Prishtinë, 08. 06. 0215 – Nëse akti heroik i Adem Jasharit me familjen e tij shënon evoluimin e karakterit të flijimit si një dëshmi domethënëse e nivelit të zhvillimit të kulturës politike të kombit tonë, akti i vetëflijimit të deputetëve do të jetë krejt e kundërta e tij – pasqyrë e mjerimit tonë politik kolektiv!
Përfundimi i LDB në Kosovë rikthente në kujtesë Krizën e Lindjes (1877) dhe kryengritjen e stisur në Bosnjë për interesat e shteteve të vogla sllave, që me kohë ishin projektuar të ishin në shërbim të gjeopolitikës ruse. Në mungesë të një platforme të qartë politike, e djathta nacionaliste e kohës, që gjatë gjithë luftës kishte denjuar të shndërrohej në Kolonë të Pestë, duke përjashtuar NDSH që do të krijohet tepër vonë, kishte organizuar revoltën masive në mbrojtje të kufijve të Shqipërisë (Kikë, Sfircë, Prapashticë, Gjilan Drenicë…), që i shërbeu për mrekulli fashistëve serb të konvertuar në komunistë, për kundërvënje ushtarake e politike. Fillimisht organizoi plojën ushtarake në Gjilan, Mitrovicë, Tetovë…Drenicë… e pastaj, më 18 shkurt të vitit 1945, në një mbledhje të udhëheqjes më të lartë të Komitetit Qendror të PKJ në Beograd, të marrë vendim që Kosova t’i bashkëngjitej Serbisë. Për t’i dhënë peshën e duhur politiko-juridike, më 7-9 prill të vitit 1945, u organizua Mbledhja e Jashtëzakonshme e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Serbisë dhe më 8-10 korrik 1945, në Prizren, mblodhi të ashtuquajturin Kuvend të Këshillit Popullor të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, i cili në historiografi njihet si “Kuvendi i Prizrenit”, ku u tumir vendimi që ishte marrë tashmë në Beograd.
Nënshkruesit e atij akti të turpshëm, natyrisht bëhet fjalë për pjesën që kishin ndërgjegjen e vrarë, gjithë jetën, e bartën këtë peshë të rëndë të fajsisë.
Disi ngjashëm po veprohet edhe me aktin që ndërlidhet me krijimin formalo-juridik të Gjykatës Speciale. Vendimi për ta tumir krijimin e saj, duke u shndërruar në një kalvar turpi në ndërgjegjen e brezave, pritet të bëhet pikërisht në Tempullin e Demokracisë së Republikës – në Kuvend! Ky veprim, tashmë duhet ta themi zëshëm: është produkt i injorancës politike.
Ndërkaq këtë udhëheqje që reflekton padituri dhe fodulluk, vetë ne, qytetarët e kësaj Republike të zënë peng, e votuam për 25 vjet rresht… Madje edhe atëherë kur krerët e LDK talleshin sheshazi me popull, duke vlerësuar Republikën e pushtuar si shtet dhe kur bënin lojën e pushtetarëve, pavarësisht se për lëvizje jashtë vendit, deri në kufijtë e Maqedonisë i shoqronte eskorta e policisë së Milosheviqit!
Një lloj vetëflijimi si akt i mjerimit politik kolektiv e kishte inauguruar LDK në vitet ‘90-ta, e të cilin e ashtuquajtura intelegjencë e Kosovës e vlerësoi si filozofi rugoviane! Për fat të keq, as sot e kësaj dite, intelegjencia e re, prej së cilës pres shumë, nuk po merr guximin që të vë pikën mbi I, duke i dhënë vlerësimin real asaj lëvizjeje politike që promovoi vetëflijimin si akt të mjerimit kolektiv politik.
Shih për këtë, kjo tallje, në një formë tjetër, vazhdoi edhe pas 1999, edhe pas 2008-ës, meqë në krye të Republikës, tutje, vetëm u bë ndërrimi i “kuajve” të trojkës, që po bartete tashmë fatin tonë kolektiv nga një stacion politik në tjetrin.
Si për ironi të fatit, injoranca politike e udhëheqjes ndërkohë mori trajtat e groteskut, ndërkaq padituria e saj në njërën anë dhe ngushtimi i terrenit veprues për pjesën e qytetarisë aktive, në anën tjetër, vetëm sa u thellua.
Në këto rrethana çlirimi i Republikës nga pengmbajtësit mbetet gjakim vetëm i idealistëve, që për model kanë Ukshin Hotin. Ndërkaq tutje, Shteti si strukturë që garanton rend, siguri dhe mirëqenie…vazhdon të jetë një ëndërr e parealizuar.
Të ndodhur në këtë gjendje morbiteti, tashti, në prag të përsëritjes së historisë, si dikur në Prizrenin e korrikut1945, apo Prishtinën e vitit 1989, deputetët e Kuvendit të Kosovës, edhe ata që ngatërrojnë fjalimet politike të Albin Kurtit, (që për hir të vërtetës na rikthejnë në kujtesë ato të Hasan Prishtinës në Parlamentin Osman apo të Fan Nolit, në Parlamentin Shqiptar të epokës para Revolucionit të Qershorit të vitit 1924), me poezi dhe përralla, por edhe ata që janë të vetëdijshëm se aty duhet të reflektojnë si Zë i ndërgjegjes historike dhe vullnetit politik të këtij populli, ndodhen para alternativës: të jeshë ose të mos jeshë.
Në historinë e njerëzimit, varësisht nga kultura që prodhonin popujt, akti i flijimit me kohë mori tipare kombëtare, megjithëse në esencë mbeti po me ato tipare universale nga antika deri sot. Nëse akti heroik i Adem Jasharit me familjen e tij shënon evoluimin e karakterit të flijimit si një dëshmi domethënëse e nivelit të zhvillimit të kulturës politike të kombit tonë, akti i vetëflijimit të deputetëve do të jetë krejt e kundërta e tij – pasqyrë e mjerimit tonë politik kolektiv!
Por, nëse në rastin e parë kishim të bënim me flijimin si akt që bëhej me vetëdije dhe në emër të triumfit mbi vdekjen, që i ngjante aktit të flijimit të parashikuesit dhe mjekut të njohur mitik Asklepit, që do të përmbyste madje edhe rendin e vendosur nga perenditë, në rastin e dytë, në këtë që po pregaditë ta ezaurojë kjo klasë politike mjerane me aprovimin e Gjykatës Speciale, vazhdon të mbetet në skenë po e njejta mendësi politike e viteve ‘90-ta që din të promovojë vetëm aktie të vetëflijimit morbid. Shih për këtë, tashti flijimi merr karakter të një akti grotesk të lloit të vetë, meqë na rikthen në fillet e kësaj historie që prodhoi figurën mitike të Laokontit, flijimi i të cilit u bë në emër të demaskimit të tradhtisë.
Laokonti i kohës moderne ndër shqiptarë qe mishëruar në figurën e Avni Rrustemit, meqë në emër të po të njejtave ideale, ai ushtroi atentatin e tij historik ndaj Esat Toptanit dhe atë mu në kryeqendërn politike e kulturore të Evropës. Nuk thuhet kot: populli që nuk përvetëson leksionet e historisë, detyrohet ta përsërisë historinë!
Nga antika, epoka, kur po për të njejtat motive politke gjykohej Sokrati, gjykimin e sokratit shqiptar, Ukshin Hoti, e ndanin plot njëzet e katër shekuj. Akuzat çuditërisht ishin identike! Identike do të jenë edhe akuzat e Gjykatës Speciale. Dallimi është se sokratit shqiptar, Ukshin Hotit, akuza dhe vendimi i gjyqit i shqiptoheshin në serbisht, meqë Republika vazhdonte të ishte peng, ndërkaq atyre që do të gjykohen nesër nga Gjykata Specile, akuzat dhe vendimi i Gjykatës do t’ju shqiptohen në një gjuhë tjetër nga ajo serbe. Gjuha në të cilën i shqiptohej gjykimi sokratit shqiptar, ishte ajo e kolonizatorëve serb. Gjuha në të cilën do t’ i shqiptohet gjykimi UÇK dhe historisë sonë moderne, pavarësisht se mund të identifikohen me ndonjë emër personal, do të jetë gjuhë e neokolonizatorëve.
Por për dallim nga akti i flijimit të vetëdijshëm të Ukshin Hotit, e më pas edhe atij të Adem Jasharit dhe vart të pasuesve të tyre, që morën notat prometheane, vetëflijimi aktual i kësaj legjislature deputetësh, ironikisht i ngjason më shumë asaj të deputetëve të autonomisë së vetësuspenduar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës më 1989! Ai vetësuspendim i autonomisë më 1989, histria politike na dëshmon me kokëfortësinë e ndjeshme se, si akt politik, prodhoi qeverinë kuislinge të Rrahan Morinës, pjesë e të cilës ishte Isa Mustafa në cilësinë e ministrit. Diferenca është në sensin negativ, mjerisht. Legjislatura e deputetëve aktual ish ministrin e Rrahman Morinës e ngriti në kryeministër!
Shih për këtë akti i vetëflijimit merr ngjyresa të groteskut!
Këtë përmbysje të historisë shqiptarët nuk e meritonin.