SEJDO HARKA: FEMRA, FORCË E MADHE, KRIJUESE E SHOQËRORE

Tiranë, 09. 03. 2016. (Shënime për librin “Për ju, krijuese “, me autor prof.Murat Gecaj) – Me forcën dhe dinjitetin e vetë, me energji të pashterrshme, femra shqiptare përpiqet që të ringrihet plot dinjitet njerëzor. Edhe ata, që përpiqen ta “vrasin ose ta dhunojnë”, ajo i “vret” me dashurinë dhe mirësinë e saj. Të shkruash për femrat, do të thotë të shkruash për gjysmën më të mirë të shoqërisë njerëzore.Ajo është bërë simbol i bukurisë dhe i dashurisë,i gjenerimit të jetës dhe shoqërisë,i ëndrrave të bukura dhe besnikërisë…Gruaja është fytyra e vërtetë e shoqërisë.Si të jetë ajo ,ashtu është dhe shoqëria.Sa më e lirë, e ditur dhe krijuese të jetë, aq më e zhvilluar është shoqëria. Dijet e thella,mendja krijuese dhe virtytet e larta morale e shpirtërore të grave dhe vajzave ,e shtyjnë shoqërinë përpara .Ato kanë bukurinë e natyrës së virgjër,ëmbëlsinë dhe shijen e mushtit,shkathtësinë e bletës puntore dhe freskinë e vesës së mëngjesit.Ëndrra e tyre ka hapësirat e gjithësisë dhe kthjelltësinë e qiellit.Zemra e tyre ka bardhësinë e borës dhe ngrohtësinë e diellit,shpirti i tyre ka ëmbëlsinë e mjaltit dhe krahët e pëllumbit. Me duart e tyre ato ndërtojnë e zbukurojnë,me mendjen e tyre krijojnë,me shpirtin e tyre të pastër ngrohin dhe shërojnë. Çajupi ynë ka shkruar: “Më se rriten foshnjet,/ç’i rritë çiliminjtë? /Dashuri e nënës dhe përkëdhelitë”.
Janë këto disa nga arsyet që prof.Murat Gecaj,librin e tij të ri ose antologjinë, me titull kuptimplotë,”Për ju, krijuese”,ua kushton grave dhe vajzave krijuese, artiste dhe veprimtare shoqërore. Ai është një apel i fuqishëm, drejtuar mbarë shoqërisë ,politikës dhe gjithë lexuesëve:”Duajini e respektojini, ndihmojini e nxitini, në të gjitha fushat e jetës, gratë,nënat dhe vajzat tuaja,sepse pa to s’ka jetë e dashuri,s’ka progres dhe zhvillim!” Sepse, kush i pengon ato, ka dhunuar lirinë,ndërsa kush dhunon gruan, ka” vrarë” shoqërinë.
Ky libër, për vetë tematikën,këndvështrimin dhe stilin e tij,shënon një risi letrare.Objekt i këtyre shkrimeve është bërë krijimtaria dhe veprimtaria shoqërore e 62 poeteve e shkrimtareve dhe e 29 artisteve e veprimtareve shqiptare , të cilat punojnë dhe jetojnë brenda dhe tej kufijve të Atdheut,deri në Amerikën e largët e në Kanada.

Në këtë libër, vend të rëndësishëm zënë bisedat e lira me krijuese e artiste, ndër më të njohurat e vendit,diskutime e analiza për krijmtarinë dhe tematikën e librave të tyre,shkrime për përurim librash e dokumentarësh për jetën dhe vlerat e krijimtarisë e të artit të tyre. Siç shkruan dhe vetë autori,femrat krijuese kanë një botë të madhe e të pasur shpirtërore, të mbushur me mirësi e frymëzim. Në krijimtarinë e tyre lexuesi gjen bukurinë e shpirtit dhe sinqeritetin e ëndrrës,guximin e kohës dhe ëmbëlsinë e këngës. Ato lëvrojnë të gjitha gjinitë ,llojet dhe nënllojet letrare.Krijueset tona i këndojnë Atdheut dhe dashurisë,luftës dhe lirisë ,punës dhe ëndrrës, jetës dhe zemrës.Me veprat e tyre, ato fshikullojnë e satirizojë plagët e shoqërisë së sotshme ,që e detyrojnë femrën të dhunohet e të gjunjëzohet,të shitet si plaçkë tregu e të prostituohet.Në krijimtarinë e tyre ato qortojnë dhe fshikullojnë edhe vetëveten,për heshtjen dhe mungesën e guximit e besimit ,për divorcet pa shkak thelbësor dhe për luftën e pamjaftueshme për vetëemancipim,të bindura se liria e vërtetë,nuk dhurohet ,por fitohet me punë e talent, me përpjekje e dinjitet.
Krijimtaria e vajzave dhe grave shqiptare ka fytyrën e letërsisë moderne të kohës.Ajo dallohet për frymën njerëzore dhe sinqeritetin e rrallë,për stilin e zhdërvjelltë dhe gjuhën e gjallë.për mesazhet e bukura dhe frymëzimin spontan.Për të kuptuar më mirë ndihmesën, që jep femra shqiptare për modernizimin e letërsisë dhe artit ionë ,po ndalemi te disa nga krijueset dhe artistet më të spikatura që autori i këtij libri,prof.M.Gecaj i ka bërë objekt dhe personazhe të shkrimeve të tij.
Libri çelet me shkrimin –bisedë, që autori bën me krijuesen Liljana Kristuli,jo vetëm se ajo është një poete e talentuar dhe mjeke e njohur, atje ku jeton në Itali, ,por edhe sepse, bashkë me disa mike të tjera krijuese, L.Vladi, R.Çoba,E.Kame, T.Halilaj, S.Pllana e M.Agalliu, e kanë mbështetur botimin e këtij libri. Por dhe secila ka veçoritë e saj në librat e botuar. Kështu, p.sh. Liljana ka botuar pesë libra dhe po përgatit librin e gjashtë.Poezitë e saj më të bukura i ka përmbledhur në librin “Pemë dhe gjethe”. Ndërsa në novelën “Gra të e harruara”,autorja fshikullon ata, që me cinizmin dhe papërgjegjshmërinë e tyre, kanë bërë që gruaja të nënvleftësohet,përbuzet dhe të harrohet.Krijimtaria poetike e kësaj krijuese dallohet për thjeshtësinë e vargut, qartësinë e mendimit dhe siqeritetin e ndjenjës.Liljana është dhe mjeke e pasionuar. Fryt i punës studimore është dhe libri i saj, “Unë dhe dializa”.Për shpirt të gjallë poetik dallohet edhe krijuesja Angjelina Krasniqi-Bardhaj.Kur ajo ndodhet pranë valëve të Drinit të Bardhë,”Buzët i lyen me mjaltin e bletës”,ndërsa “Sytë i lan me vesën e mëngjesit” ..Ganimete Thaçi,ose siç quhet ndryshe, “Çika Hasjane”, nga që e ka përjetuar thellë dhimbjen e kurbetit,shkruan vargje të tillë emocionalë :”Këtu, në kurbet edhe sytë më janë tharë”.Në krijimtarinë e saj nuk mungojnë as poezitë erotike për dashurinë.Nga puthjet e sinqerta,shkruan ajo,”Ma mori flaka buzën” .
Për të na njohur me jetën dhe veprimtarinë krijuese të poetes Ilirjana Sulkuqi,e cila jeton në Amerikë,autori merr shkas nga dokumentari”Lirikë shpirti”,me skenar të K.Traboinit.Në krijimtarinë e saj të bollshme,përveç të tjerave,trajton temën e mbrojtjes së dinjitetit të gruas dhe të dashurisë njërëzore. Ndërsa Kozeta Zylo,vjen që nga përtej Atllantiku, në Tiranë, për të përuruar dy librat e rinj. Nëpërmjet librit,”Një fjongo dielli nga Nju Jorku”,ajo sjell te lexuesi shqiptar “diellin ” e lirisë së vërtetë të gruas amerikane. Edhe Majlinda Nana Rama dallohet për krijimtarinë e gjerë e të larmishme letrare dhe veprimtare shoqërore, si brenda e jashtë vendit.Dy nga librat e saj më të lexuar janë”Hënë e qiellit tim” dhe romani “Perandorët”.Për përurimin e librit më të mirë shqiptar, ajo ka organizuar edhe panaire libri,jo vetëm në Fier, ku jeton, por dhe jashtë Shqipërisë, si në Kosovë, Maqedoni, Greqi, Francë, Austri, Hollandë, Belgjikë.etj.Mësuesja e poetja Merita Gjoni shquhet për gjuhën e gjallë dhe vargun e zhdërvellët.Përmes magjisë së fjalës ,ajo kërkon tëshkallmojë çdo pengesë, që kërkon të zbehë syrin e saj të mprehtë.
Poezia e vajzës së talentuar Nafie Salhiaj,vjen te lexuesi e kthjellët dhe tepër emocionale,me ngjyrime të thella metaforike ,si dhe me mesazhe të fuqishme për jetën,dashurinë Atdheune për tërë shoqërinë.Me guximin e një vajze të emancipuar,nëpërmjet vargut”Mos ma trembni dashurinë”,ajo sfidon dhunimin dhe skllavërinë e femrës shqiptare.Rajmonda Meleçka,ose siç quhet ndryshe “Shota e dytë”,është jo vetëm krijuese e talentuar,por dhe një luftëtare trime për liri dhe drejtësi kombëtare .Ajo ka marrë pjesë, me armë në dorë, për çlirimin e Kosovës dhe në Maqedoni,pa iu trembur syri, as nga burgjet e torturat dhe e as nga plumbat. Një nga 13 librat e saj më të mirë është ai me titull”Mbollëm gjak dhe hodhëm rrënj”,me ngjyrime të thella popullore,që tingëllojnë si një himn i bukur për atdhedashurinë.Poetja Reshida Çoba,e cila edhe pse jeton në Los Anxhelos të Kalifornisë,mendjen dhe shpirtin e ka te vendlindja e dashur.Poezia e saj është tepër e çiltër, me ngjyrime të thella moderne,të mbush me emocione dhe dëshirë për ta lexuar me një frymë. Vëmendjen e lexuesëve ka tërhequr edhe krijuesja vlonjate Vilhelme Vranari ,sidomos me romanin “Dritëhijet e medaljes enigmë”, të redaktuar nga Fatmir Tereziu.Ndërsa publicistja Vjollca Spaho,pëveç librit studimor “Tej kufijëve të fjalës”, ka dalë me vëllimin poetik elegjiak,”Po të shkruaj”.Poetja Zyba Hysa e ndjen veten si pulëbardhë, që fluturon në hapësira të pafundme.
Kështu, me fjalë vlerësuese e mniratuese, mund të flisnim edhe për poete ose shkrimtare, që janë pjesë e këtij libri, me vlera të disaanshme. Të tilla janë krijueset: Kozeta Zavalani, Raimonda Moisiu, Lida Lazaj Eli Kanina, Zyrafete Manaj, Ermira Jusufi, Lumturi Ymeri, Mimoza Agalliu, Seli Murati,Vera Istrefi, Vitore Stefa, Vjollca Pasku, Vojsava Nelo, Enkelejda Tahiri etj.
Pjesën e dytë të librit, autori M.Gecaj ua kushton jetës dhe veprimtarisë së gjerë, interpertuese e kulturore të disa nga artistet tona. Me punën dhe talentin e tyre të rrallë, ato e kanë ngritur lart dinjitetin e Kombit dhe të femrës shqiptare.Në ballë të këtyre shkrimeve qendron” Artistja e Popullit “dhe “Nderi i Kombit”, Vaçe Zela.Zëri rrallë i kësaj këngëtareje,i ngjan një ujvarë e pandalshme mali,që zbret rrëmbyshëm për t’i dhënë frymëmarrje Himnit tonë Kombëtar. Shqiptarët,kudo që ndodhen,s’kanë për t’i harruar kurrë disa nga këngët e saj më të bukura, si”Fëmija e parë”,”Gonxhe në pemën e lirisë”,”Nëno, moj, do pres gërshetën”,”Valsi i lumturisë”…,të cilat janë bërë model dhe hit i bukurisë së këngës shqiptare.
Një zë i paarritshëm i këngës shqiptare, është dhe ai i Nexhmije Pagarushës, për të cilën flitet me nderim në këtë libër.Kënga e saj duket sikur buron nga thellësitë e tokës shqiptare ,si një melhem për të shëruar plagët e mahisura të Kombit Shqiptar, në shekuj. Gjithashtu, e papërsëritshme, për hapësirat dhe llojet e këngëve, që interpretoi, mbeti artistja dhe “Mjeshtrja e madhe”, Fatime Sokoli”,e cila është thirrur “Bilbilja tropojane”, por është dhe”valltarja flutur”, Xhevahire Gashi” etj..
Një vend të rëndësishëm, në shkrimet e këtij libri, zënë edhe disa nga emrat më të njohura të teatrit dhe kinematografisë shqiptare .E tillë është artistja e madhe, Tinka Kurti ,e cila ka luajtur 120 role të suksesshme, në teatër e kinematografi. Me respekt të veçantë shkruhet në këtë libër edhe për “Artisten e merituar”, të ndjerën Besa Imami. Për aftësitë e larta interpertuese ,ajo është vlerësuar me titullin e lartë,”Nderi i Skenës Shqiptare”. Në libër flitet edhe për piktoren e talentuar Lule Bajraktari (Suedi), drejtueset e pasionuara në arsim dhe edukim: Persa Grabova(Shkodër), Marie Brozi (Mirditë) etj.
Ashtu siç është nënvizuar, në të gjithë shkrimet e këtij libri ose kësaj antologjie, me autor prof.Murat Gecaj, publicist e studiues, femra shqiptare është jo vetëm krijuese e talentuar dhe interpertuese e rrallë ,por dhe luftëtare dhe guximtare e pamposhtur. Kur atë e pengojnë, si në punë, krijim e në jetë dhe synojnë ta gjunjëzojnë, ajo tregohet e paepur dhe guximtare. Me forcën dhe dinjitetin e vetë, me energji të pashterrshme, femra shqiptare përpiqet që të ringrihet plot dinjitet njerëzor. Edhe ata, që përpiqen ta “vrasin ose ta dhunojnë”, ajo i “vret” me dashurinë dhe mirësinë e saj.

Sejdo Harka, publicist e studiues – Tiranë, mars 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura