SHABAN MUHARREMI: KUJTIME PËR VEPRIMTARIN E ILEGALES, REXHEP AHMETI

Fribourg, 29 dhjetor 2020: Në një vjetorin e ndarjes, shkrimin ia kushtoj shokut tim të idealit, militantit dhe veprimtarit të ilegales, atdhetarit dhe luftëtarit të UÒªK-së, Rexhep Ahmetit
Ndjehem me fat dhe i privilegjuar që e kam njohur para 40-të vitesh dhe që kam punuar në kohëra shumë të vështira me një njeri siç ishte ai; i urtë, i sinqert, i arsyeshëm, optimist dhe shumë i durueshëm – intelektual i kompletuar. Nga një këndvështrim tjetër, ndjehem krenar që arrita t’i gjendem pran në çastet më të vështira të jetës se tij. T’falem dhe përulem miku im i shtrenjtë!

Rexhep Ahmeti me nxënësit e Shkollës fillore “Mehë Uka” në Trepçë duke pritur ardhjen e eshtrave të heroit kombëtar Isa Boltini
Gjëja me e bukur në jetë është puna e përzier me dashuri
Jam i vetëdijshëm se t’jesh pak i sinqert është gjë e rrezikshme, ndërsa nëse je shumë, është fatale. Megjithate, nuk thuhet kot se e vërteta ekziston, ndërsa gënjeshtra për t’u trilluar kërkon djersitje të madhe. Nëse ndokush mendon se jeta është vizatim ku mund të përdoret goma çdo ditë, ai apo ajo do të mashtrohen keq. Ndodhë shpesh që detajeve të vogla nuk u kushtojmë rëndësi dhe pikërisht këto imtësi do të ngulfasin e bezdisin më vonë. Për këtë arsye, them me bindje se viti 1985 ka qenë një ndër vitet më të bujshme të jetës time, vit kur kam njohur gëzimet dhe pikëllimet e tepruara të jetës. Pra, kam njohur limitet e dy poleve të kundërta, aty ku unë besoi se kufizohet çmenduria. Atë botë, unë kam krijuar bindjen se njeriu duron edhe ate që s’duhet ta duroj, por mosha e re po duronte dhe përballonte edhe ngarkesat që s’çohen.
Që nga janari (1985) isha përgatitë fizikisht dhe emocionalisht që detyrën dhe porosinë e marrë nga shoku im i ilegales Ferki Morina, ta kryej si duhet. Fundja, unë tashmë isha anëtar i plotfuqishëm i LRSSHJ-së dhe veprimtarinë time e konsideroja si mjaftë frytdhënëse. Kisha njoftuar dy shokët tjerë, Rexhep Ahmetin dhe Xhemajl Pllanën për ditën e aksionit dhe isha i vetëdijshëm për punën që na priste. Ne duhej ta kërkonim makinën e shkrimit, sepse me ketë makinë Asllani dhe Ferkiu kishin shkruar “Tetë kërkesa të parevokueshme të popullit shqiptar në Jugosllavi” që njëherit ishin edhe kërkesa të organizatës së LNCVSHJ-së.

Asllan Muharremi dhe Ferki Morina
TETË KËRKESA TË PAREVOKUESHME TË POPULLIT SHQIPTAR NË JUGOSLLAVI

I shtyrë nga shtypja e egër ekonomike, politike, shoqërore e kombëtare nën thundrën e pushtetit gjakatar titist, populli shqiptar në Jugosllavi është ngritur i tëri në luftën e tij të drejt për bukë, liri dhe të drejta demokratike. Ai e pa të arsyeshme të kërkojë me këmbëngulje Republikën e federuar të shqiptarëve në Jugosllavi. Në themelet e kësaj kërkese të shtruar në rrugë paqësore, me fajin e qeverisë shoviniste të Beogradit, u vu gjaku i derdhur, plagët e shumta dhe torturat çnjerëzore që po i bëhen burgjeve e gjyqeve një rinie të tërë shqiptare. Sot për këtë kërkesë është hedhur në gjyqin e tërbuar fashist i tërë populli ynë liridashës, të cilin, në prezencën dhe nën kërcënimin e milicisë dhe të ushtrisë serbe, po e detyrojnë të “diferencohet” nga kërkesat e veta më vitale, të shtruara në pranverë nga ana e djalërisë patriotike, komuniste e revolucionare të Kosovës.
Aktet barbare, me të cilat udhëheqja serbomadhe po përpiqet ta shtypë me çdo kusht e me çdo mjet vullnetin dhe të drejtat e patjetërsueshme të popullit tonë heroik, rrezikojnë në mënyrën më flagrante çdo arsyeshmëri dhe çdo cak të bashkëjetesës normale të popullit tonë me popujt e Jugosllavisë në kushtet ekzistuese, i hedhin helm plagës së madhe të popullit tonë martir dhe nxisin – me përmasa të papara deri më tash – urrejtjen ndërnacionale mes shqiptarëve dhe popujve të Jugosllavisë.
Prandaj, në mbrojtje të vullnetit sa e sa herë të ndrydhur e të nëpërkëmbur të popullit shqiptar në Jugosllavi, ne – një pjesë e pararojës patriotike e komuniste të shqiptarëve të robëruar, që jemi organizuar në gji të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi – dalim para popullit tonë, para opinionit jugosllav dhe atij botëror me këto kërkesa minimale të parevokueshme:
1) Pa iu njohur Kosovës statusi i Republikës në kuadër të federatës jugosllave;
2) Pa iu njohur shqiptarëve në Jugosllavi statusi i kombit dhe, rrjedhimisht, e drejta demokratike e leniniste për vetëvendosje deri në shkëputje;
3) Pa u marrë masat konkrete të të gjithë bashkësisë jugosllave që ritmi i zhvillimit të Kosovës të shpejtohet së paku në shkallën e parashikuar dhe të premtuar nga federata – do të thotë 60 për qind mbi mesataren jugosllave;
4) Pa u marrë masa të menjëhershme kundër papunësisë katastrofike në viset shqiptare, që në afatin sa më të shpejt të inkuadrohet krahu i lirë (ekzistues) i punës dhe të tërhiqen punonjësit tanë të shkapërderdhur në Perëndim dhe nëpër Republikat e zhvilluara të Jugosllavisë;
5) Pa shpalljen e amnistisë së përgjithshme, me të cilën do të liroheshin menjëherë dhe pa kusht të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë, që vuajnë dënime të rënda nëpër kazamatet jugosllave;
6) Pa marrë nga populli dënimin e merituar të gjithë ata udhëheqës politiko-shoqërorë, publicistë e njerëz të tjerë, qofshin nga Kosova ose republikat e Jugosllavisë, që janë implikuar në një mënyrë a në një tjetër në tragjedinë më të re të Kosovës, në fushatën e tërbuar antishqiptare të serbomëdhenjve, duke i shkaktuar popullit tonë plagë të reja dhe duke ndërsyer kundër tij popujt jugosllavë, të nxitur nga propaganda;
7) Pa formimin e një komisioni të posaçëm, që do të studiojë me themel dhe në hollësi aksionet shtetërore jugosllave për shpërnguljen e shqiptarëve, para e pas lufte, gjë që presupozon edhe publikimin e dokumenteve të fshehta shtetërore (të vjetra e të reja), që kanë të bëjnë me aksionin në fjalë; pa marrë dënimin e merituar të gjithë aktorët e gjallë (Çubrilloviçi me shokë) dhe të vdekur (Andriç, Vukotiçi etj.) të këtij akti barbar të gjenocidit; pa iu marrë e drejta qytetare publike të gjitha atyre veprave letrare (Duçiçi, Laliçi, Çosiçi, Bulatoviçi), kuazishkencore (Gjorgjeviçi, Cvijiçi etj.) e publicistike, në të cilat pasqyrohet përçmimi kombëtar e synimet antishqiptare, dhe mbi to të vihet embargo e përhershme jo vetëm në Kosovë po në mbarë Jugosllavinë;
8) Pa u rivendosur e pa u zhvilluar më tej marrëdhëniet e filluara kohë më parë mes popullit shqiptar (dhe popujve tjerë) në Jugosllavi me shtetin dhe me popullin shqiptar në RPS të Shqipërisë, të ndërprera në mënyrë të njëanshme arbitrare e me qëllime thellësisht antishqiptare.
– Pa këto masa të menjëhershme, rigorozisht të plota, populli shqiptar i martirizuar nuk do ta ketë as satisfaksionin më të vogël për krimet e vazhdueshme 70-vjeçare të gjenocidit nën regjimet e egra jugosllave, sidomos nën regjimin e vetëquajtur socialist dhe vetadministrues të klikës titiste-rankoviçiste, rrjedhimisht, nuk do të qetësohet deri në ngadhënjimin e plotë të të drejtave dhe të lirisë së tij.
Në qoftë se përkundrazi, udhëheqja jugosllave nuk merr qëndrim të matur, gjakftohtë e të drejtë përballë kërkesave tona krejt të ligjshme, por edhe më tutje vazhdon të godasë padrejtësisht popullin tonë, duke nxitur pos të tjerash kundër tij edhe popujt e pafajshëm të Jugosllavisë, përgjegjësinë për këtë do ta marrin mbi vete ekskluzivisht udhëheqja e Serbisë dhe ajo e federatës.
Asnjë kërcënim e shantazh për gjoja implikacionet e brendshme dhe ndërkombëtare, që – siç duan të thonë për demagogji serbomëdhenjtë – mund të dalin nga këmbëngulja e shqiptarëve për kërkesat aktuale, nuk mund të jenë kurrë pasojë e luftës së popullit tonë për bukë e liri. Çdo implikacion eventual, konkludojmë ne me ndërgjegje të plotë e të pastër, do të jetë rrjedhim i drejtpërdrejtë i politikës që na i mohon këto të drejta të ligjshme, rrjedhim i politikës së egër aktuale antishqiptare, që ndjek udhëheqja jugosllave, e cila, me dashje ose me pahir, është kapur në vallen fashiste të serbomëdhenjve.
Prandaj, asnjë pengesë, e vogël a e madhe qoftë, nuk do të na ndalë në luftën tonë të drejtë, e cila patjetër do të kurorëzohet me fitore, pa marrë parasysh disponimin, propagandën dhe masat e egra antishqiptare, që ia grisën krejtësisht maskën regjimit titist.

VDEKJE FSHIZMIT – LIRI POPULLIT!
Komiteti Qendror i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi
(Zëri i Kosovës, Nr.1, nëntor 1981, faqe 2-3)

Vendi ku Ferki Morina dhe Asllan Muharremi kanë fshehur makinën e shkrimit
Kjo makinë ishte fshehur në vend aq të sigurt, sa që, s’linte fije dyshimi për ndonjë rrezik eventual të dëmtimit të saj. Ajo ishte fshehur afër Hekurudhës Mitrovicë – Fushë Kosovë, te një kanal nëntokësor që përpinte një përrua që vinte mes fshatrave Nevolan dhe Bukosh të Vushtrrisë. Pra grykhyrja e këtij përroi ishte siguruar me mure betoni që t’mos ketë erozion të mundshëm të dheut, ndërsa makina gjendej prapa murit. Për këto dhe shumë detaje tjera jam njoftuar nga Ferkiu para se të shkonte ushtar. Makinën duhej ta nxirrnim për ta siguruar më mirë dhe për faktin se na duhej për punët në vazhdim. Për ketë detyrë, Rexhep Ahmeti ka qenë insistuesi dhe këmbëngulësi më i madh. Ai me sukses të pakrahasuar e ka përdorë ketë makinë për shumë vite dhe herë me Bedri Selmanin e herë vetë ka qenë shkruesi i pothuajse të gjitha trakteve që janë shkruar nga grupi ynë gjatë viteve 1985/1991. Sipas dëshmisë së Rexhës, makina është fshehë në fshatin e tij të lindjes.

Makina me të cilën janë shkruar “Tetë kërkesat e parevokushme”
Si e nxorëm makinën e shkrimit

Në fundin e shtatorit u takuam me Xhemën n’vendin e caktuar më parë. Ai kishte sjellë veglat e punës; dy lopata, një shati dhe një kazmë. Pas një bisede të shkurtër filluam punë, Xhema në një anë dhe unë nga ana tjetër. Ishte thatësi e madhe sa që m’dukej që po gërmonim në beton, po megjithate vazhduam të gërmojmë. Pas nja gjysëm ore u dakorduam që të gërmojmë cik-cak, pra me shkëputje sepse s’kishim shenja se po gjenim gjë. Pas nja një ore u ndalem pak dhe po bisedojmë, kishim etje dhe s’ishim kujtuar të merrnim s’paku pak ujë me vete. Mendja me shkoj ta ndezim nga një cigare po për shkaqe sigurie e lam fare. Kapa kazmën dhe i thash Xhemës se do të gërmoj vetëm skajet afër murit me beton dhe pas disa minutash rrëmihje gati se u lëndova, kazma me rrëshqiti në gropën ku gjendej makina e shkrimit dhe preku najlonin që ishte mbështjellë me te. Sa shumë u gëzuam që lokalizuam vendin dhe më s’do të gërmojmë në gjithë gjatësinë e murit. Tani rrëmihnim me radhë dhe ishte më lehtë për të dy, nuk vonoj shumë dhe e nxorëm me gjithë najlon. Makina ishte futur edhe në një thes dhe n’thes ishte edhe një arkë të cilën ne se hapëm fare sepse ishim të sigurt se ajo çka kërkonim, tanimë është në duart tona. Vendosëm që najlonin ta fusim në thes ngase kështu do ta bartim ma leht. Unë e hodha thesin mbi supe ndërsa Xhema u angazhua që t’i fshehë më larg mjetet e punës. Pas pak u bëmë serish bashk dhe trup arave mes Fabrikës se Llamarinës dhe lumit Silnica vazhduam drejt vendtakimit me Rexhën. Ishin nja tre/katër kilometra për të mbërri deri atje ku na priste Rexha – mes Pantinës dhe Kçiqit.
Me t’iu afruar vendtakimit me Rexhën, mbi bankinën e shtratit të lumit Silnica vërejtëm një njeri. Unë e njoha dhe isha i sigurt se ai ishte Rexha. I shkova n’ballafaqim ndërsa Xhema mbeti poshtë bankinës s’bashku me makinë.
Prite shumë, iu drejtova Rexhës!
O hajde mirë se erdhe se nuk është gajle pritja, po ç’të re më solle .
Makinën e gjetëm dhe e sollëm.
Je vetëm apo me shokun?
Jam s’bashku me shokun!
Ec ta takojmë!
Jo n’kurfarë mënyre i thash Rexhës!
Unë e di cili është…!
Prit ta konsultoj!
Shkova te Xhema dhe ai pranoj të takohet, kështu që ne u bëmë të tre bashkë, biseduam pak dhe Xhema u kthye, ndërsa unë dhe Rexha vazhduam rrugën për në Shalë.
U nisëm drejt Mitrovicës, kuptohet gjithmonë duke e ndjekur rrjedhën e lumit Silnica. Fillova ta ndjejë pakëz të ftohtit e natës sepse nuk isha i veshur edhe aq mirë, po gjëja që filloj të me bezdisë shumë ishte etja, besa edhe lodhja sepse kisha bërë pothuajse 20 km, dhe sa kilometra do të bëja ende kjo ishte një çështje tjetër.
Duke ecur me Rexhën, edhe bisedonim po edhe ndërroheshim duke e bartë me radhë makinën. Rexha me njoftoj se e ka lokalizuar një vend ku nuk është edhe aq thell për ta kaluar lumin.
Ah sikur t’ishte pirë ai ujë more Rexhë!
Besa edhe mua m’ka kapë etja po nuk po shoh far zgjidhje , duhet të durojmë kështu!
Vazhduam rrugën dhe hap pas hapi po i afroheshim vendit ku duhej kaluar lumin. Unë mendoja se vetëm do të zbatheshim, po jo. Ne duhej të zhvisheshim s’paku në brek se ndryshe s’kalonim pa u bërë çull. Ashtu edhe u bë, u zhvishëm dhe pasi i paluam mirë rrobat, Rexha kaloi i pari e unë pas tij, po ujë m’dukej shumë i ftohtë, aq i ftohtë sa që edhe sot kur e kujtoj rrënqethem. Si me shaka i thash Rexhës; unë deri nesër s’kam nevojë më për ujë! T’na pëlcet një gaz i të qeshurave të papërmbajtura sa që sa here që unë përmbahesha ndër buzë, ia kriste së qeshurës Rexha dhe kështu vazhduam rrugën. Kur iu afruam asaj pompës se derivateve në Shupkovc dhe aty duhej kaluar rrugën, këtë e bëmë pa fije problem. Më s’kishte qarkullim të automjeteve, droja ishte se mos ka ndonjë makinë policie që eventualisht është e parkuar në ndonjë skutë.
Pasi u siguruam mirë kaluam rrugën dhe filluam ngjitjen, pra rrugën që vetëm ngjitje kishte, pa pasur mundësi t’i çlodhësh këmbët. Kur kaluam në thellësi të malit u ndalëm e pushuam dhe biseduam bukur mirë. U ngritëm dhe vazhduam rrugën e mundimshme dhe me disa pushime të vogëla mbërrimë përballë fshatit Zasellë, pikërisht te pishat, te ai Poligoni ushtarak për stërvitje. Tani më s’na punonte trupi! Lodhja kishte depërtuar thell në trupin tonë.
Shabë ti kthehu e unë po e fshehi diku dhe vie e marr nesër.
Fillimisht s’ju përgjigja, por kur mendoja rrugën që do të bëja për t’u kthyer në shtëpi, i thash se nuk është ide e keqe, me kusht se ti nuk vepron ndryshe. Mendja me shkonte se Rexha për se gjalli ka për të shkuar deri në shtëpi me makinë mbi supe, e të shkosh nga këtu deri në Stranë, vërtetë ishte ma e mundimshme se sa rruga që do të bëja unë. Ai me premtoj dhe me bindi se ashtu do të vepronte. U përshëndetëm ngrohtësisht dhe caktuam takim pas disa ditësh për t’u njoftuar saktësisht me rrjedhën e mëtejme.
Rruga nga do të kthehesha ishte po ajo, por diferenca mes rrugës sime dhe asaj të Rexhës ishte e madhe. Ai kishte vetëm ngjitje ndërsa unë zbritje dhe pastaj rrafshit të Kosovës deri në hyrje të fshatit. Gjer sa kam ardhë te lumi ia kam çarë hallin Rexhës, por kur m’u desht të zhvishem prap kam menduar vetëm për vetën time. Unë patjetër duhej të kthehesha në shtëpi dhe ate para agut të ditës, se për ndryshe, pa fjetur diku nën ndonjë kaçubë shelgjesh afër lumit se kisha lënë.
Derisa mbërrina tek vendi ku e nxorëm makinën pos unë e di, më s’më punonte trupi. Isha lodhë e molisë sa s’ka më, bile edhe kisha frikë t’i afrohem hekurudhës, thua se çdo minut do të kalonte nga një tren. Kisha edhe nja dhjet kilometra për të bërë, ato që i kisha kaluar më si qaja, po këto që kishin mbetë m’dukeshin sikur të ishin nja njëqind. Ishte diku mes orës dy e tre të natës edhe pse s’kisha orë dore me vete, orë që s’kam bartur kurrë por që mendja ma thoshte ashtu.
Nga vendi ku e nxorëm makinën deri te Stacioni i trenit në Vërnicë kam shkuar me vullnet të jashtëzakonshëm, dhe ate, për faktin se m’ra ndërmend se aty ka një arë me lakra dhe një përrua që vie nga mali i Qiqavicës dhe mos vallë mund ta gjejë një pikë ujë. Òª’është e vërteta, ara me lakra ka pasë edhe më parë, po nga etja e madhe, lakrat s’me bënin përshtypje. Vetëm kur kam zënë në një lakër dhe me te dy duart kam rënë në një tjetër, atëherë e kam shkulë të tërën dhe iu kam vërsulë përroit. Për fatin tim e gjeta një cop grope me ujë dhe se pyeta fare për pastërtinë, spaku s’ishte ujë Silnice të ndotur. U ngopa dhe disi u kthjella e po i them lakrës: E mjera ti për vete! Pjesën tjetër të rrugës e kam kaluar më leht falë energjisë që me dha lakra, falë fizikut tim, po më se shumti falë dashurisë e përkushtimit për liri.
N’retrospektivë
Pas lufte kam biseduar me Rexhën për gjendjen e makinës së shkrimit dhe vendndodhjen. Ai me ka thënë decidivisht se e ka harruar vendin se ku e ka fshehë, por shpreson se do ta gjejë!
Koha rrodhi dhe vetëm korrikun e vitit 2019 ai i ka rënë në gjurmë dhe me ka njoftuar se e ka gjetë makinën e shkrimit. Këtë lajm unë e kam shpërnda, fillimisht te Asllan Muharremi, Xhafer Durmishi dhe Ferki Morina, e pastaj edhe në Fb. Korrikun e atij viti, Asllani ka shkuar në pushime, është takuar me Rexhën dhe janë ngjitë në Stranë (tani Gurakuq) dhe e kanë marrë makinën. Të njejtën ditë, Asllani m’i ka dërguar disa fotografi dhe ky ishte momenti që unë po e shihja për herë të parë këtë makinë, pasi rreth fundit të shtatorit 1985, makinën e nxjerrur nga toka, nuk e kemi nxjerrë nga thesi.

Rexhep Ahmeti dhe Asllan Muharremi, fotografuar nga Dardan Ahmeti (i biri i Rexhepit)
Ka qenë qëndrim i Rexhës që këtë makinë t’ia dorëzojmë Arkivit të Kosovës edhe pse makina nuk është më në gjendje që mund të përdoret. Këtë mendim e kishim dhe e kemi unë me Asllanin…
PS. Ndoshta për ketë makinë s’kisha shkruajt kurrë, s’paku jo vetëm me këto personazhe, sepse kam menduar që si shokë që ishim, bashkarisht do ta përpilonim një shkrim shumë më meritorë. Mirëpo, meqenëse dikujt ju ngut “ta kapë historinë” vetëm për vete, duke anashkaluar, injoruar, nënçmuar, përbuzur e duke qenë skajshmërisht indiferent ndaj shokëve të dikurshem, sidomos ndaj Asllanit që tërë jetën e tij sakrifikoj për ata, atëherë unë u them botërisht se jam pronar legjitim i kësaj makine. E them me përgjegjësi se këtë makinë e kanë përdorë vetëm katër veta; Asllan Muharremi, Ferki Morina, Rexhep Ahmeti dhe Bedri Selmani


Shaban Muharremi para makinës së shkrimit 

Total
0
Shares
1 comments
  1. What you published was actually very logical. However, consider this, what if you typed a catchier post title?
    I am not suggesting your content isn’t solid, but what if you added a post title that grabbed a person’s attention?
    I mean SHABAN MUHARREMI: KUJTIME PËR VEPRIMTARIN E ILEGALES, REXHEP
    AHMETI – Pashtriku is a little vanilla. You might peek at Yahoo’s front page and note
    how they create news headlines tto grab viewers to click.

    You might add a related video or a picture or two to grab people interested about everything’ve
    written. Just myy opinion, it could make your webdite a little livelier. https://Ukrain-Forum.Biz.ua/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura