Nga Asllan Muharremi
Këshilli Iniciativë për themelimin e Degës së LDK-së në Suedi
Gjendja e përgjithshme politike në Kosovë po keqësohej nga viti në vit. Me 23 mars 1989 qarqet antishqiptare në Serbi, me ndihmën e tankeve, ia hoqën Kosovës autonominë e fituar me mund e gjak. Shqiptarët e Kosovës me minatorët e Trepçës, punëtorët dhe studentët protestuan ashpër kundër këtij akti të dhunshëm të shovinistëve serbë, por politika antishqiptare e Beogradit vazhdoi me ritme të pandërprera.
Lajmet që vinin nga Kosova ishin shumë shqetësuese dhe kërkonin mobilizim, afrim dhe bashkim të shqiptarëve. Unë mendoja dhe shprehesha, kudo ku kisha mundësi ndikimi, se bashkimi i shqiptarëve, pa dallim klase, krahine, besimi fetar apo bindje politike, ishte e vetmja shpresë për ne dhe lirinë e vendit tonë.
Shtatë muaj pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, me 23 dhjetor 1989 u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetar i saj u zgjodh Ibrahim Rugova. Pa ditur shumë për LDK-në dhe se ç’program politik kishte partia e re, u gëzova dhe isha plotë shpresë se do të vijnë ditë më të mira për Kosovën dhe popullin tonë.
Për kryetarin e LDK-së, Ibrahim Rugova, e dija se ishte kryetar të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, se dikur kishte qenë anëtar i LKJ-së dhe sekretar i LKJ-së në Institutin Albanologjik. E mbaja mend pjesëmarrjen e tij në trajtimin e temave politike mbi nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar, pjesëmarrjen e tij në diferencimin politik pas demonstratave të vitit 1981, ashtu si e mbaja mend për një polemik të gjatë për çështje të letërsisë me Rexhep Qosjen. Gjithashtu nga bashkatdhetarët tanë kisha dëgjuar se shovinistët serbë ia kishin vrarë të atin.
Përkundër kundërthënieve që barte me vete bagazhi i së kaluarës politike i kryetarit të sapozgjedhur të Lidhjes Demokratike të Kosovës, unë isha i mendimit se organizimi i rezistencës aktive dhe bashkimi i të gjitha forcave politike shqiptare kundër politikës serbomadhe, ishte e vetmja rrugë e drejtë. Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe rritjes së terrorit policor kundër shqiptarëve, organizimi politik i shqiptarëve, nuk kishte alternativ tjetër.
Nga shokët e mi në Kosovë, në ndërkohë, isha informuar se themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës kishte ngjallur mobilizim dhe shpresë në popull. Gjithashtu, isha njoftuar se Lidhjes Demokratike të Kosovës ju kishin afruar pothuajse të gjitha rrymat politike, duke përfshirë edhe shumë ish të përndjekur dhe të burgosur politik. Isha informuar se shumë nga shokët e mi, të para largimit tim nga Kosova, ishin regjistruar në listat e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Të gjitha këto lajme më gëzonin dhe mbushnin plotë shpresë se Lëvizja jonë kombëtare po shënonte ngritje në përpjekjet e saj për heqjen qafe të zgjedhës serbe.
- Shaban Muharremi dhe Xhafer Durmishi
Themelimi i Lidhjes Demokratike të Ksovës dhe shtimi masiv i radhëve të saj, pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, nga Serbia e Millosheviqit, e nxori në një rrafsh të ri luftën e shqiptarëve të Kosovës për liri, barazi dhe pavarësi. Unë personalisht shpresoja dhe prisja se themelimi i LDK-së, ishte një moment i shumëpritur nga të gjitha forcat revolucionare dhe liridashëse, të organizuara në organizata të ndryshme politike.
Së bashku me Imer Baqajn patëm biseduar lidhur me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe rëndësinë e themelimit të Degës së LDK-së në Suedi.
Pas disa bisedave jemi pajtuar që ta kontaktojmë Ibrahim Rugovën dhe ta pyesnim për qëndrimin e tij lidhur me themelimin e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Suedi.
Disa ditë më vonë Imer Baqaj, nëpërmjet kontakteve që ka pasur në Kosovë, ka arritur ta gjej telefonin e Ibrahim Rugovës dhe të zhvillojë një bisedë me te.
Lidhur me bisedën me Ibrahim Rugovën dhe përmbajtjen e saj, Imer Baqaj më ka njoftuar se Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë bisedës i kishte thënë:
‒ Lidhja Demokratike e Kosovës është një iniciativë e re dhe bënë përpjekje që çështja e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi të zgjidhet në mënyrë paqësore.
Imer Baqaj, ishte ndarë i kënaqur nga biseda që kishte zhvilluar me Ibrahim Rugovën dhe mbështetja që kishte gjetur tek ai lidhur me themelimin e Degës së LDK-së në Suedi.
Ato ditë, e kam takuar edhe Hajdin Abazin dhe e kam njoftuar për iniciativën e themelimit të Degës së LDK-së në Suedi. Hajdin Abazi më ka thënë se:
‒ Lëvizja Popullore e Kosovës nuk do t’i bashkohet LDK-së, por ai dhe shokët e tij në Malmö do ta përkrahin pranin time në radhët e lëvizjes së re politike!
Të frymëzuar nga vepra e Jusuf Gërvallës, për bashkimin dhe afrimin e të gjitha forcave politike rreth një qëllimi e programi të përbashkët, së bashku me Imer Baqajn ju kemi bashkuar iniciativës për themelimin e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Suedi.
Me 23 maj 1990 u formua Këshilli Iniciativë për Themelimin e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Suedi. Këshilli Iniciativë përbëhej nga pesëmbëdhjetë anëtarë: Zeqir Rama (kryetar), Muhamet Shatri, Ragip Reçica, Sabri Novosella, Ramadan Osmani, Ibrahim Egriu, Ibrahim Krasniqi, Shefki Ollomani (sekretar), Asllan Muharremi, Ismail Rugova, Imer Baqaj, Imer Rexha (arkatar), Nurijet Zhuta, Enver Camaj dhe Aziz Osaj.
Nga Kosova, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dërgoi anëtarët e saj Milazim Krasniqi dhe Basri Çapriçi në mbledhjen e promovimit të Degës së LDK-së për Suedi.
Unë u kisha deklaruar anëtarëve të Këshillit Iniciativë për themelimin e Degës së LDK-së se personalisht nuk isha i interesuar të zgjidhesha në udhëheqjen e Degës së LDK-së për Suedi dhe se unë isha për një udhëheqje me veprimtarë të rinj, e që do të përfaqësonin të gjitha rrymat politike shqiptare që vepronin në Suedi..
Meqë Milazim Krasniqi e kishte një lidhje familjare me Xhafer Durmishin, me kërkesën e këtij të fundit, i ftova në darkë, në banesën time, Milazim Krasniqin dhe Basri Çapriçin. Qëllimi i kësaj darke ishte që Xhafer Durmishi të takohej me Milazim Krasniqin.
Gjatë qëndrimit në banesën time, Basri Çapriçi, ishte shumë i interesuar t’i shikonte titujt e librave që kisha në vitrinën time. Kisha përshtypjen se atë e kishin “informuar” në Malmo se çfarë literature mund të gjente në shtëpinë time! Në bisedë e sipër Basriu më thotë:
‒ Marksist-leninistët e Kosovës kanë luftuar për marksizëm-leninizmin dhe jo për lirinë e shqiptarëve!
Tensioni i gjakut më shkoi në pikën kulmore! U befasova dhe u zhgënjeva shumë kur e dëgjova një konstatim të tillë nga goja e një poeti, që tashmë ishte dhe anëtar i kryesisë së LDK-së! Këtë ide nuk ishte hera e parë që po e dëgjoja nga goja e elementëve të qarqeve të tjera proserbe, titiste dhe antishqiptare. Sipas kësaj që thoshte Basri Çapriçi, heronjët tanë si Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla dhe shokët e tyre që nga titistët jugosllavë janë quajtur marksistë-leninistë nuk paskan derdhur gjakun për lirinë e shqiptarëve, por për marksizëm-leninizmin, ndërsa titistët jugosllavë, ish funksionarë të LKJ-së, ish spiunë dhe ish kalemgjinjë të tyre, ashtu si dje, edhe sot, ndonëse kanë ndërruar rroba dhe janë vetëshpallur demokratë, na paskan luftuar dhe luftokan për lirinë e shqiptarëve!
Mirëpo, Basri Çapriçin e kisha mysafir dhe për hir të këtij fakti dhe edukatës që kisha marrë nga shtëpia ime, nuk ia ktheva ashtu si e meritonte. Basri Çapriçit i thashë vetëm:
‒ Unë nuk mendoj se nëse një shqiptar ka shkruar një vjershë për Titon, ai ka luftuar për titizmin!
Pas disa orësh qëndrimi, i përcolla mysafirët.
U ktheva në shtëpi shumë i dëshpëruar. Nuk u besoja veshëve për atë që kisha dëgjuar nga goja e Basri Çapriçit. Përfaqësuesin e LDK-së nuk e njihja, por isha i sigurtë se “qëndrimet” e shfaqura nga ana e tij ishin pjesë e doktrinës antishqiptare serbomadhe dhe ato përhapeshin nga njerëzit e saj infiltruar në radhët e LDK-së. Përçarja e shqiptarëve dhe nxitja e luftës vëllavrasëse shpie ujë në mullirin serbomadh. Këtë qëllim duhet ta kenë ata që ish të përndjekurit shqiptarë i identifikojnë në krimet e regjimit komunist në Shqipëri. Por unë uroja që këto qëndrime të mos ishin edhe qëndrime të udhëheqjes së LDK-së dhe kryetarit të saj Ibrahim Rugova! Meqë në Kryesi të LDK-së ishte zgjedhur edhe Hydajet Hyseni dhe disa ish të burgosur të tjerë, më mbante shpresa se qëndrimi i Basri Çapriçit ishte një qëndrim individual dhe se ky nuk ishte edhe qëndrimi i LDK-së.
***
Verën e vitit 1990 shoku e miku im Agron Raimi dhe e shoqja e tij Zejnepe Demi Raimi shkojnë për vizitë në Kosovë. Gjatë vizitës ata e vizitojnë edhe familjen time në vendlindjen time në Mihaliq. Agroni dhe Zejnepja në të kthyer nga Kosova, me vete kishin marrë edhe vëllanë tim, Shabanin. U gëzuam shumë, sepse po shiheshim për herë të parë që nga vera e vitit 1983.
Gjatë qëndrimit në Suedi, Shabani më ka njoftuar për gjendjen në familje, por edhe për shokët.
Shabani gjithashtu gjatë ditëve sa qëndroi tek unë më ka njoftuar për veprimtarinë e tij dhe të shokëve në Kosovë. Shabani, veç të tjerash më ka lënë me shkrim përshkrimin e një aksioni në shkrimin e parullave që ai e ka zhvilluar së bashku me Shyqëri Ymerin. Shabani shkruan si vijon:
“Nuk jam i sigurt, të ketë qenë fillimi i marsit, pra në prag të përvjetorit të shpërthimit të demonstratave të 11 marsit, apo ka qenë 31 marsi i një ditë para 1 prillit 1985. Vendimi ishte marrë më herët. Nga shokët isha caktuar që së bashku me një shok të shkruanim parulla në Komunën tonë. Unë, për shok zgjodha Shyqën, me të cilin i bëmë edhe të gjitha përgatitjet e duhura për natën e aksionit. Takimin me Shyqën e kishim lënë në periferi të Vushtrrisë ‒ buzë lumit Silnica ‒, saktësisht do të takoheshim në ora 21.00. Ne ishim marrë vesh që të mos e shkruajmë një parullë dhe t’ia mbathnim, por që vërtetë ta stolisnim qytetin dhe një numër fshatrash afër magjistrales Prishtinë-Mitrovicë.
Ashtu siç edhe ishim marrë vesh, në kohën e caktuar u takuam me Shyqën. Aty ku u takuam, bëmë edhe konsultimet e fundit. Ishim të bindur se njerëzit i kishin braktisur rrugët e qytetit dhe se dyqanet tashmë ishin mbyllur.
Në Vushtrri kemi hyrë kah pjesa perëndimore e qytetit, pranë Urës së Gurit. Në muret e mullirit, që gjendet para urës, kemi shkruar vetëm dy shkronja: K.R. Me këtë edhe e testuam brushën dhe ngjyrën. Cak kishim Shkollën e Mesme “Muharrem Bekteshi”, institucionet dhe fabrikat e qytetit. Menjëherë jemi mësy, ndarazi, nëpër rrugica të ndryshme, dhe jemi takuar tek pjesa e prapa shkollës. Kah fusha e sportit kemi kaluar rrethojat me gjemba dhe kemi hyrë në oborrin e shkollës. Jemi ndalur dhe kemi shikuar rreth e rrotull gjersa kemi fituar përshtypjen se nuk ka lëvizje të njerëzve, sidomos të shtëpive përballë, për të cilat më vonë kemi mësuar se kishin qenë shtëpi të serbo-malaziasve. Në atë rast Shyqa ka vëzhguar çdo gjë, sidomos lëvizjet e rojës së shkollës, kurse unë e kam shkruar parullën “Kosova-Republikë”, me një gjatësi rreth 15 metra dhe shkronja të mëdha mbi një metër. Shkrimi i kësaj parulle na ka marrë rreth 30 minuta.
Kur mbaruam punë, vendosëm të largohemi kah hyrja kryesore e shkollës. Shyqa ecte para meje, por papritur e shoh se është ndalur para hyrjes kryesore. Prit se po e kalon rrugën, por ai nuk lëvizte vendi! Mendja më shkoj mos ka hetuar gjë të dyshimtë. Papritur, u kthye dhe po vinte kah unë!
‒ Ç’u bë? ‒ e pyeta me zë të ultë.
‒ Po e bëjmë edhe një punë! ‒u përgjigj Shyqa.
‒ Cilën punë Shyqë?‒ e pyeta.
‒ Po ia marrim pushkën rojës! ‒ ma ktheu Shyqa.
‒ Jo, kurrsesi ‒i thashë.
‒ Ec e shikoje‒flakë e re!‒ u përgjigj Shyqa!
Unë e kundërshtova duke i thënë se “pushkën ia marrim, por edhe mund ta marrim në qafë të gjorin!”Shihej se Roja ishte një njeri i moshuar dhe ndoshta lehtë do të mund ta lidhnim! Por nuk kishim me çka ta lidhnim. Përfundimisht hoqëm dorë nga kjo ide. Kaluam rrugën dhe u futëm në parkun që e kishim përballë, Aty ndodhej edhe një kishë e vogël ortodokse dhe në muret e saj e shkruam vetëm “K.R” ngase s’kishte vend për të gjitha shkronjat e parullës sonë. Nga aty, nëpër rrugica, kemi marrë rrugën drejt Fabrikës së Tekstilit të quajtur “POLET”. Kur kemi arritur përballë Fabrikës së Tekstilit, Shyqa që ecte diku rreth 100 metra para meja, u ndal dhe po më priste. Edhe unë u ndala aty ku isha, duke menduar se athu përse u ndal Shyqa?Pas pak Shyqa më dha shenjë me dorë që të vazhdoja. Kur u afrova, Shyqa duke buzëqeshur më tha:
‒ Shiko se ç’vend na kanë bërë?
Unë as që kisha idenë dhe as që e kisha vërejtur një mur betoni përballë Fabrikës. E pashë se vendi ishte me rrezik të madh që të zbuloheshim. Në ato momente nuk kishte lëvizje të ndonjë automjeti, por shtrohej pyetja se vallë a do të arrijmë ta shkruajmë parullën pa u diktuar?Krejt papritur mund të kalonte ndonjë makinë. Megjithëkëtë, ne vendosëm t’i shkruajmë parullat aty. E nxora tasin me ngjyrë dhe brushën. Dorëzat i kishim të veshura dhe nuk i kishim hequr fare. Shumë më shpejtë se në shkollë, ndonëse me gjysmë frymë, të shqetësuar e me gjithë ankth, e shkruam. Ia lëshuam një sy dhe na dukej e pabesueshme se sa bukur na doli parulla “KOSOVA-REPUBLIKË”. Me shpejtësi e duke vrapuar ia kemi dal ta lëshojmë qytetin dhe të dalim në drejtim të Prishtinës. Jemi ndalur dhe kemi pushuar një çikë në arat në mes Vushtrrisë dhe fshatit Nedakovcë. Ishim shumë të gëzuar, por edhe të liruar nga ankthi. Tanimë s’kishte rrezik. “Pothuajse bota, ishte e jona!”
Në hyrje të fshatit Nedakovc ndodhej një shitore. Në muret e saj përballë rrugës, pa asnjë problem, e kemi shkruar parullën “Kosova-Republikë” dhe të qetë e kemi mësy rrugën drejt fshatit Pestovë. Tashmë ishte afruar mesnata. Në fshatin Novosellë të Maxhunajve, afër Mullirit të Zekollëve, ndodhej një shtëpi e gjatë. Aq sa ishte e gjatë shtëpia e kemi shkruar edhe parullën “Kosova-Republikë.”E vazhduam rrugën dhe rrugës nuk gjetëm ndonjë vend të përshtatshëm për të shkruar parulla. Cak e kishim fshatin Stanovcë. Kur kaluam pranë Dumnicës, me shaka i drejtohem Shyqës:
‒ A po ecë në shtëpi?
‒Jo more! ‒ ma ktheu Shyqa ‒ A kemi ende ngjyrë?
E pashë se tasi i parë një kilogramësh, veç kishte ra në fund dhe ne vazhduam rrugën. Duke kaluar nëpër fshatin Lumi i Madh më ra ndërmend kushëriri im Sadiku, i cili e kishte zakon që pas çdo shkrim të parullave në fshatin e tyre thoshte:
‒ Vallahi s’po i shkruajnë shqiptarët, por shkiet ‒ shqiptarët s’guxojnë me i shkrua!
I tregova Shyqës se çka po më sillej nëpër kokë. Dalëngadalë kemi hy në fshatin Lumi i Madh. Ora ishte dy e pas menatës. Në të katër anët e shkollës i kemi shkruar parullat: “Kosova-Republikë!”, “Poshtë shovinizmi serbomadh!”, “Rroftë Adem Demaçi!”, “Lavdi veprës heroike të Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e Bardhodh Gërvallës!”, “Lavdi veprës heroike të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës” dhe vetë me vete thashë: “ia pafsh hajrin, baca Sadik!
Vazhduam drejt Stanovcit. Pas pak arritëm tek depoja e grumbullimit të drithërave, që ndodhej buzë magjistrales ‒ te udhëkryqi Prishtinë-Mitrovicë- Breznic-Stanovc-Prelluzhë. Dalëngadalë nisa ta shkruaj parullën e cila dëshiroja të ishte aq sa ishte ndërtesa. Edhe shkronjat teknike i shkrova me madhësi një metër e gjysmë. Ndjehesha shumë i kënaqur për këtë.
Pas pak biseduam me njëri-tjetrin dhe për një moment dëshironim ta përfundojmë aksionin, ngase ishte bërë edhe vonë, mirëpo për këtë na i prishi planet ngjyra, sepse kishim ngjyrë edhe për një parullë të gjatë. Mirëpo na duhej edhe ta gjenim vendin se ku do ta shkruajmë parullën, ndonëse ishim shumë të lodhur dhe s’kishim marrë as ujë e as ushqim me vete. Megjithëkëtë, vendosëm të shkojmë deri tek kthesa e rrugës për Bajmovc. Duke ecur, më ra në sy Kanali i Hidrosistemit Ibër-Lepenc i cili kishte formën e urës në fshatin Gracë. Vendi ishte i largët nga rruga dhe nuk kishte rrezik të diktoheshim. Mirëpo nga aty nuk e dinim se a kishte ujë në kanal apo jo?U afruam e u ngjitëm lartë dhe u kënaqem shumë kur pamë se kanali ishte pa ujë. Megjithëkëtë e pamë se ishte problem çështja e shkrimit të parullës në ballin e kanalit që do të dukej nga rruga dhe fshatrat përreth. Për një çast menduam të afrohemi tek disa shtëpi dhe ta kërkonim ndonjë shkallë, por kishim frikë se po na hetojnë qenët. Në një moment vendosëm që ta lëmë fare shkrimin e parullës, por na tërhiqte vendi dhe pamja që do të merrte parulla ditën e nesërme. Të dy bisedonim se ç’zgjidhje të bëjmë?Më shkoj mendja që ta shkruaja parullën duke pasur kokën poshtë.
‒ M’i mbaj këmbët,‒ i thashë Shyqës.
Shyqa kundërshtonte sepse kishte rrezik të madh të bija poshtë.
‒ Shyqë, ose kam me e shkruar ose kam me vdekur! ‒ M’i mbaj këmbët,‒ i thashë dhe jam zgjatur me kokë teposhtë.”
Shyqa m’i mbante këmbët dhe më tha:
‒ A je në vete, Shaban? A e dinë se po më rrëshqite nga dora do të biesh poshtë i vdekur?
Unë kisha vendosur dhe nuk tërhiqesha. Vazhdoja të t’i shkruaj shkronjat dhe analizoja se si do të dukeshin shkronjat nëse i shikoj nga larg, nga rruga. I shkrova të gjitha shkronjat një nga një dhe pas disa pushimeve arrita tek shkronja e fundit “Ë”.
Pasi e përfunduam, u ngrita dhe nga kanali së bashku me Shyqën zbritëm poshtë. E kontrolluam nga aty dhe e pamë se s’kishte fare gabime. E kisha shkruar drejtë, sikur ta kisha shkruar nga një skele. Ecëm nëpër ara të Stanovcit dhe tek ura mbi lumin Llap jemi ndarë me Shyqën. Pra se të ndaheshim u morëm vesh që nesër në ora 09,00 të dalim në Vushtrri. Dy tasat me ngjyrë (i kam mbushur me gurë e dhe), dorëzat dhe brushën i hodhem në Llap. Nëpërmjet Libarit kam arritur tek Ura e Frengut në mes Prelluzhës dhe Mihaliqit. Aty i kam heqë këpucët, i kam mbushur me gurë dhe i kam hedhur në Silnicë, ngase aty i kisha fshehur edhe rrobat dhe këpucët tjera që do t’i ndërroja me ato që kisha veshur e mbathur. Pak para agut të ditës kam hy në shtëpi pa u vërejtur nga askush. E kam ndezur zjarrin, e kam ngrohur një kusi me ujë dhe jam pastruar. Para se të lahesha jam kontrolluar mirë nëpër trup se mos më ka mbetur ndonjë njollë me ngjyrë. Nëpër xhepa po e kërkoja pakon e cigareve dhe mendoja ta piqja një kafe. Duke e përzier kafenë, u hap dera dhe brenda hyri nëna. Se ajo e dinte që unë nuk kisha fjetur në shtëpi, e kuptova në fytyrën e saj!
‒ Përse je çuar kaq herët?‒ ma priti?
‒ A s’kemi për të shkuar në Vushtrri, për ta shitur jonxhën në treg apo jo?‒iu përgjigja?
Se nuk kisha fjetur fare, më kishte vërejtur edhe nëna. Ajo më drejtohet:
‒ Ç’e besa ti s’ke fjetur asnjë minutë!
I pimë kafet.
‒ Po shtrihem pak, pra, mbasi po thua se s’kam fjetur,-i thashë nënës.
Nuk e di se sa kohë ka kaluar, por ndjeja se dikush po më shkundke dhe e dëgjoja një zë:
-Shaban, a po shkojmë apo jo? ‒ Shikova orën dhe pashë se kisha pushuar gati dy orë. Ndjehesha i këndellur. Skënderi e kishte përgatitur traktorin dhe priste të niseshim për në tregun e Vushtrrisë ‒Po, po, po shkojmë, ‒iu përgjigja.
Pas pak u nisëm. Skënda mori timonin dhe në dalje të fshatit i thashë ta merrte rrugën për Prelluzhë, “se shkojmë ma shpejtë,-i thashë”. Ai u çudit dhe duke buzëqeshur me tha:
‒ A ke fjetur mirë apo jo?
‒S’kam fjetur fare,po… ‒thashë vetë me vete.
‒Grahi për Prelluzhë se ma shpejtë shkojmë,‒ ia përsërita ‒Ose prit…prit…ndale traktorin. Ma jep mua se po na ndalin policia e ti s’ke patent shoferi!
Ia mora traktorin dhe vazhdova rrugën drejt Prelluzhës. Me të arritur në Stanovc, afër udhëkryqit e magjistrales, ç’të shihje?Bllokadë! Policë! Ishte tërbuar pushteti! Disa legjitimonin, disa vëzhgonin dhe disa të tjerë i lyenin parullat me gëlqere që të mos dukeshin. Nga rruga i pashë Enver Maxhunin dhe Zeqir Sadriun- udbashët e Vushtrrisë. Skënderi me shikonte në çdo ndalesë dhe sikur dëshironte të më pyeste: “Ku ishe mbrëmë?Edhe udbashët na panë, na shikuan, por u bënë sikur nuk na panë dhe sikur na injoruan!”Aq më mirë,‒thashë vetë me vete.”Vazhduam rrugën drejt Vushtrrisë. Kudo patëm ndalesa, pritje dhe pamë policë të tërbuar!
Pas shumë ndalesash e pritjesh arritëm në Vushtrri dhe u futëm në treg afër Urës së Gurit. Skënderit i thashë:
-Po dal kah qendra dhe po e blej pak bukë.
‒ A ke para, ‒ ma priti Skënderi?
‒ Jo,‒ iu përgjigja.
‒ Ani përse po shkon pra…?‒ Po më duket se paska ndodh diçka ‒ më tha Skenda si me buzë në gazë dhe sikur priste përgjigje nga unë!
E kuptoja se ai e thoshte këtë vetëm sa për të marrë përgjigje edhe nga unë sepse që nga fshati Stanovc ai e kishte të qartë se ç’kishte ndodhur.
‒ Ani de ‒ ia ktheva‒ po dal pak.
Dola. Ç’të shihje. Policë kudo. E merrja me mend se duhet të jenë ftuar edhe shumë agjentë civilë nga qendrat tjera. Mora vesh se të gjithë nxënësit e shkollave ishin lëshuar të ktheheshin në shtëpi. Mirëpo ata nuk kishin shkuar në shtëpi, por ishin dal në qytet. Nxënësit dukeshin kudo. Fytyrat e njerëzve ishin plot gaz.
Sapo dola në qendër të qytetit, i ballafaquam shikimet me Shyqën. Sikur i thamë njëri-tjetrit: “Ja rezultati i punës së mbrëmshme.”
Mora vesh se parullën e Shkollës së Mesme “Muharrem Bekteshi” nuk e kishin vërejtur personeli i shkollës, por serbo-malazezët që banonin afër shkollës, të cilët të tërbuar kishin shkuar dhe me hunj e sopata e kishin sulmuar drejtorin e shkollës së bashku me kolektivin mësimdhënës, se për këtë çështje kishte ndërhyrë edhe policia.”
***
Nëndega e LDK-së në Malmo ishte nga nëndegët më të mëdha që kishte Dega e LDK-së në Suedi. Në Malmö jetonin rreth pesë-gjashtë mijë shqiptarë dhe kjo nëndegë kishte rëndësi të madhe për aktivitetin e gjithëmbarshëm të Degës së LDK-së në Suedi.
Në mbledhjen themeluese të Nëndegës së Malmos, anëtarësia më zgjodhi sekretar në Nëndegës. Duke e pranuar këtë detyrë unë shpresoja se do të kontribuoja në ushtrimin e veprimtarisë së LDK-së në Malmö.
Në rolin e sekretarit të Nëndegës së LDK-së në Malmö kam vepruar gati dy vite të plota. Aty kam bashkëpunuar me veprimtarë të shquar: Muhamet Shatri (që ishte edhe kryetar i Degës së LDK-së në Suedi), Enver Camaj, Shefki Ollomani, Haxhi Haxhiu, Imer Baqaj, Haziz Osaj, Ismail Rugova, Bajram Kabashi e të tjerë.
Dega e LDK-së e kishte shtrirë aktivitetin e saj që nga Malmö gjer në Kirunë. Nëndegët e LDK-së ishin krijuar edhe nëpër kampe refugjatësh dhe kudo zhvillohej aktivitet shumë i dendur, sidomos në grumbullimin e tre përqindëshit, Fondit të Republikës së Kosovës, që mund të thuhet lirisht se, sidomos nëpër kampe refugjatësh, pjesëmarrja e bashkatdhetarëve tanë në pagimin e tre përqindëshit ka qenë shumë masive.
Duhet theksuar se në regjistrimin dhe evidentimin e paguesve të tre përqindëshit një punë të shkëlqyeshme ka bërë Muhamet Shatri dhe Enver Camaj.
Së bashku me shumë bashkatdhetarë mora pjesë në demonstratën e Osllos. Në ballë të demonstratës së Osllos pashë se ishte Rrahim Përçuku, për të cilin shokët e mi në Kosovë më kishin njoftuar se kohë më parë e kishte lënë Vushtrrinë. Një nga bashkatdhetarët e mi nga Malmoja më njoftoi se Rrahim Përçuku ishte edhe në ballë të LDK-së në Norvegji!
I “entuziazmuar” nga lajmi që mora iu afrova afër Rrahim Përçukut dhe ju prezantova:
‒ Ju njoh profesor Përçuku. Ju kam takuar së bashku me Ferki Morinën në Prishtinë në vjeshtën e vitit 1979. A ka mundësi ta pimë një kafe së bashku?”
Rrahim Përçuku jo që nuk patë kohë ta pinte një kafe me mua, por atë dhe suitën e tij e “lëshoi toka” dhe u largua nga vendi i mbajtjes së demonstratës. Ku ta dija se ç’kujtime i kishte ngjallur prania ime kryetarit të Degës së LDK-së në Norvegji?! Rrahim Përçukun e njihja që nga vera e vitit 1979 dhe nga shokët e LNÇKVShJ-së në Vushtrri jam njoftuar se ai ka qenë një njeri i dyshimtë si bashkëpunëtor i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit Jugosllav.
Me kalimin e kohës kisha mësuar se nëpër nëndegë të LDK-së ishin zgjedhur nga anëtarësia edhe njerëz shumë të kompromentuar dhe që kanë bashkëpunuar hapur me pushtuesin serb.
Nga disa shokë, mësova se kryetar i një nëndege ishte zgjedhur një ish aktivist i Bozhurit dhe që kishte ushtruar detyrën e drejtorit të dhunshëm nëpër disa shkolla në Kosovë!
Meqë e njihja ish drejtorin e dhunshëm, ju drejtova kryetarit të Degës së LDK-së në Suedi, prof. Dr Muhamet Shatri dhe e njoftova për personin në fjalë. Në atë rast unë kërkova që të pyetet edhe Ibrahim Rugova për personin në fjalë. Prof. Dr. Muhamet Shatri u shpreh gjithashtu i zhgënjyer për lajmin që mori nga unë dhe më premtoi se do ta pyeste Prishtinën për këtë rast.
Diku, pas rreth një muaji, prof. Dr Muhamet Shatri më ka njoftuar se ka marrë përgjigje nga Prishtina dhe se për personin në fjalë nuk kishte asnjë vërejtje! Ky ishte një lajm shumë i keq dhe një zhgënjim i madh për mua.
Në verën e vitit 1992 kam dhënë dorëheqje nga detyra e Sekretarit të Nëndegës së LDK-së në Malmö, por edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Pas dorëheqjes, nuk i kam shkëputur lidhjet e mia me Muhamet Shatrin, Enver Camajn dhe veprimtarë të tjerë të Degës së LDK-së në Suedi, përkundrazi kam pasur miqësi me ta dhe kam bashkëpunuar me ta për ato çështje që i kam gjykuar si të interesit kombëtar.
(VIJON)
© Pashtriku.org
__________________________________
RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (42)
Nga Asllan Muharremi