RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (42) FUND /

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (42)

Nga Asllan Muharremi

Në Shkup pas trembëdhjetë vitesh

    Politika serbomadhe dhe antishqiptare e Beogradit u kishte bërë një goditje të rëndë të gjitha segmenteve  të jetës në Kosovë. Me vendime raciste, të shkruara e të ardhura nga Beogradi,  shqiptarët u nxorën  nga administrata, ekonomia shoqërore, shërbimi shëndetësor dhe sistemi shkollor. Shqiptarët, madje, u pushuan edhe nga puna në polici e gjyqësi dhe u zëvendësuan me policë e gjyqtarë serbë të Kosovës dhe të ardhur nga Kraina e Kroacisë dhe pjesët tjera të ish Jugosllavisë.

      Si rezultat i politikës së aparteidit që ushtronte Beogradi mbi shqiptarët me mijëra shqiptarë morën botën në sy. Ky proces që kishte nisur para disa viteve, tani ishte intensifikuar shumë. Gjithnjë e më shumë, në shtypin suedez, por edhe nga burimet tjera të informacionit mësoja se po rritej numri i shqiptarëve nga Kosova.

      Verën e vitit 1996, ashtu si edhe çdo vere tjetër, shoqen dhe  fëmijët i nisa me aeroplan për Kosovë. Me që unë nuk kisha vizituar asnjëherë familjen time, ashtu si nuk kishte pasur mundësi vizite në Suedi as nga familja ime (me përjashtim të Shabanit dhe motrës sime, Nafijes), për shkak të mungesës së pasaportave, Florien e porosita që të fliste me prindërit e mi dhe t’i njoftonte se unë e kisha ndërmend të udhëtoja në Shqipëri dhe në këtë udhë kisha dëshirë të kaloja për dy-tre ditë në Shkup.

      Diku rreth dhjetë ditë pas udhëtimit të shoqes sime dhe fëmijëve, jam nisur me tren për Shqipëri, nëpërmjet Zvicrës e drejt në Bari të Italisë.

      Gjatë rrugës kam qëndruar tek vëllai im Shabani, i cili tani ishte refugjatë në Zvicër. Në Zvicër u takova edhe me dy djemtë e dajës Isë: Fadil dhe Ilir Mirena, të cilët nuk i kisha takuar që nga vitit 1983, kur ata ishin ende fëmijë.

      Në Zvicër jam takuar me kunatin tim, Reshat Rexhaj dhe jemi nisur së bashku për Shqipëri. As Reshati nuk guxonte të udhëtonte në Kosovë, meqë policia serbe ia kishte bastisur shtëpinë dhe e kërkonte për një armën që ia kishte gjetur në shtëpi.

      Vizita ime në Durrës, po bëhej pas nëntë vitesh. Qyteti dhe njerëzit ishin të lirë, por gjendja ekonomike ishte shumë e rëndë. Varfëria ishte e skajshme. Për ndryshim nga vitit 1987, tani flitej hapur për varfërinë dhe vitet e rënda nëpër të cilat kishin kaluar shqiptarët gjatë diktaturës. Njerëzit me të cilët pata rastin të bisedoja flisnin për histori të tmerrshme, nëpër të cilat kishin kaluar dhe që unë as që i kisha marrë me mend se kanë mundur të ndodhin në Shqipërinë Socialiste. Më vinte keq për vuajtjet e tyre. Por ndjehesha edhe krenar për veprimtarinë time dhe të shokëve të mi, sepse ne, ndonëse kishim mbajtur kontakte me përfaqësues të shtetit shqiptar dhe kishim kërkuar ndihmën e tyre për luftën tonë, nuk ishim pjesë as përkrahës të krimeve të diktaturës.

       Në Durrës, së bashku me Reshatin qëndruam rreth një javë.

      Reshati duhej të kthehej përsëri në punë në Austri, sepse në Kosovë nuk mund të udhëtonte! Reshati u nis për Austri, ndërsa unë mora autobusin për Shkup.

     Maqedonia ishte shpallur e pavarur dhe unë kishte vite që e kisha nënshtetësinë suedeze dhe besoja se nuk do të më nxirrnin telashe për t’u futur brenda. Kështu edhe bëra. Nga Durrësi në Shkup kalova pa problem.

     Në Stacionin e Autobusëve në Shkup, aty ku e kisha marrë autobusin për Stamboll para trembëdhjetë vitesh, zbrita nga autobusi dhe mora një taksi për lagjen Butel II, ku jetonte familja e bashkatdhetarit dhe mikut tim Agron Raimi, i cili ishte edhe nip i Shkuri Raimit, historianit të njohur dhe autorit të librit “Vilajeti i Kosovës”, që e kisha lexuar qysh kur isha student dhe që  ishte bërë edhe shkak i njohjes dhe miqësisë sonë.

     Në rrugë pranë shtëpisë së Raim Raimit (të atit të Agronit), nga makina e taksisë, e pashë tim atë, i cili, kishte dal dhe po më priste, meqë edhe autobusi im ishte vonuar për disa orë. Shoferi i taksisë e ndaloi makinën dhe e hapi dritaren e po i thotë tim atë:

      ‒ Ku je nisur, o burrë? Eja me ne se këtu është Asllani?!

       Im atë ma lëshoi një shikim shpejtë dhe meqë unë isha i rrezitur dhe bënte natë, nuk më njohu dhe ju drejtua shoferit:

       ‒ Jo, jo. Ky nuk është Asllani!

      Atëherë unë e hapa derën dhe zbrita nga makina dhe ju ofrova:

       ‒ Eja, se unë jam Asllani. Më shiko më mirë!‒ dhe e përqafova.

       Krah për krahu shkuam së bashku me tim atë gjer tek dera e shtëpisë së Agronit.

       Sapo u afruam pranë derës së shtëpisë dolën jashtë nga shtëpia Agroni dhe  brenda gjeta nënën time,  dy motrat e mia dhe kushëririn tim Hoxhën e Vogël. U përqafuam me mall dhe atë natë nuk fjetëm deri në mëngjes. Prindërit e mi kishin ardhur qysh paradite. Ata kishin menduar se do të më gjenin në Shkup, prandaj e kishin marrë trenin e parë.

     Pas dy ditë çmallje me njëri-tjetrin, prindërit, motrat dhe Hoxha i Vogël u kthyen në Kosovë, ndërsa unë e prita Florën dhe fëmijët që t’i përcillja me aeroplan për Kopenhagë.

     Familja e Raim Raimit, e cila me bujarinë dhe mikpritjen e saj na bëri të ndjeheshim si në shtëpinë tonë, më la mbresa të paharruara. Aty mësova se Raim Raimi, qysh në vegjëli ishte shpërngulur në Shkup nga fshati  Nasallcë i rrethit të Preshevës, ashtu siç mësova se Agronin nuk e kishte pagëzuar me emrin e tij të bukur Shukri Raimi, ashtu siç kisha menduar unë, por gjyshi i Agronit.

      Sapo i përcolla Florën dhe fëmijët për Suedi, përsëri nga Shkupi, sikur po ia ktheja shpinën Kosovës, u nisa për Durrës.

      Në autobus kishte shumë njerëz. Në mesin e tyre takova edhe një të larguar për shkak të dhunës serbe nga Kosova që ishte nisur për Shqipëri. Në vendkalimin kufitar Maqedoni- Shqipëri, në Shën Naumin e dikurshëm shqiptar, por që falë dhuratës së satrapit Ahmet Zogu, tani ishte bërë maqedonas, takuam edhe një hallexhi nga Kosova, por që ishte duke e pritur autobusin për Durrës meqë policia maqedonase nuk e kishte lejuar të hynte në Maqedoni meqë kishte pasaportë të refugjatit politik. Hallexhiu që ishte nisur nga Shqipëria për ta takuar familjen e tij në Maqedoni ishte Martin Çuni, për të cilin unë kisha dëgjuar se ishte i burgosur politik. Më erdhi shumë keq për te dhe familjen e tij. Ku ta dish se sa vite nuk i ka takuar,-thashë vetë me vete?!

     Isha shumë i lumtur që i kisha takuar njerëzit e mi të dashur pas trembëdhjetë vitesh. Nga bisedat me prindërit, motrat dhe Hoxhën e Vogël, mësova se gjendja në Kosovë ishte shumë më e rëndë nga ajo që kisha dëgjuar e mësuar nga njerëzit që kisha takuar në Suedi, por edhe të atyre ditëve sa qëndrova në Shqipëri. Kjo më shqetësonte shumë. Kur isha larguar nga Kosova trembëdhjetë vite më parë, kishte një gjendje shumë më ndryshe dhe të favorshme për shqiptarët. Tani serbomëdhenjtë duan ta dëbojnë popullsinë shqiptare nga Kosova. Ky qëllim i kamotshëm si duket po ecën drejtë realizmit të tij! Ndërsa ne nuk jemi askund në mbrojtjen nga kjo e keqe që na kanosej. Lidhja Demokratike e Kosovës ka zgjedhur avazin e rezistencës paqësore.  Serbomëdhenjtë po bëjnë të gjitha përpjekjet që rezistencën paqësore ta shfrytëzojnë për ndërrimin e strukturës etnike të Kosovës. Kosova po boshatisej nga shqiptarët. Gjatë ditëve sa kisha qëndruar në Shqipëri, isha ndarë me përshtypje shumë të zymta. Fatkeqësisht, as Shqipëria nuk ishte në gjendje të merrej me Kosovën! ‒  po me fluturonte mendja sa andej e sa këndej.

      Natën e kalova në Hotel “Apollonia”.

      Në mëngjes mora një taksi drejt Portit të Durrësit.

      Para Portit të Durrësit, e shohë një grua të re që bartte një qantë shumë të madhe dhe që mezi e çonte nga toka! E pyeta se a mund ta ndihmoja dhe pas pak arritëm tek anija e pasagjerëve që quhej “La Vikinga”.

      Sapo zumë vende në anije, gruaja e re, takoi edhe një grua tjetër të moshës së saj, që siç e mora vesh e njihte qysh më parë. I qerosa me nga një kafe. Aty nisëm edhe bisedën tonë.

      Gruas që i ndihmova ju prezantova se kush isha. Ajo gjatë udhëtimit, nisi të m’i numëroi të njëmijë të zezat që kishin bërë kosovarët në Shqipëri!

      I habitur nga gjithë ato që dëgjova, që për mua nuk ishin asgjë tjetër pos paragjykime dhe thashetheme, e pyeta motrën time shqiptare:

      ‒ A ke ndonjë dëshmi se unë, gjatë qëndrimit tim njëjavor në Shqipëri, kam bërë ndonjë punë të pistë të llojit të atyre që i zure në gojë?

     Motra nga Shqipëria e kuptoi se isha i zemëruar dhe nuk tha gjë.

      Pas shumë mundimesh, meqë deti ishte i trazuar dhe anija jonë tundej nga valët e mëdha, arritëm në Bari.

      Sapo u ankorua anija, u përshëndeta me motrat shqiptare dhe zura vend në radhë për ta lënë anijen  dhe drejtuar drejt vend kontrollit të pasaportave.

     Rreth një gjysmë ore më vonë kalova në tokën italiane.

     Tek vendi i taksive, e takova përsëri motrën shqiptare, së bashku me një burrë. Motra shqiptare,  e ngriti dorën dhe po më sinjalizonte që te shkoja drejt saj. Për hir të së vërtetës me duhet thënë se unë bëhesha sikur nuk po i shohë, meqë nuk dëshiroja të shkoja gjer në Stacionin e Trenit me makinën e tyre. Mirëpo motra shqiptare më drejtohet me zë:

      ‒ Eja, eja tek ne se po të presim! Ne të dërgojmë në Stacion të Trenit!‒ dhe ecte drejt meje!”

      Motra” shqiptare, u ofrua pranë meje, ma mori një çantë dhe më tha të ecja pas saj! Nga aty me makinën e italianit arritëm në Stacionin e Trenit të qytetit të Barit.

Dalja në skenë e UÇK-së

    Në mars të vitit 1998, vëllai im Shabani, udhëton  nga Zvicëra për vizitë në Shqipëri. Gjatë vizitës dyjavore, Shabani takohet me prindërit dhe dy motrat tona, të cilët kishin ardhur  nga Kosova.

   Në të kthyer nga vizita në Shqipëri, Shabani më ka njoftuar për gjendjen në Kosovë dhe për inkuadrimin e tre vëllezërve tanë (Skënderit, Muharremit dhe Avniut) në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

   Nga Shabani, mora vesh se me 14 qershor 1998 në fshatin Mihaliq ishte themeluar Skuadra e parë e UÇK-së dhe se komandant i saj ishte emëruar, vëllai ynë, Skënder Muharremi.

    Dhjetorin e vitit 1998, gjatë një udhëtimi në Zvicër, pata rastin të takohem  me Hysen Hasanin, bashkëfshatarin tim dhe pjesëtarin e Skuadrës së UÇK-së në Mihaliq, i cili disa javë më parë kishte ardhur nga Kosova. Nga Hyseni dhe Shabani jam njoftuar për qëndrimin e LDK-ës në fshatin Mihaliq, gjatë mbledhjes së Skuadrës së UÇK-së me bashkëfshatarët që ishte mbajtur me 23 qershor, me që rast, përfaqësuesit e LDK-së nuk ju kishin bashkuar UÇK-së, pa marrë pëlqimin e presidentit Ibrahim Rugova! Disa aktivistë të LDK-së,  kishin shprehur rezervat e tyre edhe lidhur me organizimin e rojeve në fshat dhe udhëheqjen e Skuadrës së UÇK-së nga vëllai im, Skënder Muharremi!

    Në ndërkohë unë kisha dëgjuar disa deklarata e vlerësime të presidentit Ibrahim Rugova lidhur me me veprimtarinë dhe ekzistencën e UÇK-së, në që rast aksionet e UÇK-së, identifikoheshin me “segmente të policisë serbe”! Ndonëse deklaratat e tilla më patën zhgënjyer shumë, edhe më tutje, unë nuk besoja se ato ishin qëndrimet e vërteta të Ibrahim Rugovës. Deklaratat e tilla unë besoja se ishin pjesë e propagandës serbe për ta përçarë frontin e luftës së popullit tonë për liri dhe pavarësi.

    Gjatë një takimi me Xhafer Durmishin jam njoftuar se Ahmet Krasniqi ishte emëruar Ministër i Mbrojtjes së Kosovës në Qeverinë e Bujar Bukoshit!

    Duke ditur se nga ç’derë e madhe ka dal Ahmet Krasniqi, lajmi se ai do ta ketë epror Bujar Bukoshin, për të cilin kisha dëgjuar fjalë të mbara e të mbrapshta, dhe aq më tepër që ai do të vendosej në Tiranë, ku lirisht, vepronin të gjitha agjenturat e botës dhe më së shumti ato serbe, jam shqetësuar për jetën e Ahmet Krasniqit. Unë druaja se shërbimet informativ serbë do t’i shfrytëzoi deri në maksimum edhe kundërthëniet që ekzistonin në mes UÇK-së dhe FARK-ut për të nxitur vëllavrasje në mes shqiptarëve. Këtë ia kam shprehur edhe Xhafer Durmishit, gjatë atij takimi e shëtitje që kemi pasur në Arlöv.

    Nga Sabri Novosella, qysh kur isha në Turqi, kisha dëgjuar se Ahmet Krasniqi ka pasur kontakte me Shefqet Jasharin qysh para shkuarjes së tij në Akademinë Ushtarake. Gjithashtu, pas emërimit të Ahmet Krasniqit, ministër i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, kisha marrë vesh  se së bashku me të në Tiranë  ndodhej edhe Shefqet Jashari, njëri nga nga tre themeluesit e LNÇKVShJ-së.  Disa javë më vonë mora lajmin e hidhur se në Tinanë ishte vrarë Ahmet Krasniqi.

      Duke ditur gjendjen në Shqipëri, vrasja e Ahmet Krasniqit në mes të Tiranës, nuk më ka befasuar. Që nga momenti i vendosjes së tij në Tiranë e kam pritur se do të vritej. Jam i sigurt se agjentë të UDB-ës serbe ka pasur me bollëk, jo vetëm në radhët e SHIK-ut shqiptar,  në radhët e FARK-ut,por edhe në radhët e UÇK-së. UDB-a serbe nuk do ta lejonte Ahmet Krasniqin t’i bashkohej UÇK-së dhe ta ndërtonte së bashku me të një ushtri çlirimtare. Prandaj, agjentët e UDB-ës serbe kanë vepruar dhe nxitur kundërthëniet. Vrasja e Ahmet Krasniqit i përmbushi pikërisht këto objektiva serbe.  

     Lidhur me veprimtarinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kam mësuar më shumë nga Haxhi Berisha i cili kishte lidhje me të bijtë e Ismail Haradinajt: Nasim, Naim dhe Agron Haradinaj, të cilët ishin angazhuar dhe vepronin për masivizimin  e UÇK-së.

    Ato ditë mësova se radhëve të UÇK-së iu kishte bashkuar edhe Ismet Bicaj, i cili banonte në Karlstad të Suedisë. Ismet Bicaj e kishte lënë të shoqen dhe dy fëmijët e tij në Suedi. I lakmova shumë për aktin e tij të lavdishëm! Ismet Bicaj ishte larguar nga Kosova qysh në vitet 1982-1983 dhe ishte një veprimtarë i devotshëm i luftës sonë për liri dhe çlirim nga zgjedha serbe.

      Disa ditë më vonë Ramadan Behramaj më ka njoftuar se ai ishte duke mbledhur ndihma për Fondin “Vendlindja Thërret”.     

      Gjatë kësaj kohe unë kisha kontakte të shpeshta me Hajdin Abazin, por, miku im i Lëvizjes Popullore të Kosovës, nuk më ka folur fare, në fillim,  për UÇK-në dhe për kyçjen e tij në radhët e saj! Më ka shkuar mendja se shokët e Lëvizjes nuk më kanë besuar!

      Hajdin Abazi më ka folur për lidhjet e tij me UÇK-në vetëm pas marrjes së lajmit se unë e kisha njohur atë gjatë një paraqitje të tij në televizionin suedez, si pjesëmarrës i luftimeve në Kosovë dhe si i plagosur në luftime. Në atë rast, Hajdin Abazi, më ka bërë ftesë që t’i bashkohesha  edhe unë UÇK-së, por unë i jam përgjigjur me jo ofertës së tij, me arsyen se unë kisha tre vëllezër që kishin veshur uniformën e UÇK-së dhe se nga shtëpia më kishin thënë që të mos shkoja në Kosovë, tani për tani.

      Gjendja në Kosovë po përkeqësohej në mënyrë dramatike. Ushtria dhe policia serbe po e terrorizonte Kosovën dhe popullin e saj. Ushtria Çlirimtare e Kosovës po luftonte me gjithë fuqinë e saj për ta çliruar vendin dhe popullin e saj nga okupatori serb.

       Duke pësuar humbje në përballje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ushtria dhe policia serbe hakmerrej kundër popullsisë  së pambrojtur. Masakra e Prekazit, pas qëndresës heroike të Adem Jasharit, masakra e Likoshanit dhe masakrat tjera që bënë ushtria dhe policia serbe kundër popullsisë civile e zgjuan ndërgjegjen e botës dhe bota demokratike  angazhoj forcat ajrore të NATO-s kundër makinerisë vrastare të Serbisë.

      Koha e bombardimeve të NATO-s, ndërprerjes së lidhjeve telefonike me Kosovën, vrasjeve masive dhe dëbimit të qindra mijëra shqiptarëve nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe, kanë qenë momentet nga më të rëndat të jetës sime, në mërgim. Përkundër qëndrimit tim gati gjatë gjithë kohës pranë internetit, televizionit dhe radios, unë nuk merrja vesh asnjë lajm  për familjen time dhe njerëzit e mi të dashur.

     Në fillim të prillit 1999 Radio Televizioni Shqiptar publikoi fotografitë e televizionit serb dhe atyre të botës në të cilat Ibrahim Rugova dhe Millosheviqi dukeshin gjoja duke biseduar! U bëra tym. Në atë gjendje të rënd në të cilën ndodhej Kosova si rezultat i barbarisë së ushtrisë dhe policisë serbe, isha i sigurt se Ibrahim Rugova ishte detyruar të zhvendosej nga Prishtina në Beograd. Për mua gjithçka ishte inskenim i policisë serbe. Më erdhi keq për Ibrahim Rugovën dhe familjen e tij, sepse për mendimin tim, duke i kidnapuar, Serbia po përpiqej t’i vriste për së gjalli.

     Gati një muaj pas ndërprerjes së lidhjeve, vëllai im, Skënderi, më ka marrë në telefon (me një telefon të UÇK-së) dhe më ka njoftuar se deri në ato çaste ai dhe familja ishin gjallë dhe shëndoshë e mirë! Kjo bisedë telefonike, ndonëse e shkurtër, për mua, ka qenë një nga bisedat më të vlefshme që kam marrë gjatë luftës.

     Në maj Radiotelevizioni shqiptar dha lajmin se në luftë me ushtrinë serbe kishte rënë Ismet Bicaj. Ndonëse Ismet Bicaj i kishte falur jetën lirisë së atdheut të tij, më erdhi keq për shoqen dhe fëmijët e tij në Suedi që tani e tutje kishin ngelur pa më të dashurin dhe të shtrenjtin e tyre.

      Ato ditë unë isha lajmëruar dhe regjistruar në listën e vullnetarëve që do t’i bashkoheshin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ende pa mbaruar të gjitha përgatitjet, Jakup Krasniqi dha urdhëresën që të pushohet me mobilizimin e bashkatdhetarëve tanë që kishin një moshë të caktuar dhe që ishin në marrëdhënie pune.

      Disa javë më vonë Ushtria dhe Policia Serbe detyrohen të kapitullojnë dhe nënshkruhet Marrëveshja e Kumanovës.

      Me 12 qershor 1999, në televizor pashë skena biblike të kthimit të shqiptarëve në vatrat e tyre, largimin e ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova , zbritjen  e Ushtrisë Çlirimtare nga malet e Kosovës dhe hyrjen e forcave tokësore të NATO-s  në Kosovë.

Udhëtimi im i parë në Kosovën e çliruar nga pushtuesi serb

     Falë qëndresë së popullit tonë, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bombardimeve të NATO-s, Kosova u çlirua nga pushtimi serb. Shqiptarët e dëbuar  u kthyen në vatrat e tyre stërgjyshore.

       Disa ditë më vonë bëra edhe bisedën e parë telefonike me familjen time në Kosovë.  Më thanë se ishin të gjithë gjallë, se fshati ishte djegur i tëri dhe familja ime ishte vendosur në fshatin fqinjë, Lumi i Madh.

      Në fillim të korrikut bëra një bisedë me shoqen time, Florien dhe fëmijët e mi Albanin, Gentën dhe Mimozën dhe u tregova se kisha vendosur ta vizitoja Kosovën.

      Ditën kur do të udhëtoja, trageti Malmo- Kopenhagë u vonua, gati një orë e gjysmë. “Fatbardhësisht” edhe aeroplani u vonua nëntë orë! Nga Kopenhaga në Lubjanë  fluturuam në mbrëmje, ndërsa në Shkup ateruam diku pas mesit të natës.

      Natën e kalova në Aeroportin e Shkupit. Në mëngjes e mora një taksi dhe u nisa drejtë pikës kufitare Hani i Elezit. Vendkalimi Maqedoni-Kosovë kontrollohej nga ushtarët e NATO-s. Pas kontrollimit të pasaportës kalova në territorin e Kosovës, u nisa në këmbë drejtë Hanit të Elezit. Një çun i ri me një karrocë më ndihmoi ta bartja bagazhin deri tek qendra e Hanit të Elezit. Para një kafeje të ulur i gjeta tim atë, motrën time Arifen dhe vëllain tim Skënderin, të cilin po e takoja për herë të parë pas mbi gjashtëmbëdhjetë vitesh, e  që sapo kishte hequr nga trupi rrobat e ushtarit të UÇK-së, pas më shumë se dy vite  lufte  kundër pushtuesit serb. Isha njeriu më i lumtur i botës.

     Së bashku  me tim atë,  Arifen dhe Skënderin, diku afër mesit të ditës arritëm në fshatin Lumi i Madh, ku familja ime ishte strehuar përkohësisht. Takimi me nënën time, motrat dhe vëllezërit ishte shumë emocional dhe prekës. Më dukej vetja sikur të isha i dehur. Nuk dija se çka të flisja e as se  për çka të flisja së pari. Prindërit ishin afruar moshës së pleqërisë, por ndjeheshin mirë me shëndet. Motrat dhe vëllezërit ishin rritur. Shtëpisë ju kishte shtuar edhe kunata ime, Shyhrejta dhe dy fëmijët e saj dhe të Skënderit: Albioni dhe Majlinda, të cilët po i shija për herë të parë. Në Kosovë i gjeta edhe kunatën time, Luljetën dhe fëmijët e saj dhe Shabanit: Arbëroren, Fitoren, Meritonin dhe Ardianin.

      Në Lum të Madh jam takuar për herë të parë edhe me kushërinjtë dhe të afërmit tjerë që gjithashtu ishin duke banuar aty.

      Të nesërmen, menjëherë pas ngrënies së mëngjesit, së bashku me Skënderin  jemi nisur në këmbë për Mihaliq, vendlindjen time të shtrenjtë. Kaluam nëpër vigë, aty ku bashkohen lumenjtë Silnica e Llap dhe një pjesë e Rrafshit të Kosovës. Tek udha e pampurit  (hekurudha Mitrovicë-Fushë Kosovë)e kam takuar bacën Selman. i cili kishte zbritur nga fshati dhe po e kosiste një livadh. Baca Selman nuk më njohu dhe kur ju afrova afër më quajti Shaban. Pas përshëndetjes dhe përqafimeve me mua, baca Selman i lëshoi një rrufe të sharash kundër policisë dhe ushtrisë serbe që e kishin djegur fshatin:

     ‒ Po të poshtër e të pabesë ishin kanë! Na kanë bërë shkrumb, o Asllan! ‒ më tha baca Selman.

      ‒ Shëndoshë, o baca Selman, se shtëpitë i ndërtoni edhe më të bukura se ato që i keni ndërtuar më parë!‒ e ngushëllova bacën Selman.

       Po thuajse të gjitha shtëpitë e fshatit ishin të djegura dhe të plaçkitura nga ushtria dhe policia serbe. Në këmbë kishin ngelur vetëm oxhaqet dhe muret e shtëpive dhe i kishin dhanë fshatit një pamje të tmerrshme.

     Në fshat ishin kthyer vetëm disa kryefamiljarë dhe  ata ishin vendosur nëpër bodrume që kishin shpëtuar pa u djegur. Disa të tjerë, mësova se vinin gjatë ditës dhe bënin përpjekje t’i meremetonin shtëpitë e tyre, para dimrit që shumë shpejtë mund të trokiste në derë.

       Bagëtitë e fshatarëve të mi kishin ngelur pa të zotët e tyre dhe shumë prej tyre ishin vrarë dhe kishin ngelur nëpër ara. Arat ishin të  pakorrura e livadhet e pa kositura…

       Shtëpia jonë ishte djegur, ashtu s’i të gjitha shtëpitë tjera të fshatit. Kishte shpëtuar një pjesë e sofrës së bukës, saçi, sanxhaku dhe lagraçi. Traktori, gjithashtu kishte shpëtuar sepse Skënderi e kishte fshehur në pyllin e fshatit sepse policëve serbë nuk ua kishte mbajtur të kërkonin atje. Edhe kroin e ujit që e kishim para derës së shtëpisë e kishin thyer, policët serbë dhe serbët e Prelluzhës.  Djegien e shtëpisë sime dhe fshatit tonë e kisha parë në RTSh, që kishte emituar një reportazh të CNN-it. Ndjeva një dhembje të madhe kur mësova se serbët kishin plaçkitur gjithçka kishin gjetur në shtëpi, por se ata kishin gjetur dhe marrë me vete edhe  fotografitë  e shtëpisë dhe aparatin e markës Kodak që e kisha dhuratë nga Jusuf Gërvalla dhe që familja ime e kishte fshehur së bashku me fotografitë nën një grumbull gurësh në oborr.

     Përkundër dëmit të madh material dhe psikologjik, fatbardhësisht, siç mësova nga Skenda, në fshatin tonë nuk kishte asnjë banorë të vrarë.  Skenda me tha se, kishte dëgjuar se,  e bija e Azem Mustafës së bashku me të shoqin e saj, ishte e zhdukur dhe nuk dihej se cili ishte fati i tyre.

     Disa ditë më vonë e  kam takuar Xhemajl Pllanën,  i cili kishte zbritur nga mali dhe kishte hequr uniformën e ushtarit të UÇK-së. Xhemajl Pllana, nga Qeveria e Përkohshme, ishte emëruar kryetar i Komunës së Vushtrrisë. Edhe Xhemën, po e takoja për herë të parë që nga viti 1983. Xhemjl Pllana ishte martuar me Selvete Grajçevcin dhe kishin tre fëmijë.

      Nga shokët tjerë e kam takuar edhe Sheremet Saraçin, i cili, gjithashtu, ishte rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me dy bijtë e tij:  Kujtimin dhe Gëzimin. Kujtimi ishte plagosur rëndë, dy herë, gjatë luftës.

   Radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ju kishte bashkuar edhe Safet Murati, i biri i Hoxhës së Vogël, të cilin e gjeta së bashku me familjen e tij në fshatin Gllavotinë.

     Me pushkë në dorë kishte luftuar në radhët e UÇK-së, Zona Operative e Shalës edhe Rexhep Ahmeti së bashku me të vëllanë e tij, Muhametin.

     Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ju kishte bashkuar edhe Ilir Mirena, djali i dajës Isë. Daja Isë dhe familja e tij, për shkak të djegies së fshatit Hade, ishte zhvendosur në Prishtinë.

     Vëllai im Skënderi  më ka njoftuar se togu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Mihaliq, në fund të luftës çlirimtare, ka numëruar 42 ushtarë dhe se në mesin e tyre kanë qenë dhe tre vëllezërit e mi (Skënderi, Muharremi dhe Avniu).

     Gjatë qëndrimit në shtëpi, prindërit e mi më kanë njoftuar, se  policia serbe i kishin vrarë, në shtëpinë e tyre në fshatin Hade, të birin e dadës Halë, Ajet Mirenën së bashku me të birin e tij, Fitimin dhe nipin Milaimin. Ndjeva dhembje të madhe për ta dhe zemra m’u bë pelin!    

     Nëna më tregoi se si policia serbe e kishte vrarë burrin tezës Vahije, Rexhep Konjuhun, në prani të saj dhe fëmijëve, gjatë masakrës së Studimës së Vushtrrisë. “Rexhep Konjuhi ka qenë në kolonë së bashku me familjen dhe shumë familje të tjera dhe policët serbë e kanë nxjerrë nga kolona dhe e kanë pushkatuar, para syve të fëmijëve dhe prindërve të tij,-më tha nëna- Edhe 19 kushërinj të mi në Fushë Kosovë i kanë vrarë,- vazhdoi nëna!”

     Nga nëna mësova se në mesin e të vrarëve ishte edhe Hamdi Mirena, moshatari im dhe shoku e daja im i vegjëlisë me të cilin unë shoqërohesha e luaja sa herë i vizitoja dajat në Hade.

     Gjatë dhjetë ditëve sa do të qëndroja në Kosovë e kisha ndërmend ta vizitoja edhe familjen e shoqes sime në fshatin Cerrcë, në Komunën e Istogut.

     Një mëngjesi morëm rrugën për Cerrcë. Kudo nga Mihaliqi, Vushtrria, Mitrovica e gjer në Istog shiheshin shtëpitë e djegura dhe gjurmët e luftës. Ashtu si në Mihaliq, që pashë një tank të ushtrisë serbe të shkatërruar nga UÇK-ja, edhe në afërsi të Istogut pashë tri tanke tjera të shkatërruara nga NATO-ja.

     Në fshatin Cerrcë shkova së bashku me prindërit e mi dhe Skënderin. Na priten vjehërri dhe  vjehrra ( Kamer dhe Salë Rexhaj)  me familjen e tyre, që sapo ishin kthyer nga Mali i Zi, ku ushtria dhe policia serbe i kishte detyruar të kalonin në këmbë dhe nëpër male me borë. Familja e Florës për disa muaj kishte qëndruar  deri në mbarim të luftës në Ulqin.

     Nga familja e Florës unë kisha takuar vetëm të atin e saj, Kamerin, të vëllanë Reshatin dhe të motrën, Fetijen. Të gjithë anëtarët tjerë të familjes  së Florës po i shihja dhe njihja për herë të parë, pas dhjetë vitesh martesë.

     Nga kunati im Hysen Daka, të cilin gjithashtu po e shihja për herë të parë,  mësova edhe për veprimtarinë e Ismet Bicajt, gjatë luftës çlirimtare në rrethin e tyre dhe së bashku shkuam tek varri i tij dhe i vumë një tufë me lule që unë i mblodha aty pari.

      Një ditë gjersa po bisedoja dhe po bëhesha gati të kthehesha në  Suedi, nëna ime, e mërzitur se më kaluan ditët dhe më duhej të kthehesha në Suedi më tha:

      ‒ Mjaft ke qëndruar, atje larg! Merre familjen dhe kthehu edhe ti në Kosovë; se  këtu ka bukë edhe për ty!

       Gati ia plasa vajit, por u përmbajta.

        ‒ Do të kthehem nënë,– i thashë dhe mendja me shkoi tek titulli i një poezie të Jusuf Gërvallës që kishte gjithashtu këtë premtim.

       U largova nga Kosova dhe u ktheva në Suedi me mbresa të përziera. Kosova ime e dashur ishte lënduar rëndë nga dora gjakatare e pushtuesit serb, por ajo ishte e lirë dhe pa thundrën e pushtuesit gjakatar. Në popull, si asnjëherë më parë, ishte kthyer buzëqeshja. Kosova ime e shtrenjtë po hidhte themelet e shtetit të së drejtës dhe demokracisë së vërtetë.

————————-

 SHËNIME

  1. Le të piqen pemët kur të kesh ardhur serish… Eshtë marrë nga poezia “Bekimi i nënës” e shkruar nga Jusuf Gërvalla.
  2. Shiftari- shprehje përbuzëse për shqiptarët që përdrorej nga serbët. Shiftari, quheshin sharraxhinjët dhe punëtorët që bënin punë fizike si hapja e kanaleve dhe punëve tjera të rënda në Beograd.
  3. Dardha e ka bishin prapa. Fjalë e urtë.
  4. Zemlak. Në serbisht do të thotë vendas apo bashkatdhetar.
  5. Varri i Kangjallozit. Kështu quhej vendi ku gjendej varri i konsullit rus që u vra nga forcat kryengritse shqiptare të udhëhequra nga Isa Boletini.
  6. Libar. Kështu quhet fusha në mes lumenjëve Silnica e Llap dhe në mes fshatrave Lumi i Madh, Stanovcë dhe Prelluzhë.
  7. Degergjik. Lojë cicmic.
  8. Oda e madhe. Kështu quhej dhoma e burgut të Mitrovicës. Oda e madhe më parë kishte qenë bodrum thengjilli, por që gjatë demonstratave të pranverës së viti 1981 ishte përshtatur si dhomë burgu.
  9. Artakollit. Fshatrat rrënzë malit të Qyqavicës. Shtatë fshatra konsiderohen si fshatra të kësaj zone.
  10. “Të gjitha aftësitë e mia fizike, psikike dhe materiale do t’i vë në shërbim të popullit dhe do të jem shumë i lumtur po që se flijohem për çlirimin e Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare dhe bashkimin e tyre me Nënën Shqipëri”. Teksti i betimit që praktikohej kur bëhej pranimi i anëtarëve të rinjë në organizatën LNÇKVShJ-së. Teksti është hartuar nga Sabri Novosella.
  11. Guten tag. Kan ich schprehen mitt Herr Gërvalla, bitte? Ein moment, bitte!( Teksti i mësuar përmendësh). Mirë dita. A mund të flas me zotin Gërvalla, ju lutem? Një moment, ju lutem!
  12. Shkrimi“Tetë kërkesat e parevokueshme të LNÇKVShJ-së” është marrë nga numri i parë i organit “Zëri i Kosovës”.
  13. Gjyteti- Një kodër në formë hinke në mes të pyejeve të Cërrnushës, ku ndodhen edhe muret e një kështjelle shumë të vjetër. Banorët e Cërrnushës e quajnë këtë vend gjytet. Në fund të kodrës afër prrockës gjendet edhe një shpellë e vogël, e cila nga banorët quhet Birat e Kishës ( banorët e thërrasin shpellën birat e kishës, në shumës)!
  14. Batallakut- Ara përballë shtëpisë sonë në të cilën dikur ka pasur shumë pemë të moçme, qindravjeçare, prej të cilave kanë ngelur vetëm dy dardha ujce, nga na është quajtur batallak. Gjatë hapjes së një kanali të ujit, vëllai im Skënderi ka gjetur disa mbetje të disa enve shumë të vjetra të baltës. Ndoshta batallaku është ndonjë vendbanim shumë i vjetër?
  15. E, sinko moje... serbisht. E, biri im.
  16. Eto propala republika... serbisht. Pa shiku, e patë puna e republikës.
  17. Cerebellum... latinisht. Truri i vogël.
  18. Imas pametnog oca! Serbisht. E paske të zgjuar të atin!
  19. Rrema. Emri përkdhelës i vëllait tim, Muharremit.
  20. Nushi. Emri përkdhelës i vëllaut tim, Avniut.
  21. Skënda. Emri përkdhelës i vëllai tim, Skënderit.
  22. Livadhi i ukut- Kështu quhej kopshti me pemë në Cërrnushë.
  23. Sokaku qorr- Kështu quhet një rrugë në fshatin tonë.
  24. Rexhep Muja- Gjatë kohës sa isha në ilegalitet kam dëgjuar disa histori rrëqethëse të sjelljes së tij: E para, një shok më ka thënë, në besë, se nga Qerim Muja (i ati i Vehbiut dhe Rexhepit), kishte dëgjuar se disa ditë pas arrestimit të Vehbi Mujës dhe gjersa të bijat e tij po e fshinin shtëpinë dhe lëviznin nga vendi televizorin, që ndodhëj në dhomën e ditës, në tavolinë ( nën televizor), ato kishin gjetur një ekzemplar të “Zërit të Kosovës”. Sapo ua sheh në dorë motrave, organin e ndaluar, Rexhep Muja, ngritet nga kolltuku, ku ishte i ulur, i drejtohet të atit të tij me një “dhe po thua se s’ka bërë gjë” dhe e merr “Zërin e Kosovës” dhe e dërgon në Stacionin e Policisë në Gllogovcë; e dyta, po i njëjti shok nga Drenica më ka njoftuar se Rexhep Muja, disa herë është parë, duke u shoqëruar me Ajet Istogun, kryespiunin e Gllogovcit dhe e treta, se Rexhep Muja është parë duke u futur në Stacionin e Policisë në Vushtrri dhe duke u shoqëruar me Enver Maxhunin dhe Zeqir Sadriun!
  25. Babic Janko- Emri dhe mbiemri i pasaportës së falsifikuar që kishte fotografinë time gjatë largimit nga Kosova.
  26. Benum arnavut- turqisht. Unë jam shqiptar.
  27. Evet,evet tetovali- turqisht. Ashtu, ashtu, tetovar.
  28. Shtëpia e madhe- Kështu i quanim ambasadat shqiptare gjatë komunikimit me njëri-tjetrin.
  29. ...bajrak… turqisht. Flamur.
  30. Dovidjenja- serbisht. Mirëupafshim!
  31. Auf Wiederschen- gjermanisht. Mirëupafshim!
  32. ...liberté, égalité, fraternité- frëngjisht,  Liri, barazi, vëllazëri!
  33. Les miserables- frengjisht. Të mjerët (titulli i librit të famshëm të Viktor Hygos).

(F U N D)

© Pashtriku.org

_______________________________

Kthehu në fillim të librit:

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (1)

Nga Asllan Muharremi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura