Paris, 7. 11. 2016: (Deharëve, këtyre jasharëve të rinj të shekullit të bashkimit)
Avni Dehari mbahu he burrë!
Dy djem i pate, asnjë më s’e ki.
Janë djemtë e Kosovës shqiptare me ty,
me ty janë gratë, e burrat, janë pleqtë,
krejt Kosova e më shumë: krejt Shqipëria është,
jam edhe unë, vëllau yt, me ty.
Motër Xhemile, qëndro!
Djemtë i linde flamurtarë,
liridashës e luftëtarë,
i rrite mes jehonash të thirrjeve për liri e Republikë,
larg Atdheut, me ëndrrën e çlirimit në mendje,
dy petrita ia fale Kosovës.
Në kolonat e gjata, në protestat e demonstratat,
djemtë tuaj, si ju e më zëshëm se ju
ngritnin lart Treshkronjëshën UÇK.
Ishin bijtë e Nënës e të Babës atdhetarë,
që ju ngritët për Kosovën e lirinë shërbimtarë.
Vëlla Avni, motër Xhemile,
mbarë Kosovën e kemi në zi, me lotë e në hidhërim,
zullumçarë e tradhtarë nga radhët tona,
grabitçarë lirie, tregtarë flamujsh e kazmëvënës pavarësie,
morën dhe e ngujuan Astritin, të mirin e nënës, më të mirin e Kosovës,
ia mbyllën të gjithë shtigjet, e vranë, bënë gjithçka që ai të vdiste.
Biri juaj, djalë i Kosovës, jo! nuk vdiq, vetëm u ngjit yll drejt yjesh,
me amanetin lënë kryeqytetit të Lidhjes Shqiptare:
Atdheu është në duar të pabesësh e katilësh, të shiturish, egërsirash pa ardhmëri,
Kosova do të gjejë e do ta hap shtegun e saj e do të fitojë,
Turpi do të mbulojë zbatuesit e agjendave kundërshqiptare.
Ndër yje deharët, këta jasharë të shekullit të ri.