REXHEP KASUMAJ: ZOTËRIT E DETEVE (NJË SPROVË FANTOMIKE E HEGJEMONISË)

Berlin, 09. 12. 2013 – (Nga Zyra ovale vjen mesazhi pa holltjerrje diplomatike: ujdhesat do dëftojnë se kujt do i përkasë shekulli 21: vajit e vuajtjes apo paqes e prosperimit! Despotët bolshevikë kinezë e kuptojnë këtë. Skena i përgjason, më saktë, luftës së ftohtë. Është kohë e sprovës, por jo akoma kohë e sfidës. Pushtimet, sikundër dinastitë e huaja qindravjeçare – Juan e Qing – kanë thadruar në ndërgjegjen nacionale ndrydhjen robnore dhe, për pasojë, mëllefin e revanshit veshtarë e systërvitur për të matur armiqtë dhe orën e tyre.)
1. Pafajësia e ishujve të braktisur!
Fatin e një trualli, yrti a të një rripi deti të skajuar, nuk e përcaktojnë, shpesh, njerëzit që e banojnë, ajri, retë a shiu që derdhet harrueshëm vjeshtës së vonë. Janë gjeopolitika, nënshtrati i begatë dhe kryqëzimet e mëdha që i vulosin hovzimet a rravgimet e tyre.
Një xhufkë ujdhesash të vogla në portat e Paqësorit jugor, rreken ta japin pikëllueshëm dëshminë për këtë.Të braktisur gjatë në mëshirën e ernave dhe valëve, ata papritur do të bëhen metaforë e sundimit të ujrave të botës. Dhe, vjegë e territ dhe vdekjes.

Luftëanija amerikane në ujërat – përreth ishujve Senkaku ose Diaoyi.

Ishujt Senkaku (ose Diaoyi, të cilët, prej vitit 1972 riadministrohen nga komuniteti japonez Ishigaki), janë shndërruar, tashmë, në levë ndërrimi të zotërve të deteve: për konfirmim të hegjemonisë së etabluar amerikane, apo për promovim të një padroni të ri të tyre. Më parë se alternim rolesh, a mund të prodhojë kjo përballje sundimin paralel-të mbifuqisë amerikane me japonezët e papenduar historikisht dhe, njëkohësisht, të Kinës largsynuese në Azinë e poshtme?
Assesi! Dy zotër të barasndarë detesh nuk mund të kishte asjëherë. Ose do rimbahet i tashmi ose, në rast rënjeje të yllit të tij, një tjetër do ngrihet në panteonin e fuqisë.
Skena, ndaj, ka gjithë frymën, itinerarin dhe retorikën e luftës. Kampet provokojnë idhshëm dhe përreth tyre rrjeshtohen aleatë, në një anë – e kundështarë, në anën tjetër. Ndërsa Kina duket fillimisht e pakrahë, ndanë Amerikës afrohen të kërcënuarit (Japonia, Tajvani, Koreja e Jugut), nevojtarë a të frikësuar, nga marshi kinez. Andej diku, anuese e heshtur në larginë, qëndron dhe India të cilën, Uashingtoni, si kundërpeshë ndaj Kinës (e Rusisë, patjetër), do ta lansojë, dhelshëm e dhelpërueshëm, në fuqi botërore duke ngjizur, ashtu, partneritetin strategjik mes “demokracisë më të vjetër dhe demokracisë më të madhe në botë”. Por e rëndësishmja, një tejvështrim 100 vjeçar në kuadrin e dramës, vjen nga Zyra ovale. Shefi saj do të pohonte një ditë tepër parathënshëm, se ujdhesat dhe cënimi i statu-quosë së tyre, do dëftojnë se kujt do i përkasë shekulli 21: vajit e vuajtjes apo paqes e përparimit! Nga këto fjalë pa holltjerrje diplomatike, nuk mund të rezultonte mesazh më i prerë drejtuar sfidantëve të perandorimit të saj në detet e botës. Kumti i tij, sikur i jepte interesit fundamentin kombëtar, kurse përplasjes së regjisuar dimesionin fatal.
2. Kina e mirë dhe Kina e keqe!
Në paralelen që ndjekës të temës bëjnë mes Indisë dhe Kinës, kolosëve gjeopolitikë në rritje tek trokasin në dyert e mëdha të botës, ka një intonacion të hollë e interesant. Me zhvillimin e saj të rrëmbyer e kontrastik (mondanitet dhe rend i mykur kastash, superfuqi e dijes dhe analfabetike, strehore raketash kozmike e, fare pranë, vendbanime pa uji, mistikë Sadhu dhe handy në duart e tij), India ndjekë ngadalë fqinjin gjigand e të ndërkryer. Informatika inteligjente induse ka ngjitur majat e teknologjisë. Qyteti Bangalore, ky teknopolis i vërtetë, renditet i dyti mbarëbotshëm për ekspertë elitarë të fushës. Në favor të pohimit shkon argumenti se shkolla gjermane e Ahenit listohet e 34-ta në botë. Dhe, deri këtu, ngjashmëria mes të dyjave është gati në kufi motërzimi. Por ato kanë dhe një tipar fundor që i ndan humnerisht: Kina është një diktaturë e egër komuniste (edhepse Kongresi i posambyllur përvijoj rrathë më të çlirtë tregu për ekonominë), ku burgjet janë përplot qytetarë të mendimit ndryshe, të cilëve, madje, iu trafikohen shtetërisht organet vitale për trupërat e sëmurë të pushtetarëve a oligarkëve të rinjë. India, ndërkaq, përveç ritmit ngulmës të ecjes përpjetë, që shpejt do ta bëjë konkurruese të tretë në resurse e tregje botërore, është në një demokraci stabile dhe e arrirë, ku ndjeshmëria për të drejtën e tjetrit ka një gjen, gati, natyral të lashtësisë. Atje, fjala vjen, si ndjesi e refleksion i kulturës parake, gurutë e sanyasinët, po dhe njerëz të rëndomtë, mbajnë një rrjetë imtore mbi fytyrë që as insektet e padukshme të mos bien prè e frymëmarrjes së tyre vrastare. Dhe, prandaj, ndërsa India, nga kjo arsye quhet Kinë e mirë – pra prosperitive dhe e lirë, Kinës vetë i rezervohet emërtimi pezhorativ Kinë e keqe – më e mirëqenë se asnjëherë, por e palirë.
Po çfarë ndodh tani me Kinën, dyfish të keqe: me sistemin brendësor dhe, poaq të keqe, me delikuencën ndërkombëtare? Në fakt, kjo ndërthurje është dialektikisht e dhënë. Nga një Kinë e padrejtë që shtyp jo veç 55 minoritetet e numërta (vetëm në Xinjiang ose në Turkestanin lindor, si quhet ndryshe, në afro 1 milion e 600 mijë km. katrorë jetojnë mbi 20 milionë ujgurë turqishtfolës), po dhe han-kinezët e vet, nuk mund të jetë e pritshme një sjellje fisnike e legaliste në marrëdhëniet e jashtme. Ajo nuk njeh të drejtën dhe tapinë e Shqipërisë mbi Kosovën e territoret kompaktësisht etnike – kurse refuzon teorinë e dy Kinave, duke pretenduar Tajvanin si pjesë integrale të saj, mandej nuk mbështet indipendencën sovrane të shqiptarëve në truallin e tyre, Kosovë, të cilin vijon ta trajtojë çështje të Sërbisë – kurse shpall arbitrtarisht sovranësinë mbi ishuj të huaj japonezë, dhe, së mbrami, akuzon me principialitet të stisur proletarist ekspeditat perëndimore pas burimeve të arit të zi – kurse vetë, si qortojnë vijetnamezët e strukur, aspiron me hipokrizi të kulluar të shuajë etjen naftore në këtë tufë ujdhesash që, tash, së voni, doli të jetë e çmuar nën sipërfaqen e përgjumur.
Më kujtohet sesi, kur Bushi i ri do të shkelte pragun e Shtëpisë së bardhë, një publicist i shquar, duke i bërë profilin nismëtar, shkruante se ai s’mund të mëtojë të jetë, njëkohshëm, edhe Jezus (Krisht) në atdhe edhe Julius (Cezar) jashtë tij, e kjo do të thoshte – i mirë për të vetët e dashur dhe mizor për të mohuarit në botë. Këto pozicione përjashtimore, si sot poashtu, nuk mund të konvergjonin moralisht kurrë. Mirëpo Amerika, edhe ajo e Bushit, do të përshfaqte më pas e gjithherë të kundërtën: avokimin e vlerave të lirisë dhe barazisë, kudo në skutat e errta të botës. Fjala e saj ishte verdiktore dhe për indipendencën Kosovës. Ndaj, më puthitshëm se askujt, ky portretim i vete prijësve të kuq kinezë, veçse natyrisht, me korrekturën e doemosdoshme: Pekini i ringjallur është, ashtu, edhe Julius (i dhunës) në shtëpi edhe, prapë, Julius dëshirak (i dhunës) në botë!
Por Helmut Schmidt, me sigurinë e, pse jo, me sentimetalizmin që i japin njohjet personale të atjeshme, s’mendon kështu. Në një dialog me Gu-Xuevu, prof. i shkencave politike në Universitetin e Bonit, gati i magjepsur, thotë: Kina robëron pa militarizëm. Dhe këtë model, nënvizon ai, do ia rekomandonte me qejf amerikanëve. Kur moderatoti pyet për të drejtat e njeriut dhe kur Gu kërkon gatishmëri kuvendimi me Tibetin e Dalaj Lamës, ish-kancelari mbetet i habitur e pa fjalë. Si e prej nga ky perceptim kaq altruist i njeriut mëndjeftohtë? Është kulturë fine apo raport fuqie, përgjegjshmëri apo pamundësi armësh, përveç atyre “ të kadifenjta” kineze? Natyra e njeriut është unike dhe ajo nuk fshehet në kokën, por në zemrën e tij. Shtetet janë të ndërllojshme në rregullimin e intern, kurse të njësojta në marrëdhëniet mes tyre, ku vigjëlon kryehershëm interesi i ftohtë e aspak ëngjëllsia e ngrohtë. Ndaj e vetmja ndarje e përjetshme është në: shtete të dobëta dhe në ato të forta, në role që alternohen paprerë në shtjellën e kohës. Gjithçka tjetër është lojë e variacioneve demagogjike. Përse kombet kolonialiste të Europës (përfshirë Gjermaninë) tani paraqiten më urtë e butë? Kanë mësuar leksionin, apo pse, thënë më drejtë, ndanë fuqimëdhenjëve të tjerë, janë bërë xhuxhër të botës. I bindur për të kundërtën e shtetarit me nam, shprehet Henri Kisingjeri legjendar (Libri: “Midis traditës dhe sfidës”). Megjithëse një ëndërr djegëse dhe e qëmoçme e Republikës popullore, ajo, thotë diplomati e intelektuali i shquar racionalist, nuk do t’arrijë kurrë statusin e fuqisë botërore, të parë e supreme, duke spostuar të gjithë për tu bërë vetë një Amerikë e dytë!
3. Smirëkeqja e lavdisë!
“Pasuria është lavdi” – pat thënë, gati profetisht, Den Xiaoping, i zhgënjyer nga dogma që qarkullonte pambarimisht vuajtjen dhe njëjtësonte skamjen me premisën e ndershmërisë. Thënja programatike do t’niste shtegtimin e lodhshëm nga Revolucioni kulturor tek kapitalizmi shtetëror i ekonomisë së dytë nacionale të botës, kurse autorin do ta glorifikonte si atin e saj shpirtëror. Krejt ngjashëm me Indinë, mëkëmbja nga hirnosja rrënuese është e disniveluar e jopërpjestimore. Mbi 400 milion kinezë nga thellësia kontinentale, jetojnë ende në një kohë shtangëse e të këputur prurjesh moderne , si në kohët izolante të dinastëve mangjurë. Mirëpo kriza ka behur tek porta. Norma e rritjes në prodhim e eksporte ka rënë dhe, në horizont, vagëllojnë shenjat e tronditjeve të rënda sociale, që do prireshin në kah turbulencash etnike me tizgën e gjakut.
Dhe s’ka si t’mos jetë kështu. Përzierja e elementëve sistemorë në Kinë është krejt e panatyrshme: monokraci bolshevike në ideologji dhe, ndesh me të, ekonomi fragmentare tregu në zona rivierash a në metropolët e mëdhenj. Që këtej, edhe sa kohë do të mbijetojë ky dualitet, doktrinarisht e praktikisht, i pamundur? Tregu, si kurmi frymën, kërkon ngulmërisht gjuhën komplementare politike. Nuk konformohen dot dy çelësa, dy formula të papajtueshme në lidhjen atipike të tyre.
E, pra, në udhë përmbystare (vështirë e supozueshme) ose në udhë evolutive (më shumë probabile ), ajo do të mund të bëhet një “Kinë e mirë”, e shumëpartizuar dhe e lirë. Në fakt, ajo i referohet prore modelit tajvanez, këtij kombinimi fatlum, siç thonë shpresërisht, mes demokracisë parlamentare dhe konfuçianizmit tradicional. Dhe ankohen se “konflikt-demokracia” (përfaqësuese e direkte, që vetëm në Kaliforni ka prodhuar 174 vendosje referendare), si e cilësojnë ata rendvlerën politike perëndimore, ngjan disi e huaj për shpirtin e shtruar kinez, që nuk posedon fillesat kulturore për të përballuar një stuhi të tillë. Po a është njëmend kështu? Është drojë pazotësie apo monopol pushtetar? Të lëndueshëm nga tallazet e “pranverave popullore” dhe internacionalizmit humanitar, ata, saherë plasin rebelime popullore në fqinjësi apo larg saj, ngujohen trëmbshëm duke këputur vegëzat filtëruese në rrjetët socialë, në shtyp dhe, madje, në pëshpërimat e thjeshta njerëzore. Me sa duket, e dijnë fare mirë atë që tha ministri frëng i kulturës Filipetti tek priste Bob Dylanin në Paris, se nëse kultura ka një forcë subversive, aherë këtë forcë do ta ketë dyfish të tillë kultura e demokracisë.
Megjithatë, do t’mjaftonte ligjërimi i opozitës dhe shtypit të pavarur, që e keqja ti riqasej Kinës, kësaj radhe nga “mirësia” e saj. Një Kinë libertare do të zgjonte popujt e ndaluar. Ata do të rimblidheshin rreth bërthamës së tyre etnike, që do të prishte qendërzimin e harmonisë negative të tiranisë. Ajo do restaurohej sërish linjash të moçme provinciale paramaoiste, duke inauguruar dilemën e vështirë: do ta kishin kinezët aftësinë e multikulturalitetit për të bërë një vend të hapur me të cilin do të identifikoheshin të gjithë? Apo rivalizimet do mbruajnë legjitimisht idenë e konfederimit a të shkëputjes së tyre? As qytetnia e admirueshme e demokracisë nuk ia doli të mbajë në këmbë sajesat shumëkombëshe sllave në Europë, të krijuara nga vullnete të fuqisë e jo nga parime të së drejtës. Përkundrazi, ishte pikërisht ky rinim i saj që do ti bënte hi e pluhur si rrecka trishtuese të barbarisë. As flamanë, baskë e katalonas që kanë një investurë koekzistence me popuj të tjerë (valonë, spanjolë e britë), nuk jetojnë idilë të lumur. Madje, afinitetet për vetëjetesë, të përligjura nga kartat e Brukselit, kanë, së voni, edhe, thjeshtë, trajtën e identiteteve rajonale. Dalmacia e Bavaria, Padania e Vojvodina janë disa prej tyre, që kanë a do kenë flamuj e zyra në selinë komunitare.
Përfundimisht prandaj, ç’epilog i ka rezervuar historia Kinës? Kësaj të sotmes, “të keqe” dhe asaj të nesërmes, “të mirë”? Urtia popullore dhe tejpamësia e prijësve, ndoshta, mbetet të ravijëzojë mënyrën e redizajnimit politik të saj. Përvojat dhe konsekuencat (implozioni paqësor sovjetik ose eksplozioni i përgjakshëm jugosllav) janë të ndryshme. Ndonjëra syresh mund të trollzohet në mijleun kinez, pa qenë e fiksuar në mbamëndjen kolektive, pa dashjen qëllimore, pa asnjë tabelë përbetimesh… Globalizmi ka rrudhur botën dhe ato transmigrojnë lehtësisht si retë në qiellin e hapur.
Nëse epilogu nuk është – aherë mënyra e vajtjes drejt tij është në dorën e tyre!
4. Skema e munguar!
Kjo ndërmjetëz modeste panoramike e Kinës, përpiqet të konturojë përfytyrimin elementar se cila është ajo, njëmend, në këtë vigjilje të ushtrimeve konfliktore: cila është korrektesa e saj e rreme dhe cila pesha e saj reale! Me një të tillë Kinë, pra, flaka e Luftës gjithësesi do të presë. Dhe, me gjasë, nuk do të kallet fare. Proceset janë, çuditësrisht, kontradiktore. Pikërisht në “vitin e bojkotit “, 10 milionë kinezë, sikur të vërenin asgjë, punojnë mëtej në kompanitë japoneze, kurse turistët kinezë (sivjet, bile, 74 përqind më shumë) nuk hezitojnë vajtjen në “vendin e mallkuar”. E gjitha do t’mbarojë në një pretekst të shtirur: nga anë e tyre, amerikanët do t’shtrëngojnë ledhet e aleancës për të ligshtuar turrin e influencës kineze, kurse këta të fundmit, poashtu, duan të parakumtojnë impenjim në riskicimin e hemisferave të botës. Pati analistë që krahasuan atmosferën me Sarajevën e vitit 1914, si një prelud të luftës së përbotshme. Mirëpo, jo. Skemës krahasimtare i mungon, pothuajse, gjithçka. Mbi të gjitha, mungon denjësia e armikut kinez. Pekini, si ndodh rëndom në muzg luftërash, rrah të riorientojë revoltën e stanjacionit dhe venitjen e legjitimitetit, jashtë mureve të tij. Por, mbase, vetëm kaq. Ai nuk ka ende as një të vetëm avionbartës për të qenë, tutje, ka stacionuar një minimum raketash interkontinentale në zonë, kurse brigjeve të tij lundrojnë nëndetëse krejtësisht të thjeshta. Pastaj, ndonëse të shtuara, destinimet finansiare për armatë janë gjithnjë poshtë, tepër poshtë buxhetit të Pentagonit prej 570 miliardë eurosh marramendëse. Po arsenali i ri, horror-arma amerikane e mistershme: manipulimi i motit, nxitja e tërmeteve…? Uragani i “Ushtrisë popullore” nuk shpalos veçse një fantom, një mit i paqenë, një tingull i largët. Rrjedhimisht, në të gjithë versionet e hamendësuara të një lufte të kufizuar apo të teatrit të saj, ambicja e pafrè kineze për të sunduar detet, do të digjet dhe leçitja rajonale apo demonizimi planetar i Kinës, do të jenë të korrat e tharta të despotëve arrogantë. Skema, që këtej, i përgjason, më saktë, luftës së ftohtë. Ata e kuptojnë këtë. Është kohë e sprovës, por jo akoma kohë e sfidës. Pushtimet, sikundër dinastitë e huaja qindravjeçare (Juan e mongolëve dhe Qing e minoritarëve mangjurë) kanë thadruar në ndërgjegjen nacionale ndrydhjen robnore dhe, për pasojë, mëllefin e revanshit veshtarë e systërvitur për të matur armiqtë dhe orën e tyre.
Sidoqoftë, si thotë Friedman, midis të sotmes dhe të atëhershmes, do të ketë ende shumë histori!
E, ndërkohë, ishujt do t’vijojnë të prehen në qetësinë e vetmisë, krejt të pafaj pse, përveç peshkatarëve të paqëtuar në breg, dikush rrëmon kërkueshëm nën syprinën e tyre.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura