SALIH MEHMETI: ‘NJERIU I REVOLTËS’

Prishtinë, 09. 02. 2015 – “… diçka po m’ngreh për kit ven… Diçka po m’kap për kto gurina, për kta lisa të zgoruem, për at kolibë teme kah rrxohet… Jo, qe besa: ma mirë po rrnoj ngat therrave t’mija se midis fiqve t’huej!” (Adem Demaçi, Kthimi, Jeta e Re, 1953)- “Për t’u zbatuar një shpërngulje masive, kusht i parë është krijimi i një psikoze të përshtatshme”, me këto fjalë Vasa Çubrilloviq e sendërdonte shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Në memorandumin e shestuar nga serbi i Bosnjës, ku shpërngulja synohej të institucionalizohej, thuhej shprehimisht se popullata fanatike në Kosovë, shumë lehtë i nënshtrohet ndikimit, sidomos atij fetar, duke vënë theksin në klerin fetar dhe parinë me ndikim. Çubrilloviqi në këto shestime malicioze e shihte të domosdoshëm ndihmën nga agjitatorët e sjellë nergut nga Turqia. Detyrë e këtyre agjitatorëve, sipas tij, do të duhej të ishte lavdërimi i ‘bukurive’ të Turqisë dhe ‘lehtësisë’ së jetës atje. “Ata që do të shpërngulen për në Turqi dokumentet e udhëtimit do t’i nxjerrin për një ditë, pa asnjë procedurë, biletat do të jenë me çmime të lira, madje edhe falas, transporti i valixheve deri te stacionet e trenave do të jetë falas”, thuhet në memorandumin që gjakonte që sistemin kolonial të Beogradit ta bënte përsosmërisht efektiv në kolonizimin e Kosovës dhe Maqedonisë së Vardarit.
Po si po krijohet kjo “psikoza e përshtatshme” në ditët tona?
Bëhen tash e disa muaj që mediet e shkruara e një numër i atyre virtuale, përmes raportimit për migrimin e paligjshëm, kanë përftuar një “psikozë të përshtatshme” e cila nxit një spirale të re të migrimit. Është diçka që i shërben aq shumë ‘Etheve të Arit’ në Kaliforni, të përshkruar me ngjyra aq realiste nga Jack London në romanet e tij. Një titull trazues që afishon gazeta ‘Zëri’ duket kështu “Azilantët pajisen me “leje të përkohshme qëndrimi” në Gjermani”. E kjo gazetë që pa fije modestie i atribuon vetës cilësorin “profesionale” në mënyrë të vagullt na jep tablonë e një kampi të panjohur në Hamburg e si azilantëve pos akomodimit u jepen edhe nga 140 euro për person (?). Ashtu si dikur për ‘Ethet e Arit’ në Kaliforni, edhe tani shpërhapen spekulime deri në kufijtë e groteskes. Paraqiten raste individuale që paskan arritur të pajisen me azil, në ndërkohë që lihet në errësirë pjesa e pakëndshme e rrëfimeve të qindra të mjerëve që katandisen qenqe në kampe të stërngarkuara azilantësh. Edhe më rrallë zihen n’gojësh politikat gjithnjë e më shtrënguese të BE-së për të frenuar valët e azil-kërkuesve.

(Ilustrimin e përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Në debatet që vlojnë në Gjermani, të dy kampet politike me gjithë divergjencat konvergojnë drejt asaj që të kufizohen jo vetëm asistencat sociale, por edhe të përshpejtohet kthimi i azilantëve ilegal në një kohë sa më të shkurtër. Ky vargan i gjatë i të ikurve nga Kosova, përben një masë aq heterogjene, saqë zhbirimi i kësaj dukurie ndeshet me një pezhishkë komplekse shkaqesh. Tingëllon mjaft oksimoron sesi teksa një përshkrim i rëndomtë gazetaresk fillon me një fjali të tillë si “Qytetarë të Kosovës të ikur nga skamja…”, ndërkohë që pamjet filmike që shoqërizojnë tekstin paraqesin të rinj nëpër këto kampe që bjerrin kohën me iPhone e Smartphone në duar. Pra, skamnori i cili pasqyrohet nga këto medie, është një figurë e sajuar, e cila tipos veçanësitë e një numri të madh migrantësh. Bëhet fjalë për ata të lajthitur që nisen drejt Perëndimit jo në kërkim të një jete më të mirë, por në kërkim të një jete më luksoze.
Këtu është me vend që për lehtësi sqarimi të shërbehemi me termat e Herbert Marcuse sidomos me konceptin ndriçues të “nevojave të rreme”. Ai vë në spikamë se nevoja të rreme janë të gjitha ato që mbivendosen te një individ si pasojë e interesave të caktuara sociale. Pra, një entitet kapitalist krijon një mendësi konsumeriste tek njerëzit, aq sa nevoja e rreme natyralizohet e bëhet nevojë jetike. Njeriu i përftuar nga kjo alkimi e quan të domosdoshëm realizimin e nevojave të tilla të rreme. Edhe Majkëll Njuman në një përsiatje mbi po këtë problematikë, thekson sesi popullsia e vendeve kapitaliste pos nevojave për ushqim, pije dhe ngrohtësi, beson se i nevojitet edhe mundësitë e ofruara nga supermarketet dhe restorantet, ngrohja qendrore, pasja e një automjeti dhe një listë e gjerë mallrash që i pandeh si ‘thelbësore’. Ai thekson se fakti që vendet e bllokut lindor ishin të interesuara vetëm në plotësimin e nevojave themelore ishte një ndër shkaqet e pakënaqësisë në rritje të popullatës ndaj sistemit, sidomos në një kohë kur televizionet dhe filmat perëndimor nuk reshtnin së propaganduari konsumerizmin kapitalist (shih Michael Newman, Socializmi, një hyrje e shkurtër, Botimet Ideart, 2005, f. 141).
Një numër po kaq i madh qytetarësh të Kosovës që shesin edhe pronat e tyre për të dalë në Perëndim, bijnë pre e bindjes idiote se mund të parazitojnë në vendet mikpritëse duke shfrytëzuar asistencat sociale gjatë kohës sa kanë statusin e azil-kërkuesit. Një rravgim i tillë i bën të harrojnë anën e errët e të panjohur të BE-së, kampet e stërngarkuara të emigrantëve që përshkohen nga një papastërti gjer në neveritje. E për të qenë poshtërimi më mizor, azil-kërkuesit nga Kosova rrasen edhe nëpër ndërtesa që dikur shërbenin si kampe për grumbullimin e hebrenjve. Por në këtë karvan të ikurish sidoqoftë është edhe një numër jo i vogël i atyre njerëzve të shfytyruar nga varfëria e mbyllja e çdo mundësie për një jetë më të mirë. Në gjithë këtë hallakamë sikur harrohet politika thellësisht diskriminuese e BE-së, e cila ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan nuk ngurron të vë kushte poshtëruese, duke krijuar elita perverte që e pandehin vetën si barinj që e udhëheqin grigjën drejt Tokës së Premtuar.
Ky “korridor i padukshëm” nëpër të cilin vrushkullon hemorragjia e qytetarëve të Kosovës që bëhen pikë e pesë gjithandej Evropës, tolerohet qëllimisht. Është ironike sesi autoriteteve përhershmërisht vigjilente të BE-së u shpëton nga syri ky korridor i patrazuar që nis nga Kosova, përshkon Serbinë e Hungarinë, në një kohë kur Brukseli i pati dhuruar me miliona euro të taksapaguesve evropianë për të përforcuar kufirin e Greqisë, si bastioni i fundit i BE-së, me tela gjemborë, kamera e kulla vrojtimi. Përndryshe, pohimi i ambasadorit norvegjez në Kosovë, Jan Braathu se të gjithë migrantëve ilegalë nga Kosova do t’u ndalohet hyrja në BE për disa vite radhazi, nuk mund të jetë larg të vërtetës. Në qoftë se tolerimi i kësaj hemorragjie migrantësh ilegalë është një test matës për liberalizimin e mundshëm të vizave, atëherë kjo vetëm sa sipërfaqëson politikën e padrejtë të BE-së.
Tani shqiptarëve më shumë se kurrë u nevojitet t’i japin fund besimit të marrëzishëm se liberalizimi i vizave është njëfarë bujarie përdëllimtare e BE-së karshi varfanjakëve. Në të vërtetë, liberalizimi i vizave bëhet kryekreje i nxitur në llogaritë e stërholluara që i bën BE kundruall atyre që u bëhet liberalizimi i vizave, sepse në “garën e lirë midis subjekteve të pabarabartë ekonomik”, po të huazonim sërish një shprehje nga Marcuse, fitues del BE-ja dhe ekonomia e saj. Po të analizohet me kujdes odieseada e një qytetari të Kosovës që migron ilegalisht, atëherë vetëm sa krijohet më qartë përmasa e kësaj piramide shfrytëzuesish.
Qytetarët e Kosovës plaçkiten nga vetë autoritetet e BE-së qofshin në Francë, Gjermani, Austri ose Hungari e ku më pas pa asnjë lek përplasen kampeve të azilantëve. Ata plaçkiten nga policia serbe në emër të “sigurimeve kufitare”, nga kontrabanduesit e të gjitha llojeve e deri te rrjetet mafioze të kompanive të autobusëve. Prej fillimit e deri më tani, Qeveria e Kosovës e ka përcjellë me nemitje, shpërfillje e ftohtësi cinike migrimin galopant. Qeveria e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit gjykojnë se po e heqin një barrë nga vetja teksa të rinjtë lëshojnë Kosovën. Pushteti po e blen njëfarë paqe sociale mu për faktin se po e largon potencialin shpërthyes të rinisë. Duket se Andrew Heywood qëllon në shenjë kur thotë që teoria më e pranueshme e revoltës është kur realizimet e pushtetit janë në përpjesëtim të zhdrejtë me pritshmërinë e publikut. Së këndejmi del që pakënaqësia është në korrelacion të vazhdueshëm me pritshmëritë.
Dy partitë kryesore, PDK dhe LDK që bashkë përbëjnë Qeverinë aktuale, në premtimet e tyre pa mbulesë kanë përmendur hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës. Zaten, kjo burleskë e cila nuk guxon të thuhet as si hajgare, mund të jetë thikë me presa. Prandaj ky duhet të jetë shpjegimi i vetëm i heshtjes së dyshes tragjike Mustafa-Thaçi, të cilët rropaten që ta shtyjnë konfliktin social edhe për një kohë. Pavarësisht se ende nuk kemi as edhe një ide të përafërt të numrit të atyre që kanë lëshuar Kosovën gjatë këtyre muajve, le të mendojmë skenarin më të frikshëm sikur 100 mijë vetë kanë migruar drejt BE-së. Kjo dosido se do të krijojë një zbrazëtirë në tregun sado të kufizuar të punës.
Çka do të ndodhte në një skenar si ky?
Një kontingjent tjetër punë-kërkuesish në Kosovë do të akomodohej aty-këtu në vendet bosh. Kjo do të krijonte mirazhin sikur gjërat po lëvizin, se me demek po ndodh njëfarë punësimi etj etj, në ndërkohë që këto nuk janë vende të reja të punës por thjesht vende bosh në sektorin privat të atyre që kanë këputur marrëdhëniet e punës, duke ikur jashtë vendit.
Është përsëritur me një grimasë naiviteti nga opozita se të rinjtë po e lëshojnë Kosovën si shenjë proteste e pakënaqësie ndaj gjendjes politike në vend (sic!). Këtij arsyetimi zor se i ec kungulli mbi ujë meqë po të ishte që migrimi po bëhet si shenjë revolte, qoftë edhe pasive, kjo do të ishte një ogur i mirë, meqë do të dëshmonte një vetëdije proteste. E vërteta e hidhur është se kjo masë e ikanakëve manifeston një sjellje jo-konfrontuese, një arratisje pacak që nuk është as përballje me realitetin dhe as revoltë pasive. Prandaj më shumë sesa këto lipset të krijohet L’homme revolte, po të huazonin një titull ikonik të Albert Camys. Vetëm një shoqëri distopike si kjo e jona u mundëson elitave të ndjehen komod në pushtetet e tyre të fildishta. Protestat e tipit ‘Poshtë filani e rroftë fisteku’ mund të sjellin zëvendësim emrash, pa prodhuar një hapësirë të re. Ajo çka është shpresëdhënëse është se atmosfera revolucionare përftohet vetëm atëherë kur qytetari pushon së pasuri frikë nga autoriteti sipëran. Është pikërisht përkufizimi klasik i shkrimtarit polak Riszard Kapushcinski se revolucioni ndodh kur qytetari nuk i nënshtrohet diktatit të policit, aq sa ky i fundit tërhiqet nga rezistenca.

– Kontakti me autorin: [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura