SAMI FRASHËRI (1850 – 1904) FIGURA MË E SPIKATUR E RILINDJES KOMBËTARE SHQIPTARE

Një historiografi e Sami Frashërit, e përkthyer nga gjuha turke

SAMI FRASHËRI (1850 – 1904) FIGURA MË E SPIKATUR E RILINDJES KOMBËTARE SHQIPTARE DHE HISTORISË MODERNE TURKE

Shemsettin Sami Frashëri, i njohur ndër shqiptarët si Sami Bej Frashëri, ka qenë dhe mbetet një nga figurat më të spikatura jo vetëm të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, por edhe të vetë historisë moderne turke. Me veprat e tij madhore: /Kamus’i Fransevi (1882-1905, fjalor frengjisht – turqisht), Kamus’i Fransevi (1885, fjalor turqisht – frengjisht), Kamus’ul Alam (6 vëllime, 1889 – 1898, enciklopedi e përgjithshme), Kamus’i Arabi (1898, fjalor arabisht – turqisht, i papërfunduar), Kamus’i Turki (2 vëllime, 1899 –   1900), / Sami Frashëri, si shkrimtar dhe akademik, zuri një vend të patjetërsuar në historinë e kohës ku ai jetoi dhe punoi. Në vijim pashtriku.org boton një historiografi të Sami Frashërit, të përkthyer nga gjuha turke. ( * )

Përgatitës enciklopedish, fjalorësh dhe shkrimtar turk me origjinë shqiptare. Ky është shkrimtari i romanit të parë të shkruajtur me shkronjat truke “Taashuk-i Talat dhe Fitnat (1872)”, i enciklopedisë së parë turke “Kamus-ul Alam (1889-1898) dhe i fjalorit të parë [në kuptimin e plotë të fjalës] modern turqisht “Kamus-i Turki (1901). Gjithashtu ka shkruar edhe fjalorët “Kamus-i Fransevi” frengjisht dhe “Kamus-i Arabi” arabisht. Së bashku me vëllain e tij të madh Abdyl Frashërin, kanë bërë alfabetin e parë të gjuhës shqipe duke përdorur shkronjat latine dhe ato greke në 1879. Kurse në 1886 ka shkruar një libër mbi gramatikën e gjuhës shqipe. Vëllai i tij, Naim Frashëri, pranohet si themeluesi i poezisë shqiptare. Njëkohëshit (Shemsettin Sami) është edhe babai i Ali Sami Jen, themeluesi i klubit sportiv Galatasaray.

Ka lindur në vitin 1850 në Shqipërinë jugore, në një fshat të quajtur Frashër të rrethit të Beratit. Ai është djali i dytë nga gjashtë fëmijët e Halit’it (i ati) të familjes Frashëri. Kurse dy prej fëmijëve të tjerë, Naimi dhe Abduli kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Arsimin e mesëm e ka mbaruar në shkollën e mesme Zosimea në Janinë, e cila ndodhet në Greqinë e sotme. Krahas greqishtes së vjetër (dhe te re), frengjistes dhe italishtes, ai mësoi edhe turqisht, arabisht dhe persisht. Meqenëse familja e tij ishte e besimit bektashi, ai zgjodhi të ndiqte rrugën e tyre.

Ka punuar një kohë si sekretar (shkruajtës i letrave) i guvernatorit në Janinë. Në 1871 shkoi në Stamboll dhe filloi të punojë në një shtypshkronjë. Gjatë kësaj kohe gjithashtu u mor me botimin (pjesë-pjesë) e romaneve “Taashuk-i Talat dhe Fitnat (1872-1873)”. Ka punuar edhe në gazetat “Siraxh” dhe “Hadika” te Ebuzzija Teufik’it. Këto gazeta më vonë u mbyllën meqënëse filluan të shkruanin kundër osmanllinjve të rinj. Pas famës që fitoi me shfaqjen e tragjedisë “Majori Plak” të përkthyer nga frengjishtja në 1874, shkruajti dhe vuri në skenë shfaqjen “Besa”, e cila trajtonte problemet e Shqipërisë së asaj kohe.

Në 1874 u dërgua në Trablusgarp për të drejtuar punimet në gazetën e vilajetit. Shemsettini qëndroi atje, nëntë muaj. Përpara kësaj detyre ai udhëtoi për në Itali. Me t’u kthyer në Stamboll në 1876 së bashku me Mihran Efendi Nakashjan filluan të botonin gazetën “Sabah”. Kjo gazetë fitoi një popullaritet të madh në një kohë të shkurtër dhe u arrit të botohej me tirazh shumë të madh, gjë që nuk ishte parë, deri në atë kohë, në shtypin turk.

Në 1877 qëndroi për një kohë në Rodos dhe punoi si mbajtës i vulave të guvernatorit. Pas kthimit, shkrimin e tij “Shundan Bundan” [Nga këtu për atje] që shkruante tek gazeta Sabah e vazhdoi tek gazeta Tercuman’i Shark. Gjatë kësaj kohe u mor shumë edhe me çështjet e Shqipërisë. Nga njëri krah përkrahte “Lëvizja për Bashkimin Shqiptar” të drejtuar nga vëllai i tij Abduli, nga krahu tjetër dilte kundër ndarjes së Shqipërisë nga Shteti Osman.

Në 1880 me urdhër të Sulltan Abdulhamid’it u thirr në pallat dhe filloi punën në Komisionin e Kontrollit Ushtarak si sekretar. Këtë punë e vazhdoi deri në fund të jetës së tij dhe nga përfitimet ekonomike që mori këtu, pati më shumë kohë dhe mundësi për t’iu kushtuar edhe më shumë librave të tij. Gjatë këtyre viteve përktheu librin “Robinson Kruzo” të Daniel Defoe’s dhe librin “Të mjerët” të Viktor Hygo’s. Në vitet 1882-1883 botoi veprën e tij të madhe të parë “Kamus-i Fransevi” (fjalor frengjisht-turqisht) dhe në 1885 një pjesë të po kësaj vepre në turqisht-frengjisht. Si rezultat i kësaj vepre, Sulltan Abdulhamid’i e dekoroi atë me medaljen e nderit. Duke filluar nga viti 1889 dhe për nëntë vjet shkruajti (vetë) dhe botoi enciklopedinë “Kamus-ul Alam” pas së cilës u bë edhe një nga shkrimtarët më me zë në Turqi.

Akoma pa e përfunduar “Kamus-ul Alam” në 1896-1897 botoi pjesë-pjesë fjalorin me të gjerë arabisht-turqisht. Arriti të botojë vetëm 504 faqe deri tek shkronja “xhim”. Në 1898 pas rregullimeve që i bëri Shemsettin Sami, u botuan nëpër gazeta një seri artikujsh. Në 1899 filloi të shkruaj fjalorin e parë turqisht-turqshit “Kamus-i Turki” sipas parimeve moderne të asaj kohe. Në 1901 pasi e botoi këtë vepër të madhe, ia dedikoi veten plotësisht kërkimeve mbi gjuhën turke. Në 1902 përgatiti përkthimin e “Kutadgu Bilik” dhe në 1903 të “Orhun Abideleri”. Ai ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Erenköy, akoma pa e mbaruar veprën e tij “Ortaçağ Kipçakçası” (Kipçak, është një fis turk që gjatë shekujve XI-XV ka jetuar në brigjet e Detit të Zi, kurse në ditët e sotme jetojnë në Egjipt dhe Siri). Edhe pse me origjinë shqiptare dhe i interesuar drejtpërsëdrejti me çështjet e Shqipërisë, ka mbrojtur përherë modernizimin e shtetit Osman dhe ka theksuar shumë rëndësinë e turqishtes si gjuhë e përbashkët e perandorisë. Për studimin e turqishtes, modernizimin dhe mësimin e saj në fusha të ndryshme, jo vetëm në kohën e Shemsettin Samiut, por në të gjitha kohërat kanë qenë të pakët personat si ai.

Fjalori turqisht-turqisht “Kamus-i Turki” është shkruajtur me turqishten osmane dhe përbëhet nga tre gjuhe (turqisht, arabisht, persisht). Fjalëve arabisht dhe persisht, ashtu si edhe në fjalorët e vjetër, i është kushtuar një kujdes i veçantë në përdorimin e tyre në gjuhën e përditshme. Këtyre fjalëve nuk u është dhënë kuptimi i tyre i vërtetë, por kuptimi sipas gjuhës së përdorur turke. Gjithashtu i është kushtuar kujdes i veçantë edhe fjalëve të huazuara nga gjuhët perëndimore. Por ajo që është më e rëndësishmja është se kujdesi më i veçantë i është kushtuar turqishtes (shtylla kurrizore e osmanishtes) dhe etimologjisë së saj. Shemsettin Sami ka mbrojtur përherë çështjen e thjeshtimit dhe turqizimit të gjuhës, prandaj për këtë, shumë herë ka kërkuar që nëse nevojitet t’i kthehet përseri burimeve të turqishtes së vjetër (madje edhe të turqishtes së lindjes [Çağatayca]).

Libri “Shqipëria çfarë ishte, çfarë është, çfarë do të bëhet” pishtari i Rilindjes Kombëtare, i përket Shemsettin Samiut. Duke iu mbështetur kësaj vepre, ky bashkë me Naimin dhe Abdulin quhen si kokat e mendjes kombëtare shqiptare. Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, në njërin prej shesheve të tij, gjendet edhe busti i Samiut. Libri “Shqipëria çfarë ishte, çfarë është, çfarë do të bëhet” për herë të parë në 1899 u shkruajt në gjuhën shqipe (pa emrin e autorit). Më vonë u botua në frengjisht dhe në 1904 pas vdekjes së Shemsettin Samit ky libër u botua në Sofje (bashkë me emrin e tij si autor) i përkthyer nga gjuha shqipe në turqisht fjalë për fjalë.

Historianët turq, në përgjithësi nuk e pranojnë këtë si vepër të Shemsettin Samit, por këtë ngjarje e vlerësojnë si një përpjekje e tij për të rritur edhe më shumë famën e tij në Rilindjen Kombëtare (shqiptare). Duke marrë parasysh interesin e madh që ka treguar Shemsettin Samiu në çështjet turke dhe ato osmane, mendohet se kjo e vërteton në një farë mënyre këtë mendim. Përkundër kësaj nuk ka asnjë pikë dyshimi për autorësinë e tij në veprat e tij shqipe.

Romani “Taashuk-i Talat dhe Fitnat” i Shemsettin Samit që nga 1872 filloi të botohej pjesë – pjesë në gazetën “Hadika”. Dhe në verën e vitit 1873 përfundoi botimi i tij. Ky roman që tregon për dashurinë e Talat’it me Fitnat’it, në letërsinë turke vlerësohet si romani i parë turqisht. Vepra e Shemsettin Samit (romani) i shkruar me shkronja turke, është një çështje që nuk është vërtetuar plotësisht nëse ky është romani i parë ose jo. Por, për nga popullariteti që ka fituar, ky është padyshim romani i parë.

V e p r a t

– Roman

Taashuk-i Talat dhe Fitnat (1873)

– Teatër

Besa (1874)

Sejdi Jahja (1875)

Gave (1876)

Mezalim-i Endulus (nuk është botuar)

Vixhdan (nuk është botuar)

– Përkthime

Florian, Galatée (1773)

Dumanoir & d’Ennery – Majori Plak (1874)

Daniel Defoe – Robinson Kruzo

Viktor Hygo – Të mjerët (1880, mungon vëllimi i fundit)

Ali bin Ebi Talib –  Esh’ar-i Muntehabe (1900, përkthime nga Divan’i i Ali bin Ebu Talib)

– Fjalor dhe Enciklopedi

Kamus-i Fransevi (1882-1905, fjalor frengjisht-turqisht)

Kamus-i Fransevi (1885, fjalor turqisht-frengjisht)

Kamus-ul Alam (6 vëllime, 1889-1898, enciklopedi e përgjithshme)

Kamus-i Arabi (1898, fjalor arabisht-turqisht, i papërfunduar)

Kamus-i Turki (2 vëllime, 1899-1900)

– Librat e gramatikës (gjuhësore)

Usul-i Tenkit dhe Tertib (1886)

Nev’usul Sarf-i Turki (1891, gramatika moderne turqisht)

Elif-ba Turki (1898, libër për mësimin e arabishtes, sipas metodës së re]

Usul-i Xhedid-i Kauaid-i Arabije (1910, libër për mësimin e arabishtes, sipas metodës së re)

Tatbikat-i Arabije (1911)

 Përveç këtyreve, ka shkruajtur edhe libra të vegjël mbi astronominë, gjeologjinë, historia e Islamit, antropologjinë, gratë, mitologjinë, gramatikën. Ka mbledhur anekdoda në një botim me dy vëllime “Letaif”. Ka mbledhur fjalë të urta në një botim me katër vëllime “Emsal”. Ka botuar për ciklet shkollore alfabete dhe libra leximi. Njëkohësisht ka botuar edhe disa vepra në shqip së bashku me librin e gramatikës “Abetarja e Shkronjëtorja”.

____________

*) E përktheu dhe e përshtati në shqip: Andi Kallushi, 07. 08. 2010

Burimet:

   – Shkrimi më me vlerë i shkruar për Shemsettin Samin është bërë nga Prof. Dr. Ömer Faruk Akun dhe kjo është botuar nga Alfa Yayınları Istanbul (1998).

– Islam Ansiklopedisi, M.E.B. vëllimi i 11’të, faqet 411-422.

http://www.turkceciler.com/semsettin_sami.html

***

Një përgjigjie për mohuesit e pellazgëve

PELLAZGËT KANË FOLUR KËTË GJUHË QË FLASIM NE SOT, KA THËNË SAMI FRASHËRI

“Pa dyshim Pellazgët janë kombi më i vjetër arian i Europës. Ka shumë fakte dhe shumë rrëfime që na tregojnë se Pellazgët që ne na duken si një përrallë për faktin që janë një komb shumë i lashtë, kanë folur këtë gjuhë që flasim edhe ne sot e kësaj dite. Emrat e perëndive që Pellazgët u faleshin, i ka huazuar mitologjia e grekëve dhe romakëve, por edhe shumë fjalë të tjera që historia i ka ruajtur si emra vendesh etj,.. duken që janë fjalë thjeshtë shqip edhe na tregojnë që Pellazgët kanë folur mijra vjet më parë të njëjtën gjuhë që flasim edhe ne sot, pothuajse pa ndryshime, ose me aq pak ndryshime saqë po të dilte ndonjë pellazg do të mund të flisnim me të si flet një gegë me një toskë. ” – kështu ka shkruar Sami Frashëri në librin “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.

Në vazhdim lexoni një fragment të shkëputur nga ky libër:

“Emrat e perëndive që Pellazgët u faleshin, i ka huazuar mitologjia e grekëve dhe romakëve, por edhe shumë fjalë të tjera që historia i ka ruajtur si emra vendesh etj,.. duken që janë fjalë thjeshtë shqip edhe na tregojnë që Pellazgët kanë folur mijra vjet më parë të njëjtën gjuhë që flasim edhe ne sot, pothuajse pa ndryshime, ose me aq pak ndryshime saqë po të dilte ndonjë pellazg do të mund të flisnim me të si flet një gegë me një toskë.

Shqiptarët flasin një nga më të vjetra e më të bukura gjuhë të dheut. Gjuhët që kanë qënë të ngjashme dhe bashkëkohëse me gjuhën shqipe janë zhdukur prej mijëra vjetësh, dhe nuk fliten më në asnjë vend të botës. Në vendin e tyre fliten gjuhët që rrjedhin prej tyre. Shqipja si gjuhë është e ngjashme me greqishten e vjetër, me latinishten, me sanskritishten gjuhë e vjetër e Indisë, me zendishten gjuhë e Persisë së vjetër, me keltishten, me teutonishten etj. Por këto gjuhë që numëruam më sipër janë me të reja se gjuha shqipe dhe kanë mijëra vjet që nuk fliten më, dhe rrojnë të shkruara vetëm në faqet e disa librave shumë të vjetër. Këto gjuhë quhen “gjuhë të vdekura”, dhe shqipja, gjuha jonë që është më e vjetër nga ato është e gjallë dhe flitet edhe sot si në kohën e Pellazgëve.

Pa dyshim Pellazgët janë kombi më i vjetër arian i Europës. Ka shumë fakte dhe shumë rrëfime që na tregojnë se Pellazgët që ne na duken si një përrallë për faktin që janë një komb shumë i lashtë, kanë folur këtë gjuhë që flasim edhe ne sot e kësaj dite. Emrat e perëndive që Pellazgët u faleshin, i ka huazuar mitologjia e grekëve dhe romakëve, por edhe shumë fjalë të tjera që historia i ka ruajtur si emra vendesh etj,.. duken që janë fjalë thjeshtë shqip edhe na tregojnë që Pellazgët kanë folur mijra vjet më parë të njëjtën gjuhë që flasim edhe ne sot, pothuajse pa ndryshime, ose me aq pak ndryshime saqë po të dilte ndonjë pellazg do të mund të flisnim me të si flet një gegë me një toskë.

***

Gramatika e gjuhës shqipe, lakimi dhe zgjedhimi, hollësia e nyjeve, dhe e përemrave e të tjera bukuri të kësaj gjuhe, që jo vetëm asnjë nga gjuhët e sotme nuk i ka, por as gjuhët e vjetra nuk i kanë, na tregojnë që shqipja është një gjuhë shumë e vjetër dhe na vjen nga kohët e qëmotëshme e ruajtur e paprishur dhe e pandryshuar. Shënja e kombit është gjuha. Çdo komb njihet me anë të gjuhës. Ata njerëz që harrojnë apo nuk flasin më gjuhën e tyre, me kalimin e kohës bëhen qytetarë të atij kombi që i flasin gjuhën. Shumë qytetërime që janë zhdukur mos pandehni se vdiqën ose u vranë të gjithë, jo, por u përzien me kombe të tjerë dhe morën gjuhën e tyre dhe u bënë pjesë e tyre.

Kështu u zhdukën Maqedonasit, Thrakët, Frigasit, dhe shumë popullësi të tjera që nuk ishin pellazgë d.m.th. shqiptarë si ne, pra këto popullësi sot nuk janë por u zhukën dhe u harruan sepse humbën gjuhën e tyre. Por shqiptarët e atij vendi që sot quhet Shqipëri e kanë ruajtur fort mirë gjuhën e tyre, dhe kështu edhe sot në këtë vend flitet gjuha e Pellazgëve të lashtë.

– Si kanë mundur shqiptarët të ruajnë gjuhën e tyre të plotë e të paprishur për një kohë kaq të madhe?

– Si ka mundësi që gjuha shqipe nuk është prishur dhe nuk është ndryshuar edhe pse nuk ka pasur shkronja dhe libra, dhe duke mos qënë e shkruar dhe duke mos e mësuar nëpër shkolla, kur gjuhë të shkruara dhe të krijuara me kujdes të madh janë prishur aq shumë sa sot quhen gjuhë të tjera?

Përgjigja e këtyre pyetjeve është fare e lehtë: Shqiptarët e kanë mbajtur gjuhën dhe kombin e tyre jo me shkronja, jo me dituri dhe sa me qytetërim, por vetëm me pastërti, duke qënë gjithmonë vetëm dhe duke mos u përzjerë me të tjerë, dhe duke mos futur të huaj në vendin e tyre. Të qëndruarit larg nga e gjithë bota, nga dituritë, nga tregëtia me një fjalë të jetuarit nëpër male, u ka ruajtur shqiptarëve kombin dhe gjuhën.

Se përse shqiptarët nuk kanë menduar të shkruajnë gjuhën e tyre, kjo është një çudi e madhe. Nuk flasim për ato fise të vegjël dhe të shpërndarë të Pellazgëve dhe të Ilirëve të vjetër, sepse ata duke jetuar nëpër male nuk kishin nevojç që të shkruanin dhe as nuk u vinte ndër ment një gjë e tillë. Por Maqedonasit që kishin një mbretëri të sofistikuar, ashtu edhe mbretëria e Pirros në Epir dhe e Teutës në Iliri përse nuk patën nevojë që të shkruajnë gjuhën e tyre? Filipi i Maqedonisë që donte që të zgjeronte mbretërinë e tij dhe të pushtonte Greqinë, përse nuk bëri të shkruhej gjuha e tij ashtu si greqishtja?

Aleksandri i Madh le të themi që nuk pati kohë, por Ptolemenjtë që zgjuan diturinë dhe gjuhën greke në Aleksandri, si nuk menduan për gjuhën e tyre që ti bënin një palë shkronja, duke parë të gjithë kombet e Azisë dhe të Egjiptit që shkruanin cilido në gjuhën e tij? Romakët mësonin filozofinë në gjuhën greke, por kishin bërë shkronja edhe për gjuhën e tyre latinishten, kështu që shumë gjëra i shkruanin dhe i lexonin në këtë gjuhë.

Johan George von Hahn (1811-1869), filologu i madh gjerman, ka shkruar shumë të vërteta për Shqipërinë, dhe ka gjetur në një vend të Shqipërisë një gur të shkruar shqip me disa shkronja të cilat u ngjajnë shumë shkronjave fiqinishte edhe duken të marra prej atyre por pa qenë vetë ato.

Por këto shkronja nuk janë parë gjetkë, dhe as dihet që të kenë qenë të përdorura në Shqipëri. Disa varre dhe të tjerë gurë të shkruara me shkronja greke në Azinë e Vogël afër Angoresë, si edhe disa të tjerë të shkruara me shkronja latine në Etruri të Italisë, gjuha e të cilëve (gjuha e shkruar mbi varret dhe gurët) nuk është as greqisht as latinisht, duken të jenë shkruar në gjuhën shqipe prej Frigasve dhe Etruskëve të vjetër, të cilët ishin Pellazgë d.m.th. shqiptarë. Kuptohet që shqiptarët e vjetër kanë shkruar gjuhën e tyre me ato shkronja që njihnin, kështu që ata shkruanin herë me shkronja arabe, herë me shkronja greke dhe latine. Kjo ka ndodhur sepse shqiptarët nuk kanë menduar kurrë që të përgatitnin një palë shkronja për të shkruar gjuhën e tyre: dhe gjuha shqipe kishte mbetur deri në kohën tonë gjuhë e pashkruar.”

—–

Marrë nga libri: “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” me autor Sami Frashëri.

____________

– (Përgatiti: Sheradin Berisha, kryeredaktori i portalit pashtriku.org)

Total
0
Shares
2 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura