kërkesës sime.
Pas mbarimit të hetimeve treditore, të fyerjeve dhe të sharjeve të hetuesit zviceran, më vendosën në dhomë me një të paraburgosur tjetër që ishte nga Afrika. Ishte hera e parë që po takoja një afrikan. Afrikani kishte të lyer flokët me një krem e cila lëshonte një aromë të çuditshme dhe të panjohur për mua. E merrja me mend se edhe ai duhej të ishte një hallexhi, si unë, por meqë ne nuk mund të komunikonim me njëri-tjetrin… Ai fliste vetëm frëngjisht, ndërsa unë të vetmet fjalë që dija në gjuhën frenge ishin fjalët e motos së revolucionit francez: liberté égalité fraternité33 dhe ato të titullit të librit të famshëm të Viktor Hygos Les miserables.34 Kur ia thashë fjalët bashkë-hallexhiut tim në gjuhën frënge, ai e lëshoi një të qeshur dhe tha diçka, që unë nuk e kuptova kurrë se çfarë kuptimi kishte.
Pas dy-tre ditësh me angazhuan të punoja në burg dhe ky ishte një lehtësim i madh për mua. Ditën e dhjetë më liruan dhe vendosën në një kamp refugjatësh në Salzach të Solloturnit.
(VIJON)
© Pashtriku.org
——————————————-
RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (34)
Nga Asallan Muharremi