RUDINA XHUNGA: KOLONJA, ISHULLI I PARAJSËS

Tiranë, 14. 07. 2016: Ajo quhet Luljeta Milo. Është e zonja e bujtinës më të mirë në Ersekë. E ka mbushur me lule në çdo dritare e ballkon, hotelin që mban erë bliri si gjithë Erseka.
I ka vëne emrin Inxhujo, shkurtimi i emrit të tri vajzave. Për mua është Bujtina e Likove. Se nuk kisha parë më parë, një sofër të shtruar plot liko; shalëini, arre, domate, kungulli, kumbulle, patëllxhani, portokalle, petale trendafili, që i rreshtoi para meje në mëngjes e tha; provoji të gjitha e më thuaj çfarë të pëlqen më shumë.
Luli dhe i shoqi Maqo bënë shkollën e kuzhinës në Tiranë, pastaj i sollën në stazh në Ersekë ku nisën punë, u njohën dhe u martuan. Tani kanë bashkë këtë hotel, ku presin e përcjellin turistë që vijnë e sjellin të tjerë. Janë pa dëngla, shumë më të mirë se shqiptarët, -thotë Luli. Duan të gatuajnë me ne, të shohin si bëjmë petët, të bëjmë bashkë gjalpin, të bëjmë petulla e të marrim mjaltin te bletët. Pastaj rrinë deri vonë në oborr. E nisin me pak raki dhe në fund i kthehen birrës. Vijnë cekë, polakë, izraelitë, vinin, në fakt, se këtë vit, që u prish rruga nuk vjen më njeri. Tani rri me sytë nga dera e veshin nga telefoni, po hiç. Vjen vetëm ndonjë çiklist nga ata që nuk pyesin si është rruga. Nuk na thanë që do të prishej rruga, e do të bëhej e re. Tani nuk na thonë, as si do të bëhet, as kur do të mbarojë”, – ankohet e zonja e bujtinës që tregon se tani gatuan prapë, se ku i dihet, dikush vjen. Por kur askush nuk vjen, zë e ha vetë.

Dhe ajo nuk gatuan gjëra që ti i gjen kudo. Tryeza e saj i ka të gjitha të kopshtit, të shtëpisë. Vetëm për domatet turpërohet e nuk i sjell se thotë, nuk i bëjmë vetë. Të tjerat, nga mjalti te gjalpi, djathi, qumështi, kulaçi, byreku, perimet, gjithçka e marrë në Leskovik dhe Ersekë, gjithçka e zonës.
“Po kemi zonë të mirë -thotë, – zonë të bukur, kemi Shelegurin, Gërmenjin, kemi Gramozin plot lule, që ia mbledhim çdo bimë. Nuk sëmuret njeri këtu, nuk pi kush ilaçe dhe po u sëmur. Këtu pimë aguliçe kur ftohemi, muriz, çaj blini, trëndafil të egër, sherebel sa të duash. Ja kështu rron qyteti.”
Luli tregon që para disa kohësh shkoi në Razëm, të shikonte, çfarë gatuhej atje. “Ishin zhvilluar goxha. Po rruga të zhvillon, se të tjerat i bën vetë. Aty, në hotel ishte 80 euro nata. Unë 10 mijë lekë marr për dhomë. Të merrja 80 euro, unë do i laja dhe këmbët miqve që do më vinin.”
Trishtimi i zonjës së bujtinës është trishtimi i gjithë zonës, e gjitha e izoluar nga rruga në ndërtim. Ka një vit që po punohet, në rrugën ekzistuese dhe nuk shikon gjëkundi tabela, kur do të mbarojë, çfarë do të bëhet. Prej një viti Erseka është një ishull, pa njerëz, larg Korçës, larg Tiranës.
Qyteti me erë bliri, ka mbetur si dikur, me të njëjtat pallate, përveç qendrës, projekt i Rilindjes Urbane, gjithçka tjetër është si dikur. Edhe njerëzit, të urtë të buzëqeshur, të mikpritur, të harruar. Të tregojnë që pakkush vjen i takon nga lart. Kanë deputet Finon, po atë e kujtojnë nga qeveria e Pajtimit Kombëtar. Duhet të ketë qenë dhe për fushatë, po nuk mbajnë mend mirë çfarë premtoi. Ilir Pendavinjin, pastaj, nuk e dinë fare kush është. Jo se ka rëndësi për ta. Janë të gjithë një parti, si dikur. Nuk kanë inate me të djathtën, vetëm nuk kanë të djathtë. Madje edhe fotot e LSI, harruar në ndonjë mur, janë me Ilir Metën e shëndoshë, se nuk e dinë që është dobësuar. Aty janë të gjithë me kë drejton PS. “Ndoshta, kjo është arsyeja që nuk drejtojnë sytë nga ne, -thonë, -se na kanë në xhep.”
Si dikur është edhe rendi e siguria, mbajnë dyer e hapura, se nuk vjedh kush, në këtë qytet. Madje shefi i policisë, na kërkon t’i shikojmë oborrin e komisariatit që e ka mbjellë plot lule. Nuk ka oborr tjetër komisariati në Shqipëri, si ai i Ersekës. Se normal kur nuk ka ngjarje, policët lule do të mbjellin.
2 km larg Ersekës është Rehova, një lagje qyteti, me një rrugë që dredhon mes pemësh dhe të fut në një atmosfere tjetër, shtëpish prej guri krah për krah, po vallëzojnë. Banorët e Rehovës i bënë njëri-tjetrit një premtim, kur ikën; çdo verë do vijë në fshat një njeri e do të ngrejë një shtëpi. Të ikur në emigracion, nuk e harruan kurrë fshatin, paratë që bënë i sollën po aty. E mbajtën premtimin, fshati u be. Këtë verë po ngrihet shtëpia e Agim Qirjaqit. Kushëriri i tij i rri në kokë punës, bashkë me mjeshtër Vangjelin, që e ka sjellë nga Greqia, ku shkoi, kur la Rehovën. Serafini ka ardhur nga Finlanda dhe po ringre atë shtëpi dykatëshe, të bukur sa më s’ka, shtëpinë e gjyshit që i ka trashëguar emrin. Do sjell fëmijët, kur të mbarojë, thotë, të luajnë, ku luaja unë, ku qeshja unë, do mbaj amanetin.
Fshati është i rrethuar nga kurora e 23 kishave dhe ata luten për dëshira të ndryshme në çdonjërën prej tyre. Është dorë me një, thonë, sa kemi një hall e dimë ç’kishë na e zgjidh. Si me bimët mjekësore, një për secilën sëmundje.
Gratë e fshatit mburren me petët e likotë dhe pasi ujisin lulishtet në oborret e tyre, ulen e fjalosen në sofa. Ai fshat në buzëmbrëmje nuk është real, është pikturë, është muzikë, është ftesë për të qëndruar e shijuar. Siç venë e kthehen prapë, francezët që e njohin gur e mur. Kur ikin, ata dërgojnë kartolina falënderimi me atë pak shqipe, që kanë mësuar në fshat. Ata e kanë tani fshatin e tyre, një fshat francez në Kolonjë.
Kur shkojnë njerëz, hapen gjithë dyert dhe gratë thërrasin njëra-tjetrën në ndihmë, bëjnë bashkë petët e byrekëve, pjekin mish e tundin dhallë dhe shtrojnë tavolinat në oborret nën pjergull. Që aty nuk iket pa të mbushur me reçel e petulla, që t’i kesh për rrugë.
Nuk ankohen për rrugën se thonë, do të bëhet më mirë. Pastaj, kush do të vijë, vjen e nuk ka rrugë ta pengojë.
Një ditë rruga që të çon në Kolonjë, do të bëhet. Dhe nëse bëhet mirë e nuk prishet edhe e vjetra, kjo zonë, nga Korça në Përmet, do të kthehet në stacionin nr. 1 të turizmit shqiptar. Do ketë resorte, kampingje, hotele, bujtina, pishina, qendra grumbullimi për bimët mjekësore dhe do të konkurrojë turizmin malor, madje edhe do ta kalojë. Derisa kjo të ndodhë, mos e humbisni atë stacion, një fundjavë, kur dielli të djegë dhe deti t’ju djegë xhepin. Po ju duket Thethi larg, e doni të shkoni në mal në gusht, mos lini pa kaluar në juglindje, pa ndaluar. Do provoni ushqimet e do të thoni, po ne çfarë hamë? Do merrni frymë, e do të mendoni, po ne ç’dreq ajri kemi? Do të takoni njerëz, do i bëni miq dhe miq do t’i keni përgjithmonë. Kur të ikni, nuk do të reshtni së treguari për vendin që nuk të mungon kur e lë, sepse ti thjesht nuk e lë dot. E ke me vete, si erën e blirit të Ersekës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura