Prishtinë, 22. 06. 2013 – Qytetarët e Prishtinës ka disa ditë që i sodis tek kalojnë pranë çadrës së gevistëve në rrugën “Luan Haradinaj”, dhe herë kthejnë kokën e lexojnë mbishkrimin GREVË URIE – në mbrojtje të luftës së UÇK, pastaj ulin kokën e skuqen, si të turpruar, por më shumë sosh i shoh tek kalojnë me një lloj indiferentizmi jashtëzakonisht banal, sikur heronjtë e gjallë që tash e 22 ditë të ishin lypsarë të zakonshëm!!!
Morali i kësaj shoqërie dhe obskurantizmi i politikës, këtu në Prishtinë, sikur puqen me cinizmin e EULEX-it! Ndërkaq kjo pamje e Ibrahim Kelmendit në këtë foto dhe zhgënjimi i idealistit Xhemë Gjura, sikur nuk i lënë më vend arsyes së sforcuar të Blerim Muriqit…
Idealet e luftëtarëve të UÇK-së dhe të disa brezave që iu përkushtuan lirisë së Kosovës, po humbasin betejën në përballje me obskurantizmin e politikës dhe shoqërisë sonë trushpërlarë. Mjaftoi një qëndrim më liberal i VV ndaj një pjese të shoqërisë sonë që është shpërfytyruar në rrafshin e identitetit kulturor dhe për dy ditë rresht TV e rrjete sociale të vlojnë me diskutime banale mbi shamitë dhe tema tjera të ekstremit islam….
Ibrahim Kelmendi, në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së…
Ka 22 ditë që në zemër të qytetit, tre heronjë në mbrojtje të idealeve të disa brezave dhe historisë sonë më të re, po përballen me meskinizmin banal të të ashtuquajturës të majtë trockiste europiane, që e ka kapur EULEX-in si Republikën tonë mafia, ndërkaq mediat heshtin dhe e ashtuquajtura shoqëri civile ka futur veshët në lesh!!! Ky brez idealistësh, në kohë të vështira, kishin lënë Europën, siç kishte bërë edhe Xhemë Xhura dhe Blerim Muriqi me shokë dhe ishin rreshtuar në anën progresive të historisë, duke u bërë ushtarë ideal të UÇK-së. Ibrahimi kishte arritur të dilte fitimtarë në përballje me shërbimin jugosllav, të ruante bërthamën e ilegales progresive në Europë e Kosovë, të shndërrohej në hero mitik që e gjeje në mëngjes në Basel e në vegim të ditës në Hamburg e gjithandej ku vepronte rrjeti i LPRK-së, ndërkaq në fund në promete të UÇK-së, gjithkund ku e kërkonte çasti historik. Dhe me këtë ideal Ata arritën ta çlirojnë Kosovën, të jemi këtu ku jemi sot, duke sendërtuar Republikën e dytë Shqiptare në Ballkan dhe duke i trasuar rrugën Republikës së tretë e me këtë edhe Federatës Shqiptare nesër. Histoira këtë gjithësesi do ta vlerësoj.
Fakti që politika e viteve të nëntëdhjeta kishte manipuluar me qytetarë deri në skajet e të pabesushmës, duke i shpërlarë trurin një brezi të tërë dhe duke mbjellur iluzione se liria është diçka që mund të vijë edhe nga qielli, kurorëzimi i luftës me fitoren e plotë ishte bërë sinonim i të pamundurës. Prandaj lufta e UÇK disi mbeti e papërfunduar…
Shih për këtë, brezi që tashmë ka hy në politikë do të përballet keq për gjatë kohë me këtë obskurantizëm banal të politikës dhe qarqeve që po manipulojnë me religjionin…
Ibrahimi me shokë duket se kanë vendosur t`na lënë me turp! Disi ngjashëm kishte vepruar edhe Adem Jashari më 5, 6 e 7 mars 1998 tek kishte marrë vendimin të flijohej për këtë dhe Kryetrimi i Kosovës nuk denjonte të zvarritej në mesin e cinikëve të Prishtinës që talleshin me popullin tek luanin lojën e politikës në kohën kur duhej që politika t`i hapte rrugë pushkës së lirisë. Ibrahimi nuk po denjon të zvarritet apo të ecë i kërrusur në tunelet e turpit politik që trockistët europian, përmes EULEX-it, ia kanë imponuar politikës kosovare si të vetmin shteg kalimi.
Ky mesazh që deshti t`ia përcjell Ibrahimi Europës ra në veshë të shurdhër, ndërkaq politika jonë e kapur nga mafia dhe e zhveshur tërësisht nga çfardo lloj morali a ideali për ndërtimin e Republikës funksionale, nuk ia ka ngenë të mirret me mesazhe politike…