SADRI RAMABAJA: XHUXHËT E POLITIKËS TINZARE

Prishtinë, 22. 10.2012 – (Takimi Thaçi – Daçiq në prag të dialogut politik) – Takimi mes Thaçit dhe Daçiqit është produkt i diplomacisë serbe dhe aleatëve të saj për të nxjerrë atë që koha dhe rrethanat e shpërfaqin si të mundshme. Prologu i këtij takimi është shkruar që në qershorin e largët të vitit 1999, atëherë kur pjesëtarë të NATOs ishin buzë çarjes.
Njëra nga javët më të bujshme politike në legjislaturën aktuale, gjithësesi do të mbetet kjo që lam pas. Ajo që u shpërfaq në Kuvendin e Republikës së zënë peng mbetet maja e ajsbergut, respektivisht vazhdimi i asaj që pat ndodhur në majin e vitit 1998, kur po kryhej puçi në Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe rrjedhimisht edhe në UÇK.
Pasojat e atij puçi ishin të ndjeshme gjatë periudhës së luftës, por të tilla mbetën edhe më pas, deri në ditët tona. Madje për shumëçka, do të mund të thuhej se rrënjët e së keqës që po përjeton ky vend sot, duke u shpërfytyruar në rrafshin ekonomik përmes humbjes së aseteve më të mëdha që ka dhe duke bjerrë substancën e sovranitetit politik përmes dialogut me Serbinë, duhet kërkuar te ai puç, ndërkaq studjuesit nesër do të mund ta vlerësojnë si një dekadë të humbur në procesin historik të ndërtimit të Republikës.

Bruksel, 20. 10. 2012: Takimi “historik” i Hashim Thaçit

me vrasësin e shqiptarëve Ivica Daçiq!

………………………………………..

Takimi mes Thaçit dhe Daçiqit, shih për këtë, duhet shikuar edhe si produkt të diplomacisë serbe dhe aleatëve të saj për të nxjerrë atë që koha dhe rrethanat e shpërfaqin si të mundshme. 
Ndërkaq prologu i këtij takimi është shkruar që në qershorin e largët të vitit 1999, atëherë kur pjesëtarë të NATO-s ishin buzë çarjes, pas ndërhyrjes së batalionit rus në Prishtinë dhe insistimit të një lagjeje të shteteve europiane për të krijuar të ashtuquajturën zonë ruse në Kosovë.
Kjo zonë, sipas burimeve të kohës, do të duhej të përfshinte një pjesë të Dukagjinit dhe Veriun e Kosovës, ku tashmë është etabluar shteti serb me strukturat e tij.
Në një rast tjetër do t`ia vlente të flitej se përse ky skenar nuk u realizua dot edhe në Dukagjin dhe kush është më meritori për këtë. Ndërkaq shpjegimin pse pjesa mbi Ibër mbeti nën kontrollin serb, këto ditë e bëri publik vet gjenerali amerikan, miku i shqiptarëve, Vesli Klark, të cilit i detyrohemi shumë si komb.
Në takimin e rregullt të Këshillit Amerikan për Arsim Ndërkombëtar, në mbrëmjen e organizuar nga Fondi Kosovaro-Amerikan për Edukim, më 18 tetor 2012, gjenerali Vesli Klark u shpreh krejt hapur se ishte pikërisht çarja brenda NATO-s në qershorin e vitit 1999, që prodhoi realitetin e ri në veri të Kosovës.
Janë po ata që krijuan këtë çarje brenda NATO-së, ata që kontribuan më së shumti në krijimin e fakteve të kryera në terren që përmes atasheve të vet po mbanin nën kontroll të përhershëm një pjesë të UÇK-së, duke ndaluar pozicionimin e saj në veri të Mitrovicës, krijimin e postbllokut pikërisht mbi urën e Ibrit, shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë nga veriu eddhe në vitin 2000…. Në monografinë më të mirë për LPK të publikuar deri tashti, njëri prej themeluesve të saj, Ibrahim Kelmendi, përshkruan se si këta tipa atashesh të spiunazhit frëng i rrinin tërë kohën si hije mbrapa Thaçit, duke e sjell fillimisht në krye të Drejtorisë Politike të UÇK-së e më pas edhe në krye të Partisë Demokratike dhe krejt në fund në krye të qeverisë. Kjo garniturë diplomatësh tashti po bëjnë përpjekje ta përmbyllin çështjen e Veriut të Kosovës, por gjithësesi duke e lën disi sërish të hapur për kohë më të përshtatshme për Serbinë dhe interesat e saj. Duket sikur ky skenar i detyrohet shumë teorisë së Lotmanit mbi sistemet konceptuale të binaritetit dhe trenitetit kulturor dhe reflektimit të tij në rrafshin politik. Nëse Serbia përmes planit Potkoi, i njohur me kohë nga Perëndimi, për shkak të ndërhyrjes së NATO-së, nuk kishte realizuar idealin e sistemeve binare, që nënkupton sipas Lotmanit shkatërrimin e plotë i gjithçkaje, për dymbëdhjetë vjetë rresht ajo kishte përgatitur terrenin për ndarjen e Kosovës, si kulmin e shpërthimit „të dinamikës reale të procesit“, në përputhje me këtë teori, me ç`rast nuk po i mungonte ndihma e aleatëve të saj.
Kundërvënia e Brukselit ndaj këtij sistemi përmes inaugurimit të dialogut politik të ndërtuar bazuar në sistemin trenar, që „synon ta përshtat idealin përballë realitetit“, është produkt i suksesit të diplomacisë serbe të teorisë rezervë të binaritetit, që nënkupton „realizimin në praktikë të idealit të parealizueshëm“.
Çka do të thotë krejt kjo? Serbia përmes këtij dialogu po e realizon atë që nuk kishte arritur dot ta bëjë me mjete ushtarake që e kishte realizuar de fakto në Bosnjë. Imponimi i çfardo autonomie për pjesën e Veriut të Republikës sonë, por edhe mbajtja në jetë e planit të Ahtisarit për pjesën tjetër në jug të Ibrit, është fitorja më e madhe e imagjinueshme në këto rretana e Serbisë dhe aleatëve të saj. Kushdo që ka kontribuar në këtë rrafsh dhe kontribuon edhe sot, nuk është diçka e paimagjinueshme të paramendohet se si do të mund të vlerësohet në histori.
Ndarja e butë që po i përgatitet Kosovës me këtë takim mes dy kryeministrave, Thaçit dhe Daçiqit, shumë shpejt pritet të bëhet realitet. Ndërkaq ndarja finale do të mbetet e ndërvarur me skenarin pasues që ndërlidhet me hartën e re politike të Ballkanit në prag të aderimit të Ballkanit Perendimor në Unionin Evropian, diku pas vitit 2025.
Miratimi i Rezolutës në Kuvend një ditë para se Thaçi të udhëtonte për Bruksel, e posaqërisht rreshtimi prapa saj i AAK dhe LDK-së, flet shumë për pozicionin e forcave tona politike dhe lidershipin e tyre. Ky lidership, për fatin e keq tonin, edhe tashti pas dymbëdhjetë vjetësh çlirimi, vazhdon të mbetet peng i së kaluarës dhe për pasojë lehtësisht i shantazhueshëm.
Ndërkaq opozita reale (VV) në këto rrethana nuk kishte çka të bënte më shumë se sa bëri. Populli pati rastin t`i shihte aty ku duhej, në tempullin e demokracisë, politikanët e përkushtuar për ndërtimin e shtetit dhe ata që atë, pra shtetin, po ia nënshtrojnë Serbisë…
Përpjekja e PDK, respektivisht strukturave informale brenda saj, për ta harrnuar koalicionin qeverisës me AAK, përmes kësaj rezolute që i parapriu takimit të Thaçit me Daçiqin në Bruksel, tashmë është çështje e kryer. Jo vetëm rezoluta, por edhe koalicioni i pritshëm PDK&AAK me LDK vetëm formalisht në opozitë, por rreptësisht të kontrollueshme dhe menaxhueshme, është produkt i një ekipi politikanësh që paraqet konturat e një skene mizerable që prodhojnë vetëm kasapët politik.
Çfardo insistimi nga ana e këtij koalicioni në lindje për të hy në negociata me Serbinë për çfardo forme të autonomisë për veriun e Republikës dhe vazhdimi i paskrupullt me zhveshjen e popullit nga çfardo pronësie mbi pasuritë e vendit, mund të prodhoj kundërveprim nga ana e popullit tashmë të zhgënjyer nga politika.
Ky vend edhe në situatat më të vështira, ka shpërfaqur bujshëm fuqinë atomizuese të idealistëve. Hashim Thaçi dhe ekipi i tij janë plotësisht në lajthitje, tek mendojnë se idealistët tashmë kanë vdekur.
Le ta kujtojnë shpërthimin e uraganit të idelaizmës shqiptare – të personifikuar në figurën historike të Adem Jasharit, në marsin e vitit 1998 dhe do t`ju mjaftonte për rikëndellje. Nëse nuk kanë parasysh këtë, kam dro se vendi do të rrëshqas drejt një katrahure që mund t`i ngjajë Vitit të Mbrapsht kadarean! Ndërkaq çfardo përpjekje për ta përsëritur Kongresin e Lushnjes diku në Anamoravë a Dukagjin, mund të jetë akt i vonuar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura