(Prishtinë, dhjetor 2012) – Në Kosovë ka kohë që flitet për koalicionin mes dy forcave autoritariste të tipit feudal, PDK-së dhe AAK-së, që shquhen për nga përmbajtja konservative politike dhe si lidhje i përngjajnë disi asaj të vëllazërisë muslimane me ushtrinë në Egjipt. Ky është sinjal i keq për forcat progresive dhe për demokracinë.
Në procesin e ndërtimit dhe vlerësimit të shtetit modern, çështja e autoritetit dhe legjitimitetit mbetet element qenësor. Tutje, thuhet në literaturën teorike mbi shtetin modern, ajo që e karakterizon shtetin nuk është vetëm pesha e madhe, që i jepet autoritetit ligjor për mishërimin e parimeve abstrakte ligjore te shteti, të zbatuara nëpërmjet një aparati burokratik dhe gjyqësorit të paanshëm, por mbi të gjitha edhe idesë se se ai, pra shteti, personifikon dhe shpreh vullnetin (sovran) të popullit. Një pjesë e spektrit politik në Kosovë, nuk kishin dhe nuk kanë përgjegjësi për detyrimet morale dhe politike, që në shoqëritë demokratike janë produkt i legjitimitetit. Natyrisht meqë kjo lagje e partive të tipit autoritar-feudal, respektivisht liderët e tyre, ende mëkohen në shtratin e mendësisë mesjetare, për të cilën legjitimiteti ose buronte nga autoriteti fetar, ose nga ai fisnor, si shprehje e traditës dhe rendit të kultivuar prej kohësh, e ka të vështirë të ambentohet në çfardo ambienti politik me predispozita progresive të epokës moderne që për bazament ka filozofinë mbi të cilën është ngritur shteti ligjor – racional.
Një krah i këtij spektri, i ndikuar nga konservatorizmi politik, që burim ka teorinë e integritetit dhe autonominë e individëve, nuk hezitojnë që Republikën ta shndërrojnë në peng të autoritarizmit personal. Dhe duket, kjo lagje politikanësh autoritar, shembëllim „Vëllazërisë islame“ në Egjipt dhe konceptit të partisë-shtet, respektivisht atij të ushtrisë mbi hierarkinë pushtetore, në procedura të shpejta mund ta formojnë qeverinë e re. Noli i madh këtë tip marshi të reaksionit politik që po kthehej në Shqipërinë e pas revolucionit demokratik të 1924-ës, e pat kamxhikosur me poezinë e tij antologjike Marshi i Barabait.
Përse po ndodhë vallë, ky nxitim, respektivisht kjo lojë fjalësh rreth koalicionit të mundshëm mes PDK dhe AAK-së? Krijimi i koalicioneve qeveritare zakonisht është proces që ka kohën e vet në rendin demokratik. Shoqëritë moderne edhe për këtë çështje bazohen në disa rregulla dhe parime politike të njohura në rrafshin e teorisë parlamentare, atë ideologjik, etik e moral. Nëse edhe më tej partitë politke i logarisim si instanca të demokracisë përfaqësiuese, atëherë produkt i kujt na rezultojnë të jenë koalicionet e deritashme në Republikën tonë, e veçmas ky që po presim të na inaugurohet? Nëse e kemi të qartë se demokracia ideale përjashton partitë si instanca përfaqësuese, demokracia reale që po mëtojmë ta ndërtojmë ndërlidhet edhe me demokracinë partiake. Ndërkaq mungesa reale e formacioneve politike që funksionojnë si kuaziparti, që janë ende larg stadit për plotësimin e kritereve minimale për t` u quajtur parti, e bën të pa qartë këtë nxitim politik për krijimin e këtij koalicioni mes PDK-së dhe AAK-së. Insistimi që përmes rrugëve të shkrutëra të arrihet maja e pushtetit, është karakteristikë e formacioneve politike konservative që „shtetëzojnë“ angazhimin qytetar dhe pengojnë strukturat politike të orjentuara për hapje të dialogut brenda shoqësrisë civile dhe prgjithësisht shoqërisë. Mbajtja nën korniza të rrepta të kontrollit të shoqërisë dhe depolitizimi parasëgjithash i rinisë, janë produkt i këtij veprimi konservativ politik.
Participimi politik, qytetar, është i ndërlidhur ngusht me procesin në zhvillim të vet ndryshimit, lëvizjes progresive të shoqërisë përmes angazhimit të përhershëm qytetar. Të angazhohesh për të mirën e përgjitshme, për publiken deh të jeshë aktiv në proceset politike, nxit identifikimin e shoqërisë si tërësi me shoqëritë që kanë shkallë të lartë të vetëdijes politike dhe të zhvillimit demokratik.
Ndërkaq mungesa e vullnetit politik për nëdrtimin e shtetit funksional, është produkt i anarkisë ideologjike dhe mosidentifikimit, respektivisht mungesës së gjakimit për demokracinë.
Nëse këto parti do të ishin në kuptimin e vërtetë të fjalës formacione politike demokratike, atëherë statutet e tyre do të garantonin respektimin e minimumit të vullnetit politik të antarësisë. Prandaj ajo që do të ishte krejtësisht normale dhe e pritshme, nëse jo fare publike, së paku në strukturat e që të dy këtyre grupimeve kuazipolitike, do të duhej të shtrohej për debat vullneti politik dhe vizioni për Republikën. Vallë, a mjafton që vetëm dy liderët dhe një grusht individësh rreth tyre të jenë në dijeni se çfarë fshihet prapa kësaj ngutije?
Nëse viti 2013 është programuar nga Brukseli si viti kur do të mirren vendime „të dhimbshme, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë“, siç qe shprehur baronesha Aeshton kohë më parë, atëherë është e qartë se kujt i ngutet dhe përse nxitohet në krijimin e koalicionit PDK/AAK.
Thaçi personalisht dhe garnitura parapolitike që e ka sjellë atë në pushtet, me qëndrimet ndaj VV, e sipdomos përmes sulmeve të ulta „personale“ ndaj personaliteteve të pakontestueshme atdhetare e politke të kësaj force progresive, në njërën anë tenton t` i shmanget debatit real politik lidhur me koncesionet që po i bën Serbisë, por edhe të krijoj huti në opinion dhe tek intelegjencia e re që po e ndjenë nevojën urgjente që ka Republika për racionalitet politik dhe rikthim të politikës si hap i parë drejt inaugurimit të shtetit ligjor racional. Ky veprim i kësaj garniture është shantazh i kulluar politik, tipik për strukturat parapolitike. Por vazhdimi me insistim në aplikimin e ksaj strategjie kundruall VV si opozita e vetme, flet qartë se kryeministri dhe jo vetëm ai janë të vetëdijshëm se çasti historik që po kalon Republika është edhe shansi i tyre i fundit.
====================================
SADRI RAMABAJA: PATOLOGJIA POLITIKE
Inicimi i ndryshimit dramatik të paradigmës së kësaj politike është diçka jetike për të sotmen dhe të ardhmen e Republikës. Arsyet për t`filluar kësaj ndërmarrje janë të thella dhe me interes jetik. Dhe ky ndryshim nuk mund të fillojë pa një analizë të mirëfilltë të fenomenit, respektivisht pa e dekoduar si duhet instrumentalizimin e qytetarit nga kjo dihotomi e patologjisë politike.
Lufta bizare mes klaneve politike, formacioneve kuazipolitike, shpërfaqja publike e despotizmit patetik partiak, disi e ngjashme me autoritarizmin ultra të djathtë hungarez, e mbi të gjitha vazhdimi i luftës speciale me mjete primitive, siç janë veprimet e kreut të qeverisë dhe parapolitikës që e solli atë në pushtet kundruall VV, ishin disa nga fenomenet që shënuan kalendarin politik të Republikës sonë vitin që lamë pas.
Për perëndimorët, në mesin e tyre edhe një lagje miqsh tanë, këto fenomene nuk janë të panjohura, meqë ata i kanë studiuar duke u marrë për kohë të gjatë me të ashtuquajturat teori të konspiracionit që po ringjallen si fenomen politik gjithandej në ish hemisferën e dominimit rus, si hije, respektivisht mbetje të trashëgimisë toksike të KGB-së dhe UDB-së.
Në shikim të parë duket se këto fenomene, nga klasa e re politike ose nuk janë marrë me seriozitetin që do të duhej ose, çka është edhe më keq, janë nënçmuar. Por, nëse ato venerohen me kujdesin e duhur, shihet se po reflektojnë kudo: në jetën ekonomike (përmes neokolonializmit tipik), në atë politike, arsimore e shoqërore…
Prandaj mund të konkludojmë se patologjia politike që po jetojmë, është një lloj trashëgimie e mendësisë jugosllave e shartuar me autoritarizmin feudal shqiptar.
Forca goditëse e diktaturës
Filozofja Hannah Arend ka përshkruar më së miri forcat goditëse dhe mekanizmatmt e diktaturës që mund të mbesin si hije në thellësi të historisë dhe ndërdijes njerëzore.
Diktatura, e para së gjithash ajo që karakterizohet si totalitarizëm, që dëshiron ta vë nën kontroll çfarëdo lëvizje të mundshme të individit a shoqërisë, gjithë jetën, i izolon në tërësi subjektet me vetëdije politike. Çfarëdo bashkëpunimi, qoftë ai edhe spontan, që e bën cilado bashkësi normale, për pushtetarët duket e dyshimtë. Familja dhe rrethi shoqëror, pjesëmarrja, respektivisht aderimi në farë klubi të mundshëm, themelimi i çfarëdo ndërmarrjeje të mundshme etj., janë veprime që ndjellin dyshim te pushtetarët, meqë ato në vetvete paraqesin mundësi për pavarësi shoqërore dhe ekonomike. Në vend të kësaj, shteti provon që individit t` i parashtroj dhe imponoj regjinë e veprimit me gjithë skenarin e mundshëm, t` ia imponoj edhe objektin e veprimit, ideologjinë, sistemin politik, respektivisht njëtrajtshmërinë partiake dhe organizative etj. tok me paranojën për përcjellje të pashmangshme dhe ndëshkimin e mundshëm. Dhe kështu t` i zëvendësoj lidhjet e njerëzve, motivet për veprim, me vartësinë e imponueshme dhe të pranueshme të së tërës nga sistemi politik, konkludon Arend.
Largimi i pushtuesit serb dhe mundësia që kishin qytetarët të shijojnë për herë të parë në historinë e tyre lirinë në kuptimin e saj të mirëfilltë, pavarësisht se shënon kthesën historike, për shkak të ndërvarësisë dhe kontrollit që do të bartet tek mekanizmat ndërkombëtar që po instaloheshin shpejt e shpejt në Kosovë, do të lë vrragë në ndërdijen politike.
Pesha e rëndë e robërisë dhe diktaturës, por edhe mashtrimi fiktiv që i ishte bërë qytetarëve me kuazi pluripartizmin e viteve `90-ta, kishte lënë gjithashtu gjurmë të thella, duke krijuar zona të mendësisë dhe vetëdijes inegzistente politike, respektivisht duke i imponuar ikjen nga politika si e vetmja rrugë për mbijetesë. Për rrjedhojë mes qytetarëve, si hije e ftohtë e diktaturës dhe e shekullit të pushtimit serb, kishte mbetur indiferenca politike dhe mosbesimi. Fituesit e historisë nuk do të pushonin së fituari, do të thoshte njëri nga themeluesit e mendimit filozofik hebre, Valter Benjamin. Ndërkaq keqpërdorimi i historisë vazhdon edhe sot në forma e trajta të ndryshme. Madje jo rrallë, jemi dëshmitarë se ajo pretendohet të përdoret si “shkop për goditje”, siç do të thoshte Veli Brandi, tek tërhiqte vërejtjen jo vetëm kundërshtarëve të tij politik, kur veneronte se ka predisponim të keqpërdoret historia, madje në shkallë të arrogancës moralizuese.
Ngulfatja e lirisë
Epoka e ndërgjegjësimit ndërpersonal dhe e zgjimit politik që do të duhej të vinte bashkë me lirinë, shih për kët, po vazhdonte të ngulfatej. Ushtrimi i demokracisë si nevojë dhe domosdoshmëri qytetare që do të duhej të pasohej përmes aktivizmit qytetar, le që ishte mbytur nga diktatura dhe nga imituesit e demokracisë në vitet `90-ta, por po ngulfatej edhe nga strukturat e instaluara të Bashkësisë Ndërkombëtare. Shto krejt kësaj ambientin social të kontaminuar që kishte lënë prapa pushtuesi përmes gjithë asaj merimange agjenturash, që i kishin dhënë legjitimitet veprimit oportun dhe keqpërdorimit të pushtetit, atëherë merret me mend se sa terren të vështirë kishte dhe ka veprimi i shëndosh politik, ngritja në këmbë të shëndosha e çfarëdo subjekti politik që do të hidhte themelet e Republikës së dinjitetshme e prosperuese, si garanci e vetme e rikthimit tonë në familjen evropiane, prej ku ishim shkëputur që nga epoka e parapushtimit osman.
Në këtë ambient politik që vazhdon të jetë i kontaminuar edhe sot në masë tejet të ndjeshme, kundërshtarët, në vend se të shihen si oponent politik, kundrohen thjeshtë si armiq! Akuzat e ulëta e skandaloze të kryeministrit ndaj liderit të VV nuk shpjegohen ndryshe pos si produkt i pastër i patologjisë politike. Por, as edhe histerizmi politik i liderit të LDK ndaj njërit prej themeluesve të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës dhe ndaj autorit të këtij shkrimi, si i vetmi zë opozitar që kishte guximin politik e qytetar t`i kundërvihej këtij histerizmi në Kuvendin e Prishtinës, po ashtu nuk ka si kundrohet ndryshe, pos si nusprodukt i patologjisë politike që burim ka mentalitetin jugosllav.
Dhe nëse cilësia dalluese e patologjisë politike është pikërisht lufta pa kompromis për pushtet dhe ndikim, që shndërrohet në qëllim më vete jo vetëm i individit, por edhe i organizatës, atëherë produkt i kësaj patologjie politike është edhe mënyra e trajtimit të shtetit nga kjo klasë pushtetarësh sundues. Shteti na shndërrohet nga një mekanizëm që do të duhej ta zgjeronte hapësirën e lirisë për qytetarët, në një qëllim më vete për një kategori, që për objektiv tashmë kanë vetëm mbetjen ose ardhjen në pushtet për t` u pasuruar. Ndërkaq paaftësia e shpërfaqur për çfarëdo kompromisi politik dhe gjakimi e makutëria për jetë të shfrenuar, këtë klasë sunduesish e lidh shpejt në çengelat e korrupsionit dhe krimit, që janë gjithashtu konsekuenca të mentalitetit të trashëguar dhe pologjisë politike. Kjo garniturë sunduesish tashmë e pasuruar edhe me përvojën e manipulimit në emër të demokracisë, duke shitur madje edhe robërinë për liri (të kujtojmë se strukturën paralele që e kishte toleruar Millosheviqi në fushën e arsimit dhe atë sociale, me paturpësi e quante shtet, duke iu drejtuar oponentëve me atë të famshmën sentencë se ‘shteti nuk ka brirë” edhe atëherë u kur ligjin dhe rendin e bënte polici serb), ose pala tjetër që tashmë është identifikuar në opinion si struktura parapolitike me akronimin SHIK, e kamufluar me petkun e luftëtarit të devotshëm, që nuk e kishte pasur të vështirë ta ushtroj puçin fillimisht brenda LPK-së dhe më pas edhe brenda UÇK-së, duke pritur që ta përmbyllë këtë cikël puçesh në kuvendin e PDK-së, duke futur kështu në dorë mekanizmin që pa pengesa ua mundësonë shndërrimin e Republikës në aset personal, shëmbëllim pushtetit pa mbarim të carëve rus.
Ky pretendim (i shndërrimit të Republikës në aset personal) vërehet sidomos në gamën lobuese të politikave neoliberale në fushën e ekonomisë dhe përkthimin e tyre në ligje në Kuvendin e Republikës.
Në Kosovë si kudo në Evroopë nuk ka nevojë të jesh socialdemokratë e ta kuptosh se shitja e resorëve kryesor të ekonomisë kosovare (KEKut dhe Trepçës) subjekteve private, fillimisht do të mund të sillte pak para në buxhetin e mangët të Republikës, por ky veprim do t` ia merrte mundësinë shtetit që të hartojë dhe ushtrojë politikat në fushën minerare dhe atë të energjetikës.
Shih për këtë inicimi i ndryshimit dramatik të paradigmës së kësaj politike është diçka jetike për të sotmen dhe të ardhmen e Republikës. Arsyet për t`filluar kësaj ndërmarrje janë të thella dhe me interes madhor. Dhe ky ndryshim nuk mund të fillojë pa një analizë të mirëfilltë të fenomenit, respektivisht pa e dekoduar si duhet instrumentalizimin e qytetarit nga kjo dihotomi e patologjisë politike. Ky ndryshim do të thotë njëkohësisht edhe fillimi i fundit të polarizimit herë-herë të skajshëm politik që shënoi viti 2012. Ky hap i shprehur qartë edhe në diskursin publik politik, do të shënonte fillimin e mendimit racional që i paraprinë aktit politik. Ai do të fillonte atëherë kur vet egzistencën e partive politike dhe sistemin e demokracisë reale, do ta akceptojmë në tërësinë dhe thellësinë e saj, si shprehje e interesit të qytetarëve.