SALI ONUZI: GJERGJ BASTA, STRATEG DHE TEORICIEN I SHQUAR USHTARAK

Tiranë, 07. 02. 2016: “Prej shekullit XIV, kur ushtritë feudale në Europën perëndimore e humbën rëndësinë, fituan peshë repartet e ushtarëve rrogëtarë, që vinin nga Anglia, Zvicra, Gjermania. Në kushtet e vështira të jetesës nën pushtimin osman, shumë fshatarë të trevave malore, si të Labërisë, Himarës, të Veriut, po edhe nga Greqia, Dalmacia u rekrutuan në reparte të tilla, duke marrë emrin “stratiotë”. Stratiotët shqiptarë shërbyen në zotërimet venedikase, në shtetet italiane, në ushtritë e perandorisë gjermane, në Francë, Flandër etj” ( FESH., 1985 dhe 2008)
***
Jeta dhe karrierera
Gjergj Basta lindi në një familje arbëreshe, më 30 janar të vitit 1550 në Rocaforccata, afër qytetit të Tarantos të Italisë. Gjyshi i tij, Andrea Basta, bashkëluftëtar i Skënderbeut dhe pjesmarrës në ekspeditat e kryetrimit shqiptar në Itali, ishte nga fshati Bastje (diku afër Sarandës).
Që 15 vjeç, Gjergji u fut në një repart kavalerie të komanduar prej të atit, Dhimitrit (stratiot shqiptar) në luftrat e Piemontit dhe më pas, në një kompani të kalorësisë, të komanduar nga vëllai më i madh i tij, Nikolla. Gjergji i mori mësimet e para në një shkollë në Asti (Piemont) të Italisë dhe pastaj ndoqi Akademinë ushtarake në Hollandën spanjolle.

 

Jeta e tij ushtarake ndahet në dy faza, në shërbimin e tij në ushtritë e perandorisë spanjolle në Hollandë e Francë (1579-1596) dhe në ushtrinë e perandorisë së shenjtë romake (gjermane) (1596-1606), këtu edhe në të ashtuquajturën “lufta e gjatë“ kundër depërtimit osman në Europën Qëndrore. Ai shërbeu mbi 40 vjet në ushtri, duke udhëhequr rreth 100 beteja fitimtare. Basta zotëronte 6 gjuhë.
Basta do të dallohej shumë shpejt në mes oficerëve të kalorësisë së Ushtrisë së Vendeve të Ulta, ku arriti të merrte komandën e njërës prej kompanive të para të organizuara sipas kritereve te reja.
Më 1579, pak kohë pasi kishte arritur në Flandër, (Belgjikë) Basta u ngjit në detyrën e Komisarit të Përgjithshëm të Kalorësisë në vendet e Ulta dhe u bë përgjegjësi kryesor i reformës së kësaj trupe. Kalorësia e tij shquhet kundër Anversës më 1584, me bllokimin e rrugëve të komunikimit dhe më 1585 në fushatën kundër Brukselit, ku bllokimi u realizua në pjesën më të madhe nga repartet e kalorësisë së Bastës.
Basta eksperimentoi me sukses metoden e “rojeve të lëvizshme” duke e siguruar ushtrinë nga pritat apo nga sulmet e rrufeshme. Më 1589 kur ushtria spanjolle marshonte kundër Parisit, është përsëri kalorësia e organizuar dhe drejtuar nga Basta që shpëtoi praparojën spanjolle nga sulmi i papritur i armikut. Në vjeshtë të 1591 me gradën e komandantit të Përgjithshëm të Kalorësisë, Basta mori pjesë në çlirimin e Rouenit, ku shpartallon plotësisht kundështarët dhe mbron kësisoj tërheqjen e ushtrisë spanjolle.
Pas vitit 1596 vihet në shërbim të Kajzerit gjerman Rudolfit II i Perandorisë së shenjtë romake (Heiliges Römisches Reich – latinisht Sacrum Imperium Romanum), që aso kohe vijonte të ishte shteti më i madh i Europës perëndimore, në fillim në postin e mjeshtrit të përgjithshëm, në atë të zëvëndësguvernatorit të Hungarisë së Sipërme dhe më në fund të Komandantit të ushtrive habsburgase në Hungari dhe Trasilvani, ku shquajnë shumë fitore, në veçanti ajo në Gorozlo (1601) kundër Zigismund Bathorit, me 40 mijë trupa turq, tatarë dhe kozakë. Më 1601, Basta komandoi ushtrinë perandorake në Hungari, ku shkatërron kryengritësit heidukë, që lanë 12 mijë të vrarë ndaj 200 burrave, që ai humbi në këtë betejë.
Më 1603, në krye të ushtrisë perandorake gjermane Gj. Basta ndodhet në Transilvani. kundër trupave të vezirit turk Ali Pasha me 60 mijë vetë në qytetin Pesth. “Sa herë që perandori ndodhej në vështirësi, thotë konti i Villermont-it, ai kërkonte detyrimisht praninë e Bastës me trupat e tij”.
Më 1605, trupat e Gjergj Bastës në Komorrë u bënë pengesë e pakapërcyeshme për turqit.Bashkëkohësit thonë se ndaj tij asnjëherë turqit nuk patën epërsi. Është kjo arsyeja pse perandori e nderoi me titullin e kontit perandorak.
Ka qenë pikërisht kjo “lufta e gjatë“ 13 vjecare (1593-1606), kjo qëndresë në të cilën u stopua përparimi i mëtejshëm osmanëve drejt Europës, që e bëri të famshëm gjeneralin Gjergj Basta. Më 1604 Gjergj Basta u emërua Komandant i Përgjithshëm i ushtrive perandorake gjermane në Hungari dhe Transilvani dhe i’u dha grada gjeneralfelobriten, (feldmarshall) deri aso kohe grada më e lartë në perandori. Qe mbajtur njëzëri si një nga kapedanët më të mëdhenj të kohës së vet.
Si edhe shumë bashkëkohës të tij, edhe Basta nuk i ka shpëtuar kritikës historiografike, sidomos asaj rumune dhe hungareze, për dhunë të tepruar, për eliminim rivalësh, për vrasje të pajustifikuara, për administrim absolutist etj. Por historianë britanikë, italianë etj kanë shkruar se këto ishin në rradhë të parë përgjegjësi e politikës perandorake e më konkretisht e perandorit.
Vepra e tij teorike.
Pasi la shërbimin ushtarak aktiv dhe u tërhoq në jetën e tij private Basta u muar me shkrimin e tri traktateve mbi teknikat ushtarake. Për vlerën e tyre mjafton të thuhet se, në një botim madhor venedikas të Shtëpisë Botuese “Xhunti”, më 1641 për “Disiplinën ushtarake universale”, ku ishin përmbledhur veprat e komandantëve më të shquar, nga 12 traktate, dy janë të Gjergj Bastës. Madje, Basta është i vetmi autor që përfaqësohet me dy vepra në këtë antologji klasike, e cila për kohën e saj kishte vlerat e botimeve më serioze enciklopedike dhe teorike të artit ushtarak.
Vlera e Gjergj Bastës si strateg e teoricien nuk matet vetëm me faktin që veprat e tij kanë qenë literaturë bazë në akademitë e shkollat ushtarake të Europës Perëndimore gjatë shekullit XVII e më pas.Vlera e veprës së tij zbulohet e ndriçohet edhe nga ndikimi që pati ajo në shkencën ushtarake. Embrionet që mbolli Basta u zhvilluan e u rritën më tej në shekujt që pasuan. Dhe mund të thuhet pa mëdyshje se ai është një nga pararendësit e teorisë së artit ushtarak modern.
Studiuesit kanë vlerësuar si gjeniale veprën e tij “Drejtimi i kalorësisë së lehtë” (1612), armë me të cilën ai kishte shkruar faqe lavdie në shumë fushëbeteja. E kanë parë këtë edhe si trashëgim të përvojës shqiptare skënderbejane e si transmetim të saj në fushat ushtarake të Europës Perëndimore. Ai me siguri e ka njohur këtë përvojë edhe nga babai i tij Dhimitri, i vëllai Nikolla dhe stratiotët shqiptarë me të cilët luftoi edhe i komandoi në beteja. Me shumë të drejtë kjo vepër e Bastës është konsideruar si rregullorja e parë organike e kavalerisë europiane. Ajo ishte sanksionimi teorik një procesi në të cilin Gjergj Basta kishte qenë ndër protagonistët kryesorë, ku zhvillimi i kalorësisë kishte përparuar duke u çliruar nga ato lidhjet e ngushta e të tepruara me këmbësorinë, duke ardhur ne shekullin e XVI, si një kalorësi e rritur, me tipare të reja, detyra më të mëdha në lëvizje, mbikëqyrje, sulme të papritura mbi pozicionet e pambrojtura të armikut etj.
Por me shumë rëndësi është edhe vepra tjetër e Bastës “Mjeshtri i përgjithshëm i Kampit”, i botuar në Vendik me 1606, 410 vjet më parë. Libri është konsideruar si “ungjilli i vërtetë i komandantit në luftë. Ky Mjeshtër i Përgjithshëm i Kampit nuk është tjetër veçse ai që do të quhej më vonë “ Shefi i Shtabit të Përgjithshëm”, ose numri dy i ushtrisë, sic i thotë Basta zëvëndësit të parë të komandantit. Konceptin e Shtabit të Përgjithshëm dhe të shefit të tij e përpunuan në mënyrë të plotë e të gjithanëshme mendimtarë të shquar gjermanët në shekujt e XVIII e XIX.
Mendjet e ndritura të shkencës ushtarake e kishin vënë re lindjen e kësaj nevoje. Gjergj Basta, në këtë zinxhir përpjekjesh ze një vend nderi, sepse ai e trajton ketë cështje qysh në fillim të viteve 1600, kur kushtet teknologjike e politike jepnin pak, ose aspak, mundësi për të parë qartë dhe se niveli i trajtimit që i bën ai “Mjeshtrit të përgjithëm të Kampit”, është më i përparuar se se c’ishte për shembull më vonë koncepti francez i “shefit të prapavijës” për Shef të Shtabit të Përgjithshëm.
Kjo Vepër u përkthye dhe u botua në frëngjisht më 1607 dhe në gjemanisht më 1617, dhe ka njohur një numër të madh ribotimesh gjatë shekullit XVII e në vazhdim.
“Gjergj Basta” në Shqipëri
Gjergj Basta, figurë e njohur e teorisë dhe e praktikës ushtarake europiane të fillimit të Rilindjes, kish mbetur një emër i panjohur për shkencën dhe lexuesin shqiptar deri kur historiani Dhimitër Pilika, e nxori atë nga arkivat e Pragës dhe e publikoi në Revistën “Ylli” më 1966 (nr 7).
Për të qenë më të saktë, Gjergj Basta për literaturën shqiptare ishte një rizbulim. Për të ishte shkruar e folur para 1944-ës në diasporë dhe ishte përmendur sadopak emri edhe në ndonjë botim në Shqipëri. Por aq pak, sa pas 1944-ës ishte harruar fare. Ndoshta Basta u gjykua ashpër si “pushtues” e si komandant forcash perandorake.
Në fakt Gjergj Basta kishte jetuar gjithnjë në kujtesën e shqiptarëve. Në një letër të vitit 1759 himariotët, pas emrit të Pirros e të Skënderbeut, shënonin emrin e Gjergj Bastës. Në vitin 1907 shqiptarët e SHBA në një letër që i drejtonin Konferencës së Hagës, përmendnin krahas figurave të shquara të popullit tonë edhe gjeneralin Gjergj Basta.
Pas Dhimitër Pilikës, Koco Bozhori me 1985 sa e përmend emrin e Gj. Bastës në zërin e stratiotëve në Fjalorin Enciklopedik shqiptar dhe, më 1990, historiani ushtarak, dr.Riza Drishti do të botonte në Revistën “Për mbrojtjen e Atdheu “ një studim të shkurtër për jetën dhe veprën e Bastës.Por viti 1996 do të shënonte një arritje të vecantë në këtë njohje: Shtëpia Botuese e Ushtrisë do të botonte në një vëllim, të përkthyera nga Ejana Paco, të dy veprat e Gjergj Bastës: “Mjeshtri i përgjithshëm i kampit” dhe “Drejtimi i kalorësisë së lehtë.”
Në vitet 2000 ka pasur në shqip edhe botime të tjera rreth emrit dhe veprës së Gjergj Bastës.Revista “ Mbrojtja” ,më 2003 botoi jetëshkrimin e Gjergj Bastës sipas “Dizionario biografico degli italiani” të vitit 1995, përkthyer nga Ermal Onuzi. Më 2006 u botua në shqip (përkthyer nga Pëllumb Xhufi) vepra e Paolo Petës “Stradiotët” në të cilën në tri faqe jepet edhe një jetëshkrim i Gjergj Bastës .Më 2008 Fjalori enciklopedik shqiptar botoi një zë për Gjergj Bastën, shkruar po nga dr. Riza Drishti.
Vitet e fundit kanë filluar të shkruajnë e botojnë për Bastën “krahinarët” e tij të Bastjas mesjetare, nga Nivicë – Bubari dhe Senica e Sarandës. Më 2010, Theodhori Miho botoi “Gjergj Basta dhe kapedanët e Senicës”, dhe më 2014, Fatmir Minguli në “Triptik historik” ,pjesën e parë, ia kushton pikërisht gjeneral Bastës, ndërkohë që Fotaq Andrea e përmend general Bastën në një studim të tij për stratiotët shqiptarë botuar në Revistën Ushtarake të Akademise se FA.
Veprat e Gjergj Bastës, të ribotuara më 1641 nga Shtëpia Botuese “Xhunti” e Venedikut, i ruajnë edhe Bibliotekat tona, ‘Marin Barleti’ e Shkodrës dhe Biblioteka Kombëtare në Tiranë.

Gjergj Basta është emri dhe fati i nje europiani me origjinë shqiptare. Gjeografia e jetës dhe e veprës së tij përfshin gati gjithë Europën: lindur në Itali (La Roca, afër Tarantos) në një familje shqiptare, lufton e shkollohet ne Piemont, shkollohet e lufton në Hollandë, lufton per Spanjën edhe në Belgjikë, e në Francë; lufton në Hungari e në Transilvani për perandorinë gjermane, një shtet që përfshinte asokohe shumë kombe, si Austrinë, Cekinë, Moravinë, pjesë të Polonisë, Tirolin, Silezinë, Luksemburgun, Savojën, Alcasën, një pjesë të Francës, Krainën në Slloveni e pjesë të Kroacisë; lufton kundër ushtrive të perandorisë osmane, kufinjtë e së cilës shtriheshin në tri kontinente, lufton edhe kundër repartesh të përbërë me tartarë, e me kozakë etj; me urdhër perandorak ishte kont i Sultit, Hjustit, Maramureshit, Tropanit.
Gjergj Basta vdiq më 20 nëntor 1607 në Kurtre të Belgjikës (ose 1612) dhe u varros në Vjenë.

– Sali Onuzi është kolonel (Rez.)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura