DR.MOIKOM ZEQO: PËRSËRI PËR FORMULAT KONCEPTUALE TË NAIMIT TË MADH

Tiranë, 20 qershor 2017: Në 117-vjetorin e vdekjes së Naim Frashërit (mbylli sytë më 1900) ne buzëqeshim të sigurtë me konvencionin e vdekjes. Njeri i dy shekujve (shekulli XIX dhe XX), Naimi i takon tërë shekujve. Shekulli XXI nuk mund të jetë kurrësesi harrimi i tij – përkundrazi!
Në vitin 1995-pra, në 95 vjetorin e vdekjes së Naim Frashërit kam botuar shkrimin tek „Zëri i Popullit“ – që ishte e vetmja gazetë e opozitës në atë kohë – kur sundimi i egër i berishizmit të kujtonte Gestapon – „Zëri i Popullit„ që i vetmi organ shtypi, që përfaqësonte popullin – por që tashmë është harruar mjerueshëm dhe gazeta është eliminuar në mënyrë të turpshme dhe aspak të justifikueshme, – shkrimi im për Naimin qe edhe pamflet politik i mirëfilltë – tashmë këtë shkrim si strukturë semantike, po ja paraqes më poshtë lexuesve:
***
Në kohën e pafundme të përjetësisë ne, vdekëtarët e zakonshëm, e dimë megjithatë se Naimi i tejkalon moshat biblike të patriarkëve, sepse mosha e tij nuk është mosha kronologjike, po është mosha e vetë kombit shqiptar.
Koha është metafora e tij e mbijetesës, është ripërtëritja, aktualiteti i pashlyeshëm, apoteoza e ndjesive dhe mendimeve të jetës.
Naimi nuk është asnjëherë «kohë e humbur», po vetëm «kohë e rifituar, e gjetur», asnjëherë shpërbërje, po vetëm gjenezë e botës shqiptare, asnjëherë harrim, po vetëm panteon i kujtesës së shekujve, asnjëher relikë, po materie e gjallë, jo emri i vetmuar i një njeriu, po emri kolektiv dhe popullor i një apeli, jo vetëm Naim, po gjithmonë në shekuj Shqipëri.
Naimi është një ndërlidhës kolosal i epokave, i epokës paraosmane me epokën e posaçme, i Skënderbeut me Ismail Qemalin si dhe i epokave që pasojnë.
Pesë shekujt e osmanizimit treten dhe humbin përpara Naim Frashërit dhe nëse në mitologji mbreti Shiba e ndali kohën, në histori Naimi e lëvizi përfundimisht kohën.
Askush nuk ka bërë dot atë, që ka bërë ai – në këtë kuptim, ai është i papërsëritshëm më, i jashtëzakonshëm, i plotëfuqishëm, një Pater Patriae.
Vepra naimiane është nga kryethesarët më të mëdhenj e më të pazëvendësueshëm të kulturës kombëtare, me një fuqi radioaktive të dlirësimit dhe të katarsit, të krenarisë dhe të fisnikërimit.
Vepra naimiane është laboratori i formulave konceptuale bazë të kodit shqiptar, që nuk e kanë humbur e nuk do ta humbin kurrë forcën jetike, mbijetuese dhe rikrijuese të tyre.
Formula e parë është ajo e shqiptarizimit. Vetëm vargu i paharruar: «Ti Shqipëri më ep nder më ep emrin shqipëtar» vlen sa një bibliotekë e tërë, sa mijëra apoteoza, apo epitete sublime, rrëzon poshtë mjerueshëm tërë teoritë makabre të destruktimit të kombit shqiptar, apo tezën frojdiane, instiktive të «kombi të mallkuar».
Naimi bëri mitin e artë të Shqipërisë së përjetshme (eterne), për të bërë të mundur një Shqipëri reale të së Ardhmes.
Ai bëri shpirtin e ri e unik të Shqipërisë së lashtë për të bashkuar një ditë trupin e coptuar mizorisht të saj.
Ai jetoi një kohë apostolike të shqiptarizimit, për t´i bërë tërë shqiptarët vetvete, ai u formuloi shqiptarëve kuptimin e tyre, që ata të mos mbeten asnjëherë të moskuptuar, ai përjetoi në imagjinatë atë që të tjerët nuk mund ta mendonin, se qe një realitet i pamohueshëm dot.
Ai bëri kështu shqiptarizimin më vizionar, më të plotë në histori.
Formula e dytë e Naimit është ajo e humanizmit universal, ideja e identitetit në bashkësi, e njeriut midis njerëzve dhe e kombit midis kombeve, e mirëkuptimit strategjik me fqinjët dhe e një Njerëzimi të Ri, e një Njerëzimi, ku apelacionet gjeografike Lindje dhe Perëndim, Veri dhe Jug, marrin karakter emërtues dhe aspak antagonist, ku shqiptarët, as nuk mund të veçohen dhe as të vetëizolohen, as të përçmohen, as t´u mohohen të drejtat historike, etnike dhe ekzistenciale. Kjo ide e Naimit në fundin e shekullit të kaluar është kryeideja e planetit në fundin e shekullit tonë dhe të fillimit të shekullit të XXI.
Formula e tretë e Naimit është ajo e gjuhës letrare shqipe, si gjuhë e artit dhe e kulturës, jo vetëm gjuha e bukës, po edhe gjuha e zemrës, jo vetëm gjuha e trupit, po edhe gjuha e shpirtit, jo vetëm gjuha e së pjesëshmes, po edhe gjuha e të tërës, jo vetëm gjuha e përditshmërisë, po edhe gjuha e përjetësisë.
Naimi është një demiurg i lavdishëm i gjuhës unike kombëtare, i kombit unik gjuhësor, për të realizuar kombin historik unik, i kombit kulturor për të bërë edhe kombin historik unik, i kombit kulturor për të bërë edhe kombin politik.
Ky aksion i tij është titanik.
Le ta zbërthejmë pak këtë aksion, këtë nismë të hatashme. Naimi qe një krijues me synime tepër të mëdha.
Artur Remboja ka thënë «poeti është shenjti, që zbulon çelësin e të kremteve të dikurshme».
Naimi qe pikërisht një shenjt i tillë.
Ai bëhet barletian, pikërisht për të ringjallur eposin kastriotas të lirisë.
Në poezinë e Naimit rrotullohen botërat, yjet, ai flet për kozmogoninë, për pellazgët, për ankthet e Babilonisë dhe të Bizantit, të Greqisë së Perikliut dhe Romës virgjiliane, të pasioneve të përgjakura dhe tronditëse të Fushës së Qerbelasë, për profetët e shkretëtirave, për jakobinët francezë, për anatemën e inkuizicionit ndaj Galileo Galileut, për formulat kimike dhe teorinë e Darvinit etj, etj., për të krijuar kështu një univers të tërë. Në këngën e XI të «Historisë së Skënderbeut» Naimi, ashtu si Dantja, bën një udhëtim në Ferr.
Po ai i sinkronizon kulturat dhe qytetërimet, Rusoin, Hygoin, Bajronin, Lamartinin me Firdusin, Homerin me Xhelaledin Rumiun etj., Felik Zhylienin me Avicenën, Aristotelin me Konfucin.
Midis Platonit dhe Dekartit admiron këtë të fundit.
Naimi është një ideator i një bektashizmi shqiptar, aspak identik me atë të vetë Haxhi Bektashit, i një filozofie panteiste, që i afrohet asaj të Baruh Spinozës, po pretendon të jetë një lloj ideologjie kombëtare, ndryshe nga novacionet e Husit dhe të Luterit në krishterimin e feudalizuar evropian. Naimi bën një reformë demokratike fetare të një sinkretizmi të pluralitetit të feve të shqiptarëve për t´i bashkuar ata. Këtë s´e ka bërë askush veç atij.
Proverbit të lashtë “qui vivra verra”, “kush të rrojë do të shikojë”, Naimi i dha kuptimin e një sigurie të padiskutueshme për Shqipërinë “Lum kush të rrojë ta shohë Zonjë”.
Meqenëse Naimi është përkthyesi i parë i Homerit në shqip kujtoj vargun homerik «tharsin hri, tah avrion esete aminon» që do të thotë «duhet të kemi shpresë se e ardhmja do të jetë më e mirë».
E ardhmja është substanca magjike e Naimit.
Naimi bëri tipin e shqiptarit qytetar, evropian, të kultivuar, të kulturuar.
Dhe kështu modelin e secilit prej nesh.
Ne jemi të gjithë naimianë në atë kuptim, që jemi shqiptarë.
Si nga asnjë krijues shqiptar nga Naimi buron mirësi, dashuri kozmike, mirëkuptim, shpresë, dinjitet, fuqi morale, madhështi, intimitet, arsyetim, eksorcizëm.
Në parlamentin mendor dhe shpirtëror të shqiptarëve Naimi është një kryetar nderi.
Sikur politikanët mediokër dhe vulgarë të kishin kuptuar sadopak diçka nga mesazhet e Naimit, sidomos idenë e Unitetit dhe të mirëkuptimit të shqiptarëve, nuk do të ishin këta që janë.
Po Naimi është populli dhe ata s´janë populli!

___________
DR.MOIKOM ZEQO: PROJEKTET KOMB-BËRËSE DHE UNIVERSALE TË NAIM FRASHËRIT
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=6618

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura