KADRI REXHA: TË LINDET NJERIU

Prishtinë, 16. 10. 2015: /Çast me “Këngët e ringjalljes” të poetit Migjeni (në 104-vjetorin e lindjes së Poetit)/ – Në çdo kënd të atdheut mbretëron skamja, mjerimi, vuajtja, shfrytëzimi, krimi, korrupcioni, sëmundja, burgu, përulja, frika nga ministri e deputeti, nga prifti e hoxha, nga polici e zoti, nga dreqi e nga i biri… Në çdo anë fytyra të zbehta, sy të jeshiltë, hije të vdekjes… Mallkim e ofshamë. Ankim e rënkim. Askund dritë dhe çdokund natë… Vetëm një zë kushtrimi këlthet nga gjiri i tokës nënë. Zë i fortë me ritëm luftarak… Zë që përshkon malet dhe pushton zemrën e popullit: “O vullnete të ndrydhuna ndër grushta të çelikta të shekujve të kaluem! O vullnete të shtypuna me themra të ngurta të titajve të tërbuem!… Shkundni prangat…!” Është ky zëri i poetit… i rreptë… i qartë… që fton për zgjim… që fton për shkundje nga tisi i mjegullës së trashëguar nga epokat e robërisë… Një gjë duhet të dihet: gjumi është vëlla i vdekjes. Por, të fjeturit nuk është vdekje. Nuk është, jo! Sidomos kur nuk flihet kot… Ëndërrimi për të nesërmen të këndellë, të mban, të forcon. E ne, kurrë s’na u larguan ëndrrat. Nuk i braktisëm ato. I ruajtëm me qenien tonë. Na qenë ushqim… ushqim i vetëm kur buka na mungonte e koha s’na përfillte… Na ruajtën të mos zihemi në lak… të mos biem kurrë në humnerën shpirtërore. Asgjë s’na mposhti. Asgjë s’na lëkundi nga synimet tona… As dhuna. As skamja… As… As… Përherë e morëm veten në dorë. Edhe në çastet më fatale shihnim diçka në horizont.

Në tendosjen e kohës, sa herë shekujt u tallën me ne, përherë ditëm të themi: s’duem me humbë në lojë të përgjaktë të historisë njerëzore
jo! jo! s’i duem humbjet prore – Dhe shekujt fluturuan duke lënë plagë të hapura mbi lëmshin tokësor. E, plaga si plaga: sa herë që gërvishet hapet më e madhe… pezmaton. Poeti, zëri i çiltër i popullit, shkruan… shkruan… Kënga e tij i hap këto plagë më tepër. Sa më shumë që hapet plaga aq më tepër dhemb. Në pamundësinë e durimit kërkohet ndihmë… lypset ilaçi për shërim… Plagët e shoqërisë i shëron revolucioni. Peri në të hollë e zullumi në të trashë këputet. Kushtet në të pjekur. „Të birt’ e shekullit të ri“, të bijtë e këtij shekulli, të kohës sonë, vëllezër të lindur dhe të rritur në robëri e kanë kuptuar këtë ligj… e kanë kuptuar se fuqia e popullit nuk mposhtet dot. Por, edhe fitorja s’vjen lehtë. Ngadhënjimi kërkon sakrifica, kërkon flijim… „ se jetë e re lindet me vdekje të njeriut…” Si në mitet e lashtësisë. Këtë e kanë kuptuar të gjithë. Në luftërat e reja do të japim gjënë më të shtrenjtë, gjakun e njomë, lëngun jetësor. Këtë e ndjen Poeti. Shpejt do të bëhet kjo… S’i të mos bëhet kur të gjithë e dëshirojnë. Njeriu i zakonshëm gjithmonë ndjen më shumë se ç’mund të shfaqë. Por, Poeti shumë më tepër. Meqë frymon me njerëzit e vet… me hallet dhe vuajtjet e tyre. Kështu zënë e lindin këngët e vërteta të jetës. Por, hëpërhë, ato prehen në zemrën e poetit: “Këngët dhe unë presim të shpërthejnë, këngët dhe mua më kanë burgosur… Kjo kohë s’ka ajër, s’ka hapësirë. Në këtë regjim me liri gaforrje nuk mund të dalë njeriu me të tilla këngë. Këngët e mia duan hapësirë… Gjithshka revolucionare që ka ky popull në këtë çast dhe në çastet e ardhme unë i ndjej dhe dua t’i kem përherë të miat.” Si të mos ndjehen këto klithma nga Poeti … nga çdo kush… Shenjat e para. Shkëndijat e kuqe. Grupet revolucionare përhapin idetë që s’mbërthehen. Lirinë e së ardhmes. Qetësia e përkohshme lajmëron stuhinë. Shpërthejnë demonstratat. Zënë e ngritën grushtet. Mohohet e sotmja në emër të së nesërmes më të bukur… në emër të një pranvere të përjetshme:
Na, të birtë e shekullit të ri,
me hovin tonë e të ndezun peshë,
ndër lufta të reja kemi m’u ndeshë
dhe për fitore kem’ me ra fli
Bij të këtij shekulli… plot energji rrënuese dhe ndërtuese… Në mendjen e Poetit fanitet Prijësi, udhëheqësi i sprovuar, “që me fjalë të pushton, që të rrembejë qetësinë e ban gjaku te të vlojë rrëkajë, e ban synin ligshtinë ta zhgjetojë, që nepër shekuj ndërgjegjën na tradhëton…” Qartë, kërkohet një strateg “nga gjin’ i dheut tonë të rim’ me lot të vakët”…:
Të lindet një Njeri
i madh si madhni
dhe ndërgjegjet tona t’i ndezi në dashni,
për një ide të re, ideal bujar,
për një agim të lum e të drejtë kombtar.
Të tillë kjo tokë ka lindur gjatë shekujsh… të tillët gjithherë i dolën zot këtij vendi. Për ta parë një herë të lirë… për t’ia hequr qafe njëherë e përgjithmonë “titajt e tërbuem”:
të cilët n’udhë për në theqafje këtej-pari i ranë
dhe vatrat tona në mjerim i përlanë…
Ky njeri-Prijës patjetër do të lind…Rreth tij do të bashkohet, në radhë të parë, rinia, forca dhe energjia më e madhe e një kombi, vetë jeta e tij… Pastaj të tjerët… Kjo forcë optimizmi e ka burimin në traditën tonë pozitive, në të kaluarën tonë të lavdishme… Shkëndijat e këtij optimizmi zunë të dukën dhe të përhapën edhe në qiellin tonë, zunë të shndrisin te “qiella arbnore”. Këto shkëndija… këto xixa të kuqe… rinia e qytetit… rinia e fshatit…studentet…duke e parë se “-të gjithë kombet po dehen n’epopena të veta” nuk mund të rrinë të heshtur e të qetë. Ndaj, punojnë dhe veprojnë:
për një ide të re, ideal bujar,
për një agim të lum e të drejtë kombëtar
Dhe, Poeti i entuziazmuar… me besim të plotë në të ardhmen… në hovin e ndezur të rinisë… i drejtohet kombit:
Tash shigjetat e flakta të shprehjes suaj zharitse
drejtoni kah qiella në ball të hyut a të dreqit,
i cili fatin tonë mbytte në mnijë të vetë përpise –
ta dijë se Birt’ e Shqipes folen ia ngrehën vetvetit.

Botuar në revistën “Fjala”, gusht 1978.

……………………………………………………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura