Recension
Një studim i rëndësishëm që jep kontribut të vlefshëm në literaturën e politikës dhe shoqërisë në Ballkan
Libri “Sfidat e ndërtimit të kulturës politike demokratike në Kosovë”, shkruar nga Elife Luzha, është një analizë e thellë dhe e përgjithshme e sfidave, me të cilat është përballur Kosova në përpjekjet e saj për të ndërtuar një kulturë politike demokratike. Autorja ka bërë një analizë të detajuar dhe të pasur me informacione, duke e bërë këtë libër një burim të rëndësishëm të njohurive për lexuesit, të cilët janë të interesuar për zhvillimin politik në rajonin e Ballkanit.
Elife Luzha shpalos një këndvështrim të hollësishëm mbi kulturën politike demokratike në Kosovë. Përmes një analize të kujdesshme, ajo shkruan mbi sfidat konkrete dhe komplekse, me të cilat shoqëria kosovare është përballur që nga krijimi i shtetit deri më sot. Autorja gjithashtu ofron ide dhe sugjerime konkrete për të adresuar këto sfida në të ardhmen.
Struktura e librit është e rregullt dhe e qartë. Fillon me hyrjen, e cila prezanton temën dhe motivimin e përzgjedhjes së kësaj teme. Më pas ndjek një analizë të detajuar të çështjeve të ndryshme, që lidhen me zhvillimin e kulturës politike demokratike. Kapitujt ndahen në mënyrë logjike dhe paraqesin një rrëfim të përgjithshëm të situatës dhe sfidave.
Gjuha e përdorur është e qartë, profesionale dhe shkencore, e cila i shërben mirë natyrës analitike të librit. Elife Luzha përdor një stil tërheqës dhe objektiv, duke sjellë një ton të përgjegjshëm dhe të përkushtuar ndaj temës së saj.
Personalisht, libri më ka bërë të kuptoj më mirë kontekstin dhe sfidat, me të cilat Kosova është përballur në zhvillimin e kulturës politike demokratike. Përvoja e autores Elife Luzha, si një eksperte e fushës, bën që analiza dhe vlerësimet e saj të jenë tejet të besueshme dhe informative. “Sfidat e ndërtimit të kulturës politike demokratike në Kosovë” është një libër i rëndësishëm, që jep një kontribut të vlefshëm në literaturën e politikës dhe shoqërisë në Ballkan.
Me një analizë të thelluar dhe një përqasje objektive, Elife Luzha ka ofruar një libër të vlefshëm për studiues, studentë dhe për ata që janë të interesuar për zhvillimin politik dhe demokratik të Kosovës.
Prof. ass. dr. Petrit BUSHI
Recension
NJË SFIDË E GUXIMSHME E DALË MBANË
“Sfidat e ndërtimit të kulturës politike demokratike në Kosovë” përbën një kontribut tjetër mjaft të rëndësishëm të autores Elife Luzha. Libri përplotëson studimet në një fushë çuditërisht të lënë paksa në harresë, atë të kulturës politike, si në rrafshin individual, ashtu edhe në atë shoqëror. Ai vetëdijeson dhe ndërgjegjëson çdo politikan, pushtetar e lexues, për faktin e pamohueshëm, se kultura politike është forca e padukshme shtytëse prapa politikës së dukshme, duke qenë kështu një armë e fuqishme në politikëbërje.
Prandaj ky libër meriton të lexohet gjerësisht dhe të nxitë diskutime për kulturën e duhur politike, që do të na printe në rrugëtimin drejt vendosjes dhe konsolidimit të demokracisë liberale në Kosovë. Autorja godet mu në zemër të problemit: mangësitë e kulturës së sotme politike, të sintetizuara shumë bukur në shprehjen ecje në ngecje, gjenden, mes të tjerash, në paaftësinë e politikanëve për të shfrytëzuar traditën kombëtare dhe botërore, dhe për t’u ngritur mbi mendësitë arkaike.
Ajo e vë theksin edhe në mosdashjen e politikanëve dhe të pushtetarëve për t’i dhënë fund njëherë e mirë pandëshkueshmërisë dhe për të vendosur standardet e llogaridhënies dhe transparencës. Kultura brendapartiake nuk mund të përdoret për të ushqyer kulturën e armiqësisë ndërpartiake. E kundërta nuk luftohet duke u shndërruar në po atë të kundërt. Lidershipi modern nuk ushtrohet përmes bajraktarizmit anakronik, njëmendësisë narcisiste të liderit dhe servilizmit të anëtarësisë.
Autorja hedh dritë guximshëm edhe mbi vizionin e saj se si mund të përçohet kultura politike demokratike në mbarë jetën politike të vendit. Ky vizion shpaloset përmes tematikës së pasur lidhur me kulturën politike në kontekstin e sistemit politik, partive politike, zgjedhjeve parlamentare, gjuhës politike, shoqërizimit politik, familjes, arsimit dhe institucioneve arsimore, medieve, shtetit të së drejtës, rolit të lidershipit e liderëve, duke i sintetizuar të gjitha këto si sfida që duhen kapërcyer drejt demokratizimit të kulturës politike në Kosovë.
Për të qenë sa më bindëse, autorja ka qëmtuar e hulumtuar një literaturë të bollshme të studiuesve perëndimorë, por edhe të rajonit dhe shqiptarë. Gjuha e rrjedhshme, e thukët dhe lakonike e bën këtë vizion të qasshëm, të prekshëm e magjepsës.
Në fund, libri na lë ndjesinë e të qenit më të plotësuar në njohuritë tona rreth kësaj fushe. Ai na bën të kuptojmë se, kur ndërthurim artin e politikëbërjes me kulturën demokratike të politikëbërjes, realizimet shkojnë përtej pritshmërive. Libri është thirrje për ndryshim evolucionar, jo në mënyrë të vetvetishme, por të vetëdijshme, me dije, frymë dhe inteligjencë. Për këto arsye, autorja Elife Luzha ka dhënë një ndihmesë të paçmueshme në lartësimin e vlerave të kulturës politike demokratike dhe demokracisë liberale në Kosovë.
Kastriot Myftiu, përkthyes
____________
© Pashtriku.org
SHEH DRITËN E BOTIMIT LIBRI „SFIDAT E NDËRTIMIT TË KULTURËS POLITIKE DEMOKRATIKE NË KOSOVË“ I AUTORES ELIFE LUZHA