DR.JAKUP KRASNIQI: DY PAVARËSITË SHQIPTARE

Prishtinë, 03. 11. 2012 – (Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë) – Përvjetori i 100-të i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, që identifikohet me ngritjen e Flamurit Kombëtar në Vlorë, më 28 nëntor 1912, nga patriotët që përfaqësonin gjithë hapësirën etnike dhe territoriale të kombit shqiptar, është ngjarja më e madhe dhe më e lavdishme e historisë së popullit shqiptar. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në tërësinë e saj territoriale, të Shqipërisë së katër vilajeteve dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, gati një shekull më vonë, ndërlidhet në mënyrë të pashmangshme me mënyrën se si u trajtua çështja shqiptare në atë periudhë, pasi shumëçka e sotme është pasojë e asaj epoke historike. Ajo periudhë historike, në raport me shqiptarët, ishte tepër e padrejtë, ndaj duhej të korrigjohej dhe korrigjimi u bë pas luftës çlirimtare në bashkërendim të plotë me komunitetin ndërkombëtar.

…………………………………………………..

Konferenca e Konstantinopojës (Stambollit), që u mbajt nga 23 dhjetori 1876 deri më 20 janar 1877, në të cilën Fuqitë e Mëdha të asaj kohe, Perandoria Ruse, Perandoria Austro-Hungareze, Franca, Anglia, Gjermania dhe Italia mbështetën kërkesën e Rusisë që të krishterëve sllavë që ishin nën Perandorinë Osmane t’u jepet autonomia shtetërore, në të kundërtën do të nxiteshin kryengritje të vazhdueshme. Perandoria Osmane, duke llogaritur në fuqinë e saj, e cila për shekuj kishte qenë fuqi në tre kontinente, refuzoi kërkesën. Perandoria Ruse nuk hezitoi t’i shpallë luftë Stambollit më 24 prill 1877. Pas një lufte njëvjeçare, e cila vuri në pah shumë dobësi të Perandorisë Osmane, të cilat dobësi e detyruan atë që më 3 mars 1878, me palën në konflikt të nënshkruajë armëpushimin në Shën Stefan, paralagje kjo e Stambollit. Kjo marrëveshje “paqeje” i njohu Rusisë të drejtën në rajonet me shumicë sllave dhe ortodokse të Ballkanit. Përfundimet e marrëveshjes goditën edhe tokat shqiptare, të cilat Perandoria Osmane nisi t’i përdorë, siç është thënë shpesh, si monedhë kusuritjeje, e cila provokoi një revoltë të përgjithshme, si në mesin e Fuqive të Mëdha, që nuk mund të pranonin ndikimin rus, e në mënyrë të veçantë në mesin e popullit shqiptar që u godit drejtpërdrejt nga ato vendime. Kjo revoltë imponoi takimin e ri ndërkombëtar, thirrjen e Kongresit të Berlinit më 10 qershor 1878. Rrjedhimisht, duhet të përmendet mobilizimi i shqiptarëve rreth Lidhjes së Prizrenit, me ç’rast shqiptarët elaboruan qartazi kërkesën për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, ku do të përfshiheshin territoret tona kombëtare, të cilat nën sundimin osman ishin të ndara në katër njësi administrative (vilajete). Këto vilajete në shumicë banoheshin nga shqiptarët. Dinamika e shpërbërjes së Perandorisë Osmane në Ballkan zgjati me dekada deri në themelimin e shteteve të reja në Ballkan. Shteti shqiptar – Shqipëria ishte i fundit në këtë proces të shpërbërjes së Perandorisë Osmane. 
Shpërbërjen e Perandorisë Osmane nga popujt e Ballkanit e ndihmuan shumë kryengritjet shqiptare të shekullit XIX dhe të fillimshekullit XX, sidomos ato të viteve 1908-1912, të cilat u pasuan nga dy luftërat ballkanike. Në këto luftëra fituan hapësira të reja tokësore në dëm të trojeve shqiptare Serbia, Greqia dhe Mali i Zi. Më të humburit në këto luftime e ndarje të reja dolën Perandoria Osmane dhe shqiptarët. Shqiptarët qenë humbësit më të mëdhenj, jo vetëm nga luftërat që ishin tepër tragjike, por, sidomos nga padrejtësia e vendimeve të Fuqive të Mëdha të marra në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Kriza e madhe lindore e viteve 1875-1880 kishte krijuar çështjen shqiptare në Ballkan, e cila formën e vet më tragjike, si çështja e Kosovës, në horizont do të dalë në vitin 1913, kur Konferenca e Ambasadorëve në Londër arriti që nga një copë e mbetur e tokave shqiptare ta krijonte Shqipërinë, të njohur shpesh si Shqipëria Londineze. Nuk ka dyshim se në ato vite Evropa ishte në krizë. Dëshmi për këtë është fillimi pas një viti i Luftës së Parë Botërore. Kjo krizë pra krijoi çështjen e Kosovës, e cila për 96 vjet ishte një vatër e hapur e luftërave dhe e ngatërresave të ndryshme. Kjo na shtynë të konkludojmë se lindja e çështjes së Kosovës ishte vepër e një padrejtësie historike e fillimit të shekullit XX, e cila u bë problem i zgjidhshëm nga drejtësia historike në fillimshekullin XXI. Për shpërbërjen e Federatës Jugosllave qe e pashmangshme ndërhyerja ushtarake e Komitetit Ndërkombëtar dhe bombardimet e NATO-s mbi Serbinë dhe Malin e Zi, si mbeturina të ish-Federatës Jugosllave.

…………………………………………….

Vlorë, 28. XI. 1912: Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në tërësinë e saj territoriale.

………………………………………………..

Viti 1989 paraqet një kontekst specifik ndërkombëtar: tërheqja e BRSS-së nga Afganistani dhe rrëzimi i murit të Berlinit me 9 nëntor 1989 (që simbolizonte luftën e demokracisë kundër totalitarizmit), të cilat ishin mesazhe të qarta se përfundimi i Perandorisë Sovjetike do të hapë një proces të ri politik në shkallë ndërkombëtare. Gjithë zhvillimet që ndodhën në vendet e Evropës Lindore, bile dhe përtej tyre, konfirmojnë një gjë të tillë, ndonëse elementet e para kundër totalitarizmit ishin shfaqur në Poloni nga “Lëvizja e Solidarnostit” (1979/80) dhe në Kosovë nga “Lëvizja Stundentore” e vitit 1981. Fundi i vitit 1989 dhe fillimi i vitit 1990 do të shënojë mobilizime të përgjithshme në të gjitha federatat e tipit të centralizuar, të njohura si federata totalitare. Pa neglizhuar pasojat në njerëz, gjatë shpërbërjes së BRSS-së, mund të konfirmojmë se shpërbërja e federatës jugosllave ishte më tragjikja për popujt që e përbënin atë. Federata jugosllave ishte ajo që pati dëme dhe shkatërrime më të mëdha, si në planin njerëzor ashtu edhe në rrafshin ekonomik (mbi 300.000 të vrarë, qindra mijë të plagosur dhe rreth 1 milion të zhvendosur). Dëmet që iu shkaktuan popujve të federatës jugosllave vazhdojnë të jenë të pallogaritshme edhe sot e kësaj dite. Procesi i shpërbërjes juridike të Jugosllavisë nga referendumet e pavarësisë (dhjetor 1990) shpalljet e pavarësive të Sllovenisë dhe Kroacisë (25 qershor 1991), Bosnjë-Hercegovinës (1991), Maqedonisë (1991), Malit të Zi (2006). Shpërbërja e federatës jugosllave padyshim që ishte një shpëtim për popujt që e kishin përbërë atë. Ajo duhej të ishte shpëtim edhe për Serbinë, e cila mbi vete i bartë “meritat” më të mëdha për atë shpërbërje, por për të është fatkeqësi se nuk arriti të nxjerrë mësimin e duhur nga regjimi kriminal i Millosheviqit. Mosnxjerrja e mësimit të duhur nga politika serbe postmillosheviqiane po e mban peng paqen dhe sigurinë e tërë rajonit. 
Ngjashmëria e dytë e madhe në mes dy pavarësive shqiptare është se, të dy shteteve shqiptare (Shqipërisë dhe Kosovës), për vitet e para të jetës së tyre të pavarur u është caktuar nga një periudhë e administrimit të jashtëm (ndërkombëtar). Shqipërisë, iu caktua Komisioni i Kontrollit Ndërkombëtar, me mbretin Vilhelm Vidin në krye, që u ndërpre me fillimin e Luftës së Parë Botërore, edhe pse i ishte caktuar një periudhë dhjetëvjeçare për sundimin e princit evropian. Ndërsa Kosovës, pas luftës çlirimtare, iu caktua periudha e Administrimit Ndërkombëtar, të njohur si UNMIK, me kryeadministratorë që ndërroheshin shpesh e të cilët sundonin si mbretër të plotfuqishëm për pothuajse dhjetë vjet. Të gjithë këta kryeadministratorë qeverisën në Kosovë mbi bazën e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Jetëgjatësia e Administrimit Ndërkombëtar, në rastin e Kosovës, qe paraparë të ishte trevjeçare. Ndërrimet e shpeshta të kryeadministratorëve, përveç të tjerave, ndikuan që administrimi i UNMIK-ut në Kosovë të ishte jocilësor. Madje ai ishte pengesë për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Shikuar nga ky rrafsh, protektorati ndërkombëtar ka qenë specifik për Kosovën dhe këtu nuk ndryshon paksa ngjashmëria në mes dy pavarësive tona. Por, në anën tjetër, si administrim i caktuar nga Fuqitë e Mëdha ka ngjashmëri. Në të dy rastet, në vitet e para të pavarësive, ndodhën disa gjëra të dhimbshme, që patën pasoja të rënda për raportet ndërnjerëzore si në Shqipërinë e para 100 vjetëve, ashtu edhe në Kosovën e para pesë vjetëve. Pastaj grupeve politike e atdhetare, që kishin kontribuar në çlirimin e vendeve të tyre, Fuqitë e Mëdha, përkatësisht OKB-ja, nuk u besuan të ishin pjesë udhëheqëse e drejtimit të shteteve të porsakrijuara shqiptare. Kështu ndodhi pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kur nuk u pranua Qeveria e Ismail Qemalit, që kishte një përbërje gjithëkombëtare, edhe pse jashtë saj mbetën shumë intelektualë atdhetarë, ndërsa pjesë e Qeverisë së Princ Vidit u bënë kryesisht nga feudalë shqiptarë, në krye me Turhan pashë Përmetin, i cili në kohën e Perandorisë Osmane kishte shërbyer si ambasador në Peterburg dhe për të cilin Arben Puto në librin “Shqipëria politike”, thotë se e kishte një origjinë të zbehtë shqiptare. Ky emërim tregon qartë se ishte bërë një kompromis mes Fuqive të Mëdha, jo vetëm në emërimin e kryeministrit, por edhe të ministrave që vinin kryekreje nga radhët e feudalëve konservatorë, të orientimit osman.

……………………………………..

Sundimi i Princ Vidit në Shqipëri (mars – shtator 1914)

…………………………………………….

Pas 96 vitesh, UNMIK-u në Kosovë nuk e njohu Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, të dalë nga lufta çlirimtare, por formuan një Qeveri me bashkëdrejtues mbi bazën e Kornizës Kushtetuese, ku fjalën kryesore e kishin ndërkombëtaret. Edhe në Kosovë nuk munguan zërat që mohonin luftën çlirimtare, mohonin gjakun e derdhur për liri. Ata sikur nuk donin ta kuptonin se ishte flijimi i Jasharëve të Prekazit, në krye me Komandantin legjendar – Adem Jashari, që ia kishin shtuar Zonjës Ollbrajt dhe shtetit që përfaqësonte ajo, vendosmërinë për veprim kundër pushtetit kriminal të Millosheviqit. Pa pushkët e shkrehura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri dhe vetëm me vajtime të përditshme nuk do të kishte ndodhur kurrë ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë. 
Në disa pikëvështrime, periudha historike që po kalojmë është analoge me kohën e shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Për kohën kur qenia shqiptare ishte e rrezikuar nga aspiratat grabitqare të shteteve fqinje, gjeneratat tona nuk debatojnë lidhur me nominimin e Princ Vidit si Mbret i Përkohshëm i Shqipërisë, me termat në ishte “barrë” apo “lehtësim” për Shqipërinë, ndonëse në pushtet do të vendoseshin feudalët profiterë në dëm të atdhetarëve të njohur demokratë, duke pasur ndihmën e pranisë ndërkombëtare të kohës, të cilëve nuk u duheshin personalitetet me integritet, por njerëzit e “lepe-peqeve” apo shprehjes adekuate angleze “jes men”. Demokracinë dhe integritetin ndërkombëtarët e ruajnë për vendet e tyre, por jo në vendet ku “sugjerojnë” politika dhe i mësojnë amatorët politikë si të merren vendimet deri ku dhe kush duhet të vendoset në një post në Agjencinë e Privatizimit, në ndërmarrjet publike, në postin e Drejtorit të Policisë apo Guvernatorit të Bankës Qendrore, etj. Kjo mënyrë e qeverimit është gjithçka, por jo qeverisje demokratike. Sikur të mos ndodhnin ndërhyrjet pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, të mos vinin në pushtet halldupët, në rrjedha të tjera do të ecte Shqipëria dhe shqiptarët. Standarde të tjera do të vendoseshin për drejtuesit e shtetit. Përkundër kësaj, për kohën tonë, e rëndësishme mbeti bërja dhe njohja ndërkombëtare që iu bë shtetit shqiptar – Shqipërisë, më 29 korrik 1913, nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, që u rikonfirmua në Konferencën e Paqes në Paris (1919), me ndihmen e Presidentit të SHBA-ve, Vilsonit dhe pastaj me anëtarësimin e saj në Lidhjen e Kombeve më 17 dhjetor 1920. Kjo mbijetesë edhe ashtu siç ishte, në kohë të ndryshme, ishte një zë i mbrojtjes për shqiptarët e pushtuar nga shovinistët e Ballkanit. Sot, ne shqiptarët mjaftohemi që një pjesë e territoreve tona në rrethana mjaft dramatike u konstituua e mbijetoi me shtetin shqiptar – Shqipërinë, edhe pse një shtet i përgjysmuar ky. Në një të ardhme, gjeneratat që do të vijnë pas nesh, edhe ne të sotmëve të Kosovës do të na gjykojnë lidhur me atë se ç’u lamë atyre, çfarë shteti funksional do të jetë Republika e Kosovës, çfarë pasurie trashëguan… Dhe pyetja fundamentale: Çfarë sigurie do t’iu lëmë shqiptarëve jashtë shteteve shqiptare?! Shpresojmë t’u lëmë një shtet sovran që funksionon mbi vlerat, parimet dhe standardet e sotshme të demokracive perëndimore dhe të integruar në BE dhe NATO. Shqiptarëve jashtë kufijve të shteteve shqiptare, mundësinë për integrime të gjithanshme kombëtare e evropiane. Shpresojmë t’u lëmë një treg të përbashket kombëtar, për gjithë segmentet e jetës. Sigurisht që gjeneratat e ardhshme nuk do të flasin për kohën e Administrimit Ndërkombëtar, por çfarë tradite shtetërore do t’u lëmë. Ndërsa, sa i përket pasurisë, kjo do të varet shumë nga ne dhe nga qasja që gjeneratat e reja do të kenë ndaj punës, ndaj burimit kryesor të pasurisë së kombeve, siç thotë Adam Smithi. Ndonëse, kjo nuk është punë e lehtë e as pa sfida të mëdha, të brendshme e të jashtme. Brezi i pavarësisë së Kosovës, që përfaqësojnë qytetarët e mrekullueshëm, duhen të angazhohen që Kuvendi i Kosovës të përgatitë legjislacionin e duhur për të çuar Kosovën në familjen e madhe euroatlantike. Por, mënyra si votohet dhe si ndikohet votimi në Kuvendin e Kosovës, si imponohen të zgjedhurit, lënë shumë për të dëshiruar. Popullit të Kosovës në legjislaturën e dytë të pavarësisë i mungojnë përfaqësuesit dinjitozë e me integritet dhe një gjë e tillë nuk duhet të përsëritet më.
Deri më tani folëm për ngjashmërit në mes dy pavarësive shqiptare, ndaj ia vlen të themi ndonjë fjalë ç’i dallojnë dy aktet (jo)formale të pavarësive shqiptare, cili akt u gjet në rrethana më të vështira dhe cili në rrethana më të favorshme. Shikuar në këtë rrafsh, sigurisht që ka dallime shumë të mëdha. Pavarësia e Shqipërisë, e shpallur këtu e 100 vjet më parë nga Ismail Qemali dhe brezi i madh i pavarësistëve (independentistëve), ndodhi në rrethana lufte e terrori që ushtronin në trojet shqiptare ushtritë shoviniste serbe, malazeze e greke, por edhe me praninë e ushtrisë së turqve të rinj, të cilët u tërhoqën pa bërë ndonjë rezistencë për të qenë. Pavarësia e Kosovës u shpall nëntë vjet pasi ushtria serbe ishte larguar nga Kosova (21-22 qershor 1999). U shpall nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të Kosovës në zgjedhjet e lira në fundvitin 2007, në bashkërendim të plotë me faktorin ndërkombëtar. Pra, rrethanat në të cilat Republika e Kosovës deklaroi dhe formalizoi pavarësinë më 17 shkurt 2008, ishin shumë më të favorshme sesa ishin rrethanat në hapësirën tonë kombëtare para 100 vjetësh, kur edhe u copëtuan pamëshirshëm tokat shqiptare. Para 100 vjetësh, brezi i pavarësisë së Shqipërisë së Ismail Qemalit, edhe pse bënë një luftë titanike, edhe pse u njohën nga Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, nuk e patën një mbshtetës të fuqishëm, siç i patën SHBA-të pothuajse 100 vjet më pas shqiptarët e Kosovës dhe kjo sigurisht që është një dallim i madh dhe një përparësi evidente për brezin tonë.

……………………………………………..

Prishtinë, 17. II. 2008: Shpallja – Deklarata e Pavarësis së Kosovës.

…………………………………………….

Ndryshimet që ndodhen gjatë dhjetëvjetëshit të pranisë ndërkombëtare, të UNMIK-ut, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, shtruan nevojën e rikonfigurimit të pranisë së re ndërkombëtare, të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (PCN) dhe të asaj evropiane (EULEX) në Kosovë. Ky rikonfigurim i ri sigurisht që nuk mund të funksiononte mbi bazën e pranisë së vjetër sikur asgjë nuk ka ndodhur në Kosovë pas deklarimit të pavarësisë. Derisa UNMIK-u kishte ardhur për të përgatitur Kosovën për statusin e ardhshëm të saj, i cili është arritur tashmë më 17 shkurt 2008, PCN dhe EULEX-i (Mision Evropian për Politika të Sigurisë dhe të Mbrojtjes) erdhën mbi bazën e Dokumentit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari (anekset IX dhe X), qëllimi i tyre ishte për të zbatuar Dokumentin Gjithëpërfshirës, përkatësisht, për t’i ngritur kapacitetet e Qeverisë së Kosovës në tri fusha të rëndësishme (siguri, drejtësi dhe dogana). Të dy misionet (ai që po shkonte dhe ky që po vinte) patën për qëllim të përbashkët për të bërë të suksesshëm, stabil, të sigurt dhe demokratik Kosovën, përkatësisht shtetin e Kosovës pas deklarimit të pavarësisë. Sigurisht, praninë ndërkombëtare (UNMIK-un) dhe më pas Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar me Misionin Evropian të Sigurisë, nuk i kanë përcjellë vetëm sukseset, sepse ka pasur edhe shumë veprime të gabuara, ndërsa suksesi është gjithsesi: Republika e Kosovës – shtet i pavarur, sovran dhe demokratik i njohur ndërkombëtarisht nga mbi 90 vende, por jo ende i anëtarësuar në OKB. Këtë vit, më 10 shtator, Grupi Drejtues Ndërkombëtar mori vendimin për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa po atë ditë në Kuvendin e Kosovës u amandamentua Kushtetuta për heqjen e neneve të mbikëqyrjes së pavarësisë dhe gjithashtu u ndryshuan 21 ligje që lidhen me këtë proces, ndërsa EULEX-it iu vazhdua mandati edhe për një periudhë dyvjeçare.
Dhe vërtet, nuk ka gjë më të shenjtë për Shqipërinë dhe Kosovën, për shqiptarët në përgjithësi, sesa vendosja e demokracisë, përmbyllja e shtetit të së drejtës, shtetit të drejtësisë sociale. Gjithë patriotët e vërtetë të kombit tonë janë angazhuar për këtë formë shteti e shtetndërtimi. Të shtetit që ligjëson demokracinë për të gjithë.
Ekstrat i nxjerrur nga një punim më i gjatë.
*) Autori ëshët Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura